Kryetari Kostadinovski dhe gjykatësja Pavllovska – Daneva në takim bilateral në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Serbisë

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese, i përfaqësuar nga Kryetari dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësja prof.dr.Ana Pavllovska-Daneva, zhvilluan takim pune me dr.Vlladan Petrov, Kryetar, dr.Dobrosav Millovanoviq dhe dr.Natasha Pllavshiq, gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Serbisë.


Kryetarët e dy gjykatave shprehën kënaqësi të ndërsjellë për takimin dhe u pajtuan që të punojnë për thellimin e bashkëpunimit, veçanërisht duke e marrë parasysh miqësinë ndërmjet dy vendeve dhe popujve.


Kryetari Kostadinovski e theksoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy gjykatave dhe theksoi se qëllimi i kësaj vizite në Beograd është që delegacionet e dy gjykatave të takohen përsëri sa më shpejt të jetë e mundur dhe të marrin pjesë në aktivitete të përbashkëta.


Kryetari Petrov potencoi se Kryetari Kostadinovski është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese që e viziton Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Serbisë, që kur ai u përzgjodh për ta udhëhequr institucionin.


Siç theksoi ai, kjo ka edhe rëndësi simbolike, pasi vendet e rajonit, veçanërisht gjykatat kushtetuese, duhet të bashkëpunojnë shumë më intensivisht, duke theksuar se ato duhet të jenë ndër institucionet kryesore në vendet që do të kontribuojnë në procesin e integrimit evropian.


Kryetari Petrov dhe Kryetari Kostadinovski diskutuan gjithashtu edhe për kompetencat e dy gjykatave, mënyrën e vendimmarrjes, si dhe sfidat aktuale me të cilat përballen.


Në takim u shpreh një iniciativë për fillimin e përgatitjeve për hartimin e një Protokolli që do të formalizonte bashkëpunimin ndërmjet dy gjykatave, me theks në shkëmbimin e praktikave të mira në praktikën kushtetuese dhe gjyqësore, si dhe në shkëmbimin e përvojave dhe njohurive ndërmjet gjykatësve dhe bashkëpunëtorëve në gjykatat kushtetuese.