Rendi i ditës i seancës së njëzetë të caktuar për 16 korrik 2026 në orën 9:00

Më 16 korrik, në orën 9:00, Gjykata Kushtetuese do ta mbajë seancën e saj të njëzetë. Në Rendin e ditës parashikohet të vendoset për katër lëndë dhe të diskutohet për:

I. INICIATIVAТ PËR VLERËSIMIN E KUSHTETUTSHMËRISË DHE LIGJSHMËRISË

1. Referatin U.nr.144/2025 dhe U.nr.145/2025

Dispozitat e kontestuara: Neni 75-gj paragrafi 1 dhe paragrafi 12 alinetë 1 dhe 2, neni 76-d paragrafi 5 alinetë 1 dhe 2 dhe neni 78-a paragrafi 4 alinetë 1 dhe 2 të Kodit Zgjedhor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.40/2006, 136/2008, 148/2008, 155/2008, 163/2008, 33/2011, 51/2011, 142/2012, 31/2013, 34/2013, 14/2014, 30/2014, 196/2015, 35/2016, 97/2016, 99/2016, 136/2016, 142/2016, 67/2017, 125/2017, 35/2018, 99/2018, 140/2018, 208/2018, 27/2019 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.98/2019, 42/2020, 74/2021, 58/2024 dhe 76/2024).

Parashtrueset e iniciativave: Partia politike “Levica” (E Majta) dhe partia politike “Demokratite” (Demokratët)

Pretendimet në iniciativë:

(144/2025) Partia politike “Levica” (E Majta)

Parashtruesja thekson se dispozitat e kontestuara të Kodit Zgjedhor promovojnë qasje diskriminuese nga aspekti i disponueshmërisë së hapësirës mediatike dhe ndarjes së mjeteve financiare publike për reklamim politik të paguar. Në iniciativë pretendohet se Kodi Zgjedhor duhet të sigurojë ekuilibër kushtetues përmes trajtimit të barabartë të të gjitha subjekteve politike, përmes qasjes së barabartë, sepse hapësira mediatike ndikon drejtpërdrejt në dukshmërinë e pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore. Parashtruesja konsideron se interpretimi i Kodit Zgjedhor parashikon që të gjitha partitë e regjistruara që paraqiten si pjesëmarrëse në procesin zgjedhor, pavarësisht nëse janë parlamentare apo joparlamentare, të kenë mbështetje përkatëse shtetërore dhe proporcionale, si dhe hapësirë mediatike për përfaqësimin te qytetarët. Ndërkaq, thekson se termat “mund” dhe “më së shumti” nuk duhet të interpretohen fjalë për fjalë në mënyrë kufizuese, por në përputhje me qëllimin e ligjit. Parashtruesja pretendon se në praktikë interpretohet në mënyrë arbitrare dhe dy partitë më të mëdha nga pozita dhe opozita marrin më së shumti kohë, në dëm të partive të tjera më të vogla. Në këtë mënyrë, katër partitë më të mëdha, dy nga pushteti dhe dy nga opozita, kanë qasje të privilegjuar në media dhe në mjetet shtetërore, ndërsa partitë e tjera parlamentare përjashtohen plotësisht, theksohet në iniciativë.

(145/2025) Partia politike “Demokratite” (Demokratët)

Parashtruesja pretendon se nenet e kontestuara janë në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 5, nenin 9, nenin 16 paragrafët 1-5 dhe nenin 51 të Kushtetutës. Theksohet se partitë më të vogla politike vihen në pozitë të pabarabartë, sepse 80% e hapësirës reklamuese falas u sigurohet vetëm katër partive politike, ndërsa të tjerave vetëm 20% nga numri i përgjithshëm i paneleve dhe tabelave reklamuese. Në iniciativë theksohet se dispozitat e kontestuara cenojnë pluralizmin politik dhe zgjedhjet e lira demokratike si vlera themelore të Kushtetutës.

Shënim: Referati u shqyrtua në Rendin e ditës së seancës së tetëmbëdhjetë të Gjykatës, të mbajtur më 8 korrik 2026. Propozimi i gjykatësit-referues nuk e mori shumicën e nevojshme të votave. Lënda është në fazë votimi.

II-PROPOZIMET PËR VENDIMMARRJE PËR DRAFT-VENDIMET

1. U.nr.112/2025

Më 06.05.2026 Gjykata inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 37 paragrafi 1 në pjesën: “i lindur në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut” të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.23/2013, 12/2014, 44/2014, 144/2014, 10/2015, 25/2015, 150/2015, 192/2015, 27/2016, 163/2017, 21/2018 dhe 198/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.104/2019, 146/2019, 275/2019, 88/2020, 311/2020, 294/2021, 150/2022, 236/2022, 236/2022, 265/2024, 17/2025 dhe 132/2025).

Parashtruesi i iniciativës: Kirill Mihajllovski, avokat

2. U.nr.167/2025

Më 29.04.2026 Gjykata inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 6 paragrafi 6 të Ligjit për Veprim me Objektet e Ndërtuara Pa Leje  (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.23/2011, 54/2011, 155/2012, 53/2013, 72/2013, 44/2014, 115/2014, 199/2014, 124/2015, 129/2015, 217/2015, 31/2016 dhe 190/2017, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, 174/2021 dhe 41/2026).

Parashtruesi i iniciativës: Aleksandar Mihajllovski, avokat

3.UZ.nr.38/2025

Më 08.04.2026 Gjykata inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Udhëzimit për rregullimin e procedurës për zgjidhjen e kërkesave për leje për prerje në pyll privat, numër 02-958/1, të datës 23.10.2015.