Më 18 shkurt 2026, e mërkurë, në orën 9:30, Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancën e katërt. Në Rendin e ditës do të përfshihen shtatë iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, ndërsa në seancë do të diskutohet për:
1. Referatin U.nr.25/2025
Akt i kontestuar: Neni 57-g paragrafi 2 i Ligjit për Punë me Deviza (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.34/2001, 49/2001, 103/2001, 54/2002, 51/2003, 82/2008, 24/2011, 135/2011, 188/2013, 97/2015, 153/2015 23/2016 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.110/2021 dhe 37/2025).
Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesi pohon se është e pakuptimtë që një normë e tillë të ekzistojë, sepse sipas tij, ajo i referohet vetvetes në zbatimin e saj dhe sipas përmbajtjes së saj, mund të çojë në konfuzion gjatë zbatimit të saj.
2. Referatin U.nr.37/2025
Akti i kontestuar: Neni 54 paragrafi 1 dhe 2 dhe neni 59 paragrafi 1 i Ligjit për Tatimin Minimal Global mbi Fitimin (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.3/2025).
Parashtruesi i iniciativës: Bobi Spirkovski, avokat
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesi pretendon se më 27 dhjetor 2024, Kuvendi miratoi Ligjin për Tatimin Minimal Global mbi Fitimin, i cili, sipas tij, zbatohet në mënyrë prapavepruese, sepse ai konsideron se Ligji hyn në fuqi më 3 janar 2025, ndërsa si pikënisje për llogaritjen e tatimit shtesë merret viti fiskal 2024, me përqindje maksimale prej 10% dhe 8%, si bazë tatimore për llogaritjen e tatimit shtesë.
3. Referatin U.nr.146/2025
Kontestohet: Neni 6 paragrafi 1 dhe neni 62 paragrafi 1 i Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërtim (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.18/2020).
Parashtruesi i iniciativës: Darko Kostovski, avokat
Pretendimet në iniciativë:
Në iniciativë thuhet se ligjvënësi, me nenin 6 paragrafi 1 të kontestuar, ka ndërhyrë në nenin 68 dhe ka përcaktuar afatin brenda të cilit investitori është i detyruar të ndërtojë ndërtesat e kategorisë së parë dhe të dytë, por jo më gjatë se dhjetë vjet nga data e plotfuqishmërisë së lejes së ndërtimit, ndërsa me nenin 62 paragrafi 1, ai parashikoi që dispozitat e nenit 6, me të cilin përkatësisht ndryshohet neni 68, do të zbatohen edhe për lejet e ndërtimit të lëshuara deri në datën e hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve ligjore (04.02.2020). Sipas parashtruesit, kontestohet fakti që një afat i tillë për ndërtimin e ndërtesave nuk ishte parashikuar dhe praktikisht nuk ekzistonte në kohën kur qytetarët dorëzonin dhe merrnin lejet e ndërtimit, si dhe merrnin lejet për ndërtimin e ndërtesave të kategorisë së parë dhe të dytë. Në këtë mënyrë, thuhet në iniciativë se lejohet zbatimi prapaveprues i Ligjit.
4. Referatin UZ.nr.12/2025
Akti i kontestuar: Neni 97 dhe neni 98 i Marrëveshjes kolektive të Drejtorisë së të Ardhurave Publike,, nr.01-4228/1 të datës 12.07.2023 dhe nr.0102-4/1 të datës 21.07.2023
Parashtruese e iniciativës: Drejtoria e të Ardhurave Publike, përmes drejtoreshës Elena Petrova
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesja e iniciativës pohon se neni 97 është në kundërshtim me nenin 37 të Kushtetutës, i cili garanton ushtrimin e të drejtave ekonomike dhe sociale të qytetarëve përmes themelimit të sindikatave, por jo edhe financimin e sindikatës nga punëdhënësi. Theksohet se, e njëjta dispozitë është në kundërshtim edhe me Ligjin për Drejtorinë e të Ardhurave Publike, sipas të cilit mjetet nga të ardhurat përdoren për pajisje të modernizuara avancuara të punës së Drejtorisë së të Ardhurave Publike, si dhe për stimulimin e punonjësve. Në iniciativë thuhet se në disa raste sindikata ka parashtruar kërkesë për pagesën e ndihmës financiare nga të ardhurat vetanake, me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve të së njëjtës organizatë sindikale dhe se këto mjete janë miratuar dhe paguar. Parashtruesja pretendon se dispozita e kontestuar është gjithashtu në kundërshtim me nenin 195 të Ligjit për Marrëdhënie Pune, i cili i referohet funksionimit të sindikatës, përkatësisht faktit se punëdhënësit nuk i lejohet të ketë mbikëqyrje mbi themelimin dhe veprimin e sindikatave. Gjithashtu, thuhet se dispozita e kontestuar është në kundërshtim me nenin 57 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, sepse sipas parashtrueses, çdo person zyrtar është i detyruar t’i ruajë mjetet shtetërore që i janë besuar dhe të disponojë me to në mënyrë sa më ekonomike, ndërsa ndalohet që mjetet të përdoren për qëllime private ose t’i jepen dikujt tjetër për përdorim.
5. Referatin U.nr.116/2023
Akti i kontestuar: neni 1, 2, 3, 4 dhe 8 i Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.147/2023).
Parashtruesi i iniciativës: Sllavko Dimitrov
Parashtruesi potencon se përmbajtja e neneve 1, 3 dhe 4 të kontestuara të Rregullores është në kundërshtim me nenin 30 të Kushtetutës, i cili garanton të drejtën e pronësisë dhe trashëgimisë dhe zbatimi i tij mundëson manipulimin e pronës dhe kapitalit të qytetarëve, i cili u transferohet individëve që nuk i kanë këto të drejta.
6. Referatin UZ.nr.16/2025
Akti i kontestuar: neni 9 paragrafi 2 dhe neni 43 i Rregullave për Furnizim me Energji Тermike (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.65/19, 162/19, 233/20, 312/20 dhe 38/2022.
Parashtruese e iniciativës: Vera Georgieva
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesja potencon se sipas nenit 43 paragrafi 1 të Rregullores, gjatë sezonit të ngrohjes furnizuesi është i detyruar të sigurojë temperaturë minimale prej 20+1 gradë në hapësirat e ngrohjes nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 22 të mbrëmjes gjatë ditës me valvulat e radiatorëve plotësisht të hapura. Pretendohet se ekziston mospërputhje të Normativës tabelare me rregullat, në nenet 43, 1 dhe 5, siç është mospërputhja me veprimtarinë e vetë furnizuesit. Parashtruesi, pretendon se temperaturat prej 15, 16 dhe 17 gradësh nuk janë furnizim me ngrohje sepse, sipas saj, ato temperatura arrihen në banesa pa asnjë ngrohje. Më tej, pretendohet se në Marrëveshjen me EMV-në, në nenin 15 furnizuesi mund ta ndërpresë marrëveshjen pa pëlqimin e konsumatorit për të vazhduar me shkëputjen e konsumatorit nga sistemi i ngrohjes qendrore për shkak të mospagesës në kohë të faturave të energjisë së ngrohjes. Po ashtu, pretendohet se nenet e kontestuara janë në kundërshtim me sundimin e së drejtës.
7. Referatin UZ.nr.23/2025
Akti i kontestuar: Neni 9 paragrafët 3, 4, 5 dhe 6 i Rregullores për Autorizimin e Gjeodetit të Autorizuar dhe Regjistrin e Emrave të Gjeodetëve të Autorizuar (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr. 95/2015 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.183/2019, 246/2024 dhe 70/2025).
Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev
Pretendimet në iniciativë:
Parashtruesi potencon se Rregullorja e kontestuar nuk është në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me çka, sipas tij, shkelet sundimi i së drejtës, i rregulluar me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës, si dhe me nenin 51 të Kushtetutës.
