Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr. Darko Kostadinovski zhvilloi takim me Poll Bajron, gjykatës në Gjykatën e Distriktit të SHBA-së për Distriktin e Mesëm të Floridës (U.S. District Court for the Middle District of Florida), i cili sot e vizitoi Gjykatën Kushtetuese.
Pas takimit me Kryetarin Kostadinovski, gjykatësi Bajron zhvilloi takim edhe me gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, në të cilin, biseduan për çështjet dhe sfidat aktuale me të cilat përballet gjyqësori kushtetues, si dhe për rolin e gjykatave në mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe për ndërtimin e besimit te qytetarët.

Kryetari Kostadinovski e informoi gjykatësin Bajron për procesin e përmirësimit të transparencës së Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht për vendosjen e transmetimeve të drejtpërdrejta të seancave të Gjykatës, me çka qytetarët kanë mundësi që drejtpërdrejt ta ndjekin punën, diskutimet dhe argumentet e gjykatësve.
Kostadinovski theksoi se besimi në gjyqësor, nuk mund të shihet vetëm si përgjegjësi e pushtetit gjyqësor.
“Kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese, duke filluar nga 1 shtatori 2024, ka bërë reforma serioze në funksionimin e Gjykatës, me fokus të veçantë në transparencën dhe efikasitetin e procedurave. Besimi ndërtohet me vendime të guximshme, pa kompromis dhe me transparencë, megjithatë besimi në gjyqësor nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e gjyqësorit. E kam theksuar këtë fakt shumë herë në fjalimet e mia publike, pushtetet duhet ta ndajnë këtë përgjegjësi. Nëse gjyqësori ka 2 për qind besim dhe kjo është një situatë që ka zgjatur me dekada, ku ishin dy pushtetet e tjera atëherë? Në pushime vjetore? Nuk do të pajtohesha që ka besim të ulët në gjyqësor, kjo reflektohet në të gjithë aparatin shtetëror dhe kjo çështje kërkon zgjidhje revolucionare dhe guxim”, theksoi Kostadinovski.

Gjatë takimit u shkëmbyen përvoja edhe për presionet me të cilat përballen gjykatësit në sisteme të ndryshme demokratike. Gjykatësi Bajron e përshëndeti vendosjen e transmetimeve të drejtpërdrejta të seancave të Gjykatës Kushtetuese, duke e vlerësuar transparencën si një nga mjetet kyçe për ndërtimin e besimit në publik.

“Një nga mjetet më të fuqishme është transparenca, si përgjigje ndaj të gjitha sulmeve dhe presioneve, përkatësisht të jemi të gatshëm dhe të qartë që t’i shpjegojmë publikut se çfarë kemi vendosur. Duke transmetuar diskutimet drejtpërdrejt, keni një mjet të shkëlqyer në duart tuaja, për t’u treguar qytetarëve se sa të përgatitur jeni për seancat. Duhet të keni shpjegime të qarta dhe të argumentuara mirë. Në këtë mënyrë, qytetarët mund t’ju shohin dhe t’ju dëgjojnë drejtpërdrejt dhe të kuptojnë se për çfarë angazhoheni. Nuk ka përfitim më të madh se besimi i qytetarëve”, theksoi Bajron.

Në këtë takim morën pjesë të gjithë gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, si dhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së, si janë Stiv Majgrant, prokurori federal nga Portlandi, Oregon dhe Karollajn Badenhagen, drejtoresha e Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) në Ambasadën e SHBA-së.

Gjykatësi Poll Bajron është gjykatës federal në Distriktin e Mesëm të Floridës, me seli në Orlando. Në vitin 2001, ai u zgjodh prokuror në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, Holandë. Më pas punoi në Ministrinë e Drejtësisë në Divizionin Ndërkombëtar të Njësisë së Konfiskimit të Pasurive dhe Pastrimit të Parave, si ekspert për mbikëqyrjen bankare dhe parandalimin e financimit të terrorizmit. Në vitin 2005, gjykatësi Bajron u bë partner në një zyrë avokatie të specializuar për kontestet lidhur me përgjegjësitë për produktet dhe dëmet e shkaktuara nga ekspozimi i tyre ndaj materieve toksike.

