Gjykata Kushtetuese formoi 45 lëndë të reja në dhjetor të vitit 2025

Gjatë muajit dhjetor të vitit 2025, u formuan 45 lëndë, nga të cilat në 36 lëndë është kontestuar kushtetutshmëria e akteve, në 6 lëndë është kontestuar kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e akteve, ndërsa me 3 kërkesa është kërkuar mbrojtje e lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

INICIATIVAT ME TË CILAT ËSHTË KONTESTUAR KUSHTETUTSHMËRIA

1. U.nr.170/2025

Akti i kontestuar: Pikat 4 dhe 5 të paragrafit 1 të nenit 95 të Ligjit për Duhan, Produkte të Duhanit dhe Produkte të Ngjashme.

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi pretendon se neni 95 paragrafi 1 pika 4 e Ligjit i referohet zbatimit të nenit 54 paragrafi 3 të të njëjtit Ligj dhe në fakt i referohet një dispozite që në vetvete, në përmbajtjen dhe thelbin e saj, nuk përcakton kusht për shitjen e pajisjes elektronike për përdorimin e duhanit të padjegshëm në paketim të mbrojtur. Përveç kësaj, ai thekson se pika 5 e paragrafit 1 të nenit 95 të Ligjit i referohet zbatimit të dispozitës së nenit 54 paragrafi 4, i cili rregullon çështjen që pajisja elektronike për përdorimin e produkteve të duhanit të padjegshëm duhet të shitet në paketim të mbrojtur. Thuhet se zbatimi i dispozitave krijon tërësi juridikisht jofunksionale dhe krijon konfuzion gjatë zbatimit të saj.

2. U.nr.171/2025

Akti i kontestuar: Pjesa: “sekret afarist” e nenit 58 paragrafi 11 të Ligjit për Duhan, Produkte të Duhanit dhe Produkte të Ngjashme.

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi pohon se me pjesën e kontestuar u ofrohet mundësia prodhuesve dhe importuesve të përcaktojnë se cilat nga informacionet përbëjnë sekret afarist, Në këtë mënyrë krijohet një “çrregullim” në fushën e listës së përbërësve që përmban produkti, listës së përbërësve të emetimeve për secilën markë dhe secilin lloj, të dhënave toksikologjikе të disponueshme për përbërësit dhe emetimet e  produktit, duke përfshirë ndikimin e tyre në shëndetin e konsumatorëve gjatë thithjes, efektin e mundshëm të varësisë gjatë ngrohjes së tyre, si dhe informacionet mbi dozat e nikotinës dhe përthithjen e saj kur konsumohet në kushte normale ose në kushte të arsyeshme të parashikueshme. Parashtruesi pretendon se ekziston rreziku që diçka që do të ndikojë në mënyrë indirekte në shëndetin e qytetarëve, mund të përcaktohet si “sekret afarist”, megjithëse sipas tij, “sekreti afarist” duhet të lidhet me punën e personit juridik, funksionimin dhe aktivitetet e tij të brendshme, por jo me diçka që do të ndikojë në shëndetin e qytetarëve.

3.U.nr.172/2025

Akti i kontestuar: Neni 35 paragrafi 2 i Ligjit për Shpronësim.

Parashtruese e iniciativës: Kisha Ortodokse e Maqedonisë – Ipeshkvia e Ohrit

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesja e iniciativës pohon se ndryshimet në Ligjin për Shpronësim ua heqin të drejtat pronarëve paraprak të tokës, sepse nuk ofrohet asnjë zgjidhje kalimtare kur bëhet fjalë për shkurtimin e afateve për të kërkuar anulimin e  aktvendimit të plotfuqishëm për shpronësim, në vendin ku nuk është ndërtuar objekt me rëndësi për Republikën e Maqedonisë brenda afatit të përcaktuar. Parashtruesja si shembull e përmend shpronësimin e pronës së patundshme në fshatin Lubanishtë, e cila është në pronësi të Dioqezës Ortodokse KOM-Dibër-Kërçovë. Në të thuhet se ish-pronari – KOM-OA (Dioqeza Ortodokse Dibër-Kërçovë) fitoi të drejtën të kërkojë anulimin e aktvendimit për shpronësim, i cili është i plotfuqishëm që nga data 11.12.2014, sepse qëllimi për të cilin është kryer shpronësimi i tokës nuk është realizuar dhe se një e drejtë e tillë nuk duhet të ushtrohet më vonë se 15 vjet nga data e hyrjes në fuqi të aktvendimit, përkatësisht kjo datë do të ishte më 11.12.2023. Megjithatë, më 09.10.2024, me ndryshimet e bëra që kontestohen me iniciativë, e drejta për siguri juridike mohohet, siç pretendohet në iniciativë, sepse dispozita e ndryshuar thotë se kërkesa për anulimin e aktvendimit të plotfuqishëm për shpronësim mund të parashtrohet brenda 5 vjetësh pasi aktvendimi të bëhet i plotfuqishëm, ndërsa më së voni më datë 11.12.2019. Për parashtruesen, pikërisht kjo gjë është e kontestueshme, sepse sipas interpretimit të normës së kontestuar, ajo duhej ta kishte kontestuar aktvendimin për shpronësim më së voni deri më datë 11.12.2019, megjithëse në vitin 2019, sipas dispozitës që ishte në fuqi në atë kohë, një kërkesë e tillë nuk mund të parashtrohej para datës 12.12.2024.

4.U.nr.173/2025

Akti i kontestuar: Neni 121 paragrafi 1 i Ligjit për Marrëdhënie Pune në pjesën: “me pëlqimin paraprak të punëdhënësve, ku është i punësuar me kohë të plotë pune” dhe në një pjesë të nenit 121 paragrafi 3 “ose nëse pëlqimi i punëdhënësit revokohet, ku punonjësi është i punësuar me kohë të plotë pune”.

Parashtruesi i iniciativës: Vllatko Bojkovski

Përmbajtja e dispozitës së kontestuar:

Punonjësi mund të lidhë marrëveshje pune me kohë të pjesshme punë me një punëdhënës tjetër, sipas pëlqimit paraprak të punëdhënësit ku është i punësuar me kohë të plotë pune.

Pretendimet në iniciativë:

Sipas parashtruesit, pjesët e kontestuara e kufizojnë të drejtën e garantuar kushtetuese për zgjedhje të lirë të punës, pasi që për të lidhur një marrëveshje pune dhe për të punuar me kohë të pjesshme pune te një punëdhënës tjetër, duhet të kërkohet pëlqimin nga vendi i punës ku është i punësuar me kohë të plotë pune. Në këtë mënyrë, siç është e rregulluar dispozita, pretendohet se punëdhënësi fiton kontroll mbi kohën dhe zgjedhjet e punonjësit, jashtë kohës së dakorduar, gjë që shkel të drejtën e autonomisë personale dhe privatësisë, të rregulluar me nenet 25 dhe 18 të Kushtetutës.

5.U.nr.174/2025

Akti i kontestuar: Neni 71 paragrafi 1 i Ligjit për Nëpunësit Administrativë.

Parashtruese e iniciativës: Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Republikës së Maqedonisë – SASHK, e përfaqësuar nga Jakim Nedellkov, kryetar

Pretendimet në iniciativë:

Pjesa e kontestuar e përjashton zbatimin e marrëveshjeve kolektive si një burim i njohur kushtetues për rregullimin e të drejtave të punonjësve, pasi kushtet dhe kriteret përcaktohen pikërisht nga Ligji i kontestuar, pretendohet në iniciativë. Parashtruesja pohon se pjesa e kontestuar e kufizon mundësinë e rregullimit të së drejtës për pagë përmes marrëveshjeve kolektive, gjë që prek drejtpërdrejt punonjësit e përfaqësuar nga sindikata në procesin e dialogut social. E gjithë kjo është në kundërshtim me parimin e sundimit të së drejtës të rregulluar me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3, nenin 32 paragrafi 5, nenin 51 të Kushtetutës, pohon parashtruesja.

6. U.nr.175/2025

Akti i kontestuar: Pjesa: “profesional” nga neni 45 paragrafi 1 i Ligjit për Arsimin e Lartë.

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi potencon se me pjesën e kontestuar “profesional” krijohet hibridizimi në përcaktimin e karakterit dhe natyrës së Agjencisë së Cilësisë në Arsimin e Lartë, gjë që sipas tij nuk është në përputhje me parimin e sundimit të së drejtës. Sipas parashtruesit, në asnjë nen tjetër të Ligjit, as në dispozitat e kontestuara, nuk përcaktohen kompetencat e Agjencisë, gjë që vë në pikëpyetje përputhshmërinë e nenit të kontestuar me Kushtetutën. Pretendohet se norma e kontestuar është e paqartë dhe nuk është precize.

7. U.nr.176/2025

Akti i kontestuar: Pjesa: “ndërsa vendimet i merr me shumicë votash nga anëtarët e pranishëm” e nenit 49 paragrafi 4;

– Pjesa: “shpenzime të bëra reale”

– Pjesa: “në bazë të pjesëmarrjes në seancë dhe vëllimit të punës së kryer” e nenit 49 paragrafi 8 të Ligjit për Arsimin e Lartë.

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi pretendon se është e kontestueshme që Këshilli i Akreditimit në Arsimin e Lartë, megjithëse i ka gjithsej 15 anëtarë, kur merr një vendim, mjafton që të ketë të pranishëm 8 anëtarë, ndërsa vendimi mund të merret nga një e treta e shumicës, që do të thotë vetëm 5 anëtarë. Sipas pretendimeve në iniciativë, është e kontestueshme që një vendim merret në këtë mënyrë, përkatësisht nga numri i përgjithshëm i votave të një organi të vetëm, vendimi merret me numër pakicë të votave, i cili do të ketë fuqi ligjore sikur të ishte marrë nga numri i shumicës së votave nga numri i përgjithshëm i votave. Pretendohet se pjesët e kontestuara nuk janë në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës.

8. U.nr.177/2025

Akti i kontestuar: “përbërja” ose përdorimi i disa lëndëve të para, kimikateve ose materialeve ose produkteve të tjera mund të” të nenit 24 paragrafi 7.

– pjesa: “përbërja ose përdorimi i disa lëndëve të para, kimikateve ose materialeve ose produkteve të tjera” të nenit 28 paragrafi 5

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi potencon se pjesët e kontestuara janë në kundërshtim me parimin e sundimit të së drejtës të rregulluar me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës.

9.U.nr.178/2025

Akti i kontestuar: Alineja 4 paragrafi 9 i nenit 52 të Ligjit për Arsimin e Lartë.

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi i iniciativës potencon se për të është kontestuese çështja që nuk dihet se cilat janë funksionet ose detyrat të cilat janë të papajtueshme me funksionin e anëtarit të Këshillit të Vlerësimit. Pretendohet se dispozita e kontestuar e rregullon pjesën e cila rregullon çështjen se mandati i anëtarit të Këshillit të Vlerësimit ndërpritet nëse anëtari ngarkohet me ndonjë pozitë ose funksion që nuk përputhet me funksionin anëtar i Këshillit të Vlerësimit.

10.U.nr.179/2025

Akti i kontestuar: Pjesa: “konstaton” e nenit 56 paragrafi 5

– pika 3 e paragrafit 5 të nenit 56;

– pika 2 e paragrafit 6 të nenit 56;

Të gjitha nga Ligji për Arsimin e Lartë.

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi pretendon se Ligji për Arsimin e Lartë nuk përcakton saktësisht nëse vendimi që përcakton se mandati i drejtorit të Agjencisë së Cilësisë ka përfunduar pasi Kuvendi ose ndonjë organ tjetër kompetent, në procedurë dhe mënyrë të përcaktuar me Ligj, i ka përmbushur disa nga kushtet e Ligjit për Arsimin e Lartë.

11.U.nr.180/2025

Akti i kontestuar: Neni 21, 96 dhe 98 i Ligjit për Nëpunësit Administrativë.

Parashtruesit e iniciativës: Jashe Ibishov, Jovica Dimkovski, Anita Zec dhe Bojan Nikollovski

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesit potencojnë se kontestohen dispozitat të cilat i rregullojnë kompetencat e përgjithshme dhe të veçanta, sipas niveleve të ndryshme të kualifikimeve. Pretendohet se nëpunësit e kategorive B3 dhe B4 do të kenë avancim dhe do të kalojnë në nivel më të lartë në kategorinë e nëpunësve administrativë profesionalë ndërsa paralelisht do të ketë edhe rritje të pagave të tyre, ndërsa nëpunësit e sistemuar me emërimin “bashkëpunëtor i lartë” nuk do t’i kenë kushtet e njëjta, megjithëse u ndryshon emërimi, atyre nuk do t’u ndryshojë paga. Pohohet se Ligjvënësi nuk e vlerëson të drejtën e fituar për vlerësimin e pikëve të pagës në pjesën e arsimit për nëpunësin shtetëror me nivelin e kualifikimit VI B, përkatësisht me 180 kredish të fituar sipas EKTS-së, i cili ka krijuar marrëdhënie pune në institucion që nga data e fillimit të zbatimit të Ligjit, përkatësisht ai do të vazhdojë të vlerësohet me 200 pikë. Me këtë zgjidhje ligjore, Ligjvënësi e mohon të drejtën që nëpunësit administrativë e kanë fituar tashmë dhe ua ul pagën për 25 pikë, në pjesën e pagës për nivelin e arsimit, gjë që është në kundërshtim me sundimin e së drejtës, theksohet në iniciativë.

12.U.nr.181/2025

Akti i kontestuar: Neni 36 paragrafi 1, pjesa: “fëmija i parë dhe i dytë” paragrafi 2 dhe paragrafi 3 në pjesët: “i parë dhe i dytë” dhe “nëse nëna nuk ka një fëmijë të porsalindur” sipas kuptimit të paragrafit 2 të këtij neni të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Parashtruese e iniciativës: Klementina Angelleska

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesja pretendon se dispozitat e kontestuara janë diskriminuese, sepse bëjnë dallimin ndërmjet fëmijës së parë dhe të dytë të porsalindur dhe sidomos pasi e theksojnë faktin “nëse nëna nuk ka një fëmijë të porsalindur”, duke ngritur kështu pyetjen nëse fëmija i tretë nuk konsiderohet i porsalindur apo fëmijë fare, në mënyrë që të jetë në gjendje të marrë ndihmë financiare të njëhershme.

13.U.nr.182/2025

Akti i kontestuar: Neni 38 paragrafi 3 i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, të datës 23.05.2019.

Parashtruese e iniciativës: Klementina Angelleska

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesja pretendon se shtesën për fëmijën e tretë nuk mund ta marrë çdo nënë, përkatësisht, sipas dispozitës së kontestuar, ajo është në dispozicion vetëm për të papunët ose të punësuarit me pagë minimale neto. Thuhet se dispozita e kontestuar është diskriminuese dhe e krijuar kështu me vetëdije, sepse pothuajse askush nuk i plotëson kushtet e tilla, dhe se nuk korrespondon me realitetin që një familje prej pesë anëtarëve të mund t’i plotësojë të gjitha nevojat me të ardhura të përgjithshme sa paga minimale ose ato të mos jenë më të larta se 24.000 denarë në muaj, që të kenë të drejtën të marrin shtesë për fëmijën e tretë prej 9.000 denarëve.

14.U.nr.183/2025

Akti i kontestuar: Neni 65 paragrafi 16 i Ligjit për Gjahun dhe Gjuetinë.

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë: 

Për parashtruesin është kontestuese që anëtarët dhe kryetari i Komisionit Profesional për Dhënien e Provimit të Gjuetisë kanë të drejtë për kompensim monetar nga kandidati dhe se kompensimi nuk mund të jetë më i lartë se 1% e pagës mesatare neto për vitin e kaluar në Republikë. Parashtruesi beson se certifikata për dhënien e provimit të gjuetisë lëshohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë, Ekonomisë së Ujërave, kështu që sipas kësaj logjike, ky është një funksion administrativ i organit dhe nuk mund të konsiderohet punë shtesë për personat e punësuar në Ministri, të cilët janë anëtarë të Komisionit të Ekspertëve.

15.U.nr.184/2025

Akti i kontestuar: Pjesa: ”mund të ndryshohet dhe plotësohet” nga neni 40 paragrafi 11, paragrafi 12 dhe pjesa: “marrëveshja e lidhur për përdorimin e gjahut në vendet e gjuetisë mbetet në fuqi” nga neni 42 paragrafi 7 të Ligjit për Gjahun dhe Gjuetinë.

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi konsideron se pjesët e kontestuara janë në kundërshtim me parimin e sundimit të së drejtës të rregulluar me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës. Thuhet se me pjesën e kontestuar, e cila lejon ndryshime dhe plotësime në dokumentacionin e tenderit, cenohen pritjet legjitime në thirrjen publike dhe në këtë mënyrë krijohet pasiguri juridike.

16.U.nr.185/2025

Akti i kontestuar: Pjesa: „ndërsa do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2027” e Ligjit për Nëpunësit Administrativë.

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi potencon se nuk ka asnjë arsye të qartë dhe të justifikuar nga Ligjvënësi pse zbatimi i Ligjit është prolonguar për një vit, duke marrë parasysh se justifikimi për miratimin e tij është harmonizimi me standardet evropiane të parashikuara me Programin Kombëtar për Miratimin e së Drejtës së BE-së dhe në përputhje me parimet e SIGMA-s.

17.U.nr.186/2025

Akti i kontestuar: Neni 37 i Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Mjedisin Jetësor.

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi pretendon se ndryshimet i referohen një rregulloreje që nuk është pjesë e qarkullimit juridik dhe për këtë arsye krijohet konfuzion gjatë zbatimit të saj. Thuhet se kjo është në kundërshtim me parimin e sundimit të së drejtës, të rregulluar me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës.

18.U.nr.187/2025

Akti i kontestuar: Pjesa: „liqenet” të nenit 76 paragrafi 2 dhe nenit 192 të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës.

truesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë: 

Sipas parashtruesit, pëlqimi i pjesës së kontestuar: “liqene””  është diskutabil, nëse sipas nenit 2 të Ligjit për Mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, Prespës dhe Dojranit, liqenet shfrytëzohen për përmbushjen e nevojave të përgjithshme dhe individuale, sipas rregullave për mbrojtjen e rariteteve natyrore, mbrojtjen e mjedisit jetësor (njerëzor), planifikimin hapësinor dhe urban, peshkimin, ujërat dhe ujërat ndërrepublike dhe ndërshtetërore, përveç nëse rregullohet ndryshe me ligj. Sipas parashtruesit, termi “liqene” është i përgjithshëm dhe do të përfshinte të gjitha liqenet, jo vetëm tri të renditurat.

19.U.nr.188/2025

Akti i kontestuar: Pjesa: “fibrozë cistike” e dhënë në nenin 66 paragrafi 2 të Ligjit për Rrugë Publike.

Parashtruesi i iniciativës: Filip Petrovski

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi vlerëson se gjatë renditjes së personave që janë të përjashtuar nga pagesa e taksës rrugore, renditen edhe personat me sëmundje kronike me formën më të rëndë të sëmundjes – fibroza cistike dhe sipas tij, është e kontestueshme çështja se personat me sëmundje kronike kanë ëdhe sëmundje të tjera dhe jo vetëm fibrozën cistike siç është plotësuar neni. Kështu, duke specifikuar të sëmurët kronikë vetëm nga fibroza cistike, personat e tjerë me diagnoza të rënda, të cilët janë renditur në nenin 1 të Rregullores për Vlerësim Funksional, përjashtohen në mënyrë diskriminuese.

20.U.nr.189/2025

Akti i kontestuar: Neni 12 paragrafi 1 alineja 9 e Ligjit për Avokaturë.

Parashtruesi i iniciativës: Oliver Davidovski

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi e konteston kushtin sipas të cilit, për t’u regjistruar në Regjistrin e Avokatëve, duhet që personit “të mos i ketë përfunduar funksioni si gjykatës, prokuror publik, avokat i shtetit  ose zëvendës i tij, avokat i popullit ose zëvendës i tij, funksionar i zgjedhur ose i emëruar, përkatësisht të mos i ketë pushuar marrëdhënia e punës si nëpunës shtetëror, noter, zëvendës ose ndihmës i tij, përmbarues ose zëvendës i tij me vendim përfundimtar në procedurë gjyqësore, disiplinore ose procedurë tjetër, me të cilin përcaktohet përgjegjësia lidhur me ushtrimin e funksionit ose të shërbimit, derisa të kalojnë pesë vjet nga dita kur vendimi bëhet i plotfuqishëm”. Pretendohet se norma është e paqartë dhe e pasaktë, sepse nuk e përcakton termin “përgjegjësi”, as nuk e përcakton natyrën e saj juridike, rëndësinë, marrëdhënien ndërmjet përgjegjësisë së përcaktuar dhe aftësisë për të ushtruar profesionin e avokatit. E gjithë kjo e cenon sigurinë juridike, potencon parashtruesi.

21.U.nr.190/2025

Akti i kontestuar: Neni 8 paragrafi 6 i Ligjit për Praktikat e Padrejta Tregtare në Zinxhirin e Furnizimit të Produkteve Bujqësore dhe Ushqimore.

Parashtruesi i iniciativës: Ilija Adamçevski

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi pretendon se dispozita e kontestuar, në vend që të krijojë liri tregu, krijon një kufizim për të. Thuhet se me këtë dispozitë krijohet një situatë e kufizimit të përhershëm në kryerjen e aktiviteteve të blerësve-tregtarëve me pakicë të produkteve ushqimore dhe bujqësore.

22.U.nr.191/2025

Akti i kontestuar: Neni 33 paragrafi 2 në pjesën: “hepatitit virusal B” të Ligjit për Mbrojtjen e Popullatës nga Sëmundjet Ngjitëse.

Parashtruesi i iniciativës: Darko Janevski

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi pretendon se pjesa e kontestuar duhet të hiqet nga kalendari i imunizimit, sipas shembullit të rekomandimeve të Komitetit për Praktika të Imunizimit në SHBA, njëjtë edhe sipas qëndrimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, duke e pasur parasysh faktin se në SHBA është tërhequr vaksinimi i detyrueshëm kundër hepatitit virusal B nga kalendari i imunizimit në SHBA.

23.U.nr.192/2025

Akti i kontestuar: Neni 121 paragrafi 1 në pjesën: “me pëlqimin paraprak të punëdhënësve, ku është i punësuar me kohë të plotë pune”, neni 121 paragrafi 2 dhe neni 121 paragrafi 3 në pjesën: “ose nëse pëlqimi i punëdhënësit revokohet, ku punonjësi është i punësuar me kohë të plotë pune”, të Ligjit për Marrëdhënie Pune.

Parashtruesi i iniciativës: Oliver Davidovski

Pretendimet në iniciativë:

Sipas parashtruesit, me pjesët e kontestuara kufizohet punonjësi me pëlqimin e punëdhënësit të parë për të lidhur marrëveshje pune me kohë të pjesshme pune me një punëdhënës tjetër. Theksohet se me pjesët e kontestuara është cenuar parimi i sundimit të së drejtës sipas nenit 8 të Kushtetutës dhe nenit 32, i cili rregullon të drejtën e përzgjedhjes së lirë të punësimit, pasi punonjësi nuk mund të parashikojë nëse do të marrë pëlqimin apo jo. Pretendohet se dispozita është e paqartë.

24.U.nr.193/2025

Akti i kontestuar: Neni 42 paragrafi 10 në pjesën: “të tjetërsohet vendimi i Komisionit” dhe “ministri i Drejtësisë e ka për detyrë të marrë vendim meritor” nga Ligji për Ekspertizë.

Parashtruesi i iniciativës: Oliver Davidovski

Pretendimet në iniciativë: 

Për parashtruesin është kontestuese kompetenca e ministrit të Drejtësisë, për çka potencon se është vënë në rolin e organit ankimues të shkallës së dytë, i cili duhet të ndryshojë dhe tjetërsojë një vendim meritor të Komisionit Disiplinor si organ profesional. Parashtruesi pohon se është problematike që kryerja e mundshme joprofesionale dhe neglizhente e ekspertizës është brenda kompetencës së Odës së Ekspertëve dhe Komisionit Disiplinor, ndërsa me pjesët e kontestuara, ministrit të Drejtësisë, pa kualifikime profesionale për ekspertizë, i jepet mundësia të marrë një vendim meritor, përkatësisht të përmbysë vendimin e profesionistëve dhe në këtë mënyrë të shkelë pavarësinë e Odës në fjalë.

25.U.nr.194/2025

Akti i kontestuar: Neni 34-v paragrafi 9 i Ligjit për Ndihmë Juridike Falas.

Parashtruesi i iniciativës: Oliver Davidovski

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi potencon se neni 34-c e rregullon procedurën për pagesën e shpërblimit dhe kompensimit për subjektet që kryejnë ekspertizë në procedurat për ndihmë juridike dytësore të miratuar, ndërsa dispozita e kontestuar i lejon Ministrisë të refuzojë t’i paguajë kompensim subjektit që ka kryer mendimin e ekspertizës, nëse gjatë inspektimeve vlerëson se eksperti nuk i ka përmbushur përgjegjësitë dhe detyrimet e tij të përcaktuara me ligj. Kontestuese për parashtruesin është ajo, që eksperti nuk mund ta dijë paraprakisht se çfarë saktësisht do të konsiderohet “mospërmbushje e detyrimeve” dhe të parashikojë se kur dhe për çfarë do të ulet kompensimi i tij. Përveç kësaj, ai pretenon se dispozitat e kontestuara i japin ministrisë autoritet me kompetenca të gjera, pa përcaktuar qartë kuadrin ligjor që e rregullon rolin e saj.

26. U.nr.195/2025

Akti i kontestuar: Neni 21 paragrafi 2 i Ligjit për Ndihmë Juridike Falas.

Parashtruesi i iniciativës: Oliver Davidovski

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi pohon se dispozita e kontestuar është e paqartë dhe e pasaktë sepse përmban terma vlerash të paspecifikuara, pa u përcaktuar me ligj, si “qartazi e pabazuar”, “rezultate në gjendje faktike të njëjta ose të ngjashme”, “moral” etj. Pretendohet se norma krijon pasiguri juridike dhe cenon parimin e sundimit të së drejtës, të rregulluar me nenin 8 të Kushtetutës.

27.U.nr.196/2025

Akti i kontestuar: Neni 222 paragrafi 1 në pjesën: “në institucionin publik shëndetësor ku janë të punësuar ose në një institucion tjetër publik”, neni 222 paragrafët 9, 10, 12, 13 të Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore.

Parashtruesi i iniciativës: Darko Todorovski

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi pohon se dispozitat e kontestuara ndërhyjnë në sundimin e së drejtës sepse krijojnë konflikt interesi. Sipas tij, është i kontestueshëm fakti që mjekët mund të kryejnë punë shtesë në një institucion publik shëndetësor ku janë të punësuar ose në një institucion tjetër publik ose… Në këtë mënyrë, mjekut i lejohet të përdorë të njëjtat ambiente, pajisje mjekësore, personel mbështetës dhe në të njëjtën kohë të kryejë punë private me qëllim të përfitimit personal.

28.U.nr.197/2025

Akti i kontestuar: Neni 21-b paragrafi 2, pjesa: “Këshilli nga paragrafi 2 i këtij neni” dhe “këshilli” nga neni 21-b paragrafi 4, pjesa: “Këshilli” nga neni 21-b paragrafi 4, pjesa: “këshilli i verifikimit nga paragrafi 2” nga neni 21-b paragrafi 5 dhe pjesa “këshilli i sportit” nga neni 21-k paragrafi 3 i Ligjit për Sportin.

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi potencon se dispozitat dhe nenet e kontestuara çojnë në konfuzion gjatë zbatimit dhe se janë në kundërshtim me parimin e sundimit të së drejtës.

29. U.nr.198/2025

Akti i kontestuar: Pjesa: “udhëheqës” e nenit 10 paragrafi 3 alineja 1;

Pjesët: “inspektor” “inspektor shtetëror” “shërbimi i inspektimit” të nenit 10 paragrafi 3 alineja 3 dhe pjesa: “anëtar i” e nenit 10 paragrafi 9 të Ligjit për Përsosjen Profesionale dhe Trajnimin e Nëpunësve Administrativë.

Parashtruesi i iniciativës: Igorço Toçev

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi potencon se pjesët e kontestuara nuk janë në përputhje me nenin 32 të Kushtetutës, i cili përcakton se çdo vend pune është i disponueshëm për të gjithë, në kushte të barabarta. Këto pjesë janë të kontestueshme sepse, për t’u bërë anëtar ose kryetar i Këshillit Programor, me normat e kontestuara u jepet përparësi, ose privilegj, nëpunësve shtetërorë udhëheqës dhe inspektorëve me të paktën tetë vjet përvojë pune në inspektorat shtetëror ose shërbimin e inspektimit, në krahasim me të gjithë ata që nuk kanë punuar në vende të tilla pune.

30. U.nr.199/2025

Akti i kontestuar: Neni 3 dhe 16 i Ligjit për të Punësuarit në Sektorin Publik.

Parashtruese e iniciativës: Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, përmes kryetarit Sllobodan Trendafillov

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesja pretendon se dispozita e kontestuar e kufizon të drejtën për t’i rregulluar të drejtat që rrjedhin nga punësimi me anë të marrëveshjes kolektive dhe kështu pengon negociatat kolektive për punonjësit në sektorin publik. Më tej shtohet se neni 16 e kufizon të drejtën për t’i rregulluar të drejtat që lidhen me pagën, kompensimet dhe shtesat në paga me anë të marrëveshjes kolektive. Pretendohet se nenet e kontestuara do të krijojnë marrëdhënie diskriminuese dhe shkelje të parimeve të barazisë duke krijuar kështu pasiguri juridike. Thuhet se dispozitat janë në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 1, 3, 4, 8, 11 të Kushtetutës, nenin 9, nenin 32 të Kushtetutës, nenin 1 të Ligjit për Marrëdhënie Pune.

31. U.nr.200/2025

Akti i kontestuar: Neni 71 i Ligjit për Nëpunësit Administrativë.

Parashtruese e iniciativës: Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, përmes kryetarit Sllobodan Trendafillov

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesja pretendon se me nenin e kontestuar kufizohet dhe pezullohet e drejta për të rregulluar dhe ndryshuar të drejtat që lidhen me pagën, kompensimet dhe shtesat në pagë me anë të marrëveshjes kolektive dhe kështu suspendohet marrëveshja kolektive për nëpunësit administrativë. Përveç kësaj, thuhet se ndryshe nga punonjësit në sektorin privat, punonjësit në sektorin publik janë të privuar nga të drejtat për negociata kolektive dhe kjo krijon pabarazi dhe një kategori e punonjësve diskriminohet, në krahasim me kategorinë tjetër në sektorin privat që është e privilegjuar në lidhje me të njëjtat çështje të të drejtave të punës.

32. U.nr.201/2025

Akti i kontestuar: Neni 26 paragrafi 1 alineja 6 i Ligjit për Ndihmë Juridike Falas.

Parashtruesi i iniciativës: Oliver Davidovski

Pretendimet në iniciativë: 

Thuhet se neni 26 e rregullon ndërprerjen e ndihmës juridike dytësore të miratuar dhe dispozita e kontestuar ia jep këtë kompetencë Ministrisë, e cila duhet ta miratojë aktvendimin për ndërprerjen e ndihmës juridike. Parashtruesi pretendon se Ministrisë i është dhënë kompetenca e një organi ekzekutiv, në mënyrë të njëanshme dhe pa konsultim, për të ndërprerë ndihmën juridike dytësore tashmë të miratuar në bazë të një vlerësimit se shpenzimet janë në mënyrë disproporcionale më të larta krahasuar me vlerën e kontestit. Pretendohet se nuk bëhet fjalë për një kusht formal siç është ndryshimi i gjendjes pasurore, por një vlerësim diskrecional sa i përket çështjes se sa është e përshtatshme dhe e volitshme mbrojtja gjyqësore në raport me shpenzimet.

33.U.nr.202/2025

Akti i kontestuar: Neni 218 i Ligjit për Përmbarim.

Parashtruesi i iniciativës: Janaki Mitrovski, avokat

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi potencon se dispozita e kontestuar krijon pasiguri juridike në shoqëri, pasi përcakton kufizime gjatë përmbarimit kundrejt organeve shtetërore, ndërmarrjeve dhe komunave, pavarësisht faktit se palët e dëmtuara kanë fituar aktvendime të plotfuqishme ose aktvendime përmbarimi. Parashtruesi shton se e drejta për mbrojtje gjyqësore nuk shterohet vetëm me miratimin e një vendimi gjyqësor, por se kjo nënkupton edhe zbatimin efektiv të tij.

34. U.nr.203/2025

Akti i kontestuar: Neni 1 i Ligjit për Shkollat e Arsimit të Mesëm të Bashkësive Fetare të datës 05.08.2025.

Parashtruesit e iniciativës: Komiteti i Helsinkit për të Drejta të Njeriut, Shoqata e Maqedonisë për Juristë të Rinj – SHMJR, Shoqata për Mbështetje të Personave e që Jetojnë me HIV –BASHKË MË TË FORTË, Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim HERA, Koalicioni për të Drejtat Seksuale dhe Shëndetësore të Bashkësive të Margjinalizuara MARGJINA, Shoqata e Qytetarëve – Instituti për të Drejtat e Njeriut, Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve, Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave, Shoqata HOPS – Opsione për Jetë të Shëndetshme – Shkup, Shoqata për Edukim Juridik dhe Transparencë STACIONI E.J.T Prilep, Rrjeti Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje ZËRI KUNDËR DHUNËS.

