U.nr.118/2024

Nuk u gjet asnjë fjalë

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.118/2024
Shkup, 28.01.2026

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të dr.Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 28 janar 2026, miratoi

A K T V E N D I M

  1. NUK INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 23 paragrafët 2 dhe 5 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.124/2015 dhe 65/2018).

2.       Ky aktvendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Arsyetim

I

Oliver Davidovski nga Shkupi, para Gjykatës Kushtetuese parashtroi iniciativë për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të Ligjit të shënuar në diapozitivin e këtij aktvendimi.


Theksohet se dispozitat e kontestuara nuk janë në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 4, nenin 50 paragrafi 2, nenin 51 dhe Amendamentin XXI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.


Sipas pretendimeve, çështja lidhur me konfliktin e kompetencave ndërmjet komunave dhe Qytetit të Shkupit dhe ndërmjet komunave të Qytetit të Shkupit, si njësi të vetëqeverisjes lokale është rregulluar me nenin 34-a pika 2 të Ligjit për Gjykatat (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.58/2006, 35/2008, 61/2008, 118/2008, 16/2009, 150/2010, 12/2011, 39/2012, 83/2018 dhe 198/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.96/2019) dhe rregullimi i çështjes së njëjtë me dispozitat e kontestuara, i bën ato të paqarta dhe të pakuptueshme e në kundërshtim me sundimin e së drejtës, sepse tashmë është vendosur kompetencë gjyqësore për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet komunave dhe Qytetit të Shkupit, si dhe ndërmjet komunave të Qytetit të Shkupit, si njësi të vetëqeverisjes lokale.


Përveç kësaj, theksohet se në nenin 34-a pika 2 të Ligjit për Gjykatat parashikohet mundësi e mbrojtjes gjyqësore në rast të konfliktit të kompetencave dhe si organ kompetent parashikohet Gjykata e Lartë Administrative, nëse me Kushtetutë ose ligj nuk parashikohet mbrojtje tjetër gjyqësore, ndërsa nga ana tjetër, në dispozitën e kontestuar të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, konkretisht në nenin 23 paragrafi 5 theksohet se kundër aktit administrativ me të cilin vendoset për konfliktin e kompetencave, pala nuk mund të parashtrojë ankim, as të iniciojë kontest administrativ dhe si rezultat i kësaj, dispozitat ligjore të lpërmendura janë kontradiktore, gjë që krijon pasiguri juridike, në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës dhe kështu kufizohet e drejta e garantuar kushtetuese e ankimit, në kundërshtim me Amendamentin XXI të Kushtetutës.


Në bazë të lartpërmendurës, propozohet që Gjykata të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të kontestuara dhe t’i shfuqizojë ato.

II

Në seancë, Gjykata konstatoi se në nenin 23 paragrafi 2 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.124/2015 dhe 65/2018), parashikohet se konfliktin e kompetencave ndërmjet njësive të vetëqeverisjes lokale e zgjidh organi i administratës shtetërore kompetent për vetëqeverisjen lokale.


Me paragrafin 5 të nenit të njëjtë të Ligjit, parashikohet se kundër aktit administrativ me të cilin vendoset për konfliktin e kompetencave, pala nuk mund të parashtrojë ankim e as të iniciojë kontest administrativ.

III

Në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 4 të Kushtetutës, si vlera themelore të rendit kushtetues janë përcaktuar sundimi i së drejtës dhe ndarja e pushtetit shtetëror në legjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.


Me pikën 1 paragrafi 1 të Amendamentit XXI të Kushtetutës, me të cilin zëvendësohet neni 15 i Kushtetutës, garantohet e drejta e ankimit kundër vendimeve të miratuara në procedurë të shkallës së parë para gjykatës. Në përputhjes me paragrafin 2 të pikës së njëjtë, e drejta e ankimit ose lloji tjetër i mbrojtjes juridike kundër akteve të veçanta juridike të miratuara në procedurë të shkallës së parë para organit të administratës shtetërore ose organizatës dhe organit tjetër që ushtron autorizime publike rregullohet me ligj.


Sipas nenit 50 paragrafi 2 të Kushtetutës garantohet mbrojtja gjyqësore e ligjshmërisë së akteve të veçanta të administratës shtetërore dhe të institucioneve të tjera që ushtrojnë autorizime publike.


Sipas nenit 51 të Kushtetutës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ligjet duhet medoemos të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin dhe secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet.


Sipas nenit 110 alineja 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.


Në nenin 1 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative parashikohet se me këtë Ligj rregullohet procedura për ushtrimin e mbrojtjes së të drejtave dhe interesave juridike të personave fizikë, personave juridikë dhe palëve të tjera, si dhe mbrojtja e interesit publik, sipas së cilës janë të detyruara të veprojnë ministritë, organet e administratës shtetërore, organizatat e përcaktuara me ligj, organet e tjera shtetërore, personat juridikë dhe fizikë të cilëve me ligj u është besuar ushtrimi i autorizimeve publike, si dhe organet e komunës, të Qytetit të Shkupit dhe komunave në Qytetin e Shkupit, kur gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre ligjore, veprojnë, vendosin dhe ndërmarrin veprime të tjera administrative në çështjet administrative.


Sipas nenit 2 paragrafi 1 të Ligjit të njëjtë, ky Ligj zbatohet për të gjitha veprimet administrative të organeve publike dhe të ofruesve të shërbimeve, ndërsa në paragrafin 2 të të njëjtit nen, parashikohet se me ligjet e veçanta çështje të caktuara mund të rregullohen ndryshe nga ky Ligj, nëse nuk janë në kundërshtim me parimet themelore dhe qëllimin e këtij Ligji dhe nuk e zvogëlojnë mbrojtjen e të drejtave dhe interesave juridike të palëve, të garantuar me këtë Ligj.


Neni 23 me titull: “Konflikti i kompetencave”, në paragrafin 2 të ligjit të njëjtë parashikon se konfliktin e kompetencave ndërmjet njësive të vetëqeverisjes lokale e zgjidh organi i administratës shtetërore kompetent për vetëqeverisjen lokale, ndërsa në paragrafin 5 parashikohet se kundër aktit administrativ me të cilin vendoset për konfliktin e kompetencave, pala nuk mund të parashtrojë ankim e as të iniciojë kontest administrativ.


Sipas nenit 34-a pika 2 të Ligjit për Gjykatat (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.58/2006, 62/2006, 35/2008, 61/2008, 118/2008, 16/2009, 150/2010, 39/2012, 83/2018 dhe 198/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.96/2019), Gjykata e Lartë Administrative është kompetente, ndër të tjera, të vendosë për konfliktin e kompetencave ndërmjet organeve të Republikës, ndërmjet komunave dhe Qytetit të Shkupit, ndërmjet komunave të Qytetit të Shkupit dhe për kontestet e krijuara për konfliktin e kompetencave ndërmjet komunave dhe Qytetit të Shkupit dhe bartësve të autorizimeve publike, nëse kjo gjë parashikohet me ligj dhe nëse me Kushtetutë ose ligjet e tjera nuk është parashikuar mbrojtje tjetër gjyqësore.


IV

Sipas Gjykatës është i pabazë pretendimi se neni 23 paragrafi 2 i kontestuar i Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative është i paqartë dhe jopreciz, me çka cenohet siguria juridike si element thelbësor i sundimit të së drejtës, si vlerë themelore e rendit kushtetues, e garantuar me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës.


Në nenin 23 të Ligjit janë përcaktuar qartë dhe pamëdyshje organet kompetente për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet organeve publike. Pikërisht, për çështjet që kanë natyrë administrative përkatësisht karakter të aktit administrativ/ kontratës administrative/ procedurës administrative dhe veprimeve administrative, ligjvënësi ka autorizuar organin e përbashkët të shkallës më të lartë, përkatësisht organin tjetër që është organ i përbashkët më i lartë nga organet ndërmjet të cilave ekziston konflikti i kompetencave për zgjidhjen e çështjes konkrete administrative. Njëkohësisht, organi kompetent për zgjidhjen e konfliktit të krijuar të kompetencave, e zgjidh vetëm konfliktin, përkatësisht përcakton se cili organ është kompetent ta zgjidhë lëndën administrative, pa ndërhyrë më pas në zgjidhjen e çështjes administrative.


Në përputje me nenin 23 paragrafi 2 të Ligjit, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale është kompetente të vendosë për konfliktin e kompetencës territoriale të njësive të vetëqeverisjes lokale që është në kuadër të kompetencave të kësaj ministrie, të përcaktuara me nenin 25 paragrafi 1 alineja 2 të Ligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore, si Ligj që miratohet me shumicë të dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.


Në nenin 34-a pika 2 të Ligjit për Gjykatat përcaktohet kompetenca e Gjykatës së Lartë Administrative që të vendosë lidhur me konfliktin e kompetencave ndërmjet: organeve të Republikës, ndërmjet komunave dhe Qytetit të Shkupit, ndërmjet komunave të Qytetit të Shkupit, ndërmjet komunave/Qytetit të Shkupit dhe bartësve të autorizimeve publike, por vetëm nëse kjo gjë është parashikuar me Ligj, e nëse me Kushtetutë ose ndonjë ligj tjetër nuk është parashikuar mbrojtje tjetër gjyqësore.


