Fjalimi i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dr.Kostadinovski, në Takimin e 91-të të juristëve në Ohër
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, mbajti fjalim në Takimin e 91-të të juristëve, të organizuar nga Shoqata e Juristëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili mbahet nga 23 deri më 25 prill 2026 në Ohër.
Kostadinovski mbajti fjalim në sesionin e mbajtur më 23 prill, duke u prononcuar mbi temën: “Vendimet interpretuese si risi në gjyqësorin kushtetues të vendit”.
Në takim morën pjesë ekspertë juridikë, gjykatës, profesorë dhe përfaqësues të institucioneve, të cilët diskutuan për çështjet dhe sfidat aktuale juridike.
Në vijim, fjalimi i plotë e Kryetarit Kostadinovski:
“Kushtetuta është ajo që gjykatësit thonë se është”- Charles Evans Hughes
VENDIMET INTERPRETUESE SI RISI NË GJYQËSORIN KUSHTETUES TË VENDIT
Gjykata Kushtetuese përfaqëson organ “sui generis” në rendin tonë kushtetues, para së gjithash për shkak se funksionimi i saj nuk rregullohet me ligj të veçantë. Me këtë, ajo mbetet organi i vetëm në Republikë që organizimin dhe punën e saj e bazon drejtpërdrejt në Kushtetutë dhe në Aktin e saj. Kjo specifikë hap hapësirë për vetërregullim, por njëkohësisht imponon edhe përgjegjësi – që të vendosen kufij të qartë të veprimit gjyqësor-kushtetues.
Mungesa e operacionalizimit të mëtejshëm ligjor nuk është vetëm mangësi, por edhe sfidë që kërkon përgjigje aktive. Kushtetuta nuk është eksponat muzeor, por dokument që duhet të jetojë dhe të frymojë së bashku me popullin. Në kushte të tilla, Gjykata Kushtetuese nuk mund të mbetet interpretuese pasive. Ajo duhet të jetë institucion që e kupton Kushtetutën si sistem i gjallë vlerash, i cili zbatohet në rrethana reale, shpesh, edhe në rrethana komplekse shoqërore.
Mundësia e vetërregullimit na ka hapur dy drejtime. Së pari, vetë ta zgjerojmë në mënyrë eksplicite kompetencën tonë. Çfarë ndodhi gjatë dy viteve të fundit? Me Aktin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr.115/2024), vendosëm dy risi të rëndësishme, përkatësisht: vendimet interpretuese dhe raportet e veçanta mbi gjendjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në rendin kushtetues.
Por, nuk u ndalëm këtu. Si rezultat i aktivizmit dhe interpretimit gjyqësor, veçanërisht të vlerave themelore, kompetencën e Gjykatës e zgjeruam edhe në mënyrë implicite. Më konkretisht, në periudhën e kaluar Gjykata e ka thelluar analizën e saj gjyqësore-kushtetuese – jo vetëm lidhur me kushtetutshmërinë materiale të ligjeve, por edhe lidhur me kushtetutshmërinë e tyre formale. Gjykata filloi ta vlerësojë qëllimin legjitim të ligjvënësit, justifikimin shoqëror dhe proporcionalitetin e zgjidhjeve ligjore, në zbatimin e kushtetutshmërisë.
Së dyti, Gjykata filloi të vendosë edhe për konfliktin e ligjeve, përkatësisht për të ashtuquajturin konflikt ligjesh, si në kuptimin horizontal ashtu edhe në atë vertikal. Për një veprim të tillë të saj, Gjykata nuk ka kompetencë eksplicite. Por, duke e interpretuar sundimin e së drejtës si vlerë themelore të rendit kushtetues, në situata kur ekziston konflikt normash ligjore që mund të çojë në arbitraritet gjatë zbatimit të tyre (ai që duhet ta zbatojë, zgjedh se cilën zgjidhje ligjore do ta zbatojë), Gjykata konstaton se kjo nënkupton cenim të sigurisë juridike dhe parashikueshmërisë juridike, e me këtë edhe shkelje të sundimit të së drejtës. E gjithë kjo përfaqëson një kompetencë të rëndësishme implicite të Gjykatës Kushtetuese.
