U.nr.82/2025

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.82/2025
Shkup, 03.12.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska dhe dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 3 dhjetor 2025, miratoi

A K T V E N D I M

NUK INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 145 paragrafi 1 në pjesën: “edhe atë nga dita kur urdhri i përmbarimit i është dorëzuar atij punëdhënësi” të Ligjit për Përmbarim (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.72/2016, 142/2016 dhe 233/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.14/2020 dhe 154/2023).

Arsyetim

I

Ilko Petrov nga Shkupi, në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, parashtroi iniciativë për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesës së dispozitës së Ligjit të shënuar në dispozitivin e këtij Aktvendimi.

Në iniciativë, parashtruesi thekson se pjesa e kontestuar: “edhe atë nga dita kur urdhri i përmbarimit i është dorëzuar atij punëdhënësi” nga neni 145 paragrafi 1 i Ligjit për Përmbarim, nuk është në përputhje me parimin e sundimit të së drejtës nga neni 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut sepse nuk garanton sigurinë juridike të qytetarëve-kreditorë se ata do të mund ta arkëtojnë kërkesën e tyre monetare nga debitori pas dorëzimit të urdhrit të përmbarimit te punëdhënësi. Antikushtetueshmërinë e nenit të kontestuar, parashtruesi e sqaron me shembullin e tij konkret në të cilin, ai si kreditor gjendej në një situatë ku debitori kishte dhënë dorëheqje nga puna te njëri punëdhënës dhe ishte punësuar te një punëdhënës tjetër, të cilit i është dërguar urdhri i përmbarimit mbi pagat, por urdhri i tij është lënë në pritje sepse një përmbarues tjetër për një kreditor tjetër, i cili më shpejt kishte arritur të zbulonte punëdhënësin e ri, kishte lëshuar tashmë urdhra përmbarimi kundër të njëjtit debitor, duke humbur kështu parashtruesi radhën e tij.

Parashtruesi thekson se për shkak të pjesës së kontestuar të nenit të Ligjit, ai do të duhet të presë në radhë për të shlyer borxhin nga debitori te punëdhënësi i dytë, por se ai personalisht dyshon se do të jetë në gjendje të arkëtojë kërkesën e tij monetare për shkak të urdhrave të përmbarimit të dorëzuara paraprakisht mbi pagën, për këto arsye parashtruesi propozon që Gjykata Kushtetuese ta anulojë pjesën e kontestuar: “edhe atë nga dita kur urdhri i përmbarimit i është dorëzuar atij punëdhënësi” nga neni 145 paragrafi 1 i Ligjit.

Në iniciativë theksohet si, sipas parashtruesit, duhet të shqiptohet norma në mënyrë që ai të ketë përparësi në radhën e përmbarimit, përkatësisht Ministria e Drejtësisë duhet ta përshtatë Ligjin me këtë qëllim, në atë mënyrë që në dispozitë, në vend të pjesës së anuluar të fjalisë, të thuhet si në vijim: “që përcakton të njëjtën radhë të shlyerjes së borxhit si te punëdhënësi paraprak”.

II

Në seancë, Gjykata konstatoi që sipas nenit 145 paragrafi 1 të Ligjit për Përmbarim, kur marrëdhënia e punës së debitorit ka përfunduar, urdhri i përmbarimit ka efekt edhe te punëdhënësi me të cilin debitori më pas ka krijuar marrëdhënie pune, që nga dita kur urdhri i përmbarimit i është dërguar atij punëdhënësi.

Me iniciativën kontestohet pjesa “edhe atë nga dita kur urdhri i përmbarimit i është dorëzuar atij punëdhënësi”.

III

Sipas nenit 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në pajtim me nenin 51 të Kushtetutës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet medoemos duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin. Secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Me nenin 1 paragrafi 1 të Ligjit për Përmbarim (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.72/2016, 142/2016 dhe 233/2018, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.14/2020 dhe 154/2023) parashikohet se me këtë Ligj përcaktohen rregullat sipas të cilave veprojnë përmbaruesit lidhur me përmbarimin e detyrueshëm sipas vendimit gjyqësor, i cili i referohet përmbushjes së një detyrimi të caktuar, përveç nëse me ligj tjetër është përcaktuar ndryshe.

Sipas rregullit të përgjithshëm për radhën e keriditorëve të shumtë lidhur me shlyerjen e detyrimit, të përfshirë në nenin 7, në pjesën e dispozitave themelore të Ligjit për Përmbarim, thuhet: “Kreditorët e shumtë që i realizojnë kërkesat e tyre monetare ndaj të njëjtit debitor në bazë të lëndës së njëjtë të përmbarimit, i arkëtojnë këto kërkesa sipas radhës, siç e kanë fituar të drejtën për arkëtim (të drejtën e shlyerjes) në atë lëndë, përveç në rastet kur me këtë Ligj është përcaktuar ndryshe.

Në kapitullin trembëdhjetë, i titulluar: “Përmbarimi në bazë të kërkesës monetare të debitorit”, përfshihet pika 5, e cila rregullon dispozitat e veçanta për përmbarim mbi pagën dhe të ardhurat e tjera monetare (nenet nga 140 deri 148).

Sipas nenit 141 paragrafi 1 të Ligjit, me urdhrin e përmbarimit mbi pagën përcaktohet ndalesë e një pjese të caktuar të pagës dhe urdhërohet punëdhënësi, i cili ia paguan pagën debitorit, të paguajë vlerën e parave për të cilën është dhënë urdhri i përmbarimit, përkatësisht t’ia paguajë atë vlerë kreditorit.

Sipas paragrafit 3 të të njëjtit nen, nëse punëdhënësi ka marrë më shumë urdhra përmbarimi kundër të njëjtit debitor, është i detyruar ato t’i evidentojë, t’i ruajë dhe t’i realizojë sipas radhës në të cilën i ka pranuar. Me kërkesë të përmbaruesit, punëdhënësi është i detyruar ta informojë përmbaruesin për radhitjen e pagesës.

Sipas nenit 145 paragrafi 1 të Ligjit, kur marrëdhënia e punës së debitorit ka përfunduar, urdhri i përmbarimit ka efek edhe kundrejt punëdhënësit me të cilin debitori më pas ka krijuar marrëdhënie pune, që nga dita kur urdhri i përmbarimit i është dorëzuar atij punëdhënësi.

Paragrafi 2 i të njëjtit nen përcakton se punëdhënësi tek i cili debitori nuk është më i punësuar është i detyruar t’ia dërgojë urdhrin e përmbarimit pa vonesë me dërgesë të rekomanduar punëdhënësit tek i cili debitori ka krijuar marrëdhënie pune dhe për këtë ta njoftojë përmbaruesin.

Sipas paragrafit 3 të të njëjtit nen, punëdhënësi tek i cili debitori nuk është më i punësuar, menjëherë duhet ta njoftojë përmbaruesin edhe nëse nuk dihet se te cili punëdhënës debitori ka krijuar marrëdhënie pune.

IV

Nga dispozitat ligjore të cituara rrjedh se me Ligjin për Përmbarim parashikohen rregullat e përmbarimit mbi pagat dhe të ardhurat e tjera monetare, duke përfshirë rregullat e përmbarimit pas marrjes së urdhrave të shumëfishta të përmbarimit kundër të njëjtit debitor. Në të njëjtën kohë, me Ligjin përcaktohen rregullat që i referohen veprimeve të punëdhënësit me të cilin ka përfunduar marrëdhënia e punës e debitorit, si dhe efekti juridik i urdhrit të përmbarimit pas punësimit të sërishëm të debitorit te një punëdhënës tjetër.

Sundimi i së drejtës, i përcaktuar në nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës si një vlerë themelore e rendit kushtetues është parim kushtetues që zbatohet nëpërmjet përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën dhe të gjitha rregulloreve të tjera me Kushtetutën dhe me ligjin. Në të njëjtën kohë, parimi i sundimit të së drejtës zbatohet edhe përmes ekzistencës së normave të qarta dhe të kuptueshme, përkatësisht përmes normave të cilat nuk janë të konceptuara në mënyrë të dykuptimtë në ligje, si dhe në aktet e tjera, me qëllim zbatimin e tyre të qëndrueshëm, pa ekzistuar mundësia për interpretimin dhe zbatimin e tyre të ndryshëm, si një garanci për sigurinë juridike të qytetarëve, si një element i sundimit të së drejtës.

Duke e shqyrtuar përmbajtjen e kontestuar të dispozitës ligjore nga këndvështrimi i përputhshmërisë së saj me nenin e lartpërmendur të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se pjesa e kontestuar: “edhe atë nga dita kur urdhri i përmbarimit i është dorëzuar atij punëdhënësi”, nuk është e dykuptimtë por ka një përmbajtje të kuptueshme, që tregon qartë dhe saktë fillimin e efektit të urdhrit të përmbarimit kundrejt punëdhënësit tjetër.

Sipas pjesës së kontestuar të nenit të Ligjit, nga dita e marrjes së urdhrit të përmbarimit, punëdhënësi i ri është i detyruar të veprojë në përputhje me rregullat e parashikuara të përmbarimit mbi pagën dhe të ardhurat e tjera monetare, duke përfshirë këtu rregullat e përmbarimit pas marrjes së urdhrave të shumëfishta të përmbarimit kundër të njëjtit debitor, nëse janë dërguar disa të tilla.

Në rastin e urdhrave të shumëfishta të përmbarimit kundër të njëjtit debitor, është plotësisht e justifikuar dhe ligjërisht e pranueshme që shlyerja e tyre të kryhet sipas parimit të tyre në bazë kohore, përkatësisht sipas radhitjes kur janë dorëzuar urdhrat e përmbarimit, gjë që në mënyrë të pashmangshme krijon një situatë ku dikush është i pari për sa i përket shlyerjes, ndërsa dikush është i dyti, i treti, etj.

Sipas Gjykatës, rrethanat nëse do të vijë deri te ndryshimi i radhës së shlyerjes te punëdhënësi i ri apo do të mbetet e njëjtë, është një çështje faktike që varet nga koha e dorëzimit të urdhrave të përmbarimit.

Në të njëjtën kohë, kushtetutshmëria e pjesës së kontestuar të nenit të Ligjit nuk mund të shqyrtohet nga perspektiva e pretendimeve se rreziku i pagesës së kërkesës rritet për ata kreditorë që nuk kanë arritur të bëhen të parët në radhën e shlyerjes. Përmbarimi, sipas Ligjit për Përmbarim, mund të zbatohet edhe me mjete të tjera të përmbarimit, gjë që mbron plotësisht të drejtat e kreditorëve nëse përmbarimi nuk mund të zbatohet me një mjet përmbarimi.

Bazuar në sa më sipër, Gjykata konstatoi se neni 145 paragrafi 1 në pjesën: “edhe atë nga dita kur urdhri i përmbarimit i është dorëzuar atij punëdhënësi” të Ligjit për Përmbarim nuk është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës.

V

Bazuar në sa më sipër, Gjykata me shumicë votash, vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski