U.nr.270/2024

Nuk u gjet asnjë fjalë

Gjykata Kushtetuese
e Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.270/2024
Shkup, 11.12.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 3 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 11 dhjetor 2025, miratoi

A K T V E N D I M

HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 18 paragrafi 1 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.193/2024).

Arsyetim

I


Igorço Toçev nga Shkupi ka parashtruar para Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut iniciativë për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitës së Ligjit të shënuar në dispozitivin e këtij aktvendimi.

Sipas pretendimeve, me nenin 18 paragrafi 1 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.193/2024) përcaktohet se dispozitat e nenit 37 të këtij Ligji nuk zbatohen në periudhën nga 1 shtatori 2024 deri më 31 gusht 2025. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen të Ligjit, më 1 shtator 2024, të gjitha llojet e pensioneve të realizuara në pajtim me këtë Ligj, përfshirë ato deri më 31 gusht 2024, rriten për 2.500 denarë. Ndërkaq sipas paragrafit 3 më 1 mars 2025, të gjitha llojet e pensioneve të realizuara në pajtim me këtë Ligj, deri më 28 shkurt 2025 rriten për 2.500 denarë.

Në paragrafin 4 është përcaktuar se për shkak të zbatimit të paragrafit 2 dhe paragrafit 3, pensioni i realizuar në vitin aktual, paraprakisht harmonizohet me vlerën mujore sipas rritjes së pagave neto të dhjetorit të vitit paraprak, në raport me pagën mesatare neto të po atij viti.

Parashtruesi potencon se neni 18 paragrafi 1 i kontestuar i Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.193/2024), është publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” më 18.09.2024, nga kur edhe fillon zbatimi i këtij Ligji, me çka konsideron se norma ka efekt prapaveprues. Në këtë drejtim, parashtruesi pretendon se në propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e këtij Ligji, nuk janë paraqitur arsye të shpjeguara në mënyrë të mjaftueshme lidhur me atë nëse këto ndryshime dhe plotësime kanë implikime pozitive për qytetarët apo jo, ndërsa në varësi të këtyre implikimeve, nëse kjo normë ka edhe efekt prapaveprues apo nuk prodhon një efekt të tillë.

Sipas kësaj, parashtruesi konsideron se përjashtimi i zbatimit të një dispozite të caktuar me një dispozitë tjetër ligjore për një periudhë të caktuar kohore, është në kundërshtim me vlerën themelore të sundimit të së drejtës, e cila në vetvete e bashkon edhe parimin e sigurisë juridike, sipas të cilit, në qarkullimin juridik duhet të ekzistojnë norma logjike dhe të arsyeshme që do të vendosin marrëdhënie të qëndrueshme dhe konsekuente në rendin juridik.

Sipas pretendimeve, dispozita e kontestuar është e përshtatshme për analizë gjyqësore-kushtetuese nga aspekti i përputhshmërisë së saj me sundimin e së drejtës dhe ndalimin e zbatimit prapaveprues të ligjeve, prandaj parashtruesi propozon që Gjykata të miratojë vendim me të cilin do ta shfuqizojë dispozitën e kontestuar. Në bazë të Aktit të Gjykatës, propozon që deri në marrjen e vendimit përfundimtar, të miratohet aktvendim për ndërprerjen e zbatimit të akteve ose veprimeve të veçanta të ndërmarra në bazë të dispozitës së kontestuar.


II

Në seancë, Gjykata konstatoi se neni 18 paragrafi 1 i Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.193/2024) përcakton se dispozitat e nenit 37 të këtij Ligji, nuk zbatohen në periudhën nga 1 shtatori 2024 deri më 31 gusht 2025.

III

Sipas nenit 8 paragrafi 1 alinetë 1, 3 dhe 8 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të qytetarit, të njohura me të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë, sundimi i së drejtës dhe humanizmi, drejtësia sociale dhe solidariteti.

Sipas nenit 51 të Kushtetutës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ligjet duhet medoemos të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin. Secili e ka për detyrë t’i respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Me nenin 52 paragrafi 4 të Kushtetutës është përcaktuar se ligjet dhe rregullat e tjera nuk mund të kenë efekt prapaveprues, përveçse kur ka përjashtme, në rastet kur kjo është më e favorshme për qytetarët.

Në përputhje me nenin 110 alineja 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.

Sipas nenit 38 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë iniciativën nëse ekzistojnë pengesa procedurale për vendimmarrje lidhur me iniciativën.

IV

Me nenin 18 paragrafi 1 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.193/2025) është përcaktuar se neni 37 i Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, me të cilin rregullohet harmonizimi i pensioneve të pleqërisë çdo vit më 1 mars dhe 1 shtator, nuk do të zbatohet në periudhën nga 1 shtatori 2024 deri më 31 gusht 2025.

Me nenin 2 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr.154/2025), të miratuar më 24 korrik 2025 dhe të publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” më 29 korrik 2025, është përcaktuar përmbajtja e re e nenit 37 të Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, përkatësisht periudha e re e zbatimit të dispozitave të këtij Ligji, si dhe mënyra e re e harmonizimit të pensioneve të pleqërisë, që nuk mund të jetë lëndë e analizës gjyqësore-kushtetuese “vis a vis” me pretendimet e paraqitura në iniciativën në fjalë.

Duke marrë parasysh gjendjen faktike të paraqitur, sipas së cilës neni i kontestuar i Ligjit ka karakter kohor të përkohshëm (nga 1 shtatori 2024 deri më 31 gusht 2025), përkatësisht zbatimi i tij ndërpritet me kalimin e periudhës së përcaktuar në vetë Ligjin, Gjykata vlerësoi se, në përputhje me nenin 38 alineja 3 të Aktit të saj, ekzistojnë pengesa procedurale për vendimmarrje lidhur