Më tej, Gjykata është gjithnjë e më pranë aktivizimit të të ashtuquajturës normë të vdekur të Aktit (neni 88), e cila ka të bëjë me përcaktimin e mënyrës së zbatimit të vendimeve të saj. Në këtë drejtim, Gjykata po mendon gjithnjë e më shumë për miratimin e vendimeve meritore me efekt juridik të prolonguar, përkatësisht vendimeve për anulim ose shfuqizim, me hyrje në fuqi të prolonguar. Për një zgjidhje të tillë, unë personalisht kam menduar për nenin 218 paragrafi 1 të Ligjit për Përmbarim, për të cilin Gjykata inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij.
Këto janë risi të rëndësishme në gjyqësorin kushtetues dhe kjo qasje, për mua personalisht, nuk përfaqëson zgjerim të kompetencave, por përmbushje thelbësore të tyre, përkatësisht aktivizëm gjyqësor.
Por, një zhvillim i tillë në mënyrë të pashmangshme ngrit edhe çështje më të vështira. Kur Kushtetuta interpretohet në mënyrë dinamike, kur zbatohet në dritën e rrethanave shoqërore të ndryshueshme, atëherë roli i gjykatësit kushtetues bëhet më kompleks, por edhe më përgjegjës. Në këtë rol, nuk ekziston përgjigje e dhënë paraprakisht nëse Kushtetuta duhet të lexohet gjerësisht apo në mënyrë kufizuese. Ky është një vendim që duhet të sillet nga vetëdija për peshën e funksionit kushtetues.
Tani, më lejoni t’i referohem risive që tashmë janë normuar në Aktin e ri të Gjykatës. Një nga risitë në Gjykatë – vendosja e vendimeve interpretuese – nuk është e rastësishme dhe as nuk përfaqëson devijim nga pozicioni kushtetues i Gjykatës. Përkundrazi, ato janë rezultat i nevojës për të siguruar mbrojtje efektive të kushtetutshmërisë, pa e cenuar stabilitetin e rendit juridik. Me vendimet interpretuese, Gjykata nuk kufizohet vetëm në shfuqizimin ose anulimin e normave jokushtetuese. Në vend të kësaj, ajo e vendos normën në kuadër të pranueshëm kushtetues dhe i ofron ligjvënësit mundësi për korrigjim. Në këtë mënyrë shmanget krijimi i boshllëqeve juridike që do të mund t’i rrezikonin drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Ky model vendos marrëdhënie specifike ndërmjet Gjykatës dhe ligjvënësit – marrëdhënie që nuk bazohet në superioritet, por në dialog kushtetues. Gjykata tregon, ligjvënësi vepron, ndërsa rendi juridik stabilizohet pa tronditje.
Por, njëkohësisht, duhet të jemi të vetëdijshëm se ky instrument përmban edhe element përgjegjësie. Nëse ligjvënësi nuk vepron brenda afatit të përcaktuar ose nuk i respekton qëndrimet juridike të Gjykatës, atëherë Gjykata do ta aktivizojë funksionin e saj klasik kushtetues – anulimin ose shfuqizimin e normës jokushtetuese. Në këtë rast, përgjegjësia për pasojat nuk i takon më Gjykatës.
Krahas vendimeve interpretuese, si risi e dytë, me nenin 13 të Aktit të Gjykatës, janë të normuara raportet e veçanta për praktikën gjyqësore-kushtetuese. Me to, Gjykata nuk vendos për një rast të veçantë, por dikton dobësi më të gjera sistemike dhe nevojën për t’i kapërcyer ato. Këto raporte përfaqësojnë formë të dialogut institucional. Ato nuk imponohen, por orientojnë. Nuk sanksionojnë, por paralajmërojnë. Por, pesha e tyre buron nga pozita kushtetuese e Gjykatës, si garantuese e kushtetutshmërisë.
Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i gjyqësorit kushtetues bashkëkohor. Gjykata nuk është më vetëm ligjvënës negativ. Ajo është edhe interpretuese, edhe korrigjuese, edhe udhëzuese e rendit juridik, e formëson dhe e projekton atë.
