Besimi i qytetarëve nuk fitohet vetëm përmes vendimeve që i miraton Gjykata Kushtetuese, por edhe përmes mënyrës se si përzgjidhen gjykatësit, hapjes së institucionit dhe gjuhës me të cilën ajo i drejtohet opinionit publik.
Këto janë pjesë të përfundimeve nga fjalimi i prof.dr.Ana Pavllovska-Daneva, gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kuadër të seancës së dytë tematike të Konferencës Ndërkombëtare në Ohër, kushtuar përforcimit të besimit në gjykatat kushtetuese.
Në fjalimin e saj, ajo iu referua sfidave që ndikojnë mbi besimin në gjyqësorin kushtetues, ndër të cilat, puna e Gjykatës me përbërje të paplotë, transparenca e pamjaftueshme gjatë përzgjedhjes së gjykatësve kushtetues, gjuha e ndërlikuar juridike në vendimet gjyqësore dhe përpjekjet për përfshirjen e Gjykatës në çështjet politike dhe ndërpartiake.
Në vijim është fjalimi i saj:
Për ta kuptuar rëndësinë e besimit të opinionit publik në gjyqësorin kushtetues dhe mënyrat për fitimin dhe përforcimin e tij, së pari është e nevojshme t’i referohemi vendit dhe pozitës shoqërore të gjykatave kushtetuese në demokracitë bashkëkohore.
Konkretisht, Gjykata Kushtetuese, aq sa është organ gjyqësor, është edhe organ politik. Roli i saj si “ligjvënës negativ”, siç e përkufizon Hans Kelzen, flet për faktin se shfuqizimi i një norme të përgjithshme (i ligjit), edhe pse kryhet në procedurë dhe formë gjyqësore, në thelb përfaqëson funksion ligjvënës, përkatësisht politik.
Përveç kësaj, lëndë e vendimmarrjes së gjyqësorit kushtetues janë aktet e përgjithshme juridike, të cilat shprehin drejtpërdrejt vullnetin politik të pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv. Mënyra politike e konstituimit (zgjedhja e gjykatësve kushtetues nga Kuvendi, me kohëzgjatje të kufizuar të mandatit) e nënvizon vijën më të thellë të dallimit të gjykatave kushtetuese nga gjykatat e rregullta.
Prandaj, mënyrat e fitimit të besimit në gjykatat kushtetuese duhet të jenë të ndryshme nga ato që i zbatojnë organet e tjera në shtet.
Do t’i referohem konkretisht gjendjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se një pjesë e këtyre mjeteve varen nga ne vetë gjykatësit kushtetues, por një pjesë e mirë e tyre varen edhe nga faktorët e jashtëm:
– Nga sjellja dhe puna e elitave politike, organeve shtetërore, mediave, madje edhe nga aktivitetet e organizatave qytetare;
– Nga periudhat e shpeshta të punës së Gjykatës Kushtetuese në përbërje të paplotë, ku në një periudhë të caktuar kohore Gjykata është lënë të punojë madje në prag të kuorumit, me vetëm pesë nga nëntë gjykatësit e parashikuar;
– Nga përzgjedhja pamjaftueshëm transparente e gjykatësve, si nga radhët e juristëve të shquar që i zgjedh Kuvendi, ashtu edhe nga radhët e gjykatësve të gjyqësorit të rregullt, që i propozon Këshilli Gjyqësor. Kjo sfidë mund të zbutet të paktën me publikimin në kohë të biografive profesionale të kandidatëve për gjykatës dhe me thirrjen publike të tyre që t’i arsyetojnë biografitë e tyre;
– Nga përdorimi i gjuhës së ndërlikuar juridiko-teknike në vendimet e Gjykatës, veçanërisht në arsyetimet e tyre;
– Nga instrumentalizimi i diskursit publik përmes përfshirjes së vetëdijshme dhe të qëllimshme të Gjykatës Kushtetuese në zgjidhjen e problemeve politike, madje edhe ndërpartiake, nga ana e partive politike, si të atyre në pushtet, ashtu edhe të opozitës;
Prandaj, mënyra e vetme që Gjykata Kushtetuese ta ndërtojë legjitimitetin e saj përmes besimit të fortë të qytetarëve në punën e saj është të sigurojë transparencë në përzgjedhjen e gjykatësve, hapje dhe publicitet të punës së Gjykatës dhe thjeshtim të gjuhës në të cilën hartohen aktet e saj.