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesit potencojnë se dispozita e kontestuar e cenon karakterin sekular të shtetit dhe neglizhon uniformitetin e sistemit arsimor të shtetit. Pretendohet se dispozita e kontestuar u lejon bashkësive fetare të themelojnë shkolla të mesme dhe të ofrojnë arsim të mesëm në fushën e religjionit dhe teologjisë. Pohohet se është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës. Përveç kësaj, dispozita kontestohet dhe pretendohet se, përveç neneve të Kushtetutës, është në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit për Arsimin e Mesëm dhe nenin 10 të Ligjit, i cili përcakton se një shkollë e mesme mund të themelohet nga komuna, përkatësisht Qeveria nëse bëhet fjalë për shkollë të mesme shtetërore.

35.U.nr.204/2025

Akti i kontestuar: Neni 20 paragrafi 2 i Ligjit për Avokaturë.

Parashtruesi i iniciativës: Oliver Davidovski

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi pretendon se dispozita rregullon të drejtën e avokatit për të ushtruar funksion publik ose shërbim publik nëse ushtrimi i tyre nuk bazohet në marrëdhënie pune. Sipas tij, dispozita është në kundërshtim me nenin 53 të Kushtetutës sipas të cilit avokatia përkufizohet si shërbim publik. Si rrjedhojë, për parashtruesin nuk është e qartë se si ligji lejon që një shërbim tjetër publik ta cenojë pavarësinë e avokaturës si shërbim publik, i rregulluar me Kushtetutë.

36. U.nr.205/2025

Akti i kontestuar: Neni 9 i Ligjit për Ndihmë Juridike Falas.

Parashtruesi i iniciativës: Oliver Davidovski

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi potencon se neni i kontestuar rregullon përgjegjësinë e ofruesve të ndihmës juridike parësore. Pretendohet se dispozita nuk është mjaftueshëm e qartë në përcaktimin e llojit të përgjegjësisë, sepse megjithëse parashikohet përgjegjësia për dëmin, nuk është e qartë nëse është përgjegjësi subjektive (parimi i fajit), përgjegjësi objektive apo një regjim i veçantë i përgjegjësisë profesionale. Përveç kësaj, pretendohet se nuk është e qartë se kush e përcakton dëmin, në çfarë procedure dhe brenda cilit afat kohor.

LËNDËT NË TË CILAT ËSHTË KONTESTUAR KUSHTETUTSHMËRIA DHE LIGJSHMËRIA E AKTEVE

1.UZ.nr.82/2025

Akti i kontestuar: Neni 5 i Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Ndarjen e Kompensimeve të Autorit, me të cilin ndryshon neni 41 i Rregullores.

Parashtruesit e iniciativës: Gjorgji Kërstevski dhe Ramiz Jusufi

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesit pretendojnë se neni i kontestuar lejon që përdorimi aktual i veprave të mbrojtura me të drejta autoriale të injorohet nëse programi nuk përmban vetëm një nga të dhënat e detyrueshme, siç është kohëzgjatja e një vepre të mbrojtur me të drejta autoriale të transmetuar gjatë periudhës prej 24 orëve. Në këtë mënyrë cenohet parimi i përfaqësimit të drejtë, thuhet në iniciativë. Theksohet se kjo është në kundërshtim me nenin 54 të Rregullores, pasi aty është rregulluar që nëse kohëzgjatja nuk mund të përcaktohet as sipas paraqitjes së autorit dhe as sipas programit, atëherë merret parasysh kohëzgjatja standarde (8 ose 3 minuta).

2.UZ.nr.83/20225

Akti i kontestuar: Rregullorja e Komunës së Jegunovcit e miratuar në seancën e 5-të të Këshillit të Komunës së Jegunovcit të mbajtur më 30.06.1997.

Parashtruesi i iniciativës: Matej Aleksovski

Pretendimet në iniciativë: 

Parashtruesi i iniciativës potencon se Komuna ka vazhduar ta zbatojë Rregulloren e vjetër të miratuar në bazë të rregulloreve që nuk janë më të vlefshme (që nga viti 1997), megjithëse në vitin 2002 u miratua një Ligj krejtësisht i ri për Vetëqeverisjen Lokale, i cili duhet të jetë baza për rregullimin e Rregullores së re të Komunës.

3. UZ.nr.84/20225

Akti i kontestuar: Rregullorja për Mënyrën e Lidhjes së Marrëveshjeve dhe Pagesën e Shërbimeve Shëndetësore në Laboratorët Biokimikë.

Parashtruesi i iniciativës: ISHP Laboratori për Diagnostifikim Molekular LAOR Tetovë

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi iniciativës pretendon se me Rregulloren e kontestuar është vendosur sistemi i pagesës për laboratorët biokimikë bazuar në kuota financiare mujore të paracaktuara paraprakisht. Për shkak të këtij fakti, ai pretendon se laboratorët privatë shëndetësorë diskriminohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, pasi edhe barnatoret përdorin gjithashtu reagentë ndërkaq përdorin edhe shërbimet laboratorike, por ndryshe nga barnatoret, atyre nuk u paguhen veçmas reagentët dhe shërbimet laboratorike të ofruara.

4.UZ.nr.85/20225

Akti i kontestuar: Aktgjykim i Gjykatës së Lartë Administrative UPRZH nr.359/2023.

Parashtruesi i iniciativës: Marjan Zdravkovski

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi kërkon anulimin e Aktgjykimit, me arsyetimin se ai ishte dënuar më parë për kundërvajtje të prishjes së rendit publik, për të cilën i është shqiptuar gjobë prej 100 eurove. Pretendohet se Aktgjykimi i Gjykatës Administrative është miratuar për çështje që tashmë ishte gjykuar dhe se afati absolut i parashkrimit kishte kaluar, por, megjithatë ai ishte shpallur fajtor.

5.UZ.nr.86/2025

Akti i kontestuar: Neni 6 paragrafi 7 dhe 8 në pjesën: “si të sigurohen të dhëna mbi të ardhurat neto që nuk janë në përputhje me të dhënat e marra nga DAP-i ose nga burimet e tjera” të Rregullores mbi Përmbajtjen dhe Mënyrën e Ushtrimit të të Drejtave dhe Detyrimeve të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor.

Parashtruesi i iniciativës: Oliver Davidovski

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesi pretendon se baza e vetme ligjore për humbjen e të drejtës për kategorinë e personave të siguruar është angazhimi aktual në punë ose kryerja e veprimtarisë së kundërligjshme, ndërsa pjesët e kontestuara e parashikojnë statusin e personit të siguruar dhe humbjen e të drejtave bazuar në të ardhurat më të larta, të ardhurat e padeklaruara dhe mospërputhshmërinë me të dhënat e DAP-it. Pretendohet se këto baza për humbjen e një të drejte të fituar nuk janë të parashikuara në Ligjin për Sigurim Shëndetësor, as në nenin 52-a ose në ndonjë dispozitë tjetër. Përveç kësaj, pretendohet se Rregullorja ka zgjeruar në mënyrë të paautorizuar kriteret materiale të përcaktuara në nenin 52 të Ligjit dhe se gjithashtu e merr parasysh statusin paraprak të të ardhurave të personit të siguruar.

6.UZ.nr.87/20225

Akti i kontestuar: Rezoluta për Dënimin e Manipulimeve të Opozitës dhe Konfirmimin e Politikave kundër Emigrimit të Paligjshëm, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Parashtruese e iniciativës: Partia politike “Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë” përmes përfaqësuesi ligjor Venko Filipçe

Pretendimet në iniciativë:

Parashtruesja e iniciativës potencon se Rezoluta e kontestuar është në kundërshtim me nenin 16 të Kushtetutës, pasi ajo pengon lirinë e mendimit dhe shprehjen publike të mendimit dhe mendimit individual mbi temën e emigrantëve në vend. Pretendohet se për një çështje me interes publik, mendimi shtypet dhe narrativa e kritikës dënohet, duke e paraqitur atë si të rreme dhe manipuluese. Thuhet se qëllimi i aktit të kontestuar është të censurojë tjetërmendasit mbi një temë me interes të veçantë publik dhe në asnjë rast kritika nuk mund të sulmohet si një mjet për të ngjallur panik dhe për të prishur stabilitetin publik.

KËRKESAT PËR MBROJTJEN E LIRIVE DHE TË DREJTAVE

1.BZSP.nr.20/2025

Lënda e kërkesës: Kërkesë për mbrojtje nga diskriminimi në bazë të nacionalitetit, në pajtim me nenin 110 alineja 3 të Kushtetutës

Parashtruesi i kërkesës: Sherafedin Kurtov

Pretendimet në kërkesë:

Parashtruesi potencon se pavarësisht se ishte i punësuar rregullisht dhe kryente detyra, atij nuk i ishin paguar kontributet, gjë që i kishte shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutë. Ai deklaron më tej se Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi vendosi në favor të tij dhe lëshoi një rekomandim për mënjanimin e shkeljeve të kryera në vendin e punës brenda 30 ditëve.

2.BZSP.nr.21/2025

Lënda e kërkesës: Kërkesë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave në përputhje me nenin 110 alineja 3 të Kushtetutës, mbi bazën e shprehjes së lirë të mendimit, bashkimit dhe veprimit politik dhe ndalimit të diskriminimit mbi bazë politike

Parashtruesi i kërkesës: Amar Mecinoviq

Pretendimet në kërkesë:

Parashtruesi potencon se dy ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2025, Këshilli i ASHMAA-së miratoi Udhëzim në të cilin pretendon se ai, si kandidat për kryetar komune dhe partia “Levica” (E Majta) e kishin të kufizuar të drejtën për trajtim të drejtë dhe reklamim politik të paguar në mënyrë proporcionale në të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike, portalet e internetit dhe tabelat reklamuese. Pretendohet se partia e tij dhe ai si kandidat, janë lënë jashtë me vetëdije dhe qëllimisht nga lista e partive të listuara, duke i mohuar kështu të drejtën për të marrë dhe transmetuar informacione, me pikësynimin që të ndikohet në rezultatet e zgjedhjeve. 

3.BZSP.nr.22/2025

Lënda e kërkesës: Ndalimi i diskriminimit mbi bazë të përkatësisë sociale, në përputhje me nenin 110 alineja 3 të Kushtetutës

Parashtruesi i kërkesës: Kuzman Cillkov

Parashtruesi potencon se me përmbarimin nga banka dhe përmbaruesi i merret plotësisht pensioni, me qëllim shlyerjen e borxheve nga kreditë, pa i marrë parasysh normat ligjore që përmbarimi nuk mund të kryhet mbi objekte ose të drejta që janë absolutisht të nevojshme për t’i përmbushur nevojat themelore të jetës. Ai beson se diskriminohet në bazë të përkatësisë sociale, pasi normat që i mbrojnë të drejtat e tij si debitor nuk janë marrë parasysh gjatë përmbarimit.