Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dr.Darko Kostadinovski, sot në Ankara zhvilloi takim pune me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, Kadir Ozkaja. Në fokus të takimit ishin bisedimet kushtuar thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e gjyqësorit kushtetues.
Në takim u konfirmua orientimi i përbashkët për thellim të marrëdhënieve institucionale ndërmjet dy gjykatave kushtetuese përmes intensifikimit të komunikimit të ndërsjellë, shkëmbimit të praktikave të mira dhe organizimit të aktiviteteve të ardhshme të përbashkëta me interes të ndërsjellë. Theks i veçantë u vu në aktivitetet e ardhshme në kuadër të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit (BCCF), si dhe në mundësitë për afirmim të mëtejshëm ndërkombëtar të Forumit në vigjilije të kongreseve evropiane dhe botërore të gjykatave kushtetuese.
Kryetari Kostadinovski e informoi Kryetarin Ozkaja për sfidat aktuale me të cilat përballet Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për aktivitetet që Gjykata i ndërmerr për nxitjen e transparencës, hapjes ndaj publikut dhe përballjes me dezinformatat, lajmet e rreme dhe manipulimet që lidhen me punën e saj. Njëkohësisht, Kryetari Kostadinovski shprehu mirënjohje ndaj Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë dhe ndaj Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për mbështetjen e vazhdueshme që e sigurojnë për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Gjykatat Kushtetuese, përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit të përvojave kontribuojnë në përforcimin e sundimit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit kushtetues dhe mbrojtjes së vlerave kushtetuese. Sinqerisht e çmojmë gatishmërinë e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë për thellim të mëtejshëm të marrëdhënieve tona dhe veprim të përbashkët në kuadër të iniciativave ndërkombëtare gjyqësore-kushtetuese. Njëkohësisht, për ne është veçanërisht e rëndësishme që kemi partner të sinqertë, i cili e mbështet modernizimin, transparencën dhe zhvillimin institucional të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski.
Takimi është pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme të Gjykatës Kushtetuese të orientuara drejt përforcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar institucional, zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe me institucionet homologe dhe afirmimit të rolit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut në planin ndërkombëtar.
