U.nr.271/2024


Gjykata Kushtetuese
e Republikës së Maqedonisë
U.nr.271/2024
Shkup, 30.04.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, Elizabeta Dukovska, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 1 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 30 prill 2025, miratoi

A K T V E N D I M

HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 15-v në pjesën: “për administratën publike” të Ligjit për Inspektimin Administrativ (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 69/2004, 22/2007, 115/2007, 51/2011, 164/2013, 41/2014, 33/2015, 156/2015, 193/2015, 53/2016 dhe 11/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, numër 103/2021, 208/2024 dhe 272/2024).

Arsyetim

I

Igorço Toçev nga Shkupi, parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së një pjese të dispozitës së Ligjit, të shënuar në dispozitivin e këtij aktvendimi.
Parashtruesi i iniciativës vlerëson se pjesa e kontestuar: „për administratën publike”, që ndodhet në nenin 15-v të Ligjit për Inspektimin Administrativ (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 69/2004, 22/2007, 115/2007, 51/2011, 164/2013, 41/2014, 33/2015, 156/2015, 193/2015, 53/2016 dhe 11/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, numër 103/2021, 208/2024 dhe 272/2024), nuk është në përputhje me parimin e sundimit të së drejtës, pasi krijon pasiguri ligjore në lidhje me atë se kush është kompetent për ta miratuar aktin për organizimin e punës dhe zbatimin e mbikëqyrjes inspektuese.
Në iniciativë thuhet se në pajtim me nenin 4 të Ligjit për Plotësimin e Ligjit për Inspektimin Administrativ (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 115/2007), “ministri i Drejtësisë, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do ta miratojë aktin e përmendur në nenin 15-v të këtij ligji dhe jo ministri i Administratës Publike”. Parashtruesi, gjithashtu, potencon se Ligji për Ndryshimin e Ligjit për Inspektimin Administrativ (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 115/2007), si dhe neni 4 i Ligjit, ende janë në fuqi dhe sipas tij, nuk mund të konsiderohet si lëshim në nomoteknikë fakti që në një normë i përcaktohet kompetenca për miratimin e një akti një ministri të njërit organ të administratës shtetërore, ndërsa në një dispozitë tjetër në ligjin e njëjtë, përcaktohet që po i njëjti akt miratohet nga një ministër tjetër i një organi tjetër të administratës shtetërore. Për arsyet e lartpërmendura, propozon që Gjykata të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesës së kontestuar: “për administratën publike” të nenit 15-v të Ligjit dhe më pas ta shfuqizojë atë.

II

Në seancë, Gjykata konstatoi se sipas nenit 15-v të Ligjit për Inspektimin Administrativ, mënyra e organizimit të punës dhe zbatimit të mbikëqyrjes inspektuese përcaktohet më hollësisht nga ministri i Administratës Publike, ndërsa me iniciativën kontestohet pjesa: “për administratën publike”.

III

Sipas nenit 110 alineja 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.
Sipas nenit 38 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese e hedh poshtë iniciativën nëse ka pengesa të tjera procedurale për të vendosur mbi iniciativën.
Parashtruesi i iniciativës vlerëson se neni 15-v në pjesën: “për administratën publike” të Ligjit për Inspektimin Administrativ (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 69/2004, 22/2007, 115/2007, 51/2011, 164/2013, 41/2014, 33/2015, 156/2015, 193/2015, 53/2016 dhe 11/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, numër 103/2021, 208/2024 dhe 272/2024), nuk është në përputhje me parimin e sundimit të së drejtës, pasi ministri i Drejtësisë ka qenë i autorizuar ta miratojë aktin sipas nenit 15-v të Ligjit, gjë që u pasqyrua edhe në nenin 4 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Inspektimin Administrativ (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 115/2007), dhe jo ministri i Administratës Publike.
Duke vepruar mbi iniciativën në fjalë, Gjykata konstatoi se me nenin 2 të Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Inspektimin Administrativ (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 115/2007), shtohen tri nene të reja në Kapitullin V, përfshirë nenin 15-v, i cili thotë: “Mënyra e zbatimit të mbikëqyrjes inspektuese përcaktohet më hollësisht nga ministri i Drejtësisë”. I njëjti Ligj e rregullon edhe nenin 4 si një normë të veçantë, ku thuhet: “ministri i Drejtësisë, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, miraton aktin e përmendur në nenin 15-v të këtij Ligji”.
Gjykata, gjithashtu, konstatoi se me nenin 7 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Inspektimin Administrativ (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, numër 103/2021), ndryshohet neni 15-v, ndërsa pas ndryshimit, ky nen thotë: “Mënyra e organizimit të punës dhe kryerjes së mbikëqyrjes inspektuese përcaktohet më hollësisht nga ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës”. Në ligjin e njëjtë rregullohet neni 14, si një normë e veçantë ku thuhet: “Aktet nënligjore të parashikuara nga ky Ligj, do të miratohen brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij Ligji”.
Njëkohësisht, Gjykata konstatoi se sipas nenit 5 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Inspektimin Administrativ (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, numër 208/2024), në nenin 15-v fjalët: “ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës”, zëvendësohen me fjalët: “ministri i Administratës Publike”.
Është e dukshme se parashtruesi i iniciativës nuk i ka marrë parasysh të gjitha ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Inspektimin Administrativ, konkretisht ato të vitit 2021, me të cilat u ndryshua neni 15-v i Ligjit, me anë të të cilit ministri i Drejtësisë nuk është më i autorizuar ta miratojë aktin nënligjor, por ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, i cili, në përputhje me nenin 14 të të njëjtit ligj, duhet ta miratojë aktin nënligjor brenda afatit të parashikuar në atë nen. Në të njëjtën kohë, parashtruesi nuk i ka marrë parasysh ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nga viti 2024, me të cilat fjalët: “ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës”, zëvendësohen me fjalët: “ministri i Administratës Publike”, kështu që kontestimi i nenit 15-v në pjesën: “për administratën publike” të Ligjit është në të vërtetë i pabazë dhe për këto arsye, Gjykata vlerësoi se janë përmbushur kushtet e nenit 38 alineja 3 të Aktit të Gjykatës, për ta hedhur poshtë iniciativën.

IV

Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski