Për shkak të interesimit të disa mediave lidhur me vendimmarrjen për lëndën U.nr.22/2026, , ju informojmë si në vijim:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me Aktvendimin U.nr.22/2026, të datës 04.02.2026, inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 14 në pjesën: “Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë” dhe të nenit 15 në pjesën: “gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë” të Ligjit për Pagat dhe Kompensimet e Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar në Republikën e Maqedonisë.
Në seancën e njëjtë, të mbajtur më 4 shkurt të këtij viti, Gjykata i caktoi afat kohor prej 60 ditësh Kuvendit të kryejë ndryshime dhe/ose plotësime në Ligjin e lartpërmendur, me qëllim harmonizimin e tij me qëndrimet juridike të shprehura në Aktvendimin për inicimin e procedurës së Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, Gjykata e shfrytëzoi mundësinë e parashikuar në nenin 36 paragrafi 2 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, për t’i dhënë ligjvënësit një afat të arsyeshëm për të intervenuar, për t’i mënjanuar mangësitë e konstatuara dhe për ta harmonizuar atë me Kushtetutën.
Deri në skadimin e afatit dymujor të caktuar, Kuvendi nuk e njoftoi Gjykatën se do të kryejë ndryshime dhe/ose plotësime të Ligjit.
Për këtë arsye, më 17 qershor 2026, Gjykata miratoi Vendim me të cilin i shfuqizoi pjesët e lartpërmendura të dispozitave ligjore.
Në këtë rast, Gjykata zbatoi gjithashtu nenin 88 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, duke parashikuar efekt të prolonguar të Vendimit dhe duke i ofruar Kuvendit afat shtesë deri më 1 tetor 2026, për ta harmonizuar zgjidhjen ligjore me qëndrimet juridike të Gjykatës.
Nëse Kuvendi nuk vepron në përputhje me qëndrimet juridike të Gjykatës, të shprehura në Vendimin përkatës, deri në datën e përcaktuar, atëherë nga 1 tetori 2026, gjatë përllogaritjes së pagave të Kryetarit dhe të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet Ligji për Ndryshimin e Ligjit për Pagat dhe Kompensimet e Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar në Republikën e Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr. 272/2024).
Argumenti vendimtar për Gjykatën ishte fakti se pagat e Kryetarit dhe të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen sipas të njëjtit regjim normativ si pagat e bartësve të tjerë të funksioneve publike, mbi bazën e kritereve identike, duke mos marrë parasysh natyrën e veçantë të kompetencave të tyre kushtetuese. Sipas Gjykatës, një rregullim i tillë përbën shkelje thelbësore të parimit të sundimit të së drejtës, si vlerë themelore e rendit kushtetues, pasi cenon autonominë institucionale dhe funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe relativizon pozicionin e saj kushtetues si organ i veçantë përgjegjës për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.
Përveç kësaj, Gjykata tashmë e ka nënvizuar rëndësinë e pavarësisë financiare si pjesë përbërëse e mëvetësisë dhe pavarësisë së garantuar me Kushtetutë të pushtetit gjyqësor. Me Vendimin U.nr.21/2025 dhe U.nr.52/2025, të datës 8 prill 2026, Gjykata e anuloi Ligjin për Ndryshimin e Ligjit për Pagat e Gjykatësve të gjykatave të rregullta (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.39/2026).
Pas miratimit të vendimit me të cilin u rritën koeficientet për të gjithë gjykatësit e tjerë në vend, u krijua një situatë paradoksale, në të cilën pagat e Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe të gjykatësve të saj rezultuan më të larta se pagat e Kryetarit dhe të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.
Për momentin, pagat e gjykatësve dhe Kryetarit të Gjykatës Supreme përllogariten sipas koeficienteve më të larta, përkatësisht 2,61 dhe 2,84, ndërsa pagat e Kryetarit dhe të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, deri më 1 tetor, do të vazhdojnë të përllogariten sipas koeficienteve më të ulta, përkatësisht 2,60 dhe 2,81.
Duke u mbështetur në argumentet e lartpërmendura, me Vendimin U.nr.22/2026, Gjykata përcaktoi mënyrën e zbatimit të tij dhe efektin e prolonguar të vendimit. Kjo nënkupton se, pas skadimit të afatit të përcaktuar, më 1 tetor 2026, pagat e Kryetarit dhe të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese do të përllogariten në përputhje me Ligjin për Ndryshimin e Ligjit për Pagat dhe Kompensimet e Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar në Republikën e Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.272/2024), me të cilin janë përcaktuar koeficientet më të larta për përllogaritjen e pagave të tyre: 2,85 për gjykatësit dhe 3,08 për Kryetarin.
Kjo do të thotë se, pas 1 tetorit 2026, pagat e Kryetarit dhe të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese do të rriten në të njëjtin proporcion me rritjen e pagave të gjykatësve të gjykatave të rregullta.
Vendimi nënkupton se, nëse Kuvendi nuk vepron në përputhje me qëndrimet juridike të Gjykatës, të shprehura në Vendimin e lartpërmendur, deri më 1 tetor 2026, përkatësisht deri në momentin kur Kryetari dhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese do të kenë status të veçantë juridik dhe do të dallohen edhe përmes koeficienteve të veçanta për përllogaritjen e pagave të tyre, për ta do të zbatohet regjimi ligjor që vlen për personat e tjerë të zgjedhur dhe të emëruar, i përcaktuar me Ligjin për Pagat dhe Kompensimet e Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar në Republikën e Maqedonisë. Megjithatë, në rastin konkret, për përllogaritjen e pagave të Kryetarit dhe të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet zgjidhja ligjore e përcaktuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.