Më 10 qershor 2026, në orën 9:30, Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën e saj të gjashtëmbëdhjetë. Në Rendin e ditës do të përfshihen tetë lëndë në të cilat parashikohet vlerësimi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, do të miratohen dy vendime përfundimtare dhe të diskutohet për:
I. INICIATIVAT PËR VLERËSIMIN E KUSHTETUTSHMËRISË DHE LIGJSHMËRISË
1. Referatin U.nr.40/2025
Dispozitat e kontestuara: Neni 22 paragrafi 1 në pjesën: “aktet” dhe neni 26 në pjesën: “akti” i Ligjit për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.129/2023 dhe 53/2024).
Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesi pretendon se pa kritere të përcaktuara më hollësisht në ligj, kompensimet për anëtarët e Këshillit Programor të Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë përcaktohen në mënyrë arbitrare. Ai thekson se pjesët e kontestuara nuk janë të qarta dhe precize. Sipas parashtruesit, me nenin 22 paragrafi 1 të Ligjit për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, anëtarët e Këshillit Programor, me përjashtim të drejtorit, kanë të drejtë për kompensim mujor monetar në përputhje me aktet e Akademisë. Ai pretendon se është e kontestueshme që kompensimi i anëtarëve të Këshillit Programor nuk mund të jetë më i lartë se 45% e pagës mesatare mujore të paguar në Republikë gjatë tre muajve të fundit (neni 22 paragrafi 1 i Ligjit), por me pjesët e kontestuara, përkatësisht me fjalën “aktet”, ofrohet mundësia që me aktin nënligjor, për të cilin nuk është e qartë me propozimin e kujt miratohet, pa kritere të përcaktuara më hollësisht në Ligj, të përcaktohen kompensime për anëtarët e Këshillit Programor në mënyrë arbitrare. E gjithë kjo, theksohet, është në kundërshtim me sundimin e së drejtës.
2. Referatin U.nr.41/2025
Dispozitat e kontestuara: Neni 32 paragrafi 2 në pjesën: “mund” dhe pjesa: “vendimet”, i Ligjit për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.129/2023 dhe 53/2024).
Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev
Pretendimet në iniciativë:
Në iniciativë nënvizohet përmbajtja e nenit 32 paragrafi 2 të Ligjit për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, sipas së cilës, Këshilli Drejtues mund të miratojë vendim për publikimin e shpalljes publike nga paragrafi 1 i këtij neni dhe sipas rajonit të apelit, në bazë të vendimeve të dorëzuara nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë.
Sipas parashtruesit, është e paqartë pse është lënë si çështje zgjedhjeje që Akademia të “mund” të miratojë vendim për publikimin e shpalljes për pranimin e dëgjuesve në trajnimin fillestar, ndërkohë që sipas Ligjit për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë janë parashikuar kompetenca të tjera për Akademinë.
Parashtruesi pretendon se pjesët e kontestuara janë të paqarta dhe joprecize.
3. Referatin U.nr.117/2025
Akti i kontestuar: Neni 147 dhe neni 148 paragrafët 2 dhe 4 të Ligjit për Shërbim në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.36/2010, 23/2011, 47/2011, 148/2011, 55/2012, 29/2014, 33/2015, 193/2015 dhe 71/2016, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.101/2019, 275/2019, 14/2020, 171/2022, 65/2023, 14/2024 dhe 30/2024).
Parashtruese e iniciativës: Sindikata Multietnike nga Shkupi
Përmbajtja e dispozitave të kontestuara:
Neni 147
Vlera e pikës për pagën e personelit aktiv ushtarak përcaktohet me aktvendim të ministrit të Mbrojtjes.
Neni 148
2) Paga bazë përbëhet nga pikët minimale, si dhe nga pikët që përcaktohen sipas gradës, detyrës, shtesës së Armatës dhe përvojës së punës.
4) Pikët minimale të pagës janë numri minimal i pikëve të pagës që merr çdo personel aktiv ushtarak, i cili është 606 pikë.
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesi në iniciativë thekson se me dispozitat e kontestuara, paga minimale e përcaktuar si shumë e garantuar zëvendësohet me një sistem page të shprehur përmes pikëve, ku vlera e pikës, në vend që të përcaktohet me ligj, përcaktohet me aktvendim të ministrit të Mbrojtjes.
