
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
UZ.nr.1/2025
Shkup, 11.12.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska – Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 38 alineja 2 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 11 dhjetor 2025, miratoi
A K T V E N D I M
HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit për ndërprerjen e vlefshmërisë së Vendimit për pranimin e eprorëve të APJ-së, nëpunësve ushtarakë dhe personave civilë në shërbim të APJ-së nga ana e Republikës së Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.158/2007).
Arsyetim
I
Zoran Salltamarski nga Shkupi, parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së aktit të shënuar në dispozitivin e këtij aktvendimi.
Parashtruesi i kërkesës thekson se gjatë periudhës kur ishte në fuqi Vendimi për pranimin e eprorëve të APJ-së, nëpunësve ushtarakë dhe personave civilë në shërbim të APJ-së nga ana e Republikës së Maqedonisë, nuk ka pasur të njëjtën zbatueshmëri ligjore për të gjithë të punësuarit në Armatën e Republikës së Maqedonisë (erga omnes), siç është edhe rasti i parashtruesit dhe një numri të madh të të punësuarve në Armatë, të cilëve nuk u është zgjidhur çështja e banimit.
Megjithatë, me miratimin e vendimit të kontestuar nuk ishte i vlefshëm më Vendimi për pranimin e eprorëve të APJ-së, nëpunësve ushtarakë dhe personave civilë në shërbim të APJ-së nga ana e Republikës së Maqedonisë, me nr.23-241/1, i datës 25.01.1992.
Sipas parashtruesit, Gjykata duhet ta pranojë iniciativën, në përputhje me nenin 110 të Kushtetutës dhe nenin 71 të Rregullores së Gjykatës Kushtetuese, sidomos duke pasur parasysh se vendimi i kontestuar ka fuqi prapavepruese, gjë që nuk është në përputhje me nenin 54 të Kushtetutës.
Bazuar në sa më sipër, parashtruesi propozon që Gjykata të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar dhe më pas ta shfuqizojë atë si në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë, bazuar në nenin 36 paragrafi 3 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.59/2000, 12/2003, 55/2005, 37/2006 dhe 115/2007), në mbledhjen e mbajtur më 26.12.2007, miratoi Vendimin për ndërprerjen e vlefshmërisë së Vendimit për pranimin e eprorëve të APJ-së, nëpunësve ushtarakë dhe personave civilë në shërbim të APJ-së nga ana e Republikës së Maqedonisë.
Në nenin 1 të Vendimit parashikohet që me të nuk është i vlefshëm më Vendimi për pranimin e eprorëve të APJ-së, nëpunësve ushtarakë dhe personave civilë në shërbim të APJ-së nga ana e Republikës së Maqedonisë, me nr.23-241/1, i datës 25.01.1992, i publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë”, nr.3/1992.
Sipas nenit 2 të këtij Vendimi, i njëjti hyn në fuqi ditën e ardhshme nga dita e publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë”.
Vendimi është publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë”, me nr.58/2007, më datë 28 dhjetor 2007.
III
Sipas nenit 110 paragrafi 2 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e rregullave të tjera dhe marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe ligjet.
Sipas nenit 52 paragrafi 4 të Kushtetutës, ligjet dhe rregullat e tjera nuk mund të kenë fuqi prapavepruese, përveç përjashtimeve, në rastet kur kjo gjë është më e favorshme për qytetarët.
Në pajtim me nenin 38 alineja 2 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese e hedh poshtë iniciativën nëse ajo tashmë ka vendosur për çështjen e njëjtë dhe nuk ka baza për një vendimmarrje ndryshe.
IV
Nga gjendja faktike e konstatuar rrjedh se me hyrjen në fuqi të Vendimit të kontestuar më 29.12.2007, nuk është i vlefshëm më Vendimi për pranimin e eprorëve të APJ-së, nëpunësve ushtarakë dhe personave civilë në shërbim të APJ-së nga ana e Republikës së Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.3/1992).
Bazuar në përmbajtjen e pretendimeve në iniciativë, Gjykata konstatoi se nuk ka bazë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar sepse në të vetëm theksohet neni 52 i Kushtetutës, për të cilin parashtruesi konsideron se është shkelur, pa dhënë arsye të argumentuara sa i përket përputhshmërisë së tij.
Konkretisht, Gjykata, në Aktvendimin U.nr.252/2024 të datës 18.06.2025, në procedurën në të cilën u kontestua vendimi i njëjtë, gjithashtu e hodhi poshtë iniciativën dhe konstatoi se arsyet e theksuara në iniciativë nuk mund të vihen në korrelacion me lëndën e rregullimit të vendimit të kontestuar, edhe nga vetë përmbajtja e iniciativës, e cila u specifikua në mënyrë shtesë, nuk krijohen baza për kontestim, prandaj Gjykata vlerësoi se nuk ka parakushte procedurale për t’u angazhuar për një vlerësim meritor të vendimit të kontestuar, përkatësisht ka pengesa procedurale për të vendosur mbi iniciativën, në përputhje me nenin 38 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese.
Në përputhje me nenin 110 të Kushtetutës, Gjykata nuk është kompetente ta vlerësojë zbatimin e një rregulli, përkatësisht në rastin konkret zbatimin e një Vendimi që nuk është më në fuqi dhe nuk është në rendin juridik, apo ndonjë abuzim të tillë të mundshëm përderisa Vendimi ishte në fuqi, kështu që në mungesë të argumenteve kushtetuese-juridike për kontestimin e kushtetutshmërisë së tij, Gjykata vlerësoi se në rastin konkret plotësohen kushtet për hedhjen poshtë të iniciativës.
Duke qenë se me këtë iniciativë kontestohet i njëjti Vendim që është vlerësuar tashmë nga Gjykata dhe se me Vendimin e lartpërmendur nuk është iniciuar procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe nuk ka baza për një vendim ndryshe, janë plotësuar kushtet për hedhjen poshtë të iniciativës në lidhje me Vendimin e kontestuar.
Si rrjedhojë, kjo është një çështje për të cilën Gjykata tashmë ka vendosur, dhe nuk ka argumente për vendimmarrje ndryshe, prandaj në përputhje me nenin 38 alineja 2 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata vendosi ta hedh poshtë iniciativën.
V
Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr. Darko Kostadinovski