Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr. Darko Kostadinovski ishte i ftuar në podkastin “Ku janë paratë?”

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr. Darko Kostadinovski, ishte i ftuar në podkastin “Ku janë paratë?”, ku foli për çështjet aktuale që lidhen me punën e Gjykatës Kushtetuese, për lëndët me interes të lartë publik dhe prioritetet në mandatin e tij.

Lidhur me lëndën në të cilën kontestohet neni 218 i Ligjit për Përmbarim, ndërsa që i referohet mundësisë që personat fizikë dhe juridikë t’i arkëtojnë borxhet nga organet shtetërore dhe lokale, Kostadinovski deklaroi:

“Më vjen shumë mirë që kemi iniciuar procedurë për këtë lëndë. Edhe 5 vjet më parë, e njëjta gjykatë e ka shqyrtuar nenin 218 me një iniciativë tjetër. Edhe atëherë kishte gjykatës, megjithëse tani mund ta them, nuk është sekret se në atë përbërje, unë dhe gjykatësi Osman Kadriu shprehëm dyshime serioze për kushtetutshmërinë e këtij neni 218, por vendosi shumica, për të shmangur pasojat e mëdha për shtetin, vendosi të mbyllte një sy në një farë mënyre. Tani është iniciuar procedurë për nenin 218 dhe nga shembulli i parashtruesit të iniciativës, mund të kuptohet se bëhet fjalë për një dispozitë jokushtetuese. Ai na jep dy shembuj, një i punësuar në një ndërmarrjeje komunale fiton të drejtën për pension, ndërsa një i punësuar tjetër nuk e fiton të drejtën për pension sepse ndërmarrja nuk i ka paguar kontributet. I punësuari padit komunën, fiton aktgjykimin e plotfuqishëm dhe nuk mund ta zbatojë atë… pikërisht për shkak të ekzistencës së këtij neni 218. Është një normë kaq e paqartë dhe e pasaktë, saqë përdor madje edhe një standard juridik “të domosdoshëm për ushtrimin e veprimtarisë”, dhe në paragrafin e dytë të këtij neni, kryetarit të gjykatës i jepet një e drejtë diskrecionale për të përcaktuar se cilat sende janë të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Një normë shumë keq e normuar. Qëllimi i ligjvënësit është i qartë për ne, ne e dimë se çfarë ka dashur që të arrinte, interesi publik janë ndërmarrjet publike për mbeturinat, për ujin, etj.… por kur lexoj se borxhi i ndërmarrjeve publike është 200 milionë euro, pra këto para janë paratë e dikujt, nuk janë virtuale, janë para që dikush i kërkon”.

Ky vendim do të ndikojë në disiplinën financiare dhe përgjegjësinë më të madhe të ndërmarrjeve publike. Nuk mund të gjenden justifikime të arsyeshme… Mënyra se si do të funksionojnë varet nga aftësia e udhëheqësve të këtyre ndërmarrjeve, pra, me të drejtat e pronës, kërkesat, aq më tepër me ato që kanë një aktgjykim të plotfuqishëm. Bëhet fjalë për të drejtën e pronës! Ndërsa prona gëzon  garanci kushtetuese, kjo është një vlerë themelore e rendit tonë. Kjo është e drejta e qytetarëve dhe mund të kufizohet vetëm në gjendje të jashtëzakonshme dhe gjendje lufte, por jo në këtë mënyrë. Ato 200 milionë euro janë paratë e dikujt, të disa kompanive që duhet t’i paguajnë të punësuarit e tyre”. 

Kur u pyet nëse mund të ketë presion nga pushteti ekzekutiv për një ligj kaq të rëndësishëm, Kryetari Kostadinovski i hodhi poshtë kategorikisht tezat në këtë drejtim.

“Tek unë nuk ekzistojnë thirrjet, por edhe pa më thirrur dikush, ne kur marrim vendimet tona jemi të detyruar t’i marrim parasysh të gjitha rrethanat dhe efektin mbi të drejtat e qytetarëve. Pa na thënë dikush, jemi të detyruar të vlerësojmë. Cilido që të jetë vendimi, ne i vlerësojmë të gjitha rrethanat, se nënkupton vendimi ynë për rendin juridik, për Buxhetin. Të gjitha rrethanat vlerësohen. Unë jam kundër bllokimit të të gjitha ndërmarrjeve publike, por çdo qytetar duhet të jetë përgjegjës kur fillon të udhëheqë një ndërmarrje publike. Mendoj se do të duhet pak kohë që vendimi ynë të bëhet i efektshëm”.

Lidhur me zbatimin e Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore, pas shfuqizimit të ndryshimeve nga Gjykata vitin e kaluar, Kostadinovski deklaroi:

“Ligji me afat parashkrimi prej 5 vjetësh ka qenë në fuqi për, le të themi, një vit. Gjatë atij viti, të gjitha kërkesat që kanë arritur afatin prej pesë vjetëve janë parashkruar dhe nuk mund të arkëtohen më. Problemi lind nga fakti se vendimi ynë shfuqizues ngrit çështjen nëse me të rikthehet në fuqi rregulli paraprak juridik. Bëhet fjalë për një vendim shfuqizues dhe jo anulues, sepse, sipas qëndrimit tim juridik, vetëm në rast se shfuqizohet i gjithë ligji, vetëm atëherë rregulli juridik i mëparshëm rikthehet në fuqi. Ky është efekti anulues. Mirëpo, në rastin konkret kemi një vendim shfuqizues. Ne nuk jemi kompetentë për efektet dhe zbatimin e vendimit, por këtu jam i detyruar të theksoj se, njësoj si edhe te ligjvënësi, ndryshimi tepër i shpeshtë i zgjidhjeve ligjore paraqet pasiguri juridike dhe çon në paparashikueshmëri juridike. E njëjta gjë vlen edhe për vendimet tona. Vendimet tona kanë efekte dhe karakteristika juridike të njëjta me ligjet…”

Lidhur me çështjen nëse duhet të zgjerohet kompetenca e gjykatave kushtetuese për të vendosur dhe vlerësuar dy ligje në raport me njëri-tjetrin, Kryetari u përgjigj:

“Kjo është një nga temat e mia të preferuara. Ka tetë vjet që jam gjykatës, pothuajse nuk ka asnjë seancë në të cilën një dilemë e tillë nuk parashtrohet para Gjykatës, ne e quajmë konflikt ligjesh. Mendimi im personal dhe më gëzon që Gjykata Kushtetuese kohët e fundit ka filluar ta pranojë këtë kompetencë… një fakt i padiskutueshëm është se kjo kompetencë nuk është përcaktuar shprehimisht, por Gjykata Kushtetuese, duke mbrojtur vlerat themelore, nuk mund të qëndrojë indiferente kur konstaton një rast tipik të ligjeve ose dispozitave që mund të zbatohen në mënyrë arbitrare. Kjo do të nënkuptonte, për shembull, që unë tani të mund të zgjedh se cilin ligj do ta zbatoj. Kjo do të thotë që vlerat themelore të sundimit të së drejtës nuk plotësohen. Mendoj se Gjykata duhet të detyrohet ta zgjidhë këto mospërputhje ndërmjet ligjeve. Ja një shembull sa i përket Ligjit për Pagat e Funksionarëve të Zgjedhur dhe të Emëruar, unë isha gjykatësi-referues i asaj lënde. Në vitin 2009, si rezultat i krizës ekonomike botërore, në Ligj shtohet një nen për të dhënë një bazë fikse për pagën e të gjithë funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar. Fikse, ndërsa paga përcaktohej në atë mënyrë që baza fikse shumëzohej me koeficientin. Megjithatë, çfarë bëri ligjvënësi ynë? Kur e ka vendosur këtë rregull juridik, nuk e ka shfuqizuar rregullin e vjetër juridik, i cili parashikonte që paga të llogaritej duke shumëzuar koeficientin me pagën mesatare nga viti paraprak. Tani, nëse ai rregull juridik do të ishte shfuqizuar, nuk do të kishte arritur çështja te ne që të vendosim për të”, theksoi Kostadinovski. 

Kostadinovski iu përgjigj gjithashtu pyetjeve që lidheshin me tatimin e solidaritetit, rritjen lineare dhe dominimin e pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv mbi pushtetin gjyqësor, për të cilat ai theksoi:

“Ata janë të pozicionuar kryesisht ndaj gjyqësorit dhe bëjnë mobing. Për shembull, si mund të presësh që pushteti gjyqësor të jetë efikas kur nuk ia jepni mjetet e përcaktuara me ligj. Qytetarët duhet të hyjnë në gjykata, të shohin se në çfarë atmosfere dhe mjedisi punohet. Mirëpo situata atje është dëshpëruese. Nëse mungojnë burimet e nevojshme, të punësuarit, personeli teknik, atëherë ato nuk funksionojnë. Unë nuk po e amnistoj pushtetin gjyqësor edhe ai duhet të gjejë një mënyrë për të luftuar me të korruptuarit dhe gjykatësit me afilacione politike. Këta gjykatës e “njollosin” imazhin e pushtetit gjyqësor. Por, nuk mund të pranoj faktin që vetëm pushteti gjyqësor gëzon besim vetëm 2%. Nëse është kështu, çfarë kanë bërë këto dy pushtetet e tjera? A ishin në pushime vjetore? Nuk mund të abstraktohen, bëhet fjalë për një sistem. Sa i përket çështjes së mosbesimit, ky mosbesim është ndaj të gjithë aparatit shtetëror”.

Lidhur me rastin në të cilin Gjykata vendosi për koeficientet për llogaritjen e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve publikë, Kostadinovski tha:

Duke iu referuar standardeve ndërkombëtare, si dhe pavarësisë dhe mëvetësisë, unë jam për mosuljen e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve. Megjithatë, ata duhet të jenë në nivel të detyrës dhe të gjejnë një mënyrë për t’u përballur me të ashtuquajturit “gjykatës” që e njollosin imazhin e një profesioni të tërë, deklaroi Kostadinovski në podkastin “Ku janë paratë?” me gazetarin Goran Temenugov.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun në vijim: https://www.youtube.com/watch?v=FmQrGoVu1U8