Pikërisht, dispozitat e kontestuara dhe dispozita e cituar më sipër e Ligjit për Gjykatat i referohen situatave identike – konflikt të kompetencave, por e rregullojnë atë në aspekte të ndryshme. Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative parashikon se kompetencën për zgjidhjen e konflikteve ndërmjet komunave e ka Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe në mënyrë eksplicite e përjashton mundësinë e parashtrimit të ankimit dhe të kontrollit gjyqësor. Ligji për Gjykatat, ndërkaq, përcakton kompetencën e përgjithshme të Gjykatës së Lartë Administrative, por, njëkohësisht përcakton se gjykata është kompetente të veprojë vetëm nëse kjo gjë është parashikuar me ligj. Meqë Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative në mënyrë eksplicite e përjashton kontestin administrativ, me këtë kontrolli gjyqësor është i kufizuar, ndërsa ky përjashtim është në pajtim me formulimin e Ligjit për Gjykatat, i cili thotë “vetëm nëse kjo gjë është parashikuar me ligj”.


Që të dyja ligjet përmbajnë zgjidhje plotësuese, përkundër pretendimeve në iniciativë, sipas të cilave ekziston kontradiktë ndërmjet tyre. Nga njëra anë, Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative e përcakton kompetencën konkrete të Ministrisë si organ i administratës shtetërore, e nga ana tjetër, Ligji për Gjykatat e përcakton kompetencën e Gjykatës së Lartë Administrative në situata kur kjo është parashikuar me ligj. Gjatë ekzistimit të konfliktit të kompetencave ndërmjet komunave, ligjvënësi ka vendosur që këto kontestet t’i zgjidhë Ministria e Vetëqeverisjes Lokale pa ekzistuar kontroll i rregullt gjyqësor.


Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative përcakton organ konkret të administratës shtetërore si kompetent dhe përjashton të drejtën e ankimit, ndërsa Ligji për Gjykatat këtë e lejon si përjashtim nga kompetenca e tij e përgjithshme. Në fakt, nuk bëhet fjalë për kolizion të normave juridike, por përkufizohet dhe përcaktohet kompetenca e organeve lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave.


Me një zgjidhje të tillë ligjore sigurohet efikasiteti dhe efektiviteti gjatë zgjidhjes së kontesteve të tilla, për arsye se çështjet që lidhen me vetëqeverisjen lokale kërkojnë vendimmarrje brenda afatit të shkurtër, e kjo mundësohet përmes përcaktimit të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, si organ kompetent i administratës që kryen punë nga fusha e vetëqeverisjes lokale.


Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se janë të pabaza pretendimet në iniciativë se neni 23 paragrafi 5 i kontestuar i Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative është në kundërshtim me nenin 50 paragrafi 2 të Kushtetutës dhe pikën 1 paragrafi 2 të Amendamentit XXI, me të cilin zëvendësohet neni 15 i Kushtetutës.


Kjo për arsye se vendimi se cili organ do të jetë kompetent për një çështje të caktuar administrative është vendim që nuk u referohet qytetarëve si palë, por institucioneve, për këtë shkak Amendamenti XXI nuk ka të bëjë me nenin 23 paragrafi 5 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Një dispozitë e tillë është me qëllim që qytetarët të kenë procedura administrative efikase dhe të shpejta, çka nuk do të ishte rasti nëse organeve u jepet mundësia të zhvillojnë kontestet rreth kompetencave të tyre. Në çdo procedurë administrative, organi që e udhëheq procedurën nuk konsiderohet palë. Në pajtim me nenin 4 alineja 8 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative „palë“ është çdo person fizik ose juridik, me kërkesë të të cilit është iniciuar procedura administrative, kundër të cilit është iniciuar procedura administrative, i cili është i përfshirë në procedurë të iniciuar sipas detyrës zyrtare, ose i cili, për mbrojtjen e të drejtave ose interesave të tij juridike ka të drejtë të marrë pjesë në procedurën administrative.


Në këtë kontekst duhet vënë në dukje mbrojtja që e siguron neni 109 paragrafi 8 i Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, me të cilin rregullohet situatë specifike, në të cilën organi i shkallës së dytë, duke vepruar sipas ankimit, ka mundësi ligjore të konstatojë se akti administrativ i shkallës së parë është miratuar nga organi jokompetent. Në një rast të tillë, ligjvënësi i vendos detyrim organit të shkallës së dytë që sipas detyrës zyrtare ta anulojë aktin e shkallës së parë dhe lëndën t’ia dorëzojë organit kompetent për zgjidhje.


Me këtë dispozitë, mbrohet e drejta e palëve për vendimmarrje dhe procedurë të ligjshme para organit kompetent. Edhe pa kundërshtimimin eksplicit nga pala, organi i shkallës së dytë e ka për detyrë të ndërhyjë dhe ta korrigjojë gabimin në kompetencë.


Në bazë të lartpërmendurës, Gjykata vlerësoi se neni 23 paragrafët 2 dhe 5 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative janë në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 4, nenin 50 paragrafi 2, nenin 51 dhe Amendamentin XXI të Kushtetutës.


V

Në bazë të lartpërmendurës, Gjykata vendosi si në diapozitivin e këtij aktvendimi, me ç’rast Gjykata vendosi me shumicë votash lidhur me nenin 23 paragrafi 5 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr. Darko Kostadinovski