Fjalimi i Kryetarit Kostadinovski në Konferencën Ndërkombëtare në Ohër me temë: “Sfidat bashkëkohore të sundimit të së drejtës: Roli i gjykatave kushtetuese”

Të nderuar kryetarë dhe gjykatës të gjykatave kushtetuese,

I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,

I nderuar ministër i Drejtësisë,

Të nderuar kolegë, zonja dhe zotërinj,

Në emër të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, ju uroj mirëseardhje të ngrohtë në Ohër, në Konferencën e Katërt Vjetore në kuadër të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit.

Në Maqedoni nuk ka vend më të përshtatshëm për një tubim të tillë, ku do të ndajmë dituritë e përvojat dhe do të mësojmë nga njëri-tjetri. Ohri është qytet në të cilin janë kryqëzuar qytetërimet. Ohri është qytet në të cilin me shekuj dituria është bartur nga një brez te tjetri dhe pikërisht në Ohër, sot do të diskutojmë për sfidat e shtetit juridik dhe të sundimit të së drejtës, por do të diskutojmë edhe për përfitimet dhe rreziqet që na i sjell inteligjenca artificiale dhe teknologjitë që dituritë i bartin për një çast.

Të nderuar të ftuar,

Nuk e di se cili është përcaktimi më i drejtë – sfida apo kriza e shtetit juridik dhe e sundimit të së drejtës? Por ajo që e di është se, pavarësisht se cilin përcaktim do ta përdorim, rezultati është pothuajse i njëjtë, që nënkupton sfidë apo krizë të demokracisë! Demokracitë bashkëkohore sjellin sfida të reja dhe shumë më të ndërlikuara. Jemi dëshmitarë të rolit të dobësuar të parlamenteve, të pushteteve ekzekutive gjithnjë e më të forta, të shfaqjes së erozionit demokratik dhe të prirjeve autoritare, të cilat, ndonëse formalisht zhvillohen brenda institucioneve demokratike, në thelb i minojnë vlerat demokratike. Njëkohësisht, gjykatat kushtetuese përballen edhe me një sfidë krejtësisht tjetër – të mbrojnë pavarësinë e tyre dhe të mbrohen nga akuzat për aktivizëm gjyqësor të tepruar. Këto sfida janë edhe më të theksuara në shtetet që janë në tranzicion, ku institucionet demokratike ende po konsolidohen, kultura politike është pamjaftueshëm e zhvilluar, ndërsa ndikimet politike mbi institucionet përbëjnë sfidë të përditshme.

Në rrethana të tilla, roli i gjyqësorit kushtetues merr rëndësi dhe përgjegjësi shtesë, ndërsa pyetja kyçe është se si gjyqësori kushtetues duhet të reagojë ndaj këtyre sfidave. Më duhet shumë kohë për të thënë gjithçka që mendoj, por nuk e kam në dispozicion, prandaj do të ndalem te ajo që mendoj se është më thelbësorja, më fondamentale.

Të nderuar,

E para dhe më e rëndësishmja është të mbrojmë pavarësinë e gjyqësorit, sepse ajo është garanci thelbësore për sundimin e së drejtës. Në gjyqësorin kushtetues ajo ka peshë të veçantë, sepse Gjykata vendos për kufijtë e pushtetit shtetëror dhe për mbrojtjen e vlerave themelore kushtetuese.

Sa i përket pavarësisë, nuk do t’i përdor klishetë e vjetra dhe të mirënjohura, në kuptimin se e dimë se cilat janë mënyrat dhe mundësitë me të cilat politika, kur dëshiron, ndikon te gjykatat kushtetuese, qoftë me zgjedhjen e gjykatësve të përshtatshëm, moszgjedhjen dhe mosplotësimin e përbërjeve të gjykatave, ndryshimet në kuadrin institucional e normativ, pjesë e të cilit është pavarësia statusore, me vërejtjet publike, mënyrat e ndryshme të ndikimit etj. Ajo te e cila dua të ndalem, përveç garancive institucionale që janë të domosdoshme, janë cilësitë personale të atyre që e ushtrojnë funksionin e gjykatësit. Pavarësia dhe autonomia e siguruar formalisht merr kuptimin e vërtetë, kur gjykatësi zotëron dituri, integritet dhe guxim të vendosë sipas bindjes së tij juridike, i çliruar nga ndikimet politike, preferencat dhe interesat personale ose pritshmëritë për pëlqim publik. Pikërisht këtu pikëtakohen pozita institucionale e Gjykatës dhe përgjegjësia personale e gjykatësit kushtetues.

Unë, për të disatën herë, do ta citoj mikun tim të dashur dhe të madh, Kadir Ozkaja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë: “Peshorja e drejtësisë është në duart e gjykatësve. Ajo është peshorja më e ndjeshme në botë dhe për mbajtjen e saj në mënyrën e duhur nuk mjafton vetëm njohja e së drejtës, por nevojiten ndërgjegjja, integriteti moral, ndershmëria dhe modestia”.