Megjithatë, ky evolucion duhet të ketë kufijtë e tij.
Në kushte të vetërregullimit të gjerë dhe të zhvillimit të kompetencave implicite, gjithmonë ekziston rreziku i kalimit në “gjykatokraci” – gjendje në të cilën Gjykata do ta merrte rolin e ligjvënësit. Një zhvillim i tillë nuk do të nënkuptonte përforcim të kushtetutshmërisë, por cenim të saj. Prandaj, sfida kryesore nuk është nëse Gjykata duhet të jetë aktive, por deri ku mund të shkojë aktiviteti i saj. Ekuilibri ndërmjet mbrojtjes së Kushtetutës dhe respektimit të legjitimitetit demokratik të ligjvënësit është thelbi i gjyqësorit kushtetues. Pa këtë ekuilibër, asnjë institucion nuk mund ta ruajë rolin e tij kushtetues. Kjo e rrit në mënyrë të ndjeshme përgjegjësinë e gjykatësve kushtetues. Prandaj, ata nuk janë skllevër të mentalitetit klasik gjyqësor të gjykatësve të rregullt.
Si rrjedhojë, imponohet nevoja për rregullim më të qartë të pozitës dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Vendosja e një kornize ligjore, me shumicë kushtetuese përkatëse, nuk do të nënkuptonte kufizim të Gjykatës, por përforcim të legjitimitetit dhe sigurisë së saj juridike.
Në fund, mbetet një konstatim i thjeshtë, por thelbësor: Gjykata Kushtetuese nuk është më institucion që vetëm e ruan rendin juridik, por institucion që e mirëmban, por edhe e formëson dhe e projekton atë. Dhe pikërisht në këtë rol, çdo vendim i saj duhet të synojë një gjë: ruajtjen e kushtetutshmërisë, sigurinë juridike dhe besimin e qytetarëve në drejtësi.
Në thelb, me këto risi të rëndësishme, si me ato eksplicite ashtu edhe me ato implicite, Gjykata Kushtetuese i ndjek tendencat bashkëkohore në neokonstitucionalizmin evropian. Ato, në terma më të thjeshtë, nënkuptojnë braktisjen e formalizmit të përpiktë, përkatësisht braktisjen e konceptit të ngurtë kelsenian të ligjvënësit negativ dhe krijimin e një koncepti të ri sipas të cilit, siç e kam thënë disa herë, zbehen vijat ndarëse ndërmjet ligjvënësit negativ dhe atij pozitiv. Për çdo jurist është e qartë se me risitë e lartpërmendura, Gjykata Kushtetuese përfshihet në mënyrë aktive në formësimin dhe projektimin e rendit juridik, sigurisht brenda kornizës së Kushtetutës.
Emëruesi i përbashkët i risive eksplicite dhe implicite, si qëllim përfundimtar, sigurisht, lidhet me pavarësinë dhe autonominë e Gjykatës Kushtetuese. Mirë është që Gjykata e fitoi me luftë pavarësinë e saj administrative dhe buxhetore, megjithëse përballemi me probleme gjatë zbatimit të saj, veçanërisht, lidhur me këtë të dytën. Në këtë kontekst, do t’i referohem një konstatimi të Kongresit të gjashtë të Konferencës Botërore për Drejtësinë Kushtetuese. Në Deklaratën e Madridit u konstatua se drejtësia kushtetuese mund ta përmbushë rolin e saj vetëm kur autonomia dhe pavarësia e gjykatave kushtetuese janë plotësisht të garantuara. Një pavarësi e tillë nuk është qëllim në vetvete, por kusht i domosdoshëm për sigurimin e supremacisë së Kushtetutës, mbrojtjen efektive të të drejtave themelore dhe sigurimin e ekuilibrit ndërmjet pushteteve në një shtet që udhëhiqet nga parimet e sundimit të së drejtës.
Arsyeja për këtë është e thjeshtë, por thelbësore: pavarësia gjyqësore përbën të drejtë të njeriut, që është e pandashme nga e drejta e individit për qasje në drejtësi, për gjykim fer dhe të drejtë, për mbrojtje të barabartë juridike, siç është konstatuar edhe në Deklaratën e miratuar në Takimin e nëntë të nivelit të lartë në Kajro me gjykatës-kryesues dhe kryetarë të gjykatave supreme dhe kushtetuese dhe të këshillave kushtetues.
Kjo ishte një hyrje, në mënyrë që të kuptohet më mirë nga ku burojnë dy risitë për të cilat dua të flas sot.
I. RISIA E PARË – VENDIMET INTERPRETUESE
Risia e parë i referohet vendosjes së të ashtuquajturave vendime interpretuese, si instrument i veçantë i kontrollit gjyqësor-kushtetues. Ky instrument i mundëson Gjykatës, në vend që menjëherë të shfuqizojë ose anulojë një akt të caktuar, të konstatojë dyshim për jokushtetutshmërinë e tij dhe t’i japë miratuesit të tij afat për ta harmonizuar me Kushtetutën. Duke vepruar kështu, Gjykata krijon një gjendje specifike juridike – kushtetutshmëri të përkohshme. Thelbi i kësaj risie nuk qëndron në zgjerimin e fuqisë së Gjykatës, por në kapërcimin e një dobësie praktike dhe serioze të modelit klasik.
Në fakt, në raste të shumta, shfuqizimi i drejtpërdrejtë i një norme ligjore nuk çon në vendosjen e kushtetutshmërisë, por në krijimin e një vakumi juridik. Një vakum i tillë mund të ketë pasoja serioze: ta cenojë sigurinë juridike, ta vështirësojë ushtrimin e të drejtave dhe madje të rrezikojë interesin e gjerë publik. Prandaj, vendimi interpretues përfaqëson përpjekje për të vendosur ekuilibër ndërmjet: kushtetutshmërisë, legjitimitetit demokratik të ligjvënësit dhe stabilitetit të rendit juridik.
Ky model ka edhe strukturë të qartë: Së pari, Gjykata konstaton dyshim për jokushtetutshmëri dhe i shpreh qëndrimet e saj juridike. Së dyti, ligjvënësit i jep afat – më së shumti gjashtë muaj – për të kryer harmonizimin. Së treti, nëse kjo nuk ndodh, Gjykata kalon në një vendim klasik represiv.
Prandaj, këto vendime kanë natyrë të dyfishtë: parandaluese, sepse mundësojnë vetëkorrigjim dhe represive sepse përmbajnë pasojë të qartë nëse korrigjimi nuk ndodh. Ky instrument nuk është i panjohur në praktikën evropiane. Përkundrazi, ai zbatohet në disa shtete pikërisht për shkak të aftësisë së tij për të krijuar dialog kushtetues në vend të përplasjes institucionale. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se vendimet interpretuese nuk e zëvendësojnë vullnetin e ligjvënësit, por e orientojnë, e formësojnë në mënyrë që nuk krijojnë të drejtë të re, por e përcaktojnë kuptimin e saj kushtetueshmërisht të lejuar.
