
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr. 259/2024
Shkup, 21.01.2026
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 dhe nenit 112 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 72 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 21 janar 2026, miratoi
V E N D I M
- ANULOHEN neni 32 alinetë 1, 2, 3 dhe 4, neni 34 pikat 1, 2, 3 dhe 4, neni 35 pikat 1, 2, 3 dhe 4 dhe neni 46 paragrafi 8 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.141/2014 dhe 36/2016, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.147/2023, 263/2023, 286/2023, 135/2024, 218/2024, 275/2024 dhe 215/2025).
2. Ky vendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Arsyetim
I
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas iniciativës së parashtruar nga Filip Stevanovski nga Shtipi, në seancën e mbajtur më 26 nëntor 2025, miratoi Aktvendimin U.nr.259/2024, me të cilin, ndër të tjera, vendosi të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së dispozitave të Rregullores së shënuar në pikën 1 të këtij vendimi.
Kjo për arsye se para Gjykatës me justifikim të plotë u ngrit çështja e përputhshmërisë së nenit 32 alinetë 1, 2, 3 dhe 4, nenit 34 pikat 1, 2, 3 dhe 4 dhe nenit 35 pikat 1, 2, 3 dhe 4 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 6, nenin 9, nenin 30 paragrafët 1, 2 dhe 3, nenin 47 paragrafi 2 dhe nenin 51 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me nenin 66 paragrafi 1 dhe nenin 144 paragrafi 1 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, si dhe për përputhshmërinë e nenit 46 paragrafi 8 të së njëjtës Rregullore me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 1, 3 dhe 6, nenin 9, nenin 30 paragrafët 1, 2 dhe 3, nenin 47 paragrafi 2 dhe nenin 51 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me nenin 3, nenin 66 paragrafi 1 dhe nenin 144 paragrafi 1 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se sipas nenit 32 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.141/2014 dhe 36/2016, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.147/2023, 263/2023, 286/2023, 135/2024, 218/2024, 275/2024 dhe 215/2025), arkëtimi i kompensimeve të autorit për komunikimin publik të veprave muzikore joskenike në një vit kalendarik ndryshon sipas llojit të përdorimit dhe zbatohet për këto kategori: radio (Radioja e Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive- radiot në nivel shtetëror) (alineja 1); radio (shoqëritë tregtare radiodifuzive në nivel rajonal dhe lokal) (alineja 2); televizioni (Televizioni i Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive- televizionet në nivel shtetëror) (alineja 3) dhe televizioni (shoqëritë tregtare radiodifuzive-televizionet në nivel rajonal dhe lokal) (alineja 4).
Në përputhje me nenin 34 pikat 1-4 të së njëjtës Rregullore, me këtë Rregullore përcaktohen klasat e mëposhtme të ndarjes: 1. Në kuadër të kategorisë “radio (Radioja e Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive-radiot në nivel shtetëror)” nga neni 32 paragrafi 1 alineja 1 i kësaj Rregulloreje, formohen klasa të veçanta të ndarjes për secilën nga radiot që posedojnë leje për transmetimin në nivel shtetëror, në mënyrë që do të formohen klasat e përcaktuara numerikisht: si klasa 100), 101), 102) e kështu me radhë, me renditje vijuese deri në shterimin e radiodifuzerëve që posedojnë leje për transmetim në nivel shtetëror. 2. Në kuadër të kategorisë “radio (shoqëritë tregtare radiodifuzive në nivel rajonal dhe lokal)” nga neni 32 paragrafi 1 alineja 2 i kësaj Rregulloreje, formohet klasa e ndarjes: 200) radio (shoqëritë tregtare radiodifuzive në nivel rajonal dhe lokal). 3. Në kuadër të kategorisë “televizioni” (Televizioni i Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive-televizionet në nivel shtetëror)” nga neni 32 paragrafi 1 alineja 3 i kësaj Rregulloreje, formohen klasa të veçanta të ndarjes për secilin nga televizionet që posedojnë leje për transmetimin në nivel shtetëror, në mënyrë që të formohen klasa të përcaktuara numerikisht: si klasa 300), 301), 302) e kështu me radhë, me renditje vijuese deri në shterimin e radiodifuzerëve që posedojnë leje për transmetim në nivel shtetëror. 4. Në kuadër të kategorisë “televizioni (shoqëritë tregtare radiodifuzive – shërbimet e programave televizive në nivel lokal dhe rajonal)” nga neni 32 paragrafi 1 alineja 4 të kësaj Rregulloreje, formohet klasa e ndarjes: 400) televizioni (shoqëritë tregtare radiodifuzive – shërbimet programore televizive në nivel lokal dhe rajonal).
Pastaj, në përputhje me nenin 35 pikat 1-4 të kësaj Rregulloreje, mjetet monetare të klasave të ndarjes përbëhen nga llojet e mëposhtme të të ardhurave: 1. Për klasat e ndarjes të formuara në përputhje me nenin 34 paragrafi 1 pika 1 të kësaj Rregulloreje: të ardhurat nga shërbimet e programeve radiofonike mbi këtë bazë; një pjesë e të ardhurave nga transmetimi publik, përkatësisht komunikimi publik përmes altoparlantit, ekranit ose mjetit tjetër teknik në përputhje me nenin 32, nenin 33 paragrafi 3 dhe nenin 37 paragrafi 2 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.275, e datës 30.12.2024); të ardhurat nga rrjetet kabllore radiofonike. 2. Për klasën e ndarjes të formuar në përputhje me nenin 34 paragrafi 1 pika 2 të kësaj Rregulloreje: të ardhurat nga shërbimet e programeve radiofonike mbi këtë bazë; një pjesë e të ardhurave nga transmetimi publik, përkatësisht komunikimi publik përmes altoparlantit, ekranit ose mjetit tjetër teknik në përputhje me nenin 32, nenin 33 paragrafi 3 dhe nenin 37 paragrafi 2 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit dhe të ardhurat nga rrjetet kabllore radiofonike. 3. Për klasat e ndarjes të formuara në përputhje me nenin 34 paragrafi 1 pika 3 të kësaj Rregulloreje: të ardhurat nga shërbimet programore televizive mbi këtë bazë; një pjesë e të ardhurave nga transmetimi publik, përkatësisht komunikimi publik përmes altoparlantit, ekranit ose mjetit tjetër teknik në përputhje me nenet 32, 33 paragrafi 3 dhe 37 paragrafi 2 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit dhe të ardhurat nga rrjetet kabllore televizive. 4. Për klasat e ndarjes të formuara në përputhje me nenin 34 paragrafi 1 pika 4 të kësaj Rregulloreje: të ardhurat nga shërbimet programore televizive mbi këtë bazë; një pjesë e të ardhurave nga transmetimi publik, përkatësisht komunikimi publik përmes altoparlantit, ekranit ose mjetit tjetër teknik në përputhje me nenin 32, nenin 33 paragrafi 3 dhe nenin 37 paragrafi 2 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit dhe të ardhurat nga rrjetet kabllore televizive.
Sipas nenit 46 paragrafi 8 të së njëjtës Rregullore, vepra muzikore e autorit që është transmetuar në programet e të paktën 10 (dhjetë) radiodifuzerëve vlerësohet me koeficientin 2 (dy) për kohëzgjatje prej 1 (një) minute, nëse minutazhi më i gjatë i transmetimit i realizuar te njëri nga radiodifuzerët konfirmohet edhe me transmetimin e së njëjtës vepër muzikore me kohëzgjatje prej të paktën 50% të atij minutazhi transmetimin edhe te radiodifuzerët e tjerë.
III
Në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 6 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sundimi i së drejtës dhe mbrojtja juridike e pronësisë janë vlera themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Neni 9 i Kushtetutës përcakton se qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të barabartë në liritë dhe të drejtat pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja kombëtare dhe sociale, bindja politike dhe fetare, pozita pronësore dhe shoqërore. Qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve.
Neni 30 paragrafi 1 i Kushtetutës e garanton të drejtën e pronësisë dhe të drejtën e trashëgimisë.
Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, pronësia krijon të drejta dhe detyrime dhe duhet të shërbejë për të mirën e individit dhe të bashkësisë.
Në përputhje me paragrafin 3 të këtij neni, askujt nuk mund t’i merret ose t’i kufizohet pronësia dhe të drejtat që rrjedhin prej saj, përveçse kur bëhet fjalë për interes publik të përcaktuar me ligj.
Me nenin 47 paragrafi 2 të Kushtetutës garantohen të drejtat që rrjedhin nga krijimtaria shkencore, artistike ose lloje të tjera të krijimtarisë intelektuale.
Sipas nenit 51 të Kushtetutës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ligjet medoemos duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin. Secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet.
Neni 55 paragrafi 1 i Kushtetutës e garanton lirinë e tregut dhe sipërmarrësisë.
Sipas paragrafit 2 fjalia e parë të të njëjtit nen, Republika u siguron pozitë të barabartë juridike të të gjitha subjekteve në treg, ndërsa sipas fjalisë së dytë të të njëjtit paragraf, Republika ndërmerr masa kundër pozitës monopoliste dhe sjelljes monopoliste në treg.
Në përputhje me nenin 110 alineja 2 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e rregullave të tjera dhe të marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe me ligjet.
Për më tepër, në nenin 1 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.115/2010, 140/2010-korrigjimi, 51/2011, 147/2013, 154/2015 dhe 27/2016, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.87/2025), parashikohet se me këtë Ligj rregullohen të drejta e autorëve mbi veprat e tyre të autorit (në tekstin e mëtejmë: e drejta e autorit), të drejtat e artistëve-interpretues, të prodhuesve të fonogrameve, të prodhuesve të videogrameve (producentëve të filmit), të organizatave radiotelevizive, të botuesve dhe të përgatitësve të bazave të të dhënave mbi objektet e tyre të të drejtave të përafërta (në tekstin e mëtejmë: të drejtat e përafërta), ushtrimi dhe mbrojtja e të drejtës së autorit dhe e të drejtave të përafërta dhe vlefshmëria e Ligjit.
Sipas nenit 1-a paragrafi 2 të të njëjtit Ligj, përdorim publik nënkupton çdo përdorim të veprës së autorit, përkatësisht të objektit të të drejtave të përafërta, që i bëhet i qasshëm publikut, ose përdorim të veprës së autorit përkatësisht të objektit të të drejtave të përafërta në hapësirë në të cilën publiku ka qasje, si dhe mundësimin e qasjes së një anëtari të publikut në veprën e autorit përkatësisht në objektin e të drejtave të përafërta në kohën dhe vendin që ai vetë e zgjedh.
Neni 2 paragrafi 1 i Ligjit parashikon se vepra e autorit dhe objektet e të drejtave të përafërta konsiderohen të botuara nëse janë bërë të qasshme për publikun, në pajtim me bartësit e të drejtave, nëse me këtë Ligj nuk është përcaktuar ndryshe.
Autori, përkatësisht bartësi i së drejtës së përafërt, ka të drejtë për kompensim të drejtë për çdo lloj përdorimi të veprës së autorit, përkatësisht të objektit të së drejtës së përafërt, nëse me këtë Ligj nuk është përcaktuar ndryshe (neni 3 i Ligjit).
Në përputhje me nenin 12 paragrafi 1 të Ligjit, vepër e autorit, sipas kuptimit të këtij Ligji, është krijimi intelektual dhe individual nga fusha e letërsisë, shkencës, artit dhe gazetarisë, i shprehur në çdo mënyrë dhe formë.
Sipas nenit 20 paragrafi 1 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, e drejta e autorit është e drejtë unike dhe është e pandashme nga vepra e autorit, ndërsa në përputhje me paragrafin 2 të të njëjtit nen, e drejta e autorit përmban të drejta morale ekskluzive, të drejta materiale ekskluzive dhe të drejta të tjera, të përcaktuara me këtë Ligj.
Neni 30 pikat 1-7 të Ligjit përcakton çfarë është komunikim publik sipas kuptimit të këtij Ligji: 1) interpretimi publik; 2) transmetimi publik; 3) ekspozimi publik; 4) shfaqja publike; 5) transmetimi radiodifuziv; 6) ritransmetimi dhe 7) vënia në dispozicion të publikut.
Në përputhje me nenin 63 paragrafi 1 të të njëjtit Ligj, autori mund t’u bartë personave të tjerë të drejta të caktuara materiale, në mënyrën dhe me kushtet e përcaktuara me këtë Ligj. Bartja nga paragrafi 1 i këtij neni mund të kryhet me trashëgimi, me marrëveshje me shkrim (ekskluzive dhe joekskluzive) ose në mënyrë tjetër me shkrim (joekskluzive) me leje, deklaratë, pëlqim e të ngjashme (paragrafi 2 i të njëjtit nen).
Neni 66 paragrafi 1 i Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta rregullon se kompensimi i autorit përcaktohet sipas parimit të drejtësisë, llojit të veprës, llojit dhe vëllimit të së drejtës së përdorimit që bartet, kohëzgjatjes dhe rrethanave të tjera të rëndësishme për përdorimin e saj.
Neni 129 (me titull “Menaxhimi individual dhe kolektiv”) paragrafi 1 i këtij ligji parashikon se bartësit e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta mund t’i ushtrojnë të drejtat e përcaktuara me këtë Ligj individualisht (veçmas për secilën vepër të autorit, përkatësisht objekt të së drejtës së përafërt), personalisht, përkatësisht përmes përfaqësuesit, ose kolektivisht (së bashku për më shumë vepra ose objekte të të drejtave të përafërta dhe për më shumë bartës të të drejtave) përmes organizatës për menaxhim kolektiv të të drejtave, në mënyrën dhe me kushtet e përcaktuara me këtë Ligj.
Menaxhimi kolektiv i të drejtave nga paragrafi 1 i këtij neni përfshin punët juridike me ushtruesit e të drejtave, arkëtimin e kompensimeve nga përdorimi, ndarjen e tyre dhe mbrojtjen e të drejtave para organeve shtetërore dhe subjekteve të tjera (paragrafi 2 i të njëjtit nen).
Paragrafi 3 i këtij neni përcakton se kolektivisht menaxhohen e drejta e autorit dhe të drejtat e përafërta vetëm për vepra të botuara të autorit dhe për objekte të botuara të të drejtave të përafërta, ndërsa sipas paragrafit 5 të këtij neni, në rast të menaxhimit kolektiv, të drejtat barten në mënyrë joekskluzive.
Në nenin 131 pikat 1-10 të këtij Ligji është përcaktuar se cilat të drejta, si rregull, menaxhohen kolektivisht: 1) komunikimi publik i veprave muzikore joskenike dhe i veprave letrare joskenike; 2) e drejta e autorit për kompensim nga e drejta e ndjekjes/trashegëmisë; 3) e drejta e autorit për kompensim nga nga shërbimi publik; 4) e drejta e kompensimit të autorit dhe interpretuesit për huazimin e fonogrameve ose videogrameve; 5) e drejta e kompensimit të interpretuesit për transmetimin radiodifuziv dhe komunikimin tjetër publik të interpretimit të tij, i cili në vetvete është radiodifuziv ose është bërë nga regjistrimi; 6) e drejta e kompensimit të interpretuesit dhe prodhuesit të fonogrameve nga kompensimi i vetëm nga komunikimi publik i fonogrameve me interpretime të botuara për qëllime komerciale; 7) e drejta e kompensimit të autorit dhe botuesit nga shumëfishimi në letër ose në bartës të ngjashëm të regjistrimit, me anë të fotokopjimit ose çfarëdo teknike të ngjashme me efekte të ngjashme, për përdorim privat; 8) e drejta e kompensimit të autorit, interpretuesit dhe prodhuesit të fonogramit nga shumëfishimi i fonogramit për përdorim privat; 9) e drejta e kompensimit të autorit, interpretuesit dhe prodhuesit të videogramit (producentit të filmit) nga shumëfishimi i videogramit për përdorim privat dhe 10) e drejta e ritransmetimit kabllor të veprave të autorit dhe objekteve të të drejtave të përafërta, e cila, si e drejtë ekskluzive, menaxhohet detyrimisht kolektivisht, përveç të drejtës së transmetimit nga organizata radiotelevizive, pavarësisht nëse bëhet fjalë për të drejtën e saj ose të drejtën i është bartur nga bartësi tjetër i të drejtave.
Në përputhje me nenin 132 paragrafi 1 të këtij Ligji, menaxhimin kolektiv të të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta mund ta kryejë person juridik i themeluar nga bartësit e të drejtave (persona fizikë dhe/ose juridikë) për menaxhim kolektiv të të drejtave, i cili punon në emër të vet, për llogari të bartësve të të drejtave dhe në bazë të lejes ga Ministria e Kulturës (në tekstin e mëtejmë: organizata).
Sipas paragrafit 2 të këtij neni, organizata punon me qëllim jofitimprurës mbi parimet e racionalitetit dhe transparencës dhe respektimit të rregullave të konkurrencës.
Detyrimet e saj janë përcaktuar në nenin 133 pikat 1-12 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta: 1) i mbron interesat e bartësve të të drejtave që i menaxhon përmes ndjekjes së përdorimit të tyre në Republikën e Maqedonisë dhe jashtë vendit; 2) kryen punët dhe rregullon marrëdhëniet juridike të bartësve të të drejtave me përdoruesit dhe zhvillon procedura para gjykatave dhe organeve të tjera për mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta e të ngjashme; 3) miraton dhe publikon akte të përgjithshme për arkëtimin dhe ndarjen e kompensimeve nga përdorimi, në përputhje me ligjin; 4) lidh marrëveshje me organizata përkatëse jashtë vendit; 5) bart joekskluzivisht të drejtën e përdorimit të veprave të autorit dhe të objekteve të të drejtave të përafërta me marrëveshje ose në mënyrë tjetër me shkrim; 6) i arkëton kompensimet e përcaktuara nga përdoruesit dhe i ndan te bartësit e të drejtave në përputhje me ligjin dhe aktet e përgjithshme; 7) kërkon nga përdoruesit informacionet dhe dokumentet e nevojshme për përcaktimin e vlerës së kompensimit për përdorimin dhe ushtrimin e të drejtave; 8) kryen kontroll të përdorimit të veprave të autorit, përkatësisht të objekteve të të drejtave të përafërta; 9) siguron kontroll të brendshëm, llogaridhënie dhe përgjegjësi të organeve dhe personave për punët në kompetencën e tyre në përputhje me ligjin dhe aktet e përgjithshme; 10) siguron dhe mundëson publicitetin e punës (siguron qasje të bartësve të të drejtave në informacionet për përdorimin dhe ushtrimin e të drejtave, për mjetet e arkëtuara dhe për ndarjen); 11) siguron dhe mundëson shqyrtim të punës dhe të dhënave nga bartësit e të drejtave, në mënyrën, vëllimin dhe me kushtet e përcaktuara me ligj dhe me aktet e përgjithshme të organizatës; dhe 12) siguron dhe mirëmban kushtet hapësinore, kadrovike dhe të tjera të përcaktuara me këtë ligj për kryerjen e suksesshme të punës.
Sipas nenit 135-a paragrafi 1 të Ligjit, për shkak të evidentimit elektronik, përpunimit të të dhënave, ndjekjes dhe kontrollit mbi veprat e autorit të transmetuara, përkatësisht objektet e të drejtave të përafërta, organizatat për menaxhim kolektiv janë të detyruara të sigurojnë dhe të instalojnë te organizatat radiotelevizive sistem për evidentim elektronik të veprave të autorit të transmetuara, përkatësisht të objekteve të të drejtave të përafërta (në tekstin e mëtejmë: sistemi i evidencës elektronike).
Sistemi i evidencës elektronike siguron veçanërisht: identifikimin e veprave të autorit të transmetuara, përkatësisht të objekteve të të drejtave të përafërta në kohën kur ato transmetohen në programin e organizatës radiotelevizive, me tolerance kohore të lejuar në përputhje me aktin nga neni 135-d paragrafi (2) i këtij ligji; regjistrimet nga veprat e autorit të transmetuara, përkatësisht objektet e të drejtave të përafërta; raportet ditore, mujore dhe vjetore dhe raportet e tjera periodike për veprat e autorit të transmetuara, përkatësisht objektet e të drejtave të përafërta sipas parametrave të caktuar (numri i transmetimeve të veprës së autorit, përkatësisht të objektit të së drejtës së përafërt, periudha kohore e transmetimit, kohëzgjatja e transmetimit, identifikimi i organizatave radiotelevizive në të cilat është transmetuar vepra, raporti ditor për organizatat radiotelevizive që kanë evidentuar të dhëna për vepra të autorit të transmetuara, përkatësisht objekte të të drejtave të përafërta në sistemin e evidencës elektronike); njoftimin me mjete elektronike te personi në organizatën për menaxhim kolektiv dhe te personi në organizatën radiotelevizive për ndërprerjen e punës së sistemit të evidencës elektronike; dhe ruajtjen e të dhënave nga sistemi i evidencës elektronike për pesë vjet nga dita e evidentimit të tyre (paragrafi 6 alinetë 1-6 të të njëjtit nen).
Në nenin 137 (me titull: “Bazat për përcaktimin e kompensimeve, përdoruesit dhe përdoruesit përfundimtarë”) të Ligjit përfshihen përkufizime për termat “përdorues” (të veprës së autorit) dhe “përdorues përfundimtarë” (të shërbimeve të përdoruesve të veprave të autorit).
Sipas paragrafit 2 të këtij neni, përdorues, sipas kuptimit të këtij neni, është person fizik ose juridik që përdor vepër të autorit dhe/ose objekt të të drejtave të përafërta për kryerjen e veprimtarisë ose profesionit. Nëse disa përdorues përdorin së bashku vepër të autorit, përkatësisht objekt të të drejtave të përafërta, detyrimet ndaj organizatës i përmbushin në mënyrë solidarë, nëse me marrëveshje paraprake të ndërsjellë nuk kanë rënë dakord ndryshe.
Në përputhje me paragrafin 3 të të njëjtit nen, përdoruesi përfundimtar i shërbimeve të përdoruesve nga paragrafi 1 i këtij neni, sipas kuptimit të këtij ligji, është personi fizik ose juridik i cili si konsumator për konsum të drejtpërdrejtë personal, për qëllime që nuk synojnë ushtrimin e profesionit të tij ose të veprimtarive të tjera afariste, përdor shërbime në të cilat përmbahen vepra të autorit, përkatësisht objekte të të drejtave të përafërta.
Sipas nenit 138 pikat 1-8 të Ligjit, gjatë përcaktimit të vlerës së kompensimeve merren parasysh: 1) të drejtat, llojet dhe vëllimi i përdorimit të tyre; 2) numri i përdoruesve potencialë; 3) kategoria dhe madhësia e hapësirës; 4) kohëzgjatja dhe numri i përdorimeve; 5) dallimi i çmimeve në punën e përdoruesit për shkak të përdorimit të veprave, përkatësisht të objekteve të të drejtave të përafërta; 6) struktura dhe natyra e programit (formati i shërbimit radiodifuziv), në përputhje me lejen e lëshuar për kryerjen e veprimtarisë radiodifuzive (te transmetimi radiodifuziv); 7) interesat fetare, kulturore, shoqërore dhe sociale të përdoruesve dhe 8) interesat e të rinjve dhe të personave me nevoja të veçanta.
Në përputhje me nenin 139 paragrafi 1 pikat 1-3 të të njëjtit ligj, vlera e kompensimeve për përdorim, nëse me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe, përcaktohet me: 1) marrëveshje të përgjithshme ndërmjet organizatës dhe shoqatave të kategorive të caktuara të përdoruesve, përkatësisht odave të tyre që përfaqësojnë shumicën e përdoruesve (marrëveshje e përgjithshme); 2) marrëveshje individuale ndërmjet organizatës dhe përdoruesit individual (marrëveshje individuale) dhe 3) akt të përgjithshëm të organizatës për përcaktimin e vlerës së kompensimeve për përdorim (në tekstin e mëtejmë: tarifa).
Në nenin 144 paragrafi 1 të këtij ligji është parashikuar se organizata miraton akt të përgjithshëm për ndarjen e kompensimeve në përputhje me ligjin dhe statutin, përkatësisht me marrëveshjen e themelimit.
Sipas paragrafit 2 të këtij neni, ndarja e kompensimeve nga paragrafi 1 i këtij neni kryhet në përputhje me evidencat dhe të dhënat për përdorimin e veprave, përkatësisht të objekteve të të drejtave të përafërta, ndërsa në mënyrë paushalle kur kjo nuk është e mundur ose shkakton shpenzime të paarsyeshme, sipas parimit të drejtësisë.
Kompensimet nga transmetimi radiodifuziv i veprave të autorit dhe/ose objekteve të të drejtave të përafërta ndahen ndërmjet autorëve, përkatësisht bartësve të të drejtave të përafërta, në bazë të të dhënave për pagesë, të marra nga sistemi i evidencës elektronike të veprave të autorit të transmetuara, përkatësisht të objekteve të të drejtave të përafërta nga neni 135-a i këtij ligji (paragrafi 3 i të njëjtit nen).
Në përputhje me paragrafin 5 të këtij neni, mjetet që organizata i arkëton nga përdoruesit dhe që llogariten në vlera paushalle dhe mjetet që organizata i arkëton nga ritransmetimi kabllor i veprave të autorit dhe i objekteve të të drejtave të përafërta, ndahen ndërmjet autorëve, përkatësisht bartësve të të drejtave të përafërta, në përpjesëtim me pagesën e kompensimit që ata e kanë realizuar në përputhje me të dhënat për veprat e përdorura nga sistemi i evidencës elektronike, përkatësisht në përputhje me të dhënat nga neni 135 paragrafët 6 dhe 7 të këtij ligji.
Sipas nenit 1 të Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.184/2013, 13/2014, 44/2014, 101/2014, 132/2014, 142/2016, 132/2017, 168/2018, 248/2018 dhe 27/2019, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.42/2020, 77/2021, 154/2023, 55/2024, 193/2024 dhe 247/2025), me këtë Ligj rregullohen të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë në fushën e shërbimeve mediatike audio dhe audiovizuale, duke përfshirë radiodifuzerët dhe ofruesit e shërbimeve mediatike audiovizuale sipas kërkesës; ofruesit e shërbimeve të platformave për shpërndarjen e videove dhe operatorët e rrjeteve publike të komunikimeve elektronike që transmetojnë ose ritransmetojnë shërbimet programore radiodifuzerëve.
Në nenin 3 të të njëjtit Ligj janë përfshirë përkufizimet e kuptimit që kanë shprehjet e caktuara, sipas kuptimit të këtij Ligji.
“Transmetimi radiofonik” është shërbim linear i mediatik audio që e ofron radiodifuzeri me qëllim që të mundësojë dëgjimin e njëkohshëm të programeve audio, në bazë të renditjes kronologjike të përcaktuar paraprakisht të programeve (skemës programore) (pika 16 e nenit 3).
“Radiodifuzeri” është ofrues i shërbimeve mediatike audio ose audiovizuale për transmetim radiofonik ose televiziv (pika 17 e nenit 3).
“Transmetimi televiziv” është shërbim linear mediatik audiovizual që e ofron radiodifuzeri me qëllim që të mundësojë shikimin e njëkohshëm të programeve audiovizuale në bazë të renditjes kronologjike të përcaktuar paraprakisht të programeve (skemës programore). Transmetimi televiziv përfshin veçanërisht transmetimin televiziv digjital, transmetimin e drejtpërdrejtë (live streaming), transmetimin përmes uebit (webcasting) ose ofrimin e shërbimit mediatik të përafërt me videon sipas kërkesës (pika 21 e nenit 3).
Neni 62 i këtij Ligji i përcakton kushtet për ofrimin e transmetimit televiziv ose radiofonik.
Sipas paragrafit 1 të këtij neni, veprimtarinë e ofrimit të transmetimit televiziv ose radiofonik e kryen radiodifuzeri që është i regjistruar në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë, ka seli dhe redaksi në Republikën e Maqedonisë dhe ka leje për transmetimin televiziv ose radiofonik.
Radiodifuzeri mund të fillojë ofrimin e transmetimit televiziv ose radiofonik pas marrjes së lejes për transmetim televiziv ose radiofonik (paragrafi 2).
Leja nga paragrafi 2 i këtij neni mund të lëshohet për zonën e tërë territorit të Republikës së Maqedonisë, përkatësisht për nivel shtetëror, për zonën e një rajoni të caktuar, përkatësisht për nivel rajonal, ose për zonën e një vendbanimi të caktuar me rrethinën më të afërt, përkatësisht për nivel lokal, në përputhje me aktin nënligjor të miratuar nga Agjencia. Poseduesi i lejes fiton të drejtën ta transmetojë shërbimin programor radiofonik ose televiziv në zonën, përkatësisht nivelin për të cilin e ka marrë lejen (paragrafi 3).
Për ofrimin e transmetimit televiziv ose radiofonik, përveç kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara me këtë Ligj, radiodifuzeri duhet të plotësojë kushte të veçanta minimale teknike, hapësinore, financiare dhe kadrovike në varësi të formatit programor, të përcaktuara me aktin nënligjor të miratuar nga Agjencia (paragrafi 6 i të njëjtit nen).
Në nenin 65 të të njëjtit Ligj parashikohen llojet e radiodifuzerëve.
Radiodifuzer mund të jetë një shoqëri radiodifuzive tregtare, një shoqëri radiodifuzive publike ose një institucion radiodifuziv jofitimprurës (paragrafi 1 i këtij neni).
Shoqëri tregtare radiodifuzive mund ta themelojnë persona juridikë dhe fizikë me kushtet e përcaktuara me këtë dhe me ndonjë ligj tjetër (paragrafi 2).
Ndërmarrja publike radiodifuzive themelohet për tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe ushtron funksionin e shërbimit publik radiodifuziv (paragrafi 3 i të njëjtit nen).
Në përputhje me nenin 104 paragrafi 1 të këtij Ligji, funksionet e shërbimit publik radiodifuziv në Republikën e Maqedonisë i ushtron Radiotelevizioni i Maqedonisë (në tekstin e mëtejmë: RTM).
RTM-ja kryen veprimtari me interes publik në fushën e radiodifuzionit në Republikën e Maqedonisë, e cila përfshin prodhimin dhe ofrimin e programeve radiofonike dhe televizive dhe të shërbimeve programore në përputhje me nenin 107 të këtij Ligji, përmes përmbushjes së detyrimeve, standardeve dhe parimeve programore në përputhje me nenet 91, 92, 110 dhe 111 të këtij Ligji (paragrafi 4).
Në bazë të nenit 132 paragrafi 2 dhe nenit 144 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta dhe neneve 13, 24 dhe 48 të Statutit të Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave Muzikore të Autorit (SHDMA), Kuvendi i kësaj shoqate, në seancën e mbajtur më 23.09.2014, e ka miratuar Rregulloren për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit, e cila është publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë”, nr.141/2014 të datës 24 shtator 2014.
Kjo Rregullore është ndryshuar dhe plotësuar disa herë, edhe atë: Rregullore për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.36/2016); Rregullore për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.281/2022), e cila është anuluar me Vendimin U.nr.25/2023 të datës 27.09.2023 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut; Rregullore për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.147/2023); Rregullore për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.263/2023); Rregullore për Plotësimin e Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit, e publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.147/2023 (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.286/2023); Rregullore për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.135/2024); Rregullore për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Plotësimin e Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.286/2023) dhe Rregullore për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.135/2024) (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.218/2024); Rregullore për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.275/2024) dhe Rregullore për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.215/2025).
Në përputhje me nenin 1 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit, kjo Rregullore i përcakton parimet themelore për ndarjen e kompensimeve të autorit te bartësit e të drejtave muzikore të autorit (në tekstin e mëtejmë: bartësit e të drejtave) që SHDMA-ja i menaxhon kolektivisht në përputhje me ligjin dhe statutin, përkatësisht me marrëveshjen e themelimit, si dhe në bazë të Aktvendimit për dhënien e lejes në përputhje me Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta të Republikës së Maqedonisë së Veriut (në tekstin e mëtejmë: LDADP).