Theksohet se me dispozitat e kontestuara paga minimale zëvendësohet me 606 pikë dhe nuk ekziston garanci ligjore se llogaritja e numrit të pikëve dhe e vlerës së pikës do të sigurojë pagë të paktën në vlerën e pagës minimale të përcaktuar. Nëse vlera e pikës rezulton me një vlerë më të ulët se paga minimale e përcaktuar me ligj, kjo, sipas pretendimeve në iniciativë, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe të parimit të sundimit të së drejtës. Parashtruesi pretendon se pas miratimit të ndryshimeve të Ligjit për Pagën Minimale në vitet 2024 dhe 2025, nuk është bërë harmonizimi i vlerës së pikës me rritjen e pagës minimale në nivel kombëtar, gjë që, sipas tij, është provë se sistemi mundëson “fiksimin” e pagave të personelit aktiv ushtarak përkundër rritjes së pagës minimale dhe mesatare, si dhe rritjes së shpenzimeve të jetesës, çka përbën shkelje të të drejtave sociale dhe ekonomike të të punësuarve në Armatë.
4. Referatin UZ.nr.72/2025
Dispozitat e kontestuara: Neni 7 paragrafi 2 pikat 1 dhe 5 të Rregullores për Kontrollin e Cilësisë së Punës së Subjekteve të Kontrollit të Cilësisë, nr.0202362/1 të datës 10.10.2024, të miratuar nga Këshilli Drejtues i Institutit të Kontabilistëve dhe Kontabilistëve të Autorizuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kërkohet që në përputhje me nenin 37 paragrafi 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të miratohet aktvendim për ndalimin e zbatimit të akteve dhe veprimeve të veçanta të ndërmarra në bazë të dispozitave të kontestuara.
Parashtruesi i iniciativës: Sasho Cvetanovski
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesi i iniciativës thekson se me dispozitat e kontestuara të Rregullores janë bërë plotësime që nuk janë parashikuar në Ligjin për Kryerjen e Punëve të Kontabilitetit, megjithëse natyra juridike e Rregullores është të operacionalizojë normat e Ligjit. Sipas pretendimeve në iniciativë, në Ligj nuk është parashikuar kompetenca e Institutit për të vlerësuar marrëveshjet për kryerjen e punëve të kontabilitetit që lidhen ndërmjet subjektit të kontrollit dhe të obliguesit për udhëheqjen e kontabilitetit. E vetmja që mund të konstatohet gjatë kontrollit është nëse kjo marrëveshje është lidhur. Për këtë arsye, parashtruesi shtron pyetjen se cili është qëllimi që duhet të arrihet me tejkalimin e kornizave ligjore, përkatësisht nëse me dispozitat e kontestuara ndikohet në çmimformimin, gjë që është në kundërshtim me lirinë e tregut dhe sipërmarrjen.
Njëkohësisht, pretendohet se në mënyrë të paligjshme Instituti u jep autorizime kontrollorëve të tij të cilësisë për të vlerësuar ekzistencën e kushteve minimale teknike për kryerjen e punëve të kontabilitetit, në aspektin e pajisjeve të zyrës dhe pajisjeve teknike që janë të nevojshme për kryerjen e pandërprerë të punës, si dhe sigurimin e besueshmërisë dhe sigurisë së dokumentacionit të klientëve. Parashtruesi pretendon se Instituti i po i promovon kontrollorët e tij të cilësisë si inspektorë pune.
5. Referatin UZ.nr.34/2025
Akti i kontestuar: Vendimi për dhënien e ndihmës financiare të njëhershme Shoqatës “Karpino”, i miratuar nga Këshilli i Komunës së Komunës së Nagoriçanit të Vjetër, nr.08-9/171 i datës 30.04.2025, i publikuar në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Nagoriçanit të Vjetër”, nr.8/2025 të datës 05.05.2025.
Parashtruesi i iniciativës: Boban Cvetanovski, zëvendëskryetar i Komunës së Nagoriçanit të Vjetër
Pretendimet në iniciativë:
Theksohet se bëhet fjalë për mbështetje financiare prej 30.000 denarësh për Shoqatën “Karpino” dhe se vendimi i kontestuar është miratuar pa u respektuar procedura për hartimin e aktit, siç është rregulluar në Rregullore dhe në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
6. Referatin UZ.nr.63/2025
Akti i kontestuar: Vendimi nr.08-833/3 i datës 06.04.2017 për ndryshimin dhe plotësimin e PUD-së për vendbanimin Lozhionicë – Kërçovë, blloku 11, 12, 13, 17 dhe 18 me periudhë planifikimi 2014–2017 (8.43 ha) – Komuna e Kërçovës (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Kërçovës”, nr.4/2017).
Parashtruesi i iniciativës: Kole Kërsteski, përmes të autorizuarit avokatit Jovica Naumoski
Pretendimet në iniciativë:
Sipas parashtruesit të iniciativës, me vendimin e kontestuar, nga parcela ndërtimore e parashtruesit është hequr mundësia e ndërtimit në një pjesë që është në pronësi të tij dhe është formuar një parcelë e re ndërtimore.
Parashtruesi thekson se me ndryshimin e tillë të planit urbanistik, i mundësohet investitorit të ndërtojë objekt drejtpërdrejt pranë objektit ekzistues të parashtruesit, gjë që, sipas pretendimeve të tij, pamundëson qasjen në objektin e tij, uzurpon hapësirën përreth tij dhe kufizon dritën natyrore në gjashtë dritare të ambienteve të banimit.
Më tej, në iniciativë theksohet se me parcelën ndërtimore të formuar rishtazi dhe objektin e parashikuar, i cili do të ndërtohet drejtpërdrejt pranë objektit të parashtruesit, zvogëlohet vlera e objektit të tij dhe tokës, ndërsa, njëkohësisht rritet vlera e parcelës ndërtimore të formuar rishtazi dhe e objektit të parashikuar, me çka, sipas parashtruesit, privilegjohet investitori i ri në dëm të tij.
7. Referatin UZ.nr.69/2025
Vendimi nr.07-601/1 i datës 29.09.2008 i Këshillit të Komunës së Dellçevës, me të cilin u miratua Plani Urbanistik i Detajuar për një pjesë të lokalitetit “Millkovo Bërdo – 2” në Dellçevë (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Dellçevës”, nr. 7/2008).
Parashtruesi i iniciativës: Vllade Velinovski, përmes avokatit Kirill Veliçkovski
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesi i iniciativës thekson se gjatë miratimit të Vendimit nuk është respektuar dispozita kushtetuese, me të cilën rregullohet e drejta e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në vendimmarrje për çështje me rëndësi lokale në fushën e urbanizmit.
Në fakt, në procedurën për miratimin e propozim vendimit të kontestuar, organi kompetent nuk ka publikuar thirrje për prezantim publik dhe anketë në mënyrën e përcaktuar në përputhje me nenet 22, 23 dhe 24 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, në mënyrë që të gjithë personat e interesuar të mund të jepnin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.
8. Referatin UZ.nr.67/2025
Akti i kontestuar: Urdhri i ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, i regjistruar me nr.02-3864/1i datës 15.09.2025, i miratuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Parashtruese e iniciativës: Komuna e Likovës, përmes avokatit Ratko Dimovski
Pretendimet në iniciativë:
Sipas parashtruesit të iniciativës, dispozita e nenit 55 paragrafi 1 të Ligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore parashikon se ministri miraton urdhra dhe akte të tjera për zbatimin e ligjeve kur për këtë autorizohet me ligj, por në rastin konkret, në aktin e kontestuar nuk është përcaktuar dispozitë konkrete ligjore që i jep shprehimisht autorizim ministrit të miratojë urdhër me të cilin mbyllet deponia në fshatin Nikushtak. Parashtruesi konsideron se referimi në parimet e neneve 6 dhe 14 të Ligjit për Mjedisin Jetësor nuk përbën bazë të mjaftueshme juridike, sepse ato janë me karakter parimor dhe nuk përmbajnë autorizim konkret për miratimin e aktit administrativ me të cilin mbyllet një deponi e caktuar.
Në iniciativë theksohet se akti i kontestuar nuk e precizon saktë vendndodhjen të cilës i referohet, duke pasur parasysh se nuk përmban të dhëna kadastrale ose identifikues të tjerë hapësinorë e as nuk përcakton subjektet të cilave u referohet, prandaj, sipas parashtruesit, ai është i paqartë dhe juridikisht i papërcaktuar.
II. PROPOZIMET PËR VENDIMMARRJE PËR DRAFT-VENDIMET
1. U.nr.77/2025
Më 22 shkurt 2026, Gjykata inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 84 paragrafi 3 alineja 4 të Ligjit për të Punësuarit në Ministrinë e Mbrojtjes (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.53/2024).
Parashtruesi i iniciativës: Nikollçe Musharevski
2. UZ.nr.73/2025
Më 15 tetor 2026, Gjykata inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së neneve 11, 12 dhe 18 të Rregullores së Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, të miratuar nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor më 30.01.2024, të regjistruar me numrin 0101-1/1.
3. UZ.nr.12/2025
Më 18.02.2026, Gjykata inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit 97 paragrafët 6, 7, 8, 9 dhe 10 të Marrëveshjes kolektive të Drejtorisë së të Ardhurave Publike nr.01-4228/1, të datës 12.07.2023 dhe nr.0102-4/1, të datës 21.07.2023.
