Gjykata Kushtetuese do të jetë nikoqire e Forumit të Katër të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit – do të mbahet Konferencë Ndërkombëtare me mbështetjen e Misionit të OSBE-së


Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të jetë nikoqire e Forumit të Katërt të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, në kuadër të të cilit do të mbahet Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Sfidat bashkëkohore të sundimit të së drejtës: Roli i gjykatave kushtetuese”. Eventi do të organizohet me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup nga 12 deri më 15 nëntor 2026 në Ohër.

Me mbajtjen e Forumit do të përmbyllet kryesimi vjetor i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për këtë iniciativë rajonale, e cila përbën platformë të rëndësishme për bashkëpunim, shkëmbim përvojash dhe nxitje të praktikës gjyqësore-kushtetuese në rajon.

Deri më tani është konfirmuar pjesëmarrja e rreth 30 përfaqësuesve të lartë nga gjykatat kushtetuese, institucionet ndërkombëtare dhe organizatat. Përveç delegacioneve nga vendet anëtare të Forumit – Shqipëria, Bullgaria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Turqia – do të marrin pjesë edhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese më të vjetër në Evropë – Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, përfaqësues të Gjykatës Supreme Kushtetuese të Egjiptit, Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Frankofone (ACCF), Gjykatës Evropiane të të Drejtave e Njeriut, Komisionit të Venecias dhe përfaqësues të tjerë të shquar të komunitetit juridik ndërkombëtar.

Në hapjen solemne janë ftuar Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, kryetari i Kuvendit, kryeministri, përfaqësues të institucioneve më të larta gjyqësore, trupi diplomatik dhe partnerët ndërkombëtarë të Gjykatës.

Në qendër të Konferencës Ndërkombëtare do të jenë çështjet për përforcimin e besimit në gjykatat kushtetuese, mbrojtjen e sundimit të së drejtës në kushte të sfidave bashkëkohore demokratike dhe rolin e gjyqësorit kushtetues në epokën digjitale. Përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira, pjesëmarrësit do të diskutojnë për nxitjen e pavarësisë, transparencës dhe efikasitetit të gjyqësorit kushtetues.

Në kuadër të Forumit do të mbahet edhe seanca e veçantë e kryetarëve të gjykatave kushtetuese të Ballkanit, në të cilën do të shqyrtohet dhe miratohet Deklarata e Ohrit, si dokument i përbashkët me të cilin do të konfirmohet orientimi për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal dhe përforcimin e sundimit të së drejtës.

Organizimi i Forumit të Katërt të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit përbën konfirmim të prestigjit ndërkombëtar që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut e ka ndërtuar në vitet e fundit dhe të rolit të saj aktiv në përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar gjyqësor-kushtetues.

Gjykata e promovon faqen e specializuar të internetit, të dedikuar për informata lidhur me këtë Forum: https://ustavensud.mk/bccf/