Rendi i ditës i seancës së gjashtë të caktuar për  4  mars (e mërkurë) 2026 në orën 9:30

Më 4 mars 2026, në orën 9:30, Gjykata Kushtetuese do ta mbajë seancën e saj të gjashtë. Në Rendin e ditës do të përfshihen tetë iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së akteve, do të vendoset për katër draft-vendime dhe do të diskutohet për:

I. INICIATIVAT PËR VLERËSIMIN E KUSHTETUTSHMËRISË DHE LIGJSHMËRISË

1. Referatin U.nr.5/2023

Akti i kontestuar: Neni 6 paragrafi 2, neni 37 paragrafi 2, neni 111 paragrafët 4 dhe 5, neni 123 paragrafi 1, neni 138 paragrafi 3 dhe neni 139 paragrafi 2, të gjitha për pjesën: “të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin të paktën 20% e qytetarëve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe alfabetin e saj, gjë që nuk përjashton mundësinë e përdorimit të njëkohshëm të gjuhëve të tjera, si dhe shenja ose piktograme që janë lehtësisht të kuptueshme për konsumatorin” të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.236/2022).

Parashtruesit e iniciativës: Valentin Pepelugoski dhe të tjerë

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesit potencojnë se me Amendamentin V Kushtetutës, përveç gjuhës maqedonase, parashikohet se edhe “gjuha tjetër të cilën e flasin të paktën 20% e qytetarëve dhe alfabeti i saj janë gjithashtu zyrtare, siç është përcaktuar me këtë nen” dhe vlerësojnë se kjo vlen si detyrim për shtetin dhe institucionet, por jo edhe për personat privatë. Ashtu si rregullimi kushtetues, edhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve synon të rregullojë marrëdhëniet dhe gjuhën e përdorur ndërmjet njësive shtetërore dhe personave juridikë me kompetenca publike dhe me interes publik, dhe nuk e përfshin mënyrën e komunikimit ndërmjet personave privatë, si kufizim i lirisë së tregut dhe sipërmarrjes. Thuhet se tregtari ka detyrimin t’i informojë qartë dhe dukshëm konsumatorët në lidhje me paketimin, etiketën, udhëzimet, deklaratën, certifikatën dhe/ose dokumentin tjetër, për t’i dhënë konsumatorit informacionet e sakta në lidhje me mallrat.

Shënim: Referati u shqyrtua në Rendin e ditës të seancës së njëzetegjashtë të Gjykatës, të mbajtur më 3 dhjetor 2025. Propozimi i gjykatësit-referues nuk e mori shumicën e nevojshme të votave. Lënda është në fazë votimi.

2. Referatin U.nr.146/2024 

Akti i kontestuar: Neni 13 paragrafi 2 në pjesën: “edhe konkluzioni” i Ligjit për Përmbarim (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.72/2016, 142/2016, 178/2017, 26/2018, 233/2018,14/2020, 86/2020, 136/2020 dhe 154/2023).

Parashtruesi i iniciativës : Oliver Davidovski nga Shkupi

Pretendimet në iniciativë:

Në iniciativë thuhet se është e paqartë se “si një vendim në procedurën administrative, në kuptimin e këtij Ligji, konsiderohet… edhe konkluzioni i organit të administratës shtetërore …”, pasi me Ligjin aktual për Procedurën e Përgjithshme Administrative nuk rregullohet më “konkluzioni” si një nga llojet e akteve administrative, siç parashikohej në Ligjin e mëparshëm për Procedurën e Përgjithshme Administrative, i cili ka kohë që nuk zbatohet. Prandaj, parashtruesi konsideron se dispozita ligjore e kontestuar është në kundërshtim me sundimin e së drejtës dhe sigurinë juridike.

Shënim: Referati u shqyrtua në Rendin e ditës së seancës së nëntë të Gjykatës, të mbajtur më 28 maj 2025. Propozimi i gjykatësit-referues nuk e mori shumicën e nevojshme të votave. Lënda është në fazë votimi.

3.Referatin U.nr.23/2025

Akti i kontestuar: Neni 1 paragrafi 3 për pjesën: “Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë”, i  Ligjit për Buxhetin Gjyqësor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.60/2003, 37/2006, 103/2008 dhe 145/2010). 

