
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
UZ.nr.35/2025
Shkup, 04.03.2026
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Goce Naumovski, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 4 mars 2026, miratoi
A K T V E N D I M
NUK INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit për miratimin e Planit urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, të miratuar nga Këshilli i Komunës së Aerodromit – Shkup, nr.07-2972 të datës 28.07.2010 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Aerodromit”, nr.16/2010).
Arsyetim
I
Zllate Levkovski nga Shkupi, përmes avokatit të autorizuar Trajçe Arsov, para Gjykatës Kushtetuese parashtroi iniciativë për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së aktit të shënuar në dispozitivin e këtij aktvendimi.
Sipas pretendimeve në iniciativë, me Vendimin e kontestuar cenohen nenet 8, 24, 26 dhe 51 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, neni 24 i Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik dhe neni 1 i Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Parashtruesi si pronar i parcelës ndërtimore PK nr.5770/1, KK Kisella Vodë 2, të përfshirë në Planin urbanistik të detajuar, gjatë anketës publike dhe kontrollit publik, ka paraqitur vërejtje me shkrim, në të cilat ka vënë në dukje planifikimin disproporcional dhe të padrejtë të ndërtimit të rrugës dhe parkingut në një pjesë të parcelës së tij. Në këtë mënyrë është zvogëluar mjaft potenciali ndërtimor i pronës së tij. Nga ana tjetër, theksohet se kjo është bërë përkundër faktit se vërejtjet e tij janë pranuar me gojë dhe me shkrim nga Komisioni i Ekspertëve, por, megjithatë të njëjtat nuk janë përfshirë në versionin përfundimtar të Planit urbanistik të detajuar.
Më tej, parashtruesi thekson se Komuna e Aerodromit nuk i ka dorëzuar arsyetimin për refuzimin e vërejtjeve. Në këtë mënyrë janë cenuar drejtpërdrejt parimet e transparencës dhe të pjesëmarrjes së palëve të prekura, të përcaktuara në nenin 24 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik. Nga ana tjetër, me zbatimin e zgjidhjes urbanistike, e cila cenon të drejtën e pronësisë private pa parashikuar kompensim përkatës dhe pa vendim për shpronësim, cenohet e drejta e garantuar me nenin 26 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe me nenin 1 të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas pretendimeve, raporti është pjesë përbërëse e Vendimit për miratimin e PUD-së, ndërsa në bazë të raportit, Komisioni është i detyruar me shkrim ta njoftojë çdo person që ka paraqitur fletanketë me arsyetimin nëse vërejtjet ose propozimet e tij janë pranuar. Në rastin konkret, parashtruesi është njoftuar se vërejtjet e tij janë pranuar, por ato nuk janë përfshirë në PUD-në konkrete, as Komuna nuk ka dhënë shpjegime pse vërejtjet nuk janë marrë parasysh, çka është në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe mirëqeverisjes. Sipas Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, komuna është e detyruar t’i shqyrtojë të gjitha vërejtjet e vlefshme dhe të sigurojë transparencë gjatë procesit. Mosrespektimi i rekomandimeve të Komisionit të Ekspertëve përbën shkelje të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik.
Për shkak të lartpërmendurës, propozohet që Gjykata Kushtetuese të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit për miratimin e Planit urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, ta shfuqizojë ose ta anulojë atë në pjesët që kanë të bëjnë me parcelën PK 5770/1, KK Kisella Vodë 2. Njëkohësisht, kërkohet që Gjykata të konstatojë shkelje të të drejtave të pronarit dhe me vendimin e miratuar të urdhërojë të veprohet sipas parimeve kushtetuese.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se në bazë të nenit 36 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.5/2002), ndërsa në lidhje me nenin 22, nenin 26, nenin 27 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.51/2005), nenin 16 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.137/2007- teksti i konsoliduar, 24/2008 dhe 91/2009) dhe në pajtim me nenet 16 dhe 24 të Statutit të Komunës së Aerodromit (“Fletorja Zyrtare e Qytetit të Shkupit”, nr.7/2005) Këshilli i Komunës së Aerodromit, në seancën e tridhjetegjashtë të mbajtur më 28.07.2010 ka miratuar Vendimin për miratimin e Planit urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, nr.07-2972 të datës 28.07.2010.
Në nenin 1 të Vendimit është përcaktuar se me të miratohet Plani urbanistik i detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, Shkup. Vendimi për miratimin e Planit urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, Shkup i respekton përcaktimet e Planit urbanistik të përgjithshëm të Qytetit të Shkupit (“Fletorja Zyrtare e Qytetit të Shkupit”, nr.8/2002), Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.51/2005), Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.137/2007-teksti i konsoliduar, 24/2008 dhe 91/2009), Rregullores për Përmbajtjen më të Hollësishme, Shkallën dhe Mënyrën e Përpunimit Grafik të Planeve Urbanistike dhe Rregullores për Standardet dhe Normativat për Planifikim Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.78/2006), si dhe Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Standardet dhe Normativat për Planifikim Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.140/2007, 12/2009 dhe 93/2009).
Në nenin 2 të Vendimit është përcaktuar se hapësira për të cilën miratohet Plani urbanistik i detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, Shkup është me sipërfaqe prej 23.40 ha dhe është në kuadër të kufijve vijues:
– Verilindje: boshti i rr.“Lisiçe e Epërme”;
– Veriperëndim: boshti i rr.“Bozhin Nikollov” deri në kryqëzimin me rrugën “Lisec”;
– Juglindje: boshti i rr. “Industriska 2”;
– Jugperëndim: boshti i rrugës së re të planifikuar “Industriska 2”;
Bilanci i treguesve:
Klasat e destinimeve
Destinimi i objekteve sipërfaqja 23.40 (ha)
A – banimi
A1 – banimi në ndërtesa banimi 16.28
G5 – infrastruktura (varrezat) 2.18
D – gjelbërimi dhe rekreacioni 1.57
D1 – gjelbërimi i parqeve dhe D2 – gjelbërimi mbrojtës
Infrastruktura e komunikacionit 2.59
Komunikacioni (rrugët, rrugë hyrëse, hyrjet, parkingjet)
Bunaret e Ohisit 0.21
Ndërtimet pa leje 0.47
Përfshirja e përgjithshme e planifikuar 23.40 ha
Numri i blloqeve 7
Sipërfaqja e përgjithshme e blloqeve 234000.00 m2 – 23.40 ha
Sipërfaqja maksimale e parcelave 152315.00 m2 – 15.23 ha
Sipërfaqja e përgjithshme e planifikuar për ndërtim 35767.00 m2 – 3.57 ha
Sipërfaqja e përgjithshme bruto e zhvilluar 05.235.00 m2 – 10.52 ha
Përqindja e ndërtimit 23.5%
Koeficienti i shfrytëzimit 0.69
Lartësia deri në strehën përfundimtare nga P deri në P+1+Pk dhe P+2+Pk
Vendeparkimet e planifikuara 1548 (1513 në parcela + 35 publike)
Neni 3
I. Baza e dokumentacionit
A. Pjesa tekstuale
Arsyetimi
- Pjesa hyrëse
- Sipërfaqja dhe kufijtë e përfshirjes
- Gjendja ekzistuese
- Komunikacioni, gjendja ekzistuese
- Furnizimi me ujë dhe kanalizimi (fekal, atmosferik)
- Rrjeti elektrik
- Rrjeti telefonik
B. Pjesa grafike
- Ekstrakti nga PUD-ja e Qytetit të Shkupit, i vitit 2002 1:5000
- Ekstrakti nga PUD-ja e “Lisiçes së Epërme” pjesa VI, i vitit 1997 1:1000
- Baza gjeodezike e përditësuar -harta e indeksit-
- Inventarizimi dhe incizimi i objekteve të ndërtuara pa leje 1:1000
- Inventarizimi dhe incizimi i fondit të ndërtuar të ndërtesave 1:1000
- Inventarizimi dhe incizimi i infrastrukturës së ndërtuar komunale 1:1000
II. Dokumentacioni planifikues
A. Pjesa tekstuale
Arsyetimi
- Lloji i planit
- Vendndodhja gjeografike (dhe gjeodezike)
- Ekstrakti nga plani i nivelit më të lartë
- Programi planifikues
- Koncepti planifikues
- Zgjidhjet planifikuese për ndërtim
- Arsyetimi ekonomik
- Komunikacioni
- Plani i nivelizimit
- Infrastruktura hidroteknike
– Të përgjithshme
– Furnizimi me ujë
– Kanalizimi (kanalizimi fekal, atmosferik)
– Energjia elektrike
- Banimi
- Ndriçimi rrugor
- Rrjeti telefonik
- Kushtet e përgjithshme për ndërtim
- Kushtet e veçanta për ndërtim
- Masat për parandalimin e barrierave në hapësirë
- Rregullimi i blloqeve urbane PJESA NUMERIKE
- Treguesit numerikë
TREGUESIT E BILANCIT
– Destinimi i tokës
– Destinimi i objekteve
B. Pjesa grafike
- Plani i destinimit të tokës dhe ndërtimeve
- Plani rregullues
Plani i sipërfaqeve për ndërtim 1:1000 - Plani i komunikacionit dhe plani i nivelizimit 1:1000
- Plani infrastrukturor 1:1000
- Plani i sintezës 1:1000
Shtojcat grafike, pjesa tekstuale dhe parametrat për zbatimin e planit janë pjesë përbërëse e planit, i përgatitur sipas Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.51/2005) dhe Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.137/2007 dhe 91/2009).
Plani urbanistik i detajuar evidentohet me vulën e Këshillit të Komunës së Aerodromit dhe nënshkrimin e kryesuesit të Këshillit të Komunës së Aerodromit, ndërsa prezantimi dhe anketa publike bëhen në pajtim me nenin 4 të këtij Vendimi.
Në nenin 5 të këtij Vendimi është përcaktuar se Këshilli i Komunës është i detyruar brenda afatit prej 30 ditësh nga miratimi i planit, të sigurojë hartografi të planit me material grafik (hamer) ose me material plastik transparent (astralon).
Plani urbanistik i detajuar i miratuar vërtetohet në shtatë kopje nga të cilat: një ruhet në arkivin e miratuesit të planit dhe një tek organi që e zbaton – Sektori i Çështjeve Komunale, Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor, sipas nenit 6 të këtij Vendimi.
Në nenin 7 të tij është përcaktuar se ky Vendim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Aerodromit”.
III
Sundimi i së drejtës, rregullimi dhe humanizimi i hapësirës dhe mbrojtja dhe përparimi i mjedisit jetësor dhe i natyrës, janë vlera themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas nenit 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 10 të Kushtetutës.
Çdo qytetar ka të drejtë të paraqesë parashtresa në organet shtetërore dhe shërbimet e tjera publike dhe për ato të marrë përgjigje, sipas nenit 24 paragrafi 1 të Kushtetutës. Në paragrafin 2 të të njëjtit nen, është parashikuar se qytetari nuk mund të thirret në përgjegjësi, as të pësojë pasoja të dëmshme për qëndrimet e paraqitura në parashtresa, përveç nëse me to ka kryer vepër penale.
Në nenin 26 paragrafi 1 të Kushtetutës garantohet paprekshmëria e shtëpisë. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, e drejta e paprekshmërisë së shtëpisë mund të kufizohet vetëm, kur është në pyetje zbulimi ose pengimi i veprave penale ose mbrojtja e shëndetit të njerëzve.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ligjet duhet medoemos të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin, sipas nenit 51 paragrafi 1 të Kushtetutës. Secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet, sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen.
Me pikën 1 të Amendamentit XVII të Kushtetutës është përcaktuar se në njësitë e vetëqeverisjes lokale, qytetarët drejtpërdrejt dhe nëpërmjet përfaqësuesve, marrin pjesë në vendimmarrje për çështjet me rëndësi lokale, e veçanërisht në fushat e shërbimeve publike, urbanizmit dhe planifikimit rural, mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit lokal ekonomik, financimit lokal, veprimtarive komunale, kulturës, sportit, mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, arsimit, mbrojtjes shëndetësore dhe në fusha të tjera të përcaktuara me ligj.
Në pajtim me nenin 1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.5/2002 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.84/2020 dhe 202/2024), me këtë Ligj rregullohen kompetencat e komunës, pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në vendimmarrje, organizimi dhe puna e organeve të komunës, administrata komunale, aktet e organeve, prona në pronësi të komunës, mbikëqyrja e punës së organeve të komunës, shpërbërja e këshillit të komunës, mekanizmat e bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, vetëqeverisja lokale, mbrojtja e vetëqeverisjes lokale, përcaktimi i gjuhëve zyrtare në komuna dhe çështjet e tjera me rëndësi për vetëqeverisjen lokale.
Në nenin 3 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, është rregulluar se njësitë e vetëqeverisjes lokale janë komunat, të cilat janë persona juridikë dhe se kompetencat e tyre i ushtrojnë përmes organeve të zgjedhura drejtpërdrejt nga qytetarët.
Në kreun III të Ligjit, me titull: “Kompetencat e komunave”, në nenin 22 paragrafi 1 janë përcaktuar kompetencat e komunave. Ndër të tjera, komunat janë kompetente për kryerjen e punëve nga fusha e planifikimit urbanistik (urban dhe rural), lëshimin e lejes për ndërtimin e objekteve me rëndësi lokale të përcaktuara me ligj, rregullimin e hapësirës dhe rregullimin e tokës ndërtimore. Në pajtim me paragrafin 2 të këtij neni, kompetencat nga paragrafi 1 i këtij neni ushtrohen sipas standardeve dhe procedurave të përcaktuara me ligj, ndërsa në paragrafin 3 të të njëjtit nen është rregulluar se me ligj përcaktohen punët nga kompetenca e komunës të cilat ajo medoemos do t’i kryejë.
Me nenin 29 paragrafi 1 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale parashikohet se çdo qytetar ka të drejtë, individualisht ose së bashku me të tjerët të dorëzojë parashtresa dhe propozime për punën e organeve të komunës dhe administratës komunale. Në pajtim me paragrafin 2 të të njëjtit nen, kryetari i komunës është i detyruar të krijojë kushte për dorëzimin e parashtresave dhe propozimeve më së voni brenda afatit prej 60 ditësh, nga dita e pranimit të parashtresës, përkatësisht propozimit, ndërkaq parashtruesit duhet t’i dorëzojë përgjigje të arsyetuar. Po ashtu, parashtresat dhe propozimet që nuk kanë të bëjnë me çështjet në kompetencë të organeve të komunës duhet t’i dorëzojë në organin përkatës kompetent dhe për këtë ta njoftojë parashtruesin.
Neni 30 i Ligjit, parashikon se gjatë përgatitjes së akteve të komunës, këshilli, përkatësisht kryetari i komunës mund të organizojë paraprakisht tribuna publike, të zhvillojë anketa ose të kërkojë propozime nga qytetarët.
Sipas nenit 32 paragrafi 1 të Ligjit, Këshilli është organ përfaqësues i qytetarëve që vendos në kuadër të kompetencave të komunës.
Në pajtim me nenin 1 të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.51/2005, 137/2007, 24/2008 dhe 91/2009) rregullohen kushtet dhe mënyra e sistemit të planifikimit hapësinor dhe urbanistik, llojet dhe përmbajtja e planeve, përgatitja dhe procedura për miratimin e planeve, zbatimi i planeve dhe ndjekja e realizimit të planeve, mbikëqyrja dhe çështjet e tjera nga fusha e planifikimit hapësinor dhe urbanistik.
IV
Gjykata, në procedurën paraprake, në bazë të dokumentacionit të dorëzuar nga miratuesi i aktit të kontestuar, e konstatoi gjendjen faktike vijuese, siç është paraqitur më poshtë.
Nga SHA për Urbanizëm, Arkitekturë dhe Inxhinieri “ZUAS” Shkup, në muajin korrik të vitit 2007 kanë përgatitur raport lidhur me veprimin sipas vërejtjeve të revizionit profesional për Planin urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, Komuna e Aerodromit.
Shoqëria për Ndërtim, Projektim, Tregti dhe Shërbime “Stan Art” SHPKNJP Kumanovë, në muajin korrik të vitit 2007 ka përgatitur raport për revizionin profesional të kryer të Draft-planit urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, Komuna e Aerodromit – Shkup, Draft-plani 2007-2012.
Komisioni për Revizion Profesional, në bazë të këtij raporti në të cilin përmbahen konstatimet themelore, vërejtjet dhe sugjerimet, ka propozuar që porositësi i Draft-planit të planit urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, Komuna e Aerodromit – Shkup, pas plotësimit përkatësisht, përfshirjes së vërejtjeve nga revizioni profesional, të zhvillojë prezantim publik dhe anketë publike në pajtim me rregullativën ligjore.
Qyteti i Shkupit përmes Sektorit të Planifikimit dhe Rregullimit të Hapësirës, ka miratuar Mendim me nr.07/13-2385/1 të datës 24.10.2007 sipas kërkesës me nr.18-6522/2, të parashtruar nga Komuna e Aerodromit për Draft-planin urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme – njësia urbane E.
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve përmes Sektorit të Rregullimit të Hapësirës ka dhënë Mendim profesional për Draft-PUD-në për lokalitetin Lisiçe e Epërme – njësia urbane E (23.40 ha) me nr.16-15706/1 të datës 25.12.2007.
Pas marrjes së mendimit pozitiv në revizionin profesional lidhur me Draft-planin urbanistik të detajuar për lokalitetin në fjalë, të muajit korrik 2007 dhe pas veprimit sipas vërejtjeve ndaj Draft-versionit të planit urbanistik të detajuar nga Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Këshilli i Komunës së Aerodromit në seancën e shtatëdhjetekatërt, të mbajtur më 26.12.2007, ka miratuar Vendim për përcaktimin e Draft-planit urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme – njësia urbane E.
Më 27.12.2007, kryetari i Komunës së Aerodromit ka miratuar Aktvendim me nr.08-9094/2 për organizimin e prezantimit publik dhe anketës publike për Draft-planin urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme – njësia urbane E, Komuna e Aerodromit – Shkup.
Kryetari i Komunës së Aerodromit më 27.12.2007 ka lëshuar Kumtesë për prezantimin publik dhe anketën publike me nr.08-9094/3.
Gjatë kohëzgjatjes së anketës publike janë dorëzuar 15 fletanketa, ndërsa Komisioni i Ekspertëve i caktuar për zhvillimin e anketës në fjalë, ka dhënë përgjigje për to.
Në fletanketën nr.2, të paraqitur më 14.01.2008 nga parashtruesi i iniciativës, është theksuar se ai si pronar i parcelës kadastrale nr.5770/2, KK Kisella Vodë 2, nuk pajtohet me planifikimin hapësinor dhe urbanistik të bashkëngjitur sepse me parkingun dhe rrugën e parashikuar merret një pjesë e madhe e tokës së tij dhe kërkon që në vendin e parashikuar për gjelbërim dhe parking të vendosen shenjat për ndërtim.
Sektori i Çështjeve Komunale, Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor – Njësia e Urbanizmit dhe Përgatitjes së Planeve Urbanistike pranë Komunës së Aerodromit, më 20.03.2008 në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve ka dorëzuar: Raportin nr.18-2297/2 nga prezantimi publik dhe anketa publike e zhvilluar për Draft-planin urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, Komuna e Aerodromit; Raportin nr.48-2297/2 nga konsultimet profesionale të zhvilluara për Draft-planin urbanistik të detajuar për lokalitetin në fjalë dhe Raportin nr.18-2297/3 të datës 10.04.2008 për veprim sipas Raportit të prezantimit publik, anketës publike dhe konsultimit profesional të zhvilluar për Draft-planin urbanistik të detajuar për lokalitetin në fjalë.
Këshilli i Komunës së Aerodromit në seancën e njëzetenjëtë të mbajtur më 30.12.2009, ka miratuar Nënprogramin (F1) për planifikimin urbanistik për zonën e Komunës së Aerodromit për vitin 2010.
Më 01.03.2010, Komuna e Aerodromit në Sektorin e Rregullimit të Hapësirës pranë Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve ka dorëzuar: Raportin nr.23-710/1 nga prezantimi publik dhe anketa publike e zhvilluar për Draft-planin urbanistik të detajuar për lokalitetin në fjalë; Raportin nr.23-710/2 nga konsultimet profesionale të zhvilluara për Draft-planin urbanistik të detajuar për lokalitetin në fjalë dhe Raportin nr.23-710/3 të datës 03.03.2010 për veprim sipas Raportit të prezantimit publik, anketës publike dhe konsultimit profesional të zhvilluar për Draft-planin urbanistik të detajuar për lokalitetin në fjalë.
Me shkresën nr.23-1094/8 më 30.04.2010, sipas autorizimit nga kryetari i Komunës së Aerodromit, Njësia e Urbanizmit dhe Përgatitjes së Planeve Urbanistike ka kërkuar mendim nga kryetari i Qytetit të Shkupit për Draft-planin e planit urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, Komuna e Aerodromit, Shkup.
Sektori i Planifikimit dhe Rregullimit të Hapësirës pranë Qytetit të Shkupit, me shkresën nr.13-657/1 të datës 15.03.2010 është prononcuar pozitivisht lidhur me Draft-planin urbanistik të detajuar të dorëzuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, Komuna e Aerodromit, Shkup (elaborati me nr.teknik 1551/07 i muajit qershor 2009), me sipërfaqe të përfshirjes së planifikuar prej 23.40 ha, të përgatitur nga SHA për Urbanizëm, Arkitekturë dhe Inxhinieri “ZUAS” – Shkup.
Më 12.04.2010 nga Komuna e Aerodromit me shkresën nr.23-1094/2 është kërkuar pëlqim nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Draft-planin urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, Komuna e Aerodromit, Shkup.
Me shkresën nr.23-1094/3 të datës 21.04.2010, Komuna e Aerodromit ka parashtruar kërkesë për marrjen e mendimit nga Qyteti i Shkupit lidhur me Propozim-planin urbanistik të detajuar për lokalitetin në fjalë me sipërfaqe prej 23.40 ha, të përgatitur nga SHA për Urbanizëm, Arkitekturë dhe Inxhinieri “ZUAS” Shkup, elaborati me nr.teknik 1551/07 i muajit qershor 2009, për çka është dorëzuar njoftimi me nr.13-1317/1 i datës 26.04.2010 nga Sektori i Planifikimit dhe Rregullimit të Hapësirës pranë Qytetit të Shkupit.
Pas analizës paraprake profesionale, Njësia e Planifikimit Hapësinor dhe Urbanistik në Sektorin e Planifikimit dhe Rregullimit të Hapësirës pranë Qytetit të Shkupit, me shkresën nr.13-1474/1 të datës 06.05.2010, është shprehur pozitivisht lidhur me Propozim-planin urbanistik të detajuar të dorëzuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, Komuna e Aerodromit, Shkup (elaborati me nr.teknik 1551/07 i muajit qershor 2009), me sipërfaqe të përfshirjes së planifikuar prej 23.40 ha, i përgatitur nga SHA për Urbanizëm, Arkitekturë dhe Inxhinieri “ZUAS” – Shkup.
Lidhur me fletanketën e paraqitur nga parashtruesi i iniciativës, Sektori i Çështjeve Komunale, Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor pranë Komunës së Aerodromit ka dorëzuar përgjigje me nr.23-2010/1-2 të datës 02.07.2010, me të cilën njoftohet i njëjti, se vërejtja për përjashtimin e parkingut dhe rrugës që marrin hapësirë të madhe nga PN 1.54 dhe PN 1.80, pranohet.
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve pas shqyrtimit të kërkesës së Komunës së Aerodromit me nr.23-1094/2 të datës 12.04.2010 ka miratuar Pëlqim për Propozim-planin urbanistik të detajuar për lokalitetin në fjalë (23.40 ha), (2008-2013) Komuna e Aerodromit-Shkup nr.16-3734/2.
Pas pëlqimit të marrë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Këshilli i Komunës së Aerodromit, në seancën e tridhjetegjashtë të mbajtur më 28.07.2010, ka miratuar Vendim për miratimin e Planit urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E.
Vendimi është publikuar më 29.07.2010 në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Aerodromit”, me nr.16/2010.
Komuna e Aerodromit më 07.09.2010 me shkresën – Informacionin nr.23-217/1 në Inspektoratin Shtetëror të Ndërtimit dhe Urbanizmit ka dorëzuar një kopje të evidentuar të Planit urbanistik të detajuar të miratuar për lokalitetin në fjalë.
Sa i përket kërkesës së parashtruesit të iniciativës me nr.18-2815/1 të datës 29.12.2023 për ndryshimin/korrigjimin e PUD-së për lokalitetin Lisiçe e Epërme njësia urbane E, Komuna e Aerodromit -Shkup, parashtruesi, nga Sektori i Çështjeve Komunale, Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor pranë Komunës së Aerodromit më 02.02.2024 me shkresën nr.18-342/1 është njoftuar si në vijim:
– parcelat kadastrale të përmendura gjenden në përfshirjen e planit urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, Komuna e Aerodromit – Shkup dhe i njëjti është miratuar sipas Rregullores për Standardet dhe Normativat për Planifikim Urbanistik të Vitit 2006. Në nenin 15 të Rregullores së lartpërmendur është parashikuar lloji i rrugëve hyrëse me gjerësi prej 5,50 metrash;
– Komisioni i Ekspertëve nga Komuna e Aerodromit duke u përgjigjur sipas fletanketave nga anketa publike i ka pranuar vërejtjet dhe e ka hequr parkingun e parashikuar në parcelën që është në pronësi të parashtruesit, ndërsa rruga e planifikuar nuk është hequr sepse ajo gjendet në tokën që është në pronësi shtetërore. Me sipërfaqen e planifikuar publike të komunikacionit, mundësohet hyrja në parcelat ndërtimore në brendësi të bllokut;
– Ndryshimi/korrigjimi i planit urbanistik të detajuar në përputhje me nenin 36 të Ligjit për Planifikim Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.32/2020), mund të bëhet vetëm për shkak të gabimit të shkaktuar gjatë procesit të përgatitjes dhe miratimit të planit, gabimit në vizatimin teknik, shënimit dhe pajisjes së planit që shkakton mospërputhje, dykuptimësi ose kundërshtim të ndërsjellë të parametrave në prezantimin grafik, pjesën tekstuale dhe pjesën numerike të planit urbanistik ose mungesë jokonsekuente të të dhënave për parcela të caktuara ndërtimore, të cilat janë të përcaktuara për të gjitha parcelat e tjerat, përkatësisht që janë në përputhje me përmbajtjen e detyrueshme të planeve urbanistike, si dhe për shkak të problemeve të tjera gjatë zbatimit të planit.
V
Me Kushtetutë është rregulluar se humanizimi dhe rregullimi i hapësirës, si vlerë themelore e rendit kushtetues, operacionalizohet përmes sistemit të planifikimit hapësinor dhe urbanistik, i cili ndër parimet e tjera bazohet edhe në parimin e mbrojtjes së interesit publik. Për këtë parim bëhet kujdes gjatë të gjitha fazave të planifikimit urbanistik, përkatësisht në procedurat e përgatitjes, miratimit, zbatimit dhe ndjekjes së zbatimit të planeve urbanistike, për shkak të së cilës edhe ligjvënësi ka parashikuar dispozitë të shprehur qartë, sipas së cilës me planifikimin urbanistik medoemos mbrohet interesi publik që është prioritar, ndërsa interesi privat sigurohet në përputhje me ligj. Kujdesi për interesin publik shprehet edhe përmes procedurave të ndërlikuara për miratimin e planeve urbanistike, që përgatiten në faza të ndryshme dhe në procedurë që duhet të jetë publike, transparente dhe gjithëpërfshirëse, në të cilën qytetarët marrin pjesë drejtpërdrejt me dhënien e mendimeve dhe vërejtjeve të tyre, përmes pjesëmarrjes së personave profesionistë dhe kryerjes së revizionit profesional, që në fund, procedura të përfundojë me dhënien e pëlqimit nga ministria kompetente, me çka konfirmohet se plani është miratuar në përputhje me dispozitat e ligjit dhe rregullat e miratuara në bazë të ligjit. Vlera themelore e operacionalizuar në këtë mënyrë në praktikë garantohet dhe mbrohet përmes sundimit të së drejtës, e cila, gjithashtu, është vlerë themelore.
Garancia për respektimin e këtyre vlerave themelore sigurohet me atë që procedura për miratimin e planeve përbëhet nga tërësia e veprimeve që ndërmerren në mënyrë të njëpasnjëshme, ku ndërmarrja e ligjshme e veprimit të mëparshëm është kusht paraprak për veprimin e radhës dhe anasjelltas, paligjshmëria e veprimit të ndërmarrë më parë, e vë në pikëpyetje ligjshmërinë e të gjitha veprimeve të tjera të ndërmarra.
Nga dispozitat kushtetuese dhe ligjore të përmendura paraprakisht, është e qartë se në pajtim me parimin e subsidiaritetit, komunat janë kompetente vetëm për atë që me Kushtetutë dhe ligj është parashikuar si kompetencë e tyre (neni 20 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale). Në këtë drejtim, roli themelor dhe kompetenca e komunës, si njësi e vetëqeverisjes lokale është rregullimi dhe humanizimi i hapësirës, planifikimi urbanistik i saj përmes miratimit të planeve dhe programeve urbanistike. Kompetencat e tyre, komunat i ushtrojnë përmes organeve të komunës (Këshilli dhe kryetari i komunës), ndërsa Këshilli është organ përfaqësues i qytetarëve me kompetenca ligjore të përcaktuara saktësisht.
Ligjvënësi, në funksion të sigurimit të rregullimit dhe humanizimit të hapësirës dhe mbrojtjes dhe përparimit të mjedisit jetësor dhe të natyrës, ka përcaktuar rregullativë precize lidhur me planifikimin e hapësirës, duke i përcaktuar saktësisht planet për planifikim hapësinor dhe urbanistik, përmbajtjen e tyre dhe procedurën për miratimin e tyre. Një formulim i tillë nënkupton se të gjitha subjektet e përfshira në procesin e planifikimit kanë detyrim ligjor në përgatitjen, miratimin dhe zbatimin e planeve, të sigurojnë jetesë dhe punë më humane të qytetarëve, zhvillim të barabartë dhe hapësinor të vendbanimeve dhe ndërtimeve, shfrytëzim racional dhe të qëndrueshëm të hapësirës, mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe mbrojtje dhe përparim të mjedisit jetësor dhe natyrës, harmonizim me normativat dhe standardet evropiane në planifikimin dhe rregullimin e hapësirës, çka është edhe qëllimi i Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik.
