Gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, prof.dr.Ana Pavllovska-Daneva ishte folëse në Takimin e 91-të të juristëve, në organizim të Shoqatës së Juristëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili u mbajt nga 23 deri më 25 prill 2026 në Ohër.
Pavllovska-Daneva mbajti fjalim në sesionin e mbajtur më 23 prill, në temën: “Vendimet interpretuese si risi në gjyqësinë kushtetuese të vendit”.
Në takim morën pjesë ekspertë juridikë, gjykatës, profesorë dhe përfaqësues të institucioneve, të cilët diskutuan çështjet dhe sfidat aktuale juridike.
Në vazhdim, një pjesë e fjalimit të Pavllovska-Danevës:
Të nderuar,
Vendimet interpretuese janë një koncept relativisht i ri në doktrinën juridike dhe në thelb, përfaqësojnë distancim nga perceptimi tradicional i gjykatave kushtetuese si “ligjvënës negativë”. Në vend që të shfuqizojë ose anulojë ekskluzivisht ligjet, Gjykata Kushtetuese, përmes këtyre vendimeve, merr një rol më aktiv – të ndikojë në mënyrën se si interpretohen dhe zbatohen normat.
Në thelbin e tyre, vendimet interpretuese janë një mekanizëm përmes të cilit Gjykata nuk e heq dispozitën nga rendi juridik, por e përcakton se si duhet të kuptohet ajo në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën. Në këtë mënyrë, shmanget krijimi i boshllëqeve ligjore dhe përforcohet siguria juridike. Sipas kësaj logjike, një ligj duhet të konsiderohet jokushtetues vetëm kur nuk ka mundësi për interpretimin e tij kushtetues.
Kjo qasje i mundëson Gjykatës Kushtetuese të mos e marrë rolin e ligjvënësit, por të vendosë standarde dhe kufij brenda të cilëve ligjvënësi duhet të veprojë. Ky është një ndikim delikat, por domethënës, i cili nuk çon në përballje, por në dialog institucional.
Në teorinë juridike zhvillohen disa lloje vendimesh interpretuese. Vendimet klasike interpretuese ndodhin kur një dispozitë ligjore lejon interpretime të shumëfishta, ku Gjykata e përcakton atë që është në përputhje me Kushtetutën. Për më tepër, ka situata në të cilat Gjykata konstaton jokushtetutshmërinë, por nuk e shfuqizon menjëherë ligjin, por përkundrazi, cakton afat për ligjvënësin për të mënjanuar mangësitë e konstatuara. Në fund, shfaqen edhe të ashtuquajturat ligje “përkohësisht kushtetuese”, te të cilat Gjykata lejon zbatimin e tyre, por thekson nevojën për rregullimin e tyre të mëtejshëm.
Në sistemin juridik të vendit, vendimet interpretuese janë relativisht një risi. Me Aktin e Gjykatës Kushtetuese parashihet mundësia e vlerësimit të ligjit si kushtetues, por, njëkohësisht, mund të theksohet nevoja për ndryshimin ose plotësimin e tij brenda një periudhe të caktuar. Kjo gjë ofron hapësirë për zhvillimin e mëtejshëm të teknikave interpretuese dhe përforcimin e rolit të Gjykatës si garantuese e kushtetutshmërisë dhe sigurisë juridike.
Prandaj, vendimet interpretuese përfaqësojnë një instrument të balancuar – në vend që ta shfuqizojnë ligjin, ato e drejtojnë atë drejtë përputhshmërisë me Kushtetutën.
Ju falënderoj!

