Në Gjykatën Kushtetuese, sot u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë: “Inkorporimi i ankimit kushtetues?”, e organizuar me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup. Në këtë event fjalim patën Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, ambasadori i OSBE-së në Shkup, Kilian Vall, si dhe përfaqësuesit e institucioneve, komunitetit të ekspertëve dhe atij akademik.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, e theksoi nevojën për mbështetjen sa i përket miratimit të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, si dhe domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese që do t’i zgjeronin kompetencat e Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

“Ankimi kushtetues është pikë e përbashkët e dialogut institucional. Ekziston një rrugë e arsyes. Në këtë rrugë, bashkëbiseduesit ose arrijnë në pikëtakimin e përbashkët ose marrin drejtime të ndryshme. Më vjen mirë që sot, për çështjet kyçe lidhur me zhvillimin e gjyqësorit kushtetues, me kryetarin e Qeverisë, thelbësisht arritëm në pikëtakimin e përbashkët në rrugën e arsyes. Shpresoj, që ky takim dhe diskutimet e sotme të jenë një hap drejt kohërave më të mira për gjyqësorin kushtetues. Sot, pata mundësinë të diskutoja me kryeministrin nevojën për një reformë më të thellë institucionale të Gjykatës Kushtetuese. Në veçanti, ishte e hapur çështja e miratimit të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, i mbështetur në bazë kushtetuese dhe me shumicë prej dy të tretash, po ashtu u hap edhe çështja e parashtrimit të ankimit kushtetues. Qëkur ka ardhur koha për një hap të tillë. Vazhdimi i status quo-së mund të krijojë hapësirë për shfaqjen e aktivizmit të tepërt gjyqësor, i cili, në rrethana të caktuara mund të çojë në prishje të ekuilibrit ndërmjet pushteteve, ose në të ashtuquajturën “gjykatokraci”, deklaroi Kostadinovski.
Në kuadër të këtij eventi, Kryetari i Gjykatës, Kostadinovski, zhvilloi takim dypalësh me kryeministrin, Hristijan Mickoski, në të cilin u ngrit çështja e reformës më të thellë institucionale të Gjykatës Kushtetuese. U theksua nevoja për miratimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, të mbështetur në bazë kushtetuese dhe me shumicë prej dy të tretash, si dhe inkorporomi i ankimit kushtetues.

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, shprehu mbështetje për zgjerimin e korpusit të të drejtave kushtetuese që do të mbrohen nga Gjykata Kushtetuese.
“Pajtohemi me Kostadinovskin se Ligji për Gjykatën Kushtetuese dhe ankimi kushtetues është i nevojshëm, por për këtë kërkohet ndryshimi i Kushtetutës dhe për ne është temë e dhimbshme vetëm kur përmendet, na kujton gjëra të dhimbshme nga e kaluara… Pajtohem absolutisht me ankimin kushtetues, por është më mirë të krijohen kushte për ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë që të mos shqetësohet opinioni, i cili tashmë është i shqetësuar. Në kushte kur duhet të konsolidohemi dhe në kushte të krizës globale, kemi edhe një sfidë tjetër! Ta kthejmë tatimin e solidaritetit, që dikush e ka mbledhur dhe tani është koha që ne ta kthejmë atë. Por, përveç sundimit të së drejtës, duhet të ketë mirëkuptim edhe për rrjedhat dhe proceset shoqërore”, deklaroi Mickoski.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, theksoi se Gjykata Kushtetuese, me pavarësinë e saj që është me rëndësi thelbësore për sundimin e së drejtës dhe perspektivën evropiane të shtetit, ka rol kyç si roje e Kushtetutës dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut.

“Gjykata Kushtetuese nuk është thjesht një institucion tjetër në sistemin demokratik, por është një roje e vërtetë e Kushtetutës dhe një arbitër i ligjshmërisë në shtet. Mbi të gjitha, është mbrojtëse e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve dhe unë pajtohem plotësisht me ju se kompetencat, mëvetësia, pavarësia e saj janë jashtëzakonisht të rëndësishme për sundimin e së drejtës në shtet, por edhe për progresin e vetë shtetit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sepse ky është qëllimi ynë i përbashkët. Me veprimin kolektiv dhe faktin që Gjykata Kushtetuese tanimë ka debate të hapura, në të cilat merr pjesë edhe opinioni publik, kjo do të thotë se po e sjellim drejtësinë dhe sundimin e së drejtës më afër opinionit. Dua t’ju përgëzoj për këtë kryetar, kjo është e vetmja mënyrë për të ecur përpara, sepse nuk ka një zgjidhje magjike që i përshtatet të gjithëve, përfshirë këtu edhe ankimin kushtetues. Ne të gjithë e dimë shumë mirë se në BE ka shtete të ndryshme që kanë sisteme të ndryshme dhe që e zgjidhin këtë në mënyra të ndryshme. Por ne nuk dëshirojmë të promovojmë një model të vetëm, por dëshirojmë të kemi të njëjtin qëllim – që njerëzit të kenë të njëjtat të drejta dhe qasje në drejtësinë kushtetuese” – deklaroi ambasadori Rokas.
Ambasadori i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Vall, potencoi se reformat në këtë fushë kërkojnë kohë, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese ka bërë tashmë hapa të rëndësishme, duke përfshirë rritjen e transparencës përmes transmetimit të drejtpërdrejtë të seancave, gjë që kontribuon në rritjen e besimit tek opinioni publik.

Kur e mora ftesën për të mbajtur fjalim sot, më erdhi në mendje një proverb gjermane: “Gut Ding will Weile haben”. Përkthimi do të ishte: “Gjërat e mira kërkojnë kohë” ose “Roma nuk u ndërtua brenda një dite”.
Misioni i OSBE-së në Shkup ka bashkëpunuar ngushtë me Gjykatën Kushtetuese për më shumë se një dekadë. Ky bashkëpunim synon përforcimin e rolit të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe mbështetjen për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në përputhje me angazhimet e OSBE-së.
Gjatë viteve, përpjekjet tona të përbashkëta janë përqendruar në përmirësimin e kapaciteteve profesionale, mbështetjen e zbatimit të praktikës gjyqësore evropiane në fushën e të drejtave të njeriut dhe nxitjen e dialogut mbi çështjet kryesore që lidhen me sundimin e së drejtës.
Gjykata Kushtetuese ka bërë hapa të rëndësishme në vitet e fundit. Ato përfshijnë vendime më progresive, numër më të madh të mendimeve të veçuara dhe hapa konkrete për të rritur transparencën – siç është transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave.
Këto zhvillime kontribuojnë në transparencën dhe besimin më të madh tek publiku dhe pasqyrojnë drejtimin pozitiv institucional.
Ato, gjithashtu tregojnë se Gjykata është në pozicion të mirë për të vazhduar përforcimin e rolit të saj si mbrojtëse kryesore e të drejtave kushtetuese, deklaroi ambasadori Vall.

Ky event u organizua me mbështetjen e Delegacionit të BE-së, në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian: “Përforcimi i kapaciteteve të Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së akteve normative të miratuara dhe mbrojtjen e drejtat themelore”, me temën: “Inkorporimi i ankimit kushtetues?”