Planifikimi urbanistik zbatohet përmes disa fazave të detyrueshme, të cilat duhet medoemos të zbatohen në renditje të përcaktuar saktësisht të parashikuar me ligj. Ligji për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.51/2005, 137/2007, 24/2008 dhe 91/2009) në nenet 1, 3, 4, 5, 7, 9, 11, 17, 17-a, 18, 21, 22, 23, 24, 25, 26, 27, 29 dhe 31 dhe Ligji për Planifikim Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.32/2020) në nenin 36 paragrafi 1 parashikon hollësisht se cilat organe janë kompetente për përgatitjen dhe miratimin e planeve, cilat dokumente duhet të përgatiten në çdo fazë, si dhe cilat standarde dhe normativa duhet medoemos të respektohen. Njëkohësisht, me këto dispozita përcaktohet se Draft-plani i nënshtrohet revizionit profesional dhe harmonizimit me vërejtjet e institucioneve kompetente, se medoemos zhvillohen prezantimi publik dhe anketa publike, si dhe se Propozim-plani duhet medoemos të ketë mendime pozitive dhe pëlqime nga organet e përcaktuara saktësisht para se të miratohet nga këshilli i komunës.
Nga dispozitat ligjore të përmendura rrjedh se planet urbanistike duhet medoemos të jenë në përputhje me planet e nivelit më të lartë, veçanërisht me Planin urbanistik të përgjithshëm, ku përmbajtja, përpunimi teknik dhe paraqitjet grafike të tyre janë përcaktuar saktësisht me akte nënligjore. Ligji, gjithashtu, i rregullon standardet minimale për rrjetin e komunikacionit dhe atë infrastrukturor, mënyrën e përcaktimit të parcelave ndërtimore dhe treguesit e tyre, si dhe kushtet nën të cilat mund të bëhen ndryshime ose korrigjime të planeve të miratuara tashmë. Me këtë, dispozitat vendosin sistem planifikimi të harmonizuar, transparent dhe të kontrolluar, me detyrime të qarta për organet që i përgatitin dhe i miratojnë planet urbanistike dhe sigurim të mbrojtjes së interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve.
Nga dokumentacioni i dorëzuar nga Komuna e Aerodromit, është bërë analizë në bazë të dispozitave të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik që në atë kohë ishte në fuqi, akteve nënligjore që e rregullojnë dokumentacionin urbanistik, ku gjatë formimit të qëndrimit të Gjykatës në këtë lëndë, u mor parasysh edhe praktika përkatëse gjyqësore-kushtetuese.
Nga kontrolli i procedurës së zhvilluar rezulton se Komuna e Aerodromit e ka respektuar tërë procedurën ligjore për miratimin e planeve urbanistike të detajuara. Draft-plani është përgatitur nga planifikuesi i autorizuar, i është nënshtruar revizionit profesional dhe korrigjimit në përputhje me vërejtjet e revizorit, është zhvilluar prezantim publik dhe anketë publike, në përputhje me procedurën ligjore, po ashtu është harmonizuar edhe me vërejtjet e Qytetit të Shkupit dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Këshilli i Komunës, si organ i vetëm kompetent, e ka miratuar planin urbanistik të detajuar në procedurë të përcaktuar dhe e ka publikuar në fletoren zyrtare. Këto faza përbëjnë elemente të detyrueshme për miratimin e ligjshëm të dokumentacionit planifikues. Përveç kësaj, nga ministria kompetente është marrë pëlqim pozitiv për Propozim-planin urbanistik të detajuar, që është kusht pa të cilin nuk mund të kalohet në miratimin e planit nga këshilli i komunës. Kjo do të thotë se organi kompetent shtetëror ka konstatuar se dokumenti i plotëson të gjitha normat dhe standardet e planifikimit urbanistik. Si rrjedhojë, të gjitha fazat ligjore janë respektuar plotësisht, për shkak të së cilës pretendimet për paligjshmëri janë të pabaza.
Lidhur me anketën publike dhe prezantimin publik, provat tregojnë se Komuna e ka zhvilluar procedurën plotësisht në pajtim me ligjin. Vërejtjet e paraqitura janë shqyrtuar nga Komisioni i Ekspertëve, i cili ka dhënë mendime të arsyetuara për çdo ankim veçmas. Veçanërisht relevant është rasti me vërejtjet e parashtruesit të iniciativës, që të përjashtohet parkingu dhe rruga që marrin hapësirë të madhe nga PK 1.54 dhe PK 1.80, për të cilat Sektori i Çështjeve Komunale, Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor pranë Komunës së Aerodromit, ka konstatuar se vërejtjet e tij janë me bazë dhe ato janë përfshirë plotësisht në Draft-planin e korrigjuar, me çka është mënjanuar mundësia që parkingu dhe rruga të hyjnë në pronën private të PK 5770/2. Nga korrigjimi i kryer rrjedh se janë përjashtuar të gjitha përmbajtjet që më parë kanë hyrë në parcelën private kadastrale, me çka është formuar parcelë e re ndërtimore nr.1.96 me destinim A1 – banim individual. E vetmja përmbajtje që është ruajtur është rruga e cila shtrihet në tokë shtetërore, sepse siguron qasje në komunikacion për disa parcela, gjë që paraqet interes publik dhe është në pajtim me aktet nënligjore që i rregullojnë standardet urbanistike. Kjo tregon pamëdyshje se organi që e miraton planin e ka respektuar parimin kushtetues për mbrojtjen e pronësisë dhe të drejtën e pronësisë private, si dhe detyrimet ligjore për respektimin e vërejtjeve nga anketa publike. Prandaj, pretendimi se Komuna nuk ka dhënë arsyetim pse një pjesë e kërkesave nuk janë pranuar dhe se vërejtjet nuk janë përfshirë është faktikisht i pasaktë, çka konfirmohet edhe me përgjigjen nga Sektori i Çështjeve Komunale, Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit Jetësor pranë Komunës së Aerodromit, i cili më 02.02.2024 me shkresën nr.18-342/1 e ka njoftuar parashtruesin e iniciativës se të gjitha vërejtjet janë përfshirë në Draft-planin urbanistik të detajuar të korrigjuar.
