U.nr.73/2025

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.73/2025
Shkup, 19.11.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska – Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 1 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 19 nëntor 2025, miratoi

A K T V E N D I M

HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 33 paragrafët 9 dhe 10 në pjesën “raporti vjetor” dhe paragrafi 11 në pjesën “raporti” të Ligjit për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.14/2007, 103/2008, 130/2008, 139/2009, 156/2010, 127/2012, 41/2014, 160/2014, 72/2015, 129/2015, 173/2015, 192/2015, 217/2015, 30/2016 dhe 83/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.13/2023 dhe 59/2025).

Arsyetim

I

Igorço Toçev nga Shkupi, në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, parashtroi iniciativë për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesëve të kontestuara të dispozitave të Ligjit të shënuar në dispozitivin e këtij aktvendimi.
Parashtruesi i iniciativës konteston nenin 33 paragrafi 9 në pjesën “raporti vjetor”, nenin 33 paragrafi 10 në pjesën “raporti vjetor” dhe nenin 33 paragrafi 11 në pjesën “raporti” nga Ligji për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike, si në kundërshtim me vlerën themelore të sundimit të së drejtës, që nënkupton se në rendin juridik duhet të ketë norma të qarta dhe precize.
Në iniciativë citohet neni 33 paragrafi 6 i Ligjit për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike, sipas të cilit “aktvendimet” nga paragrafi 5 i këtij neni miratohen mbi planin e biznesit të paraqitur paraprakisht, i cili i referohet zgjerimit të kapacitetit të ndërmarrjes ekzistuese, diversifikimit të prodhimit të ndërmarrjes duke krijuar kështu produkte të reja shtesë apo ndryshimit thelbësor në procesin e përgjithshëm të prodhimit të ndërmarrjes ekzistuese, si dhe miratohen mbi miratimin për evidencë në Drejtorinë Doganore, në përputhje me nenin 41 të këtij Ligji.
Paragrafi 9 i kontestuar i të njëjtit nen të Ligjit, rregullon çështjen se raporti vjetor nga paragrafi 6 i këtij neni, përmban të dhëna në veçanti mbi vëllimin e prodhimit, respektivisht, shërbimet e kryera në zonë, në mënyrë kuantitative dhe sipas vlerës; shkëmbimin e kryer tregtar të jashtëm sipas vlerës dhe sasisë, edhe atë në bazë të: vendeve, produkteve dhe produktit të vendit, si dhe numrin e punësimeve të realizuara në periudhën raportuese sipas strukturës së kualifikimit.
Për më tepër, me paragrafin 10 të kontestuar, përcaktohet se formën dhe përmbajtjen e raportit vjetor nga paragrafi 6 i këtij neni, e përcakton drejtori i Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike dhe sipas paragrafit 11 të kontestuar, Drejtoria është e detyruar t’i dërgojë paralajmërim përdoruesit të zonës, më së voni 15 ditë para skadimit të afatit për raportin nga paragrafi 6 i këtij neni.
Duke marrë parasysh se pjesët e kontestuara të dispozitave i referohen zbatimit të normave të tjera, respektivisht, në situatën konkrete i referohen paragrafit 6, i cili nuk është në përputhje me dispozitat në të cilat përfshihen pjesët e kontestuara, në këtë rast, ato nuk e plotësojnë njëra-tjetrën dhe nuk formojnë një tërësi funksionale juridikisht logjike të normave që do të zbatoheshin në qarkullimin juridik.
Bazuar në sa më sipër, parashtruesi propozon që Gjykata të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesëve të kontestuara të dispozitave si të kundërshtueshme me Kushtetutën dhe t’i shfuqizojë ato.

II

Në seancë, Gjykata konstatoi se neni 33 paragrafi 9 i Ligjit për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.14/2007, 103/2008, 130/2008, 139/2009, 156/2010, 127/2012, 41/2014, 160/2014, 72/2015, 129/2015, 173/2015, 192/2015, 217/2015, 30/2016 dhe 83/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr.13/2023 dhe 59/2025) përcakton që raporti vjetor nga paragrafi 6 i këtij neni përmban të dhëna veçanërisht për: 1) vëllimin e prodhimit, respektivisht, shërbimet e kryera në zonë, në mënyrë kuantitative dhe sipas vlerës; 2) shkëmbimin e kryer tregtar të jashtëm sipas vlerës dhe sasisë, edhe atë në bazë të: vendeve, produkteve dhe ndërlidhjes vend- produkt, si dhe 3) numrin e punësimeve të realizuara në periudhën raportuese, sipas strukturës së kualifikimit.
Sipas paragrafit 10 të këtij neni, forma dhe përmbajtja e raportit vjetor nga paragrafi 6 i këtij neni, përcaktohen nga drejtori i Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike.
Paragrafi 11 i të njëjtit nen, rregullon çështjen se Drejtoria është e detyruar t’i dërgojë paralajmërim përdoruesit të zonës më së voni 15 ditë para skadimit të afatit për raportin nga paragrafi 6 i këtij neni.

III

Në pajtim me nenin 110 alineja 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.
Në nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës, sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas nenit 38 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut do ta hedhë poshtë iniciativën nëse nuk është kompetente të vendosë mbi kërkesën.

IV

Në iniciativë kontestohet kushtetutshmëria e nenit 33 paragrafi 9 në pjesën “raporti vjetor”, nenit 33 paragrafi 10 në pjesën “raporti vjetor” dhe nenit 33 paragrafi 11 në pjesën “raporti” të Ligjit për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike, si të kundërshtueshme me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës.
Gjatë konstatimit të gjendjes faktike, Gjykata vlerësoi se ka ndodhur një lëshim teknik dhe se i njëjti është kryer në momentin kur me nenin 14 të Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.160/14), pas paragrafit 4 në nenin 33 janë shtuar dy paragrafë të rinj 5 dhe 6, ndërsa paragrafët 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 13, 14 dhe 15 kalojnë në paragrafët 7, 8, 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 16 dhe 17.
Në një situatë të tillë dhe bazuar në kompetencat e përcaktuara kushtetuese, ligjvënësi ka qenë i detyruar që të intervenojë në përmbajtjen e paragrafëve 9, 10 dhe 11 të nenit 33, në pjesën “raporti vjetor nga paragrafi 6” dhe ta zëvendësonte atë me pjesën “raporti vjetor i paragrafit 8”, në përputhje me numërimin e Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.160/2014), me qëllim harmonizimin e dispozitave të Ligjit.
Nga shqyrtimi i përmbajtjes së nenit që përfshin pjesët e kontestuara, del qartë se është bërë një lëshim teknik me natyrë nomoteknike, i cili vihet re lehtësisht me një interpretim sistematik të tërësisë së dispozitës ligjore, prandaj, kushtetutshmëria e pjesëve të kontestuara të dispozitës së Ligjit me sundimin e së drejtës si vlerë themelore të rendit kushtetues, nuk mund të vihet në dyshim.
Duke marrë parasysh kompetencat e përcaktuara të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata vlerësoi se në rastin konkret, janë plotësuar kushtet e nenit 38 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese për hedhjen poshtë të iniciativës, për shkak të mungesës së kompetencës, duke marrë parasysh se pretendimet mbështeten në kërkesën që Gjykata Kushtetuese të veprojë, për çka kompetencë ka ligjvënësi, i cili krijon aktet, i ndryshon dhe i plotëson ato dhe në të njëjtën kohë bën korrigjime dhe përmirësime teknike të akteve që i miraton.

V

Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski