BZSP.nr.12/2025

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
BZSP.nr.12/2025
Shkup, 12.11.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 59 alineja 1 dhe nenit 73 alineja 2 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 12 nëntor 2025, miratoi


A K T V E N D I M


NDËRPRITET procedura sipas kërkesës së parashtruar nga Aleksandar Naskovski nga Shkupi, për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave nga neni 110 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.


Arsyetim


I


Aleksandar Naskovski nga Shkupi, më 11.07.2025, parashtroi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit nga neni 110 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, që kanë të bëjnë me ndalimin e diskriminimit të qytetarëve në bazë të përkatësisë sociale dhe me mbrojtjen e të drejtës nga marrëdhënia e punës, përkatësisht ushtrimin e të drejtës si i punësuar, në përputhje me nenin 46 paragrafi 3 të Ligjit për Marrëdhënie Pune.


II


Në seancë, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës, Aleksandar Naskovski nga Shkupi, me parashtresën e datës 12.08.2025, e njoftoi Gjykatën Kushtetuese se e tërheq kërkesën e parashtruar për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave, të datës 11.07.2025.
Në parashtresë, parashtruesi thekson se kërkesën për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave ia ka parashtruar Gjykatës Kushtetuese për shkak të periudhës së gjatë kohore që kishte kaluar për miratimin e një mendimi nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, para të cilit kishte parashtruar peticion për konstatimin e diskriminimit ndaj ushtarëve profesionistë, megjithatë, më datë 16.07.2025 nga Komisioni u është dërguar Mendimi nr.08-117/4 mbi diskriminimin e tërthortë, të konstatuar nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndaj ushtarëve profesionistë në shërbim të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të statusit personal dhe atij social në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës.
Njëkohësisht, parashtruesi e njofton Gjykatën Kushtetuese se me Mendimin në fjalë, përveç diskriminimit të tërthortë të konstatuar, Komisioni ka dhënë edhe udhëzime dhe rekomandime për mënjanimin e shkeljes, gjë që e kënaq parashtruesin e peticionit nga përgjigjja e institucionit kompetent – Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, prandaj, për këto arsye kërkon që Gjykata Kushtetuese të mos veprojë dhe të mos hapë procedurë mbi këtë bazë.


III


Sipas nenit 59 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese do ta ndërpresë procedurën për kërkesën e parashtruar, nëse parashtruesi e tërheq kërkesën.
Duke marrë parasysh se parashtruesi i kërkesës e tërhoqi kërkesën për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave nga neni 110 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata konstatoi se janë përmbushur kushtet nga neni 59 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese për ndërprerjen e procedurës.


IV


Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski