Më 24.03.2026, në Gjykatën Kushtetuese u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë: “Inkorporimi i ankimit kushtetues?”, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup. Në kuadër të eventit, mbajti fjalim edhe eksperti juridik i angazhuar nga projekti i BE-së, Martin Sopronov, i cili theksoi:
Vlerësoj se bazuar në pikësynimet e përcaktuara në Strategjinë zhvillimore sektoriale për gjyqësorin 2024–2028 në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, si dhe në pikëpamjet e shprehura në tryezën e rrumbullakët lidhur me inkorporimin e ankimit kushtetues, ekziston një konsensus i gjerë mbi nevojën për përforcimin e sistemit të mbrojtjes kushtetuese të drejtpërdrejtë të të drejtave të njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Edhe pse në përgjithësi pajtohemi se ankimi kushtetues është një instrument i rëndësishëm dhe i nevojshëm për përmirësimin e qasjes në drejtësinë kushtetuese dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, megjithatë, inkorporimi dhe ecuria e tij janë të lidhur ngushtë me nevojën për ndryshime kushtetuese.
Kjo rrjedh nga fakti se, megjithëse brenda kuadrit ekzistues kushtetues ekziston formalisht instrumenti procedural për mbrojtjen kushtetuese të drejtpërdrejtë të të drejtave të njeriut (kërkesa për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave), kufizimi i tij normativ, si dhe efektiviteti i kufizuar e bëjnë atë kryesisht simbolik dhe e çojnë në neglizhencën e natyrës së tij të vërtetë, madje edhe të vetë ekzistencës së tij. Prandaj, debati mbi inkorporimin e ankimit “të ri” kushtetues, në të vërtetë përbën debat që i referohet reformës dhe përmirësimit gjithëpërfshirës së mekanizmit ekzistues, me qëllim shndërrimin e tij në një mjet juridik funksional, të arritshëm dhe efektiv.
Prandaj, çdo reformë e ardhshme duhet t’i përfshijë çështjet kryesore, duke përfshirë zgjerimin e fushëveprimit të të drejtave të mbrojtura, përcaktimin e qartë të kushteve për inicimin e procedurës (kriteret për pranueshmërinë dhe plotësinë e ankimit) dhe garancitë procedurale, si dhe përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe operative të Gjykatës Kushtetuese. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet sigurimit që ankimi kushtetues të funksionojë si mekanizëm subsidiar, duke mundësuar kështu kontrollin kushtetues-gjyqësor të akteve të veçanta (akteve gjyqësore dhe administrative përfundimtare), veprimeve të veçanta, por edhe mosveprimeve të organeve publike të pushtetit në bazë të kërkesës së individit, si dhe duke siguruar mbrojtje efektive ligjore. Në këtë drejtim, nevojitet që Gjykatës t’i jepen kompetenca të qarta për të anuluar ose shfuqizuar aktet e veçanta, për të urdhëruar përsëritjen e procedurave dhe për të përcaktuar kompensimin e drejtë, në përputhje me standardet ndërkombëtare, në veçanti me standardet e Komisionit të Vencias dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