II. RISIA E DYTË – RAPORTET E VEÇANTA PËR KUSHTETUTSHMËRINË
Risia e dytë e rëndësishme është ofrimi i mundësisë që Gjykata ta ndjekë zbatimin e e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe lirive e të drejtave dhe, sipas gjykimit të saj, të miratojë raport të veçantë në të cilin do të tregojë nevojën për ndërmarrjen e masave për zbatimin dhe mbrojtjen e tyre dhe do ta dërgojë atë tek organi kompetent, siç është përcaktuar me nenin 13 të Aktit të Gjykatës. Në këtë mënyrë, Gjykata nuk reagon vetëm me iniciativë, por përmes punës së saj bëhet vëzhguese aktive e rendit kushtetues. Këto raporte kanë natyrë tjetër nga vendimet: nuk janë represive, por kanë karakter orientues – diktojnë problemet dhe propozojnë masa për kapërcimin e tyre. Në këtë mënyrë, Gjykata nuk ndërhyn përmes shfuqizimit, por përmes sinjalit kushtetues. Kjo risi ka rëndësi të veçantë sepse mundëson zbulimin e hershëm të dobësive sistemike, parandalimin e jokushtetutshmërive të ardhshme dhe zhvillimin e kulturës kushtetuese. Raporti i parë i tillë tenimë është miratuar nga Gjykata Kushtetuese dhe është në lidhje me interpretimin e nenit 52 paragrafi 2 të Kushtetutës, i cili i referohet institutit “vacatio legis”. Në konkluzionin e këtij raporti të veçantë është theksuar: “… Gjykata Kushtetuese, në përputhje me nenin 13 të Aktit dhe praktikën gjyqësore të vendosur, arrin në konkluzion se ekziston nevoja për miratimin e raportit me qëllim që t’u tregojë organeve kompetente në shtet se aspekti formal i akteve është i së njëjtës rëndësi si pjesa materiale, dhe gjatë veprimit është e nevojshme ta respektojnë detyrimin që rrjedh nga Kushtetuta lidhur me afatin e publikimit të ligjeve dhe akteve të tjera në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Ndërkohë, është miratuar edhe një raport tjetër lidhur me çështjen e hyrjes në fuqi të ligjeve sipas nenit 52 paragrafi 3 të Kushtetutës. Këto raporte shërbejnë si udhërrëfyes për ligjvënësin pozitiv se si duhet dhe si është “e dëshirueshme” të veprojë, gjë që përsëri lë hapësirë që Gjykata Kushtetuese të ndërhyjë indirekt në fushën e veprimit të ligjvënësit pozitiv përmes formës së dialogut dhe bashkëpunimit institucional (jo në mënyrë represive). Kështu, Gjykata Kushtetuese kontribuon në respektimin dhe përforcimin e kushtetutshmërisë, pa vepruar si ligjvënës negativ.
III. MARRËDHËNIA NDËRMJET GJYKATËS DHE KUVENDIT
“Ligjvënësi është i lidhur me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese është e lidhur me interpretimin e saj të Kushtetutës”- Hans Kelsen
Këto dy risi në mënyrë të pashmangshme e hapin çështjen e marrëdhënies ndërmjet Gjykatës Kushtetuese si “ligjvënës negativ” dhe Kuvendit si “ligjvënës pozitiv”. Në sistemin bashkëkohor kushtetues, kjo marrëdhënie nuk është marrëdhënie supremacie, por është bashkëpunim i ndërsjellë. Gjykata nuk e merr përsipër rolin e ligjvënësit, por ndikon në veprimin e tij, vendos standarde dhe i përcakton kufijtë kushtetues. Ky ndikim mund të jetë i drejtpërdrejtë – përmes shfuqizimit ose anulimit, indirekt – përmes raporteve, ose i kombinuar – si te vendimet interpretuese. Pikërisht vendimet interpretuese janë modeli më elegant, sepse e shmangin konfliktin institucional, mundësojnë dialog dhe e ulin pasigurinë juridike.
Është e natyrshme që në rrethana të tilla të reja të shfaqet tension ndërmjet ligjvënësit dhe Gjykatës Kushtetuese. Në fund të fundit, kemi qenë dëshmitarë të shkëmbimit të retorikës së ashpër nga të dyja palët, gjë është plotësisht e pritshme për shkak të faktit se për një periudhë më të gjatë kohore Gjykata Kushtetuese ishte pasive ose tepër bashkëpunuese dhe në këtë mënyrë ligjvënësit i mundësoi komfort kushtetues. Sigurisht, ligjvënësit do t’i duhet kohë të përshtatet me rrethanat e sapokrijuara, përkatësisht me ndryshimet e Gjykatës Kushtetuese. Kam apeluar disa herë te ligjvënësi që vendimet tona t’i shohë në mënyrë miqësore, si akt të dorës së zgjatur. Sigurisht, koha do të tregojë, dhe pres që ligjvënësi të ambientohet me gjendjen e re. E ndjen presionin nga ndryshimet në Gjykatën Kushtetuese, por do të mësohet me të.
