Kostadinovski: Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është test për sundimin e së drejtës

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr. Darko Kostadinovski, mbajti fjalim hapës në konferencën me temë: “Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, e cila u mbajt me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, më 30 prill 2026. Kostadinovski iu referua praktikës së deritanishme në vendin tonë, por edhe kuadrit normativ në këtë drejtim. Më poshtë është fjalimi i plotë i Kryetarit Kostadinovski:

I nderuar ambasador i Misionit të OSBE-së në Shkup, z.Val

Të nderuar kolegë, të nderuar mysafirë, zonja dhe zotërinj,

Më lejoni të filloj duke shprehur mirënjohjen time për Misionin e OSBE-së në Shkup për organizimin e këtij eventi, si dhe për kontributin e tij të vazhdueshëm në përforcimin e sundimit të së drejtës dhe kulturës kushtetuese në shoqërinë tonë. Ndonjëherë duket se kjo mirënjohje bëhet pothuajse si një hyrje standarde, por arsyeja është e thjeshtë – mbështetja e tij është e vazhdueshme dhe pa rezerva, në përputhje të plotë me misionin e OSBE-së për përforcimin e institucioneve dhe sundimin e së drejtës.

Të nderuar,

Tema që po hapim sot nuk është vetëm një çështje juridike, por një çështje me rëndësi thelbësore për funksionimin e rendit kushtetues.

Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është faza përfundimtare, por është fazë kyçe për funksionin gjyqësor-kushtetues. Pa ekzekutimin e tyre efektiv, i gjithë sistemi i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë mbetet pa efekt real. Prandaj, Kushtetuta përcakton qartë se vendimet e Gjykatës janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme, ndërsa me Aktin ato marrin një karakteristikë tjetër – detyrueshmërinë e përgjithshme. Pikërisht në këto veti qëndron fuqia e tyre – ato nuk tolerojnë zvarritje ose kundërshtim, ndërsa efekti i tyre është “erga omnes”, përkatësisht se ato janë të detyrueshme për të gjitha subjektet juridike.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë vetëm rezultat juridik i një kontesti konkret. Duke i interpretuar vlerat dhe normat kushtetuese, ato në thelb formojnë rendin kushtetues. Në këtë aspekt, respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese njëkohësisht nënkupton edhe respektimin e Kushtetutës. Natyra e tyre juridike është e qartë: ato i mënjanojnë normat jokushtetuese nga rendi juridik dhe vendosin ekuilibrin kushtetues. Me publikimin e tyre, fillon detyrimi për ekzekutimin e tyre të menjëhershëm dhe të plotë. Çdo zvarritje ose zbatim selektiv e vë në pikëpyetje sigurinë juridike dhe besimin në institucione.

Të nderuar,

Kushtetuta përcakton shprehimisht se “vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme”, ndërsa sipas Rregullores që ishte në fuqi paraprakisht, përcaktohej se “ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas nevojës, e siguron Qeveria”. Është e qartë se miratuesi i Rregullores  u nis nga premisa se vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të ekzekutohen në mënyrë “ex constitute”, në bazë të Kushtetutës dhe nga këtu buron edhe formulimi “kur është e nevojshme” (që nënkupton vetëm në raste të jashtëzakonshme) Qeveria do ta sigurojë ekzekutimin e tyre. Akti i ri i Gjykatës shkon një hap më tej, duke përcaktuar se vendimet janë juridikisht të detyrueshme për të gjitha subjektet (duke i detyruar kështu të gjitha organet shtetërore dhe organet publike t’i respektojnë, zbatojnë dhe ekzekutojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese brenda kornizës së kompetencave të tyre); se kushdo që ka interes juridik mund të kërkojë ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; se Gjykata sipas detyrës zyrtare monitoron ekzekutimin e vendimeve të saj; se Gjykata mund t’u kërkojë organeve publike të sigurojnë ekzekutimin e vendime dhe se, nëse kjo nuk ndodh, Gjykata do të miratojë aktvendim të veçantë që vërteton se vendimi i saj nuk është ekzekutuar. E gjithë kjo përfaqëson një risi të rëndësishme dhe thelbësore.

Prandaj, megjithëse korniza normative parashikon mekanizma për monitorimin dhe sigurimin e ekzekutimit, praktika tregon se çështja nuk është vetëm nëse ato ekzistojnë, por nëse janë mjaftueshëm efektive. Elementi kyç nuk qëndron vetëm në mekanizmat formalë, por edhe në shkallën e përgjegjësisë institucionale dhe kulturës juridike. Problemet më shpesh lindin jo nga mungesa e normave, por nga zbatimi i tyre jokonsistent. Në praktikë, hasen situata të injorimit ose anashkalimit të vendimeve – qoftë duke rimiratuar aktvendime të ngjashme, ose duke mos vepruar. Fenomene të tilla janë të papranueshme sepse ato e shkelin drejtpërdrejt sundimin e së drejtës.

Një sfidë shtesë është qëndrimi i pushteteve të tjera ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në vend që të perceptohen si korrigjuese dhe garantuese të kushtetutshmërisë, ato ndonjëherë perceptohen si një kufizim. Këtu shfaqet një nga paradokset e sistemit kushtetues – një institucion që e ka fjalën e fundit në mbrojtjen e Kushtetutës shpesh ka mekanizma të kufizuar për të siguruar ekzekutimin e vendimeve të tij.

Përvoja tregon se mekanizmi më i fortë nuk janë sanksionet, por kultura e zhvilluar kushtetuese. Në sistemet ku ka një nivel të lartë të respektimit të së drejtës, vendimet e gjykatave kushtetuese zbatohen pa rezistencë. Aty ku kjo kulturë nuk është zhvilluar mjaftueshëm, as normat më të sakta nuk garantojnë efektivitet të plotë. 

Prandaj, çështja e ekzekutimit të tyre nuk është vetëm teknike ose procedurale, është çështje e përgjegjësisë, integritetit institucional dhe maturisë sa i përket sistemit juridik. Ekzekutimi nuk do të thotë vetëm veprim formal, por edhe pranim substancial i qëndrimeve juridike të Gjykatës në procedurat e ardhshme.

Të nderuar të pranishëm,

Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është test për sundimin e së drejtës. Aty ku vendimet respektohen, Kushtetuta jeton. Aty ku ato injorohen, rendi juridik vihet në pikëpyetje. Sundimi i së drejtës nuk matet nga vendimet e marra, por nga ekzekutimi i tyre. Pikërisht në atë moment e drejta e fiton fuqinë e vërtetë dhe mbrojtja kushtetuese merr kuptimin e vërtetë. Prandaj, përgjegjësia nuk u takon vetëm institucioneve, por edhe komitetit të shkencës juridike, komunitetit profesional dhe politik dhe të gjithë shoqërisë – për të ndërtuar dhe kultivuar një kulturë kushtetuese, të bazuar në besnikëri ndaj Kushtetutës. Vetëm në këtë mënyrë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të jenë ato që duhet të jenë – garanci për drejtësinë, liritë dhe sigurinë juridike.

Ju falënderoj për vëmendjen.