Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga gjykatësja Dobrilla Kacarska dhe këshilltari i Gjykatës, Martin Trajanovski, morën pjesë në Konferencën ndërkombëtare: “Për Kushtetutën, shtetin dhe demokracinë”, të mbajtur nga 1 deri më 4 tetor në Tivat të Malit të Zi.
Konferenca bashkoi kryetarë, nënkryetarë dhe gjykatës të gjykatave kushtetuese dhe supreme nga disa shtete evropiane, si dhe përfaqësues të lartë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian dhe Komisionit të Venecias.

Në qendër të diskutimeve ishin sfidat kushtetuese dhe institucionale në procesin e integrimit evropian dhe sigurimi i sundimit efektiv të së drejtës, ndryshimet kushtetuese në funksion të integrimit evropian dhe implikimet juridike të transferimit të kompetencave sovrane drejt Bashkimit Evropian.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe përdorimit të mjeteve të bazuara në inteligjencën artificiale në gjyqësorin kushtetues, duke iu referuar mundësisë për përdorimin e tyre, rreziqet e mundshme për pavarësinë gjyqësore dhe dilemat etike që hap përdorimi i tyre në procesin e gjyqësorit kushtetues.
Ndër pjesëmarrësit e konferencës ishin Kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Matias Gijomar, nënkryetarja e GJEDNJ-së Ivana Jeliq, si dhe kryetarë dhe gjykatës të gjykatave kushtetuese dhe të gjykatave më të larta të Austrisë, Belgjikës, Gjermanisë, Kroacisë, Italisë, Sllovenisë, Estonisë, Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në kuadër të Konferencës në fjalë, gjykatësja Dobrilla Kacarska zhvilloi takim me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Bullgarisë, Pavlina Panova. Në këtë takim u konfirmua bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet dy gjykatave, si dhe përkushtimi për përmirësimin e mëtejshëm të tij përmes vazhdimit të aktiviteteve të përbashkëta dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.
