Gjykatat Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë do të nënshkruajnë Protokoll për bashkëpunim


Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Serbisë do të nënshkruajnë Protokoll për bashkëpunim, me të cilin, pas më shumë se pesëmbëdhjetë vitesh mbajtjeje të takimeve dhe kongreseve të shumta rajonale, do të përforcohet dhe avancohet më tej bashkëpunimi ndërmjet dy gjykatave.


Protokolli do të nënshkruhet si pjesë e vizitës zyrtare dy-ditore të delegacionit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Beograd më 9 dhe 10 korrik 2026.


Delegacionin e udhëheq Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr. Darko Kostadinovski, ndërsa përbëhet nga gjykatësit Dobrilla Kacarska, prof. dr. Osman Kadriu dhe prof. dr. Ana Pavllovska-Daneva, si dhe mr. Simona Gerasimova-Jovanovska, këshilltare e pavarur e protokollit.


Në kuadër të vizitës, do të bëhen diskutime profesionale ndërmjet delegacioneve të dy gjykatave kushtetuese me temën: “Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, kushtuar shkëmbimit të përvojave, praktikës gjyqësore dhe sfidave që lidhen me zbatimin e vendimeve të gjykatave kushtetuese. Folësit kryesorë të sesionit profesional do të jenë gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Serbisë, dr. Natasha Pllavshiq dhe gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, prof.dr.Ana Pavllovska-Daneva.


Gjatë vizitës planifikohet që Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr. Darko Kostadinovski të nënshkruhet në Librin e përshtypjeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Serbisë.


Nënshkrimi i Protokollit paraqet një hap të rëndësishëm në lidhjen e mëtejshme institucionale të dy gjykatave kushtetuese, si dhe krijon bazë për shkëmbimin më intensiv të njohurive, përvojave dhe praktikave të mira, përmes realizimit të aktiviteteve të përbashkëta në fushën e gjyqësorit kushtetues.


Gjykata Kushtetuese përforcon vazhdimisht pozicionin e saj në nivel ndërkombëtar, si një nga prioritetet kryesore në mandatin e Kryetarit aktual, dr. Darko Kostadinovski. Në këtë drejtim, gjatë periudhës së kaluar janë ndërmarrë aktivitete të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe ndërkombëtar duke lidhur kështu disa memorandume dhe protokolle bashkëpunimi. Ndër to janë: Protokolli për bashkëpunim me Gjykatën Supreme Kushtetuese të Republikës Arabe të Egjiptit, i nënshkruar në shkurt të këtij viti, si dhe Memorandumi i Bashkëpunimit me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, i nënshkruar në shtator të vitit 2025. Si konfirmim shtesë për reputacionin ndërkombëtar të Gjykatës është kryesimi me Forumin Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese, i cili këtë vit iu besua Gjykatës Kushtetuese.


Paralelisht me intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, Gjykata Kushtetuese është e përkushtuar edhe për avancimin e bashkëpunimit me institucionet vendase dhe komunitetin profesional. Në këtë drejtim, në shkurt të këtij viti, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit me Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, në korrik 2024 u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit me Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” – Shkup dhe në tetor 2024 u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit me Shoqatën e Juristëve. Këto partneritete kontribuojnë në avancimin e shkencës së drejtësisë, shkëmbimin e përvojave, zhvillimin profesional dhe promovimin e gjyqësorit kushtetues.