Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, së bashku me gjykatësit prof.dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, sot marrin pjesë në Konferencën ndërkombëtare me temë: “Roli i gjykatave kushtetuese në mbrojtjen e demokracisë dhe funksionimin demokratik të institucioneve”.
Eventi organizohet në Prishtinë, me rastin e 17-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në Konferencë marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë të gjykatave kushtetuese dhe gjykatave supreme nga disa shtete evropiane, institucione juridike ndërkombëtare, si dhe ekspertë të shquar të së drejtës kushtetuese.
Kostadinovski është një nga folësit e sesionit kushtuar temës: “Gjykatat kushtetuese, demokracia dhe sundimi i së drejtës”, ku do të diskutohet për rolin e gjyqësorit kushtetues në ruajtjen e demokracisë, respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe sigurimin e ekuilibrit institucional.
Në diskutim do të marrin pjesë edhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Lituanisë, prof.dr.Tomas Davulis, zëvendëskryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë, dr.Nezha Kogovshek Shallamon, gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, prof.dr.Georg Linbaher, si dhe gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, prof.dr.Larisa Veliq.
Në kuadër të Konferencës janë paraparë edhe diskutime mbi zbatimin e standardeve juridike ndërkombëtare dhe evropiane në gjyqësorin kushtetues, me theks të veçantë në praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe rolin e Komisionit të Venecias.