Këto fjalë të tij, përmbajnë një të vërtetë të thellë. Dituria juridike duhet të shoqërohet me ndërgjegje të zgjuar dhe forcë morale. Nga gjykatësi pritet respektimi i së drejtës, ndershmëria, modestia dhe qetësia.

Arroganca dhe gjaknxehtësia e cenojnë aftësinë për peshim të drejtë. Sinqeriteti dhe integriteti personal duhet ta shndërrojnë në shembull për të tjerët. Ndërgjegjja, si aftësi e brendshme për ta dalluar të drejtën nga e gabuara, në këtë këndvështrim, është e orientuar nga e vërteta dhe nuk i arsyeton veprimet e pavlefshme. Ajo është e ndërlidhur me pavarësinë dhe paanshmërinë. Arsyeja, ekspertiza, etika dhe ndërgjegjja së bashku e krijojnë aftësinë për gjykim të drejtë.

Prandaj, konsideroj se vetëm gjykatës me karakteristika të tilla mund t’u përgjigjen sfidave bashkëkohore të sundimit të së drejtës.

Shtylla e dytë është besimi, i cili është një çështje e ndërlikuar, që nuk varet vetëm nga gjykatat kushtetuese, por nga shumë faktorë dhe aktorë të tjerë. Megjithatë, pavarësia dhe besimi janë të lidhura dhe të kushtëzuara në mënyrë fondamentale. Pa transparencë dhe hapje, pa arsyetime të argumentuara dhe të forta të vendimeve, ky besim është i pamundur.

Në lidhje me transparencën, Gjykata jonë tashmë kishte standarde të vendosura, por, sa i përket hapjes, konsiderova se mund të bëhej edhe një hap i ndjeshëm më tej. Prandaj, që në dy muajt e parë të mandatit tim, mora vendim që pas çdo seance personalisht unë dhe/ose gjykatësi-referues ta informojmë opinionin publik për vendimet më të rëndësishme të Gjykatës. Gjithashtu, unë dhe disa gjykatës të tjerë jemi shpesh të pranishëm në media. Jo me qëllim që gjykatësit të bëhen “celebrities”, por si përgjigje ndaj reagimeve, kritikave dhe manipulimeve që në mënyrë të pashmangshme i shkakton një gjykatë kushtetuese, e cila është më e vendosur dhe e pakompromis. Qëllimi nuk ishte që vendimet të kenë popullaritet. Qëllimi ishte që ato të bëhen më të kuptueshme. T’u shpjegojmë qytetarëve tanë se çfarë do të thotë vendimi konkret për të drejtat dhe liritë e tyre, por, njëkohësisht edhe qytetarët dhe organet shtetërore të kuptojnë se Gjykata vendos ekskluzivisht në bazë të argumenteve juridike, e jo nën ndikimin e preferencave politike, etnike, fetare ose çfarëdolloj ndikimi tjetër. Dhe, si përfundim, të inkurajuar nga rezultatet, ndërmorëm edhe një hap tjetër, i cili është vërtet një rrallësi në gjyqësorin kushtetues në nivel global, seancat e Gjykatës Kushtetuese, qytetarët mund t’i ndjekin drejtpërdrejt përmes faqes sonë të internetit.

Të nderuar kolegë, të dashur të ftuar,

Pothuajse nuk ka konferencë ndërkombëtare dedikuar sfidave bashkëkohore të gjyqësorit kushtetues, në të cilën nuk diskutohet edhe për inteligjencën artificiale. Dhe kjo nuk është rastësi. Zhvillimi teknologjik e ndryshon qasjen ndaj diturisë, mënyrën e punës së institucioneve dhe pritjet e qytetarëve. Para gjykatave kushtetuese shtrohet pyetja se si këto mundësi të shfrytëzohen për mbrojtje më efikase të Kushtetutës dhe të të drejtave të njeriut.

Por, njëkohësisht para gjykatave kushtetuese shtrohet edhe pyetja nëse inteligjenca artificiale mund t’i zëvendësojë cilësitë që duhet t’i posedojnë gjykatësit kushtetues. A mund ta zëvendësojë ose ta marrë përsipër inteligjenca artificiale rolin e tipareve të veçanta të qenieve njerëzore – ndërgjegjen, etikën, arsyen, integritetin moral dhe bindjen e pavarur juridike? Ndoshta sot, do të dëgjojmë më shumë lidhur me këtë dilemë.

Të dashur të ftuar,

Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit e vërteton vlerën e dialogut të drejtpërdrejtë. Sistemet tona kushtetuese kanë veçoritë e tyre, por çështjet me të cilat përballemi shpesh i tejkalojnë kufijtë nacionalë. Mbrojtja e pavarësisë, autoriteti i vendimeve gjyqësore-kushtetuese dhe besimi i qytetarëve janë shqetësim i përbashkët. Bashkëpunimi rajonal na mundëson që përvojën tonë ta rishqyrtojmë përmes përvojës së të tjerëve dhe t’i njohim në kohë sfidat që janë të pranishme dhe ato që pasojnë.

Ju uroj punë të frytshme dhe qëndrim të këndshëm në Ohër.

Ju falënderoj për vëmendjen!