IV. AKTIVIZMI GJYQËSOR-KUSHTETUES DHE KUFIJTË E TIJ
Këto risi janë rezultat i asaj që në teori përcaktohet si aktivizëm gjyqësor-kushtetues. Megjithatë, këtu duhet bërë dallim i qartë. Aktivizmi nuk do të thotë arbitraritet. Ai buron nga nevoja për mbrojtje efektive të Kushtetutës, interpretimi dinamik i normave kushtetuese dhe përshtatja e së drejtës me ndryshimet shoqërore. Nga ky këndvështrim, Kushtetuta nuk është vetëm tekst statik, por sistem i gjallë që kërkon interpretim të vazhdueshëm. Por, njëkohësisht, çdo zgjerim i kompetencave mbart edhe rrezik: të cenohet ekuilibri ndërmjet institucioneve. Prandaj, këta mekanizma duhet të zbatohen me kujdes, në mënyrë të argumentuar dhe me vetëdije të qartë për kufijtë e tyre.
Kur theksova më parë se me këto risi rritet ndjeshëm përgjegjësia e gjykatësve kushtetues, më lejoni t’i referohem disa cilësive thelbësore që duhet t’i posedojë gjykatësi i pavarur. Këtu do t’i referohem fjalëve të mikut dhe kolegut tim të dashur Kadir Ozkaja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë: “Peshorja e drejtësisë është në duart e gjykatësve. Ajo është peshorja më e ndjeshme në botë. Për ta mbajtur siç duhet, nuk mjafton vetëm njohja e së drejtës, por nevojitet një ndjenjë e mprehtë e ndërgjegjes dhe integritet i lartë moral. Prandaj, gjykatësit, mbi të gjitha, duhet të kenë ndërgjegje, ta respektojnë ligjin dhe të veprojnë me ndershmëri. Krahas këtyre tri virtyteve themelore, ata duhet të kenë karakter modest dhe të qetë, sepse është e qartë se peshorja e atij që është arrogant ose gjaknxehtë nuk mund të peshojë saktë. Gjykatësit duhet të veprojnë gjithmonë me sinqeritet dhe integritet personal, të udhëhiqen nga ndërgjegjja e shëndoshë dhe të jenë shembull për të tjerët. Ndërgjegjen e përkufizoj si veti të brendshme të njeriut, si ndjenjë të brendshme që i mundëson personit ta dallojë atë që është e drejtë nga ajo që është e gabuar. Edhe pse abstrakt, ky koncept është i njohur botërisht. Sipas këndvështrimit tim, ndërgjegjja nuk gënjen. Ajo as nuk këshillon, as nuk urdhëron veprim të gabuar. Ndërgjegjja është gjithmonë e drejtuar nga e vërteta. Ekziston lidhje e fortë e ndërsjellë ndërmjet të pasurit ndërgjegje dhe pavarësisë e paanshmërisë. Kapaciteti ynë gjykues formohet përmes arsyes, dijes, etikës dhe ndërgjegjes, ndërsa këto janë elementet që janë të ndërthurura ngushtë me marrjen e vendimeve të drejta”.
V. PËRFUNDIMI
Të gjitha këto risi përfaqësojnë model të ri të veprimit gjyqësor-kushtetues, mënyrë të re të komunikimit me ligjvënësin dhe fazë të re për zhvillimin e gjyqësorit kushtetues. Në thelbin e tyre, pavarësisht faktit se parashikojnë edhe “rishikim të butë” të Kushtetutës, ende janë në drejtim të mbrojtjes së Kushtetutës pa e cenuar rendin juridik. Të korrigjohet ligjvënësi, pa u zëvendësuar roli i tij. Të sigurohet kushtetutshmëri, pa u krijuar pasiguri juridike. Në fund të fundit, këto instrumente kanë një qëllim – të ndërtojnë rend kushtetues të bazuar në dialog, përgjegjësi dhe respekt ndaj Kushtetutës. Dhe pa asnjë dilemë, këto risi na çojnë drejt kulturës më të lartë kushtetuese.
Ju falënderoj për vëmendjen!