Lidhur me pretendimet se rruga si sipërfaqe komunikacioni ka mbetur në plan pa ndonjë bazë, duhet theksuar se bëhet fjalë për rrugë që shtrihet në tokë shtetërore, e jo në pronë private. Ligji për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, si dhe aktet nënligjore për standardet minimale urbanistike, përcaktojnë se çdo parcelë ndërtimore medoemos duhet të ketë qasje të siguruar përmes rrugës publike. Rruga që është lëndë e iniciativës është me rëndësi publike të komunikacionit dhe siguron qasje në disa parcela të tjera, që përfaqëson interes publik i cili nuk mund të kufizohet. Prandaj, nuk bëhet fjalë për shkelje të të drejtave të pronësisë, sepse parcela private fare nuk është përfshirë me këtë aktvendim dhe i njëjti është në përputhje të plotë me nenin 26 të Kushtetutës dhe me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik.
Veçanërisht është e rëndësishme të theksohet se përfshirja e vërejtjeve të parashtruesit dhe korrigjimi i Draft-planit kanë ndodhur para miratimit të Planit urbanistik të detajuar përfundimtar. Kjo do të thotë se të gjitha vërejtjet e tij tashmë janë shqyrtuar dhe implementuar materialisht në dokumentacionin planifikues para miratimit të tij. Ndërkaq, parashtruesi, disa vjet pas miratimit të Planit urbanistik të detajuar, sërish i parashtron kërkesat e njëjta, duke pretenduar se nuk janë përfshirë. Por, nga dokumentacioni rrjedh pamëdyshje se, vërejtjet e tij tashmë janë pranuar dhe realizuar, prandaj, sipas Gjykatës kjo iniciativë është e pabazë.
Lidhur me faktin nëse janë kryer korrigjime teknike, Gjykata thekson se Komuna nuk ka kryer korrigjime teknike të Planit urbanistik të detajuar të miratuar. Pikërisht, të gjitha korrigjimet janë bërë në fazën e përcaktimit të Draft-planit, çka është e lejuar dhe e parashikuar me ligj.
Nga praktika gjyqësore-kushtetuese relevante, që i referohet pjesës së vlerësimit të planeve urbanistike të miratuara në llojin e njëjtë të procedurës, rezulton se, në rastet kur janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore dhe kur janë marrë mendimet pozitive nga institucionet kompetente shtetërore, Gjykata nuk ka gjetur baza për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së tyre. Praktika është konsekuente në qëndrimin se plani urbanistik mund të jetë i kontestueshëm vetëm nëse ka shkelje serioze të procedurës në kundërshtim me ligjin. Siç rezulton nga e lartpërmendura, nuk ka shkelje të procedurës për miratimin e Planit urbanistik të detajuar.
Duke i përmbledhur të gjitha faktet e konstatuara, nga aspekti juridik mund të konkludohet se procedura për miratimin e Planit urbanistik të detajuar është zhvilluar në pajtim me ligjin, publiku ka qenë plotësisht i përfshirë, vërejtjet e parashtruesit janë përfshirë, nuk ka shkelje të interesit publik, ndërsa plani është i harmonizuar me PUD-në, standardet, rregulloret dhe mendimet pozitive të dhëna nga organet kompetente.
Në rastin konkret, në bazë të gjithë gjendjes faktike të konstatuar dhe nga dispozitat e lartpërmendura të Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, i cili ka qenë në fuqi në kohën e zhvillimit të procedurës për miratimin e Vendimit konkret, Gjykata vlerësoi se Vendimi i kontestuar për miratimin e Planit urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme – njësia urbane E, është miratuar në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 10, nenet 30, 51 dhe 52 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me të cilat përcaktohen sundimi i së drejtës dhe rregullimi dhe humanizimi i hapësirës dhe mbrojtja dhe përparimi i mjedisit jetësor dhe natyrës, e drejta e pronësisë, parimi i ligjshmërisë dhe publikimi i rregullave, si dhe me dispozitat e Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe Urbanistik, që e rregullojnë procedurën për përgatitjen, revizionin, anketën publike, pëlqimin dhe miratimin e planeve, si dhe dispozitat përkatëse të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale që e përcaktojnë kompetencën e këshillit dhe kryetarit të komunës dhe parimet e punës transparente dhe të ligjshme të organeve të komunave.
Në bazë të lartpërmendurës, Gjykata vlerësoi se nuk ekzistojnë baza për dyshim lidhur me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Vendimit të kontestuar, nga aspekti i pretendimeve në iniciativë.
VI
Në bazë të lartpërmendurës, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski