Me iniciativë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të gjykatave kushtetuese të Republikës së Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, u themelua Forumi i Ohrit për Dialog dhe Besim më të Madh në Gjyqësorin Kushtetues . Bëhet fjalë për një platformë të bashkëpunimit rajonal, shkëmbimit të përvojave dhe avancimit të parimeve të pavarësisë, transparencës dhe efikasitetit të gjykatave kushtetuese.
Përmbajtja e plotë dhe parimet mbi të cilat themelohet Forumi i Ohrit:
Duke u nisur nga përcaktimi se besimi në gjykatat kushtetuese është kapitali më i çmuar që mund të zotërojë një gjykatë kushtetuese, arritëm në përfundimin se:
Ndërtimi i besimit në gjyqësorin kushtetues përbën një çështje sistemore, e cila kërkon angazhim si nga vetë gjykatat kushtetuese dhe gjykatësit, ashtu edhe nga subjektet politike, mediat, komuniteti akademik dhe ai i opinionit profesional.
Janë veçuar tri parime të cilat mund të kontribuojnë në përmirësimin dhe rritjen e besimit:
- pavarësia;
- transparenca;
- efikasiteti.
Këto tri parime mund të zbatohen përmes përpjekjeve të brendshme të gjykatave, por njëkohësisht, në masë të konsiderueshme, varen edhe nga veprimet e faktorëve të jashtëm.
Atë që çdo gjykatë mund ta ndërmarrë me qëllim të përforcimit të pavarësisë së saj dhe zvogëlimit të ndikimeve politike në punën e saj, është përforcimi i integritetit personal të gjykatësve dhe, nëpërmjet tij, përforcimi i integritetit institucional të Gjykatës në tërësi.
Një nga masat është miratimi i Kodit të Sjelljes së Gjykatësve, i cili do të përmbajë standarde universale të gjyqësorit kushtetues, si dhe respektimi i tij i vazhdueshëm. Kufizimi i ndikimeve të jashtme arrihet gjithashtu përmes nivelit të lartë të profesionalizmit dhe kompetencës së secilit gjykatës veçmas, që nënkupton përmirësim të vazhdueshëm të njohurive dhe aftësive të tyre.
Në aspektin e transparencës, një element kyç për rritjen e besimit të qytetarëve është afrimi i punës së gjykatës me opinionin publik, e veçanërisht sigurimi i qasjes në vendimet e saj.
Mënyrat për arritjen e këtij qëllimi janë të ndryshme dhe varen nga tradita juridike e shteteve, si dhe nga kultura e transparencës dhe hapjes së vetë gjykatave. Ato mund të përfshijnë publikimin e vazhdueshëm të kumtesave me shpjegime të kuptueshme për publikun e gjerë, organizimin e konferencave për shtyp me gjykatësit, praninë e mediave në seancat e gjykatës, transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave të gjykatës, paraqitjet publike individuale të gjykatësve në media, si dhe praninë dhe komunikimin përmes rrjeteve sociale përkatëse.
Kur bëhet fjalë për paraqitjet publike të gjykatësve, nëse gjykata tashmë e zbaton ose vendos të përdorë këtë lloj komunikimi me publikun, duhet të theksohen veçanërisht disa kufizime lidhur me deklaratat e tyre, ndër të cilat janë:
- ndalimi i diskutimit për lëndët aktuale;
- ndalimi i prejudikimit të rezultatit të procedurave aktuale dhe të procedurave të ardhshme;
- shmangia e përgjithshme e deklaratave ad hominem, veçanërisht ndaj gjykatësve ose personave të tjerë të jetës publike;
- ruajtja e kredibilitetit dhe autoritetit institucional të gjykatës.
Mendimet e veçuara të gjykatësve, të cilat publikohen, duhet të synojnë të kontribuojnë në zhvillimin e mendimit juridik dhe në praktikën gjyqësore-kushtetuese, si dhe në zhvillimin strategjik të gjykatës, me ç’rast argumentet e përmbajtura në to, në të ardhmen, eventualisht mund të pranohen si qëndrim i shumicës ose të nxisin një reagim përkatës legjislativ.
Sa i përket efikasitetit në punën e gjykatave kushtetuese, ai nënkupton veprim në kohë, respektim të afateve të përcaktuara dhe shmangie të zvarritjes së pajustifikuar të procedurave, seancave dhe kohëzgjatjes së tyre.
Zbatimi konsekuent i parimeve të lartpërmendura nuk varet vetëm nga vullneti, kapaciteti dhe aftësia e gjykatave, por për zbatimin e tyre të plotë, në masë të konsiderueshme janë të domosdoshme edhe bashkëpunimi dhe vullneti i mirë i organeve të tjera publike,mediave,komunitetit akademik dhe ai i opinionit profesional, si dhe i faktorëve të tjerë relevantë.
Nga ky aspekt, pavarësia e çdo gjykate kushtetuese është në lidhje të drejtpërdrejtë me nivelin e kulturës politike dhe juridike të shoqërisë në tërësi.
Për një pavarësi të vazhdueshme, nevojitet gjithashtu rregullimi përkatës buxhetor dhe institucional. Në veçanti, është e rëndësishme që gjykatat të funksionojnë në përbërje të plotë, që gjykatësit të përzgjidhen në kohë, si dhe që procedura e përzgjedhjes së tyre të jetë transparente, objektive dhe e depolitizuar, duke zbatuar kështu standardet më të mira ndërkombëtare që garantojnë objektivitetin e procedurës dhe të kritereve.
Në kushtet bashkëkohore, efikasiteti nënkupton përdorimin e mjeteve moderne në punën e gjykatës, siç janë zgjidhjet përkatëse softuerike për monitorimin e lëndëve, bazat e të dhënave, qasja e lehtë dhe e thjeshtë në praktikën gjyqësore vendore, të huaj dhe ndërkombëtare, si dhe teknologjia përkatëse për mbajtjen dhe transmetimin e seancave publike, në qoftë se gjykata i zbaton këto praktika.
Mediat kanë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në sigurimin e transparencës së punës së gjykatave dhe në përcjelljen e informacionit te publiku. Për këtë qëllim, nevojiten trajnime të vazhdueshme dhe specializim i gazetarëve, bashkëpunim i afërt, parimor dhe profesional i ndërsjellë ndërmjet gjykatave dhe mediave, si dhe takime të rregullta për çështjet e përgjithshme dhe tematike që paraqesin interes të veçantë për opinionin publik.
Duke pasur parasysh rëndësinë e tri parimeve kyçe nga të cilat varet përforcimi i besimit të qytetarëve në gjykatat kushtetuese, Forumi i Ohrit për Dialog e ka identifikuar nevojën për vendosjen e një kornize të përbashkët për zbatimin e tyre konsekuent.
Në këtë drejtim, propozohet lidhja e Memorandumit për Rritjen e Besimit në Gjykatat Kushtetuese, me të cilin do të përcaktoheshin standardet e transparencës, treguesit e përbashkët dhe metodologjia për monitorimin e besimit të opinionit publik për secilën prej gjykatave, analiza e përbashkët periodike e rezultateve, si dhe ndërlidhja rajonale dhe avancimi i bazave të të dhënave të praktikës gjyqësore-kushtetuese.
Themelimi i Forumit të Ohrit për Dialog për rritjen e besimit në gjykatat kushtetuese është rezultat i diskutimit të frytshëm të zhvilluar në kuadër të konferencës rajonale të mbajtur më 16 dhe 17 shtator 2026. Ky event u zhvillua në Ohër, në organizim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ).