Sipas nenit 2 paragrafi 1 pikat 1-4 të Rregullores, SHDMA-ja është organizatë për menaxhim kolektiv të të drejtave muzikore të autorit të bartësve të të drejtave, e cila në përputhje me Aktvendimin për dhënien e lejes të Ministrisë së Kulturës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë nr.54-54-5454/1 të datës 03.04.2011, të publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë”, nr.65/2011 të datës 10.05.2011, i menaxhon të drejtat e mëposhtme: 1. Shumëfishimin dhe huazimin e veprave muzikore joskenike në fonograme dhe videograme; 2. Komunikimi publik i veprave muzikore joskenike (interpretimi publik; transmetimi publik; transmetimi radiodifuziv; ritransmetimi dhe vënia në dispozicion të publikut); 3. Ritransmetimi kabllor i veprave muzikore joskenike; 4. Kompensimi nga e drejta e ndjekjes së originalit (dorëshkrimit) të veprave muzikore.
SHDMA-ја, në rastet e kompensimeve të vetme në përputhje me LDADP-në dhe të parashikuara në Statut, menaxhimin kolektiv të të drejtave mund ta kryejë me autorizim të organizatave të tjera të bartësve të të drejtave përmes lidhjes së marrëveshjes së veçantë, ose me marrëveshje mund të autorizojë organizatë tjetër përkatëse që ta kryejë menaxhimin kolektiv të këtyre të drejtave (paragrafi 2 i këtij neni).
Në përputhje me paragrafin 3 të të njëjtit nen, SHDMA-ja mund të kryejë punë administrativo-teknike për të drejta që janë jashtë të drejtave për të cilat ka leje, ndërsa janë në kompetencë të shoqatave të tjera sipas marrëveshjes.
Sipas nenit 3 të kësaj Rregulloreje, të drejtat nga neni 2 i kësaj rregulloreje SHDMA i menaxhon në bazë të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Statutit të SHDMA-së, kësaj Rregulloreje dhe akteve e vendimeve të tjera të miratuara në bazë të Statutit. Në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore, SHDMA-ja siguron menaxhimin kolektiv të të drejtave morale dhe materiale të bartësve të të drejtave.
Në nenin 4 paragrafi 1 të Rregullores parashikohet që SHDMA-ja menaxhon kolektivisht të drejtat muzikore të autorit të bartësve, të cilët përmes paraqitjes së veprave të tyre ose në bazë të marrëveshjes i japin autorizim SHDMA-së për menaxhimin e këtyre të drejtave.
Në përputhje me nenin 5 paragrafi 1 të Rregullores, të drejtat e autorit të bartësve të të drejtave, SHDMA-ja i menaxhon me kushte të barabarta.
Dispozitat e kësaj Rregulloreje janë të detyrueshme për të gjithë bartësit e të drejtave, të drejtat e të cilëve SHDMA-ja i menaxhon në përputhje me LDADP-në, Statutin, si dhe në bazë të marrëveshjes me autorin (paragrafi 2 i të njëjtit nen).
Në përputhje me nenin 10 të Rregullores, SHDMA-ja menaxhon kolektivisht vetëm veprat muzikore joskenike të publikuara.
Në menaxhimin kolektiv të të drejtave muzikore të autorit, SHDMA-ja i kryen punët e mëposhtme: bart joekskluzivisht të drejtën e përdorimit të veprave të autorit me marrëveshje ose në mënyrë tjetër me shkrim; i arkëton kompensimet e përcaktuara nga përdoruesit dhe i ndan te bartësit e të drejtave në përputhje me ligjin dhe aktet e përgjithshme; kryen llogaritjen, ndarjen dhe pagesën e kompensimeve të autorit, të marra nga organizatat e huaja për përdorimin e veprave të autorëve vendas jashtë vendit; lidh marrëveshje për shumëfishimin e veprave muzikore joskenike në fonograme dhe videograme, si dhe për lloje të tjera të përdorimit të veprave muzikore joskenike dhe e kontrollon përmbushjen e këtyre marrëveshjeve; mbledh nga përdoruesit e veprave muzikore programe dhe të dhëna për veprat e interpretuara dhe të regjistruara dhe mban evidencë për këtë; kryen kontroll të përdorimit të veprave të autorit; kryen punët dhe rregullon marrëdhëniet juridike të bartësve të të drejtave me përdoruesit dhe zhvillon procedura para gjykatave dhe organeve të tjera për mbrojtjen e të drejtave të autorit e të ngjashme dhe ndërmerr edhe masa të tjera të parashikuara me Ligjin dhe me rregullat e tjera për mbrojtjen dhe realizimin e menaxhimit kolektiv të të drejtave muzikore të autorit (neni 11 pikat 1-8 të Rregullores).
Repertorin e SHDMA-së e përbëjnë veprat muzikore joskenike të pblikuara si: a) oratoriumet, kantatat, veprat e muzikës simfonike, të dhomës, solistike, korale, argëtuese, për fëmijë, popullore, xhaz etj.; b) fragmentet nga veprat muzikore skenike (operat, baletet, operetat etj.) pavarësisht nga kohëzgjatja e tyre, me kusht që këto fragmente të mos përbëjnë tërësi dramatike; v) muzika nga veprat muzikore-koreografike (interpretimet koncertale dhe radiofonike) pavarësisht nga kohëzgjatja; g) veprat muzikore të përdorura në vepra dramatike, qofshin si shoqërim muzikor ose si ilustrim muzikor, ose të përfshira në vetë tekstin dramatik; d) muzika e përdorur në seriale televizive, filma televizivë dhe filma kinematografikë që transmetohen përmes televizionit; gj) veprat muzikore joskenike që shfaqen në mënyrë dramatike-skenike ose koreografike në skenë ose në televizion; e) muzika për emisione ose evente muzikore-letrare (tregime muzikore, recitale, emisione humoristike dhe të ngjashme, evente etj.); zh) vepra muzikore të përdorura për tituj, regjistrime zanore, interlude me ilustrim zanor; z) përpunim i krijimeve popullore (neni 13 pikat nga a deri në z të Rregullores).
Në nenin 30 paragrafi 1 të Rregullores është përcaktuar se vepra muzikore (origjinale ose përpunimi) kategorizohet dhe përcaktohet sipas kohëzgjatjes efektive të veprës.
Sipas nenit 32 alinetë 1-11 të së njëjtës Rregullore, arkëtimi i kompensimeve të autorit për komunikimin publik të veprave muzikore joskenike në një vit kalendarik ndryshon sipas llojit të përdorimit dhe i referohet kategorive të mëposhtme: radio (Radioja e Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive-radiot në nivel shtetëror); radio (shoqëritë tregtare radiodifuzive në nivel rajonal dhe lokal); televizioni (Televizioni i Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive- televizionet në nivel shtetëror); televizioni (shoqëritë tregtare radiodifuzive-televizionet në nivel rajonal dhe lokal); eventet (të ardhura nga mbrëmjet argëtuese, vallet, mbrëmjet shoqërore, mbrëmjet e maturave, diplomimit, revitë e modës, garat artistike dhe sportive); objektet e hotelierisë; koncertet e muzikës së popullarizuar; koncertet e muzikës serioze; koncertet e muzikës xhaz; transmetimi publik (të ardhura në bazë të komunikimit publik përmes altoparlantit, ekranit ose çfarëdo mjeti tjetër teknik në objektet e hotelierisë, diskoklubet, baret e natës, hotelet, ambientet tregtare dhe bizneset, dyqanet e zejtarisë, mjetet e transportit, objektet sportive etj.) dhe ritransmetimi kabllor.
Në përputhje me nenin 33 paragrafi 1 të kësaj Rregulloreje, kompensimet e autorit për komunikimin publik të veprave muzikore në një vit kalendarik ndryshojnë sipas llojit të përdorimit dhe janë bazë për formimin e klasave të ndarjes. Kompensimet e autorit nga secila klasë e ndarjes së mjeteve të arkëtuara, kalojnë në fondin përkatës të ndarjes. Sipas paragrafit 2 të së njëjtës Rregullore, çdo fond i ndarjes përbëhet nga kompensimi i arkëtuar për komunikimin publik të veprave muzikore nga klasa përkatëse e ndarjes.
Me nenin 34 pikat 1-9 të Rregullores janë përcaktuar disa klasa të ndarjes.
Në nenin 39 të Rregullores është parashikuar se llogaritjet individuale dhe pagesat e kompensimeve të autorëve kryhen të paktën një herë në vit, më së voni deri në fund të marsit të vitit aktual për vitin e kaluar.
Në përputhje me nenin 41 paragrafi 1 të të njëjtit akt, ndarja e kompensimeve kryhet në përputhje me evidencat dhe të dhënat për përdorimin e veprave, e në mënyrë paushalle kur kjo nuk është e mundur ose shkakton shpenzime të paarsyeshme, sipas parimit të drejtësisë.
Sipas nenit 46 paragrafi 1 të Rregullores, llogaritja e kompensimit të autorit përcaktohet në bazë të kohëzgjatjes efektive të interpretimit, transmetimit ose çfarëdo përdorimi të veprës muzikore.
Kohëzgjatja e veprës muzikore të autorit prej 1 (një) minute vlerësohet me 1 (një) koeficient sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen.
Llogaritja e kompensimit të autorit duke pasur parasysh periudhën e përdorimit të veprës muzikore të autorit që transmetohet:
– 10 vjet pas krijimit vlerësohet me koeficientin prej 1,30;
– 20 vjet pas krijimit vlerësohet me koeficient prej 1,60;
– 30 vjet pas krijimit vlerësohet me koeficient prej 1,90.
Si moment i krijimit të veprës merret data e paraqitjes së veprës në SHDMA, përkatësisht përdorimi i parë i evidentuar në SHDMA, nëse i paraprin paraqitjes së veprës (paragrafi 3).
Çdo minutë e kohëzgjatjes efektive të veprës shumëzohet me koeficientin përkatës (paragrafi 4).
Pjesët me kohëzgjatje mbi 30 sekonda llogariten si minutë e plotë (paragrafi 5).
Dhe në fund, në përputhje me nenin 1 të Rregullores për Tarifat për Përdorimin e Veprave Muzikore të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.153/2017 dhe 154/2017-korrigjimi), me këtë Rregullore përcaktohen kushtet me të cilat personi juridik ose fizik (në tekstin e mëtejmë: përdorues) mund t’i komunikojë publikisht, përkatësisht t’i publikojë veprat muzikore, të cilat SHDMA-ja i menaxhon kolektivisht në territorin e Republikës së Maqedonisë, në përputhje me Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta (në tekstin e mëtejmë: LDADP), Statutin e SHDMA-së dhe Aktvendimin për dhënien e lejes për menaxhimin kolektiv nga Ministria e Kulturës e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë (neni 1).
Gjatë përcaktimit të vlerës së kompensimeve merren parasysh: 1) të drejtat, llojet dhe vëllimi i përdorimit të tyre; 2) numri i përdoruesve potencialë; 3) kategoria dhe madhësia e hapësirës; 4) kohëzgjatja dhe numri i përdorimeve; 5) dallimi i çmimeve në punën e përdoruesit, për shkak të përdorimit të veprave; 6) struktura dhe natyra e programit (formati i shërbimit radiodifuziv), në përputhje me lejen e lëshuar për kryerjen e veprimtarisë radiodifuzive (te transmetimi radiodifuziv); 7) interesat fetare, kulturore, shoqërore dhe sociale të përdoruesve dhe 8) interesat e të rinjve dhe të personave me nevoja të veçanta (neni 10 pikat 1 – 8).
Në Rregullore përfshihen numra tariforë të veçantë për transmetimin e veprave muzikore joskenike kur përdorimi i veprës së autorit bëhet nga NP Radiotelevizioni i Maqedonisë (numri tarifor 20); emetimin dhe transmetimin e shërbimit programor radiofonik (shoqëri tregtare radiodifuzive) me tabela të veçanta për përcaktimin e pagesës mujore të kompensimit të autorit, nëse me marrëveshje nuk është përcaktuar ndryshe, për shërbimet programore radiofonike në nivel lokal, rajonal dhe shtetëror (numri tarifor 21); dhe emetimin dhe transmetimin e shërbimit programor televiziv (shoqëri tregtare radiodifuzive) me tabela të veçanta për përcaktimin e pagesës mujore të kompensimit të autorit, nëse me marrëveshje nuk është përcaktuar ndryshe, edhe atë për shërbimet programore televizive në nivel lokal, rajonal dhe shtetëror (numri tarifor 22).
IV
Garancia kushtetuese nga neni 47 paragrafi 2 të Kushtetutës për të drejtat që rrjedhin nga krijimtaria shkencore, artistike ose lloje të tjera të krijimtarisë intelektuale, nënkupton se Republika ka detyrim pozitiv, ndër të tjera, të krijojë kornizë juridike që do të mundësojë ushtrimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave, të cilat janë shprehje dhe vërtetim i lirisë personale me rëndësi kyçe për zhvillimin shpirtëror dhe kulturor të individit dhe shoqërisë dhe manifestim i lirisë së mendimit dhe i shprehjes publike të tij.
Një kornizë e tillë juridike, në nivel ligjor, duhet të jetë në përputhje me vlerat dhe normat kushtetuese, ndërsa në nivel nënligjor edhe me dispozitat ligjore që u referohen këtyre të drejtave.
Në raport me dispozitat kushtetuese, veçanërisht duhet të merren parasysh edhe neni 8 alineja 6 dhe neni 30 i Kushtetutës, të cilat i referohen pronësinë, duke pasur parasysh se të drejtat subjektive që rrjedhin nga krijimtaria shkencore, artistike ose lloje të tjera të krijimtarisë, përfshirë edhe të drejtat e autorit, emërtohen pronë intelektuale, përmbajtja e së cilës është e ngjashme me autorizimet që rrjedhin nga e drejta e pronësisë mbi sendet me natyrë materiale.
Rregullorja për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit, në të cilën përmbahen dispozitat e kontestuara, i shpjegon në detaje dispozitat ligjore që lidhen me ushtrimin e të drejtave materiale të autorëve të veprave muzikore në pjesën e llogaritjes dhe ndarjes së kompensimeve të autorit si të drejta materiale që i menaxhon kolektivisht SHDMA-ja.
I njëjti është akt nënligjor, i miratuar nga Kuvendi i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave Muzikore të Autorit (SHDMA) në bazë të nenit 133 pika 3 dhe nenit 144 paragrafi 1 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.
Sipas dispozitës së parë, organizata për menaxhim kolektiv të të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta ka detyrim të miratojë dhe të publikojë akte të përgjithshme për arkëtimin dhe ndarjen e kompensimeve nga përdorimi, ndërsa miratimi dhe publikimi i këtyre akteve duhet të jetë në përputhje me ligjin.
E dyta, nga ana tjetër, përmban autorizim për këtë organizatë që të miratojë akt të përgjithshëm për ndarjen e kompensimeve në përputhje me ligjin dhe statutin e saj, përkatësisht me marrëveshjen për themelimin e saj.
Ndër të tjera, në nenin 32 të Rregullores janë parashikuar kategori të ndryshme sipas llojit të përdorimit për komunikimin publik të veprave muzikore joskenike, për arkëtimin e kompensimeve të autorit në një vit kalendarik.
Në këtë rast, përdorimi i veprave muzikore të autorit nga përdoruesit – radiot ndahet në dy lloje (kategori): 1. përdorimi nga Radioja e Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive- radiot në nivel shtetëror dhe 2. përdorimi nga shoqëritë tregtare radiodifuzive në nivel rajonal dhe lokal.
Përdorimi i veprave nga përdoruesit – televizionet, gjithashtu, ndahet në dy lloje (kategori): 1. Televizioni i Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive–televizionet në nivel shtetëror dhe 2. Shoqëritë tregtare radiodifuzive (televizionet) në nivel rajonal dhe lokal.
Nga ana tjetër, llojet e ndryshme të përdorimit të veprave janë bazë për dallimin e kompensimeve të autorit për komunikimin e tyre publik në një vit kalendarik, në bazë të të cilave formohen klasat e ndarjes, në fondet përkatëse të të cilave kalojnë mjetet e arkëtuara nga këto kompensime (neni 33 paragrafët 1 dhe 2 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit).
Konkretisht, me rëndësi për analizën, në përputhje me pikat 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 34 të Rregullores, ndër të tjera, klasat e ndarjes formohen brenda dy kategorive të radios dhe të televizionit.
Brenda kategorisë “radio (Radioja e Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive-radiot në nivel shtetëror)” nga neni 32 paragrafi 1 alineja 1 i kësaj Rregulloreje, formohen klasa të veçanta të ndarjes për secilën nga radiot që posedojnë leje për transmetim në nivel shtetëror, në mënyrë që formohen klasa të përcaktuara numerikisht si klasa 100), 101), 102) e kështu me radhë, me renditje vijuese deri në shterimin e radiodifuzerëve që e posedojnë lejen për transmetim në nivel shtetëror (pika 1 e nenit 34).
Pastaj, sipas pikës 2 të këtij neni, brenda kategorisë “radio (shoqëritë tregtare radiodifuzive në nivel rajonal dhe lokal)” nga neni 32 paragrafi 1 alineja 2 i kësaj Rregulloreje formohet klasa e ndarjes: – 200) radio (shoqëritë tregtare radiodifuzive në nivel rajonal dhe lokal) (pika 2).
Më tej, brenda kategorisë “televizioni (Televizioni i Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive-televizionet në nivel shtetëror)” nga neni 32 paragrafi 1 alineja 3 i kësaj Rregulloreje, formohen klasa të veçanta të ndarjes për secilin nga televizionet që posedojnë leje për transmetim në nivel shtetëror, në mënyrë që formohen klasa të përcaktuara numerikisht si klasa 300), 301), 302) e kështu me radhë, me renditje vijuese deri në shterimin e radiodifuzerëve që e posedojnë lejen për transmetimin në nivel shtetëror (pika 3).
Dhe në fund, sipas pikës 4 të këtij neni, brenda kategorisë “televizioni (shoqëritë tregtare radiodifuzive – shërbimet programore televizive në nivel lokal dhe rajonal)” nga neni 32 paragrafi 1 alineja 4 i kësaj Rregulloreje, formohet klasa e ndarjes: 400) televizioni (shoqëritë tregtare radiodifuzive – shërbimet programore televizive në nivel lokal dhe rajonal).
Më tej, në nenin 35 të së njëjtës Rregullore janë përcaktuar të ardhurat e fondeve monetare të secilës nga klasat e ndarjes.
Për klasat e ndarjes të formuara brenda kategorisë radio (Radioja e Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive-radiot në nivel shtetëror), këto janë: të ardhurat nga shërbimet programore radiofonike mbi këtë bazë; një pjesë e të ardhurave nga transmetimi publik, përkatësisht komunikimi publik përmes altoparlantit, ekranit ose mjetit tjetër teknik në përputhje me nenin 32, nenin 33 paragrafi 3 dhe nenin 37 paragrafi 2 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.275 e datës 30.12.2024); dhe të ardhurat nga rrjetet kabllore radiofonike (pika e kontestuar 1 e nenit 35).
Pastaj, për klasat e ndarjes të formuara brenda kategorisë – radio (shoqëritë tregtare radiodifuzive në nivel rajonal dhe lokal), këto janë: të ardhurat nga shërbimet programore radiofonike mbi këtë bazë; një pjesë e të ardhurave nga transmetimi publik, përkatësisht komunikimi publik përmes altoparlantit, ekranit ose mjetit tjetër teknik në përputhje me nenet 32, 33 paragrafi 3 dhe 37 paragrafi 2 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit; dhe të ardhurat nga rrjetet kabllore radiofonike (pika e kontestuar 2 e nenit 35).
Më tej, për klasat e ndarjes të formuara brenda kategorisë – televizioni (Televizioni i Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive-televizionet në nivel shtetëror), këto janë: të ardhurat nga shërbimet programore televizive mbi këtë bazë; një pjesë e të ardhurave nga transmetimi publik, përkatësisht komunikimi publik përmes altoparlantit, ekranit ose mjetit tjetër teknik në përputhje me nenin 32, nenin 33 paragrafi 3 dhe nenin 37 paragrafi 2 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit; dhe të ardhurat nga rrjetet kabllore televizive (pika e kontestuar 3 e nenit 35).
Dhe në fund, për klasat e ndarjes të formuara brenda kategorisë – televizioni (shoqëritë tregtare radiodifuzive – shërbimet programore televizive në nivel lokal dhe rajonal), këto janë: të ardhurat nga shërbimet programore televizive mbi këtë bazë; një pjesë e të ardhurave nga transmetimi publik, përkatësisht komunikimi publik përmes altoparlantit, ekranit ose mjetit tjetër teknik në përputhje me nenin 32, nenin 33 paragrafi 3 dhe nenin 37 paragrafi 2 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit; dhe të ardhurat nga rrjetet kabllore televizive (pika e kontestuar 4 e nenit 35).
Në lidhje me nenin 34 pikat 1, 2, 3 dhe 4 dhe nenin 35 pikat 1, 2, 3 dhe 4 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit, sipas Gjykatës, çështja themelore është nëse ekziston bazë ligjore që të bëhet ndarje e përdorimit të veprave muzikore të autorit në radio dhe televizion në mënyrën siç është rregulluar me këto dispozita.
Në këtë rast, është e padiskutueshme se lloji i përdorimit të veprës është një nga bazat ligjore për përcaktimin e kompensimit të autorit, i cili më tej, sipas autorizimit ligjor, përcaktohet dhe rregullohet me akt nënligjor që e miraton organizata për menaxhim kolektiv, siç është në rastin konkret Rregullorja për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit.
Brenda katër llojeve të përdorimit të veprave, përfshihen llojet e ndryshme të radiodifuzerëve: te radioja (Radioja e Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive-radiot në nivel lokal, rajonal dhe shtetëror); dhe te televizioni (Televizioni i Maqedonisë dhe shoqëritë tregtare radiodifuzive-televizionet në nivel lokal, rajonal dhe shtetëror).
Gjithashtu, është e padiskutueshme se këta lloje të ndryshme radiodifuzerësh dallojnë në vëllimin e ofrimit të shërbimeve mediatike audio dhe audiovizuale në kuptim territorial, ku si pasojë ekziston dallimi në numrin e përdoruesve përfundimtarë potencialë.
Kjo, për miratuesin, ishte bazë dhe arsye që t’i dallojë ato dhe kjo reflektohet në ushtrimin e të drejtës së kompensimit të autorëve për përdorimin e veprave të tyre, ku ata vihen në pozitë të ndryshme vetëm për shkak të faktit që vëllimi i radiodifuzerit është i ndryshëm, e jo për shkak të faktit që veprat e tyre janë përdorur nga ana e tyre.
Megjithatë, pavarësisht se për cilin lloj radiodifuzeri bëhet fjalë, e përbashkët për të gjithë është mënyra e njëjtë se si i përdorin veprat muzikore të autorit – disa përmes transmetimit radiofonik, ndërsa të tjerët, përmes transmetimit televiziv.
Për të dyja transmetimet ekziston një përkufizim ligjor që vlen njëlloj dhe zbatohet për të gjitha këto subjekte – ofrues të shërbimit të njëjtë mediatik audio ose audiovizual për transmetim radiofonik ose televiziv, dhe i cili nuk jep bazë për ndonjë rregullim tjetër.
Fakti që radiodifuzerët kanë vëllim të ndryshëm transmetimi është adresuar me rregullimin nënligjor që e rregullon çështjen e përcaktimit të vlerës së kompensimeve, që po këto subjekte, si përdoruese të veprave muzikore të autorit, duhet t’i paguajnë organizatës për menaxhim kolektiv.
Konkretisht, kjo është operacionalizuar përmes pikës 6 të Rregullores për Tarifë për Përdorimin e Veprave Muzikore të Autorit, me të cilën përpilohen kriteret nga neni 138 i Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, ku, ndër të tjera, parashikohen numri i përdoruesve potencialë (pika 2); kategoria dhe madhësia e hapësirës (pika 3) dhe struktura dhe natyra e programit (formati i shërbimit radiodifuziv), në përputhje me lejen e lëshuar për kryerjen e veprimtarisë radiodifuzive (te transmetimi radiodifuziv).
