Delegacioni i Gjykatës Supreme Kushtetuese të Egjiptit në vizitë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut


Më 11 nëntor 2026, me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dr.Darko Kostadinovski, i cili për vitin 2026 është në cilësinë e kryesuesit të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, u zhvillua vizita dypalëshe me delegacionin e Gjykatës Supreme Kushtetuese të Egjiptit, i përbërë nga Kryetari i saj, Shkëlqesia e Tij, Boulos Fahmi Iskander, nënkryetari, z. Mahmud Mohamed Ali Goneim, dhe shefi i protokollit, z. Mohamed Hassan.

Në këtë takim, përveç Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dr.Darko Kostadinovski, morën pjesë edhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, dr.Osman Kadriu, mr.Tatjana Vasiq Bozaxhieva, mr.Fatmir Skender, dr.Ana Pavllovska Daneva, mr.Meri Dika Georgievska, si dhe këshilltarja për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, Tatjana Janiq Todorova.
Gjatë takimit u shpreh kënaqësia e ndërsjellë për fillimin e zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit dhe Mirëkuptimit, të nënshkruar nga të dyja gjykatat në fillim të vitit 2026 në Kajro, në kuadër të Kongresit të Nëntë të Gjykatave Supreme dhe Kushtetuese të Vendeve Afrikane, ku mori pjesë edhe Kryetari Kostadinovski, në cilësinë e kryesuesit të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit.

Në takimin e sotëm, i cili u zhvillua në një atmosferë miqësore, gjykatësit e të dyja gjykatave diskutuan për çështjet aktuale nga fusha e së drejtës kushtetuese dhe e mbrojtjes gjyqësore kushtetuese. Përfundimi i përbashkët ishte se, pavarësisht dallimeve në kompetenca, organizimin dhe mënyrën e funksionimit, të dyja gjykatat kushtetuese i bashkon qëllim i përbashkët: mbrojtja e Kushtetutës, demokracisë dhe mbrojtja efektive e lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për sfidat që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale në gjykata, mundësitë që ofron ajo, si dhe rreziqet që mund të sjellë.

Vizita e delegacionit të Gjykatës Supreme Kushtetuese të Egjiptit realizohet gjatë kohës së kryesimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Forumin e Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, në kuadër të cilit do të zhvillohet Takimi i Katërt Vjetor në Ohër, nga data 12 deri më 14 nëntor 2026.

Në Takimin e Ohrit, Kryetari i Gjykatës Supreme Kushtetuese të Egjiptit, Shkëlqesia e Tij, Boulos Fahmi Iskander, në kuadër të sesionit të parë, kushtuar çështjes së rritjes së besimit të publikut në gjykatat kushtetuese, do të mbajë fjalim në temën: “Ekzekutimi i vendimeve të gjykatës kushtetuese nga ana e organeve shtetërore”.