U.nr.267/2024

Nuk u gjet asnjë fjalë

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.267/2024
Shkup, 04.03.2026


Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të dr.Darko Kostadinovskit, Kryetar i Gjykatës dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Goce Naumovski, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 dhe nenit 112 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 72, nenit 79 paragrafi 1 dhe nenit 82 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 4 mars 2026, miratoi


V E N D I M

  1. SHFUQIZOHEN neni 37 paragrafi 4 fjalia e dytë: “në rast të shqiptimit të masës disiplinore – shlyerje nga regjistri përkatës, i revokohet certifikata kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar” dhe paragrafi 8 pika 4 në pjesën: “dhe revokimi i certifikatës”, si dhe neni 41 paragrafi 1 në pjesën: “dhe revokimi i certifikatës” dhe paragrafi 2 i Ligjit për Kryerjen e Punëve të Kontabilitetit (*) (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.173/2022 dhe 47/2025).

2. Ky vendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Arsyetim

I


Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me rastin e iniciativës së parashtruar nga Novica Nakov nga Shkupi dhe me vetiniciativë, në bazë të nenit 23 paragrafi 4 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, miratoi Aktvendimin U.nr.267/2024 të datës 16 prill 2025, me të cilin inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 37 paragrafi 4 në pjesën: “në rast të shqiptimit të masës disiplinore – shlyerje nga regjistri përkatës, i revokohet certifikata kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar” dhe paragrafi 8 pika 4 në pjesën: “dhe revokimi i certifikatës”, si dhe nenit 41 paragrafi 1 në pjesën: “dhe revokimi i certifikatës” dhe paragrafi 2 të Ligjit për Kryerjen e Punëve të Kontabilitetit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.173/2022 dhe 47/2025), për shkak se para Gjykatës me justifikim të plotë u ngrit çështja e përputhshmërisë së tyre me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 9 të Kushtetutës.


II


Gjykata, në seancë konstatoi se, sipas nenit 37 paragrafi 4, fjalia e dytë, të Ligjit për Kryerjen e Punëve të Kontabilitetit (*) („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“, nr. 173/2022 dhe 47/2025), me shqiptimin e masës disiplinore – shlyerje nga regjistri përkatës, kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar, i revokohet certifikata përkatëse. Ndërkaq, sipas paragrafit 8 pika 4 të të njëjtit nen, Komisioni Disiplinor për Shkelje Disiplinore mund të shqiptojë masën disiplinore – shlyerje nga regjistri përkatës i Institutit, së bashku me revokimin e certifikatës së kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar.

Gjykata konstatoi gjithashtu se, në pajtim me fjalinë hyrëse të paragrafit 1 të nenit 41 të Ligjit, masa disiplinore – shlyerje nga regjistri përkatës dhe revokimi i certifikatës së kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar, shqiptohet në rastet e parashikuara në pikat nga 1 deri në 6 të këtij paragrafi.


Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, kontabilisti, përkatësisht kontabilisti i autorizuar, mund të parashtrojë kërkesë për dhënien e provimit për marrjen e statusit të kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar, pasi të kenë kaluar dy vjet nga dita e shlyerjes nga regjistri përkatës.

III


Sipas nenit 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.


Në pajtim me nenin 51 paragrafi 1 të Kushtetutës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet duhet medoemos duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin.


Sipas nenit 1 të Ligjit për Kryerjen e Punëve të Kontabilitetit (*), me këtë Ligj rregullohen kushtet për kryerjen e punëve të kontabilitetit, subjektet që kryejnë punë të kontabilitetit, kushtet për marrjen e statusit të kontabilistit dhe kontabilistit të autorizuar, organizimi dhe funksionimi i Institutit të Kontabilistëve dhe Kontabilistëve të Autorizuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, themelimi dhe kompetencat e Këshillit për Avancimin dhe Mbikëqyrjen e Profesionit të Kontabilitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me kryerjen e punëve të kontabilitetit.

Sipas nenit 2 pika 9 të Ligjit, provimi për marrjen e statusit të kontabilistit dhe/ose kontabilistit të autorizuar është provim që organizohet dhe zbatohet nga Instituti i Kontabilistëve dhe Kontabilistëve të Autorizuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut në pajtim me dispozitat e këtij Ligji, ndërsa sipas pikës 23 të të njëjtit nen, certifikata për kontabilist, përkatësisht për kontabilist të autorizuar, është dokument që lëshohet nga Instituti i Kontabilistëve dhe Kontabilistëve të Autorizuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut për personat që kanë dhënë provimin për marrjen e statusit të kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar.


Në kapitullin VIII. Procedura disiplinore e Ligjit përfshihen nenet 37 deri në 44, me të cilat rregullohet procedura disiplinore kundër kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar, si dhe masat që mund t’i shqiptojë Komisioni Disiplinor i Institutit për një shkelje disiplinore të kryer.


Sipas nenit 37 paragrafi 4, fjalia e dytë, të Ligjit në fjalë, me shqiptimin e masës disiplinore – shlyerje nga regjistri përkatës, kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar, i revokohet certifikata përkatëse. Ndërkaq, sipas paragrafit 8 pika 4 të të njëjtit nen, Komisioni Disiplinor për Shkelje Disiplinore mund të shqiptojë masën disiplinore – shlyerje nga regjistri përkatës i Institutit, si dhe revokimin e certifikatës së kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar.


Në nenin 41 paragrafi 1 pikat nga 1 deri në 6 të Ligjit janë përcaktuar rastet për të cilat shqiptohet masa disiplinore – shlyerje nga regjistri përkatës dhe revokimi i certifikatës së kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar, ndërsa sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, kontabilisti, përkatësisht kontabilisti i autorizuar, mund të parashtrojë kërkesë për dhënien e provimit për marrjen e statusit të kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar, pasi të kalojnë dy vjet nga dita e shlyerjes nga regjistri përkatës.

IV


Sipas Gjykatës, duke marrë parasysh se certifikata për kontabilist, përkatësisht për kontabilist të autorizuar, është dokument që i lëshohet personit i cili ka dhënë provimin për marrjen e statusit të kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar, revokimi i certifikatës nënkupton mohimin e një fakti të vërtetuar më parë – të provimit të dhënë, për të cilin jepet edhe certifikatë. Për këtë arsye, sipas Gjykatës Kushtetuese, neni 41 paragrafi 1 në pjesën: “dhe revokimi i certifikatës” të Ligjit, si dhe paragrafi 2 i të njëjtit nen, i cili lidhet me masën e përcaktuar të revokimit të certifikatës nga paragrafi 1 i të njëjtit nen të Ligjit dhe sipas të cilit kontabilisti, përkatësisht kontabilisti i autorizuar, mund të parashtrojë kërkesë për dhënien e provimit për marrjen e statusit të kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar, pasi të kalojnë dy vjet nga dita e shlyerjes nga regjistri përkatës, nuk janë në pajtim me vlerën themelore të sundimit të së drejtës nga neni 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës.


Njëherazi, duke marrë parasysh se masa disiplinore – revokimi i certifikatës nga neni 41 paragrafi 1 i Ligjit, mbështetet në nenin 37 paragrafi 4 në fjalinë e dytë, sipas së cilës, në rast të shqiptimit të masës disiplinore – shlyerje nga regjistri përkatës, i revokohet certifikata kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar, si dhe në pjesën: “dhe revokimi i certifikatës” të përfshirë në paragrafin 8 pika 4 të të njëjtit nen të Ligjit, Gjykata vlerësoi se edhe pjesët e lartpërmendura të dispozitave ligjore nuk janë në pajtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës.


V

Gjykata në bazë të lartpërmendurës, me shumicë votash, vendosi si në dispozitivin e këtij vendimi.

VI

Ky vendim prodhon efekt juridik nga dita e publikimit të tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr. Darko Kostadinovski