Parashtruesit e iniciativës: Igorço Toçev, Lubica Stojkovska-Perkovska, Biljana Dimovska, Evica Xhajkovska, Rolanda Doko, Ateme Muamedi, Aneta Stevanoviq, Nezaat Rexhepi, Mirjanka Trençevska, Ylbere Nuhiu dhe Edvin Zahitoviq

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesit pretendojnë se dispozita e kontestuar nuk është në përputhje me Amendamentin XXV të Kushtetutës. Ndër të tjera, thuhet se profili bazë i Këshillit Gjyqësor, i cili merret nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, është regjistruar me shifrën e veprimtarisë mbizotëruese 84.23, sipas Klasifikimit Kombëtar të Veprimtarive dhe shifra e njëjtë është rezervuar për “Veprimtaritë gjyqësore dhe të gjyqësorit”, ndërsa forma juridike është regjistruar me shifrën “01.9-Gjykata Kushtetuese”. Si rrjedhojë, thuhet se Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë është organ i pavarur dhe autonom i gjyqësorit dhe kështu pozicioni i Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë si pjesë e “Pushtetit Gjyqësor” është jokushtetues.

Shënim: Referati u shqyrtua në Rendin e ditës së seancës së dytë të Gjykatës, të mbajtur më 28 janar 2026. Gjykatësi–referues e tërhoqi lëndën dhe Gjykata e anuloi shqyrtimin dhe vendimmarrjen për të, ndërsa do të vendoset për të në njërën nga seancat pasuese të Gjykatës.

4. Referatin U.nr.53/2025 

Akti i kontestuar: Neni 12 alineja 9 i Ligjit për Avokaturë (*) (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.199/2023).

Përmbajtja e dispozitës së kontestuar: 

Në regjistrin e avokatëve mund të regjistrohet personi i cili i plotëson kushtet e përgjithshme për krijimin e marrëdhënies së punës në organet e administratës shtetërore, që gëzon reputacion dhe është i denjë për të ushtruar profesionin e avokatit dhe plotëson kushtet në vijim:

– të mos i ketë përfunduar funksioni si gjykatës, prokuror publik, avokat i shtetit  ose zëvendës i tij, avokat i popullit ose zëvendës i tij, funksionar i zgjedhur ose i emëruar, përkatësisht të mos i ketë pushuar marrëdhënia e punës si nëpunës shtetëror, noter, zëvendës ose ndihmës i tij, përmbarues ose zëvendës i tij me vendim përfundimtar në procedurë gjyqësore, disiplinore ose procedurë tjetër, me të cilin përcaktohet përgjegjësia lidhur me ushtrimin e funksionit ose të shërbimit, derisa të kalojnë pesë vjet nga dita kur vendimi bëhet i plotfuqishëm.

Parashtruesi i iniciativës: Atanasov Tasko

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi potencon se dispozita është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse ndërprerja e funksionit ose marrëdhënies së punës nëpërmjet procedurës gjyqësore, disiplinore ose ndonjë lloji tjetër nuk duhet të përbëjë kriter ose kusht kufizues për qasjen në një vend pune, përkatësisht për ushtrimin e një profesioni, veprimtarie ose detyre dhe se një kufizim i tillë mund të vendoset vetëm në bazë të ndonjë vendimi gjyqësor të plotfuqishëm dhe të ndonjë sanksioni penal të shqiptuar.

Shënim: Referati u shqyrtua në Rendin e ditës së seancës së tretë të Gjykatës, të mbajtur më 4 shkurt 2026. Propozimi i gjykatësit-referues nuk e mori shumicën e nevojshme të votave. Lënda është në fazë votimi.

5. Referatin U.nr.57/2025

Akti i kontestuar: Neni 6 i Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Familjen (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.199/2023).

Parashtruesi i iniciativës: Dragan Llazarov, avokat

Përmbajtja e dispozitës së kontestuar:

Padia për kundërshtimin e atësisë në përputhje me nenin 2 të këtij Ligji, me të cilin shtohet neni i ri 65-a, mund të ngrihet brenda një viti, nga dita e hyrjes në fuqi e këtij Ligji, për një fëmijë i cili, deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, ka mbushur moshën një vjeç, por nuk është më i madh se mosha pesë vjeç.

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi konsideron se dispozita e kontestuar krijon kufizime në lidhje me afatet kohore për ngritjen e padisë dhe është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Familjen. Thuhet se dispozita krijon pabarazi për qytetarët, si për baballarët e supozuar ashtu edhe për fëmijët, duke ndryshuar afatet ligjore dhe duke kufizuar mundësinë në lidhje me moshën e fëmijës, atësia e të cilit kontestohet, përkatësisht dëshmohet.

6. Referatin U.nr.59/2025

Akti i kontestuar: Neni 9 paragrafi 2 për pjesën: “e organit të pavarur të administratës shtetërore” të Ligjit për Pronësinë Industriale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.21/2009, 24/2011, 12/2014, 41/2014, 152/2015, 53/2016 dhe 83/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.31/2020 dhe 86/2025).

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi pretendon se nenet e kontestuara tregojnë zbatim të gabuar dhe interpretim arbitrar gjatë zbatimit, pasi sipas tij ato janë të paqarta dhe joprecize.

7. Referatin UZ.nr.35/2025

Akti i kontestuar: Vendimi për miratimin e Planit urbanistik të detajuar për lokalitetin Lisiçe e Epërme, njësia urbane E, i miratuar nga Këshilli i Komunës Aerodromit-Shkup, nr.07-2972 më datë 28.07.2010.

Parashtruesi i iniciativës: Zllate Levkovski, përmes avokatit Trajçe Arsov

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi si pronar i parcelës së ndërtimit në Komunën e Aerodromit, vëren se gjatë anketës publike dhe kontrollit publik, ai vuri në dukje planifikim joproporcional dhe të padrejtë të rrugës dhe parkimit në një pjesë të parcelës së tij, gjë që zvogëlon mjaft potencialin ndërtimor të pronës. Pretendohet se vërejtjet janë pranuar gojarisht nga Komisioni i Ekspertëve, por Komuna nuk ka dhënë shpjegim për refuzimin e vërejtjeve, duke e shkelur kështu parimin e transparencës, të drejtën për gëzim paqësor të pronës, të rregulluar me nenin 26 të Kushtetutës.

8. Referatin UZ.nr.10/2025

Akti i kontestuar: Vendimi për ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, i miratuar nga Këshilli i Komunës së Tetovës me nr.07-766/4 më datë 24.04.2007, i publikuar  në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Tetovës”, nr.25/2007, të datës 26.04.2007.

Parashtruese e iniciativës: Organizata Komunale e Lidhjes së Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945 dhe Qytetarëve Pasardhës, Tetovë, përmes personit të autorizuar Liljana Simovska, kryetare e organizatës

Pretendimet në iniciativë:

Në iniciativë thuhet se Këshilli i Komunës së Tetovës i ka tejkaluar kompetencat e tij duke i ndryshuar emrat e rrugëve dhe objekteve të tjera infrastrukturore, pasi kjo është një çështje e rregulluar me Ligjin e veçantë për Përcaktimin e Emrave të Rrugëve, Shesheve, Urave dhe Objekteve të Tjera Infrastrukturore, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në vitin 2004. Në të thuhet se Vendimi është miratuar në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit, përkatësisht pa pëlqimin paraprak të Qeverisë.

Shënim: Referati u shqyrtua në Rendin e ditës së seancës së parë të Gjykatës, të mbajtur më 21 janar 2026. Propozimi i gjykatësit-referues nuk e mori shumicën e nevojshme të votave. Lënda është në fazë votimi.

II. PROPOZIMET PËR VENDIMMARRJE PËR DRAFT-VENDIMET

1. U.nr.161/2023 

Më 25.06.2025 Gjykata Kushtetuese inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit 40 paragrafi 2 alineja 4 të Statutit të Komunës së Sopishtes nr.01-2845/3, të datës 02.07.2007.

2. U.nr.30/2024

Më 02.07.2025 Gjykata Kushtetuese inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit 15 alineja 3 të Rregullores së Këshillit të Komunës Qendër-Shkup, nr.08-4264/1, të datës 01.10.2020.

3. U.nr.267/2024

Më 16.04.2025 Gjykata Kushtetuese inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 37 paragrafi 4 në pjesën: “në rast të shqiptimit të masës disiplinore – shlyerje nga regjistri përkatës, i revokohet certifikata kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar” dhe paragrafi 8 pika 4 në pjesën: “dhe revokimi i certifikatës” dhe nenit 41 paragrafi 1 në pjesën: “dhe revokimi i certifikatës” dhe paragrafi 2 të Ligjit për Kryerjen e Punëve të Kontabilitetit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.173/2022).

Shënim: Propozimi për vendimmarrje ishte në Rendin e ditës së seancës së  pesëmbëdhjetë të Gjykatës, të mbajtur më 2 korrik 2025 Propozimi i gjykatësit-referues nuk e mori shumicën e nevojshme të votave.

4. U.nr.13/2025

Më 19.11.2025 Gjykata Kushtetuese inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 2 të Ligjit për Ndryshimin e Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor  (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr.154/2025).

Shënim: Propozimi për vendimmarrje ishte në Rendin e ditës së seancës së  njëzetetetë të Gjykatës, të mbajtur më 24 dhjetor 2025. Propozimi i gjykatësit-referues nuk e mori shumicën e nevojshme të votave.