Gjykata Kushtetuese prezanton Programin e Takimit të Katërt Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit dhe Konferencës Ndërkombëtare në Ohër


Kryetarë dhe gjykatës të gjykatave kushtetuese, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe ekspertë të shquar juridikë do të marrin pjesë në Konferencën Ndërkombëtare kushtuar besimit në gjyqësorin kushtetues, sfidave bashkëkohore dhe sundimit të së drejtës.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga data 12 deri më 14 nëntor 2026, do të jetë nikoqire e Takimit të Katërt Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit (BCCF), i cili do të mbahet në Ohër.

Krahas Takimit Vjetor të kryetarëve të gjykatave kushtetuese – anëtare të Forumit, në fokus të këtij eventi do të jetë edhe Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Sfidat bashkëkohore të sundimit të së drejtës: Roli i gjykatave kushtetuese”, e cila do të mbahet më 13 nëntor 2026.

Konferenca do të trajtojë çështje me rëndësi thelbësore për gjyqësorin kushtetues bashkëkohor, me theks të veçantë në përforcimin e besimit të qytetarëve në gjykatat kushtetuese, sfidat që sjell epoka digjitale dhe sigurimin e mbrojtjes efektive kushtetuese.

Hapja solemne do të fillojë me intonimin e himnit shtetëror dhe shfaqjen e filmit dokumentar kushtuar 62-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në kuadër të pjesës përshëndetëse të Programit, janë paraparë fjalime nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, si dhe nga gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë dhe përfaqësuesi i Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Frankofone (ACCF), Kristian Deliorga.

Në këtë Program, është paraparë edhe një fjalim me video-mesazh nga ambasadori Kilian Val, shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup.

Fjalim hyrës do të ketë prof.dr.Kristof Grabenvarter, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Austrisë, me temën: “Rëndësia e bashkëpunimit rajonal ndërmjet gjykatave kushtetuese”.

Fjalimi i tij do t’i kushtohet rolit të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe praktikës gjyqësore-kushtetuese në përballjen me sfidat e përbashkëta dhe në përforcimin e drejtësisë kushtetuese.

Pjesa kushtuar punës në Konferencë, do të zhvillohet në kuadër të tri sesioneve tematike, në të cilat do të marrin pjesë kryetarë dhe gjykatës të gjykatave kushtetuese, përfaqësues të institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe profesorë universitarë.

Sesioni i parë, me titull: “Si të rritet besimi në gjykatat kushtetuese?”, do të moderohet nga dr.Sadet Juksel, gjykatëse e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Po ashtu, parashihen edhe fjalime nga Mersida Xhaferllari, gjykatëse kushtetuese nga Shqipëria, Pavlina Panova, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, Nexhmi Rexhepi, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe Bulos Fahmi Iskandar, Kryetar i Gjykatës së Lartë Kushtetuese të Egjiptit.

Sesioni i dytë, i cili do të vijojë me shqyrtimin e çështjeve që lidhen me besimin në gjyqësorin kushtetues, do të moderohet nga Martin Kuijer, gjykatës i Gjykatës Supreme të Holandës dhe anëtar i Komisionit të Venecias.

Në diskutim, me fjalimet e tyre, do të marrin pjesë edhe Snezhana Armenko, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, Kadir Ozkaja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, prof.dr.Ana Pavllovska-Daneva, gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe prof.dr.Renata Deskoska, nënkryetare e Komisionit të Venecias.

Sesioni i tretë do t’i kushtohet besimit në gjykatat kushtetuese në epokën digjitale, me theks të veçantë në teknologjitë e reja, ndikimin e tyre në gjyqësorin dhe sfidat që lidhen me mbrojtjen e të drejtave kushtetuese.

Moderatore e sesionit do të jetë Renata Deskoska, ndërsa fjalime të tjera janë paraparë edhe nga Larisa Veliq, gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës e Hercegovinës, Musa Laraba, sekretar i përgjithshëm i Konferencës së Juridiksioneve Kushtetuese të Afrikës (CJCA), Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe Martin Kuijer.

Konferenca do të përmbyllet me fjalimin përmbyllës të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski.

Miratimi i Deklaratës së Ohrit për përforcimin e besimit në gjykatat kushtetuese

Një ndër aspektet e rëndësishme të Takimit Vjetor është iniciativa për “Dialogun e Ohrit për rritjen e besimit në gjykatat kushtetuese”, si bazë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.

Në kuadër të Forumit parashihet të shqyrtohet dhe të miratohet dokumenti i përbashkët, kushtuar përforcimit të besimit në gjykatat kushtetuese, me fokus në pavarësinë, transparencën, efikasitetin dhe qasjen e qytetarëve në drejtësinë kushtetuese.

Në kuadër të Takimit Vjetor do të mbahet edhe mbledhja e Këshillit Drejtues të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, në të cilën do të shqyrtohen çështjet që lidhen me funksionimin e mëtejshëm të Forumit dhe kryesimin e tij.

Për Forumin dhe kompetencat e tij

Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit përfaqëson një platformë për bashkëpunim, dialog profesional dhe shkëmbim përvojash ndërmjet gjykatave kushtetuese të rajonit.

Anëtare të tij janë gjykatat kushtetuese të Shqipërisë, Bullgarisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Turqisë, ndërsa në veprimtarinë e Forumit, në cilësinë e vëzhguesve, marrin pjesë edhe institucione të Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Rumanisë dhe Greqisë.

Pas Takimeve Vjetore të mëparshme, të mbajtura në Sofje në vitin 2023, në Prishtinë në vitin 2024 dhe në Antalia në vitin 2025, Ohri është nikoqiri i katërt i këtij Forumi.

Me organizimin e këtij eventi ndërkombëtar, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vijon me angazhimin e saj në thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, shkëmbimin e praktikave të mira dhe përforcimin e rolit të gjykatave kushtetuese në mbrojtjen e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.

Agjendën e detajuar për këtë event mund ta lexoni në faqen e internetit të Gjykatës në vijim:

https://ustavensud.mk/bccf/agenda