Në Gjykatën Kushtetuese, sot u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë: “Inkorporimi i ankimit kushtetues?”, në të cilën fjalim patën Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, kryetari i Qeverisë, Hristian Mickoski, ambasadorët e BE-së dhe OSBE-së, Mihalis Rokas dhe Kilian Vall. Në vazhdim, fjalimi i plotë i Kryetarit Kostadinovski:
Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Delegacionin e Bashkimit Evropian për zbatimin e projektit: “Përforcimi i kapaciteteve të Gjykatës Kushtetuese”, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që i japin Gjykatës Kushtetuese. Eventet e tilla janë të domosdoshme dhe të rëndësishme, si dhe përmes tyre ne dërgojmë mesazh se procesi i promovimit të sundimit të së drejtës dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut është një detyrim i përhershëm i çdo shteti demokratik dhe i të gjitha institucioneve që e kanë këtë barrë.
Të nderuar,
Inkorporimi i ankimit kushtetues, si instrument për mbrojtjen e drejtpërdrejtë të lirive dhe të drejtave të garantuara me kushtetutë është temë që vazhdimisht dhe gjithnjë e më shumë po imponohet si objekt i debatit profesional, politik dhe publik.
Nuk do të shpenzoj fjalë për rëndësinë dhe thelbin e tij, i cili është i thjeshtë: t’i mundësojë qytetarit, kur të jenë shteruar të gjitha mjetet e tjera juridike, t’i drejtohet drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojë mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të tij të garantuara me kushtetutë.
Në këtë kontekst, për mua nuk ka pasur kurrë dilemë në lidhje me nevojën e vendosjes së tij, por natyrshëm lindi pyetja se cilat liri dhe të drejta të garantuara me Kushtetutë duhet të kenë mbrojtje të drejtpërdrejtë, të menjëhershme kushtetuese-gjyqësore. Kur kolegët e mi, kryeministri, ekspertët e fushës, shkenca dhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë të pranishëm në këtë tryezë, do të ndalem këtu, për mua është më e rëndësishme ta dëgjoj qëndrimin e tyre!
Të nderuar të pranishëm,
Opinioni publik, kolegët e mi, të gjithë ata që më njohin, e dinë se unë jam një realist brutal, kështu që do t’i lejoj vetes të bëj një konkluzion të sinqertë. Në periudha të caktuara në të kaluarën, Gjykata Kushtetuese nuk e përmbushi gjithmonë rolin e saj kushtetues, siç e përcaktuan hartuesit e kushtetutës.
Pikërisht për këtë arsye, sot ne kemi një detyrë të qartë: që Gjykata të afirmojë plotësisht pavarësinë dhe mëvetësinë e saj. Kjo detyrë, nuk është vetëm një detyrim për Gjykatën Kushtetuese, por edhe për ligjvënësin, për pushtetin ekzekutiv. Është e nevojshme që vendimmarrja kushtetuese-gjyqësore të çlirohet nga çdo formë e ndikimit politik dhe që Gjykata të veprojë vazhdimisht si institucion mbipartiak, mbietnik, mbifetar, mbi çfarë do afiliacioni! Institucion, me qëllimin të vetëm, të sigurojë supremacinë e Kushtetutës dhe mbrojtjen efektive të lirive dhe të drejtave të njeriut. Gjykata është realisht dhe vërtet e përkushtuar ndaj detyrës së saj. Ndër të tjera, me vendimin për të transmetuar publikisht seancat, gjykata e përmbush vetëm paradigmën e re “drejtësia nuk mjafton vetëm të zbatohet, ajo duhet edhe të shihet!”. Politika duhet t’i largojë duart nga gjyqësori kushtetues, duhet të tregojë kulturë më të lartë kushtetuese dhe juridike! Por kjo nuk është e gjitha që politika përmes pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ mund të bëjë. Gjykata Kushtetuese është padyshim institucioni më i pareformuar në rendin tonë. Prandaj, sot pata mundësinë të diskutoja me kryeministrin nevojën për një reformë më të thellë institucionale të Gjykatës Kushtetuese. Në veçanti, ishte e hapur çështja e miratimit të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, i mbështetur në bazë kushtetuese dhe me shumicë prej dy të tretash, po ashtu edhe çështja e parashtrimit të ankimit kushtetues. Qëkur ka ardhur koha për një hap të tillë. Vazhdimi i status quo-së mund të krijojë hapësirë për shfaqjen e aktivizmit të tepërt gjyqësor, i cili në rrethana të caktuara mund të çojë në prishje të ekuilibrit ndërmjet pushteteve, ose në të ashtuquajturën “gjykatokraci”. Dhe e gjithë kjo duhet të çojë në përforcimin e mëvetësisë dhe pavarësisë së Gjykatës.
Kjo nevojë u theksua qartë edhe në Kongresin e Gjashtë të Konferencës Botërore për Drejtësinë Kushtetuese. Në deklaratën e Madridit, u konstatua se drejtësia kushtetuese mund ta përmbushë rolin e saj vetëm kur autonomia dhe pavarësia e gjykatave kushtetuese janë të garantuara plotësisht. Pavarësia e këtillë nuk përbën qëllim në vetvete, por është një kusht i domosdoshëm për të siguruar supremacinë e Kushtetutës, mbrojtjen efektive të të drejtave themelore dhe garantimin e ekuilibrit ndërmjet pushteteve në një shtet të qeverisur nga parimet e sundimit të së drejtës.
Arsyeja për këtë është e thjeshtë, por thelbësore: pavarësia gjyqësore është një e drejtë njerëzore e lidhur pazgjidhshmërisht me të drejtën e individit për qasje në drejtësi, për gjykim korrekt dhe të drejtë, si dhe për mbrojtje të barabartë ligjore.
Të nderuar të pranishëm,
Ekziston një rrugë e arsyes. Në këtë rrugë, bashkëbiseduesit ose arrijnë në pikëtakimin e përbashkët ose marrin drejtime të ndryshme. Më vjen mirë që sot, për çështjet kyçe lidhur me zhvillimin e gjyqësorit kushtetues, me kryetarin e Qeverisë, thelbësisht arritëm në pikëtakimin e përbashkët në rrugën e arsyes. Shpresoj, që ky takim dhe diskutimet e sotme të jenë një hap drejt kohërave më të mira për gjyqësorin kushtetues.
Ju falënderoj për vëmendjen!