Ndërkaq, nëse merret parasysh objekti i rregullimit të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit, me këtë akt, në fakt nuk mund të rregullohet çështja ndryshe, përveçse të përcaktohet lloji i përdorimit të veprës, e jo të bëhet klasifikim i radiodifuzerëve, me çka dilet jashtë autorizimit ligjor për miratimin e kësaj Rregulloreje dhe objektit që duhet ta rregullojë.
Si akt, ai i referohet rregullimit të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta të veprave muzikore, për të cilat Ligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta nuk bën dallim nëse bëhet fjalë për vepër muzikore që përdoret në nivel shtetëror, rajonal apo lokal, çka është pasojë e rregullimit të kontestuar, ku një ndarje e tillë që i trajton autorët në mënyrë të ndryshme nuk është në përputhje me parimin kushtetues të barazisë.
Sipas Gjykatës, në bazë të lartpërmendurës, rezulton se “emëruesi më i vogël i përbashkët” gjatë rregullimit të kësaj çështjeje është se vetëm mund të bëhet dallim në lidhje me mënyrën se si është përdorur vepra (në kuptim nëse është përmes televizionit apo përmes radios), e jo sa është vëllimi i radiodifuzerit. Kjo, ngaqë autori fiton të drejtë kompensimi me vetë faktin e përdorimit të veprës së tij dhe në varësi kohëzgjatjes së përdorimit të veprës.
Nëse do të pranohej logjika e miratuesit të aktit, që përmban dispozitat e kontestuara, atëherë rezulton se veprat e autorit grupohen në vepra me rëndësi lokale, rajonale ose shtetërore, gjë që nuk ka bazë ligjore.
Për këto arsye, Gjykata konstatoi se neni 34 pikat 1, 2, 3 dhe 4 dhe neni 35 pikat 1, 2, 3 dhe 4 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit nuk janë në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 6, nenin 9, nenin 30 paragrafët 1, 2 dhe 3, nenin 47 paragrafi 2 dhe nenin 51 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me nenin 66 paragrafi 1 dhe nenin 144 paragrafi 1 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.
Njëkohësisht, duke pasur parasysh se këto dispozita janë përpunimi i asaj që është rregulluar me nenin 32 alinetë 1, 2, 3 dhe 4 të Rregullores së njëjtë, ku përcaktohen dy lloje të ndryshme përdorimi të veprave përmes radios dhe dy lloje të ndryshme përdorimi përmes televizionit, Gjykata vlerësoi se edhe këto të fundit nuk janë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore të cituara më sipër.
Pastaj, nga analiza e paragrafit 8 të nenit 46 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit, rezulton se bëhet fjalë për rregullim juridik sipas të cilit, në raste të caktuara, veçanërisht vlerësohet përdorimi i veprave muzikore të autorit nga radiodifuzerët.
Në lidhje me këtë, janë parashikuar dy kushte: vepra muzikore e autorit të jetë transmetuar në programet e të paktën dhjetë radiodifuzerëve; dhe minutazhi më i gjatë i transmetimit të realizuar te njëri nga radiodifuzerët të konfirmohet edhe me transmetimin e së njëjtës vepër muzikore me kohëzgjatje prej të paktën 50% të atij minutazhi transmetimi edhe te radiodifuzerët e tjerë dhe të përcaktohet koeficienti më i lartë (2) për kohëzgjatjen e përdorimit të veprës prej një minute.
Sipas Gjykatës, çështja themelore është nëse ekziston bazë për vlerësim të ndryshëm dhe më të favorshëm të një lloji të përdorimit të veprave muzikore të autorit, në raport me llojet e tjera.
Paraprakisht u theksua se lloji i përdorimit të veprës është një nga bazat për përcaktimin e kompensimit të autorit sipas Ligjit.
Llojet e përdorimit të veprave përcaktohen në nenin 32 të Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit, e cila, përveç përdorimit nga radiot dhe televizionet, parashikon edhe të tjera, dhe atë: eventet (të ardhura nga mbrëmjet argëtuese, vallet, mbrëmjet shoqërore, mbrëmjet e maturave, diplomimit, revitë e modës, garat artistike dhe sportive) (alineja 5); objektet e hotelierisë (alineja 6); koncertet e muzikës së popullarizuar (alineja 7); koncertet e muzikës serioze (alineja 8); koncertet e muzikës xhaz (alineja 9); transmetimi publik (të ardhura në bazë të komunikimit publik përmes altoparlantit, ekranit ose çfarëdo mjeti tjetër teknik në objektet e hotelierisë, diskoklubet, baret e natës, hotelet, ambiente tregtaret dhe bizneset, dyqanet e zejtarisë, mjetet e transportit, objektet sportive etj.) (alineja 10) dhe ritransmetimi kabllor (alineja 11).
Për të gjitha llojet e përdorimit, në nenin 46 paragrafi 1 të Rregullores është parashikuar rregull i përgjithshëm që vlen njëlloj për të gjithë – llogaritja e kompensimit të autorit përcaktohet në bazë të kohëzgjatjes efektive të interpretimit, transmetimit ose çfarëdo përdorimi të veprës muzikore, ku kohëzgjatja e veprës muzikore të autorit prej një minute vlerësohet me 1 koeficient (paragrafi 2 i të njëjtit nen).
Një vlerësim i tillë për të gjitha llojet e përdorimit të veprave muzikore të autorit nënkupton zbatimin e parimit të barazisë dhe trajtimit të barabartë të autorëve.
Rregullimi juridik i nenit 46 paragrafi 8 të Rregullores është largim nga ky parim dhe nënkupton vënien në pozitë të privilegjuar të një grupi veprash të autorit (që përdoren nga radiodifuzerët) dhe të bartësve të të drejtave të këtyre veprave.
Nga ana tjetër, si shembull në mbështetje të rregullimit të kryer me këtë paragraf, mund të theksohet se në paragrafin 3 të nenit 46 të Rregullores, gjithashtu, parashikohet vlerësim më i favorshëm i përdorimit të veprave muzikore pas dhjetë, njëzet ose tridhjetë vjetëve nga krijimi i tyre.
Megjithatë, kjo vlen njëlloj për të gjitha llojet e përdorimit të veprave muzikore të autorit, për dallim nga paragrafi 8 i kontestuar i të njëjtit nen, i cili vlen vetëm për përdorimin nga radiot dhe televizionet.
Prandaj, Gjykata vlerësoi se neni 46 paragrafi 8 i Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit nuk është në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 1, 3 dhe 6, nenin 9, nenin 30 paragrafët 1, 2 dhe 3, nenin 47 paragrafi 2 dhe nenin 51 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me nenin 3, nenin 66 paragrafi 1 dhe nenin 144 paragrafi 1 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.
Gjatë vendimmarrjes, Gjykata kishte parasysh se nga Kuvendi i SHDMA-së, më 10 tetor 2025, është miratuar Rregullore për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit, e cila është publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, me nr.215/2025, më datë 20 tetor 2025.
Me nenin 3 alineja 1 të kësaj Rregulloreje është parashikuar se paragrafi i mëparshëm 8 i nenit 46 bëhet paragrafi 7.
Megjithatë, në përputhje me nenin 5 të së njëjtës Rregullore, zbatimi i saj do të fillojë me ndarjen e kompensimeve të autorit për vitin 2026, e cila do të përcaktohet me llogaritjen e përgjithshme në vitin 2027.
Në lidhje me këtë, Gjykata, në Vendimin U.nr.268/2024 të datës 22 tetor 2025, mori qëndrim se ndryshimet dhe plotësimet e reja ende nuk janë në zbatim dhe, si pasojë, gjatë vendimmarrjes në këtë lëndë, sa i përket kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit 46 paragrafi 8 të Rregullores, ai u vlerësua sipas përcaktimit të tij të deritanishëm në këtë akt.
Në fund, në përputhje me nenin 74 të Aktit të Gjykatës, gjatë vendimmarrjes nëse dispozita do të anulohet ose do të shfuqizohet, Gjykata i merr parasysh të gjitha rrethanat që janë me rëndësi për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, e veçanërisht peshën e shkeljes dhe natyrën e saj dhe rëndësinë për ushtrimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutë të qytetarëve që rrjedhin nga krijimtaria artistike.
V
Bazuar në të lartpërmendurën, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij vendimi.
VI
Ky vendim prodhon efekt juridik nga dita e publikimit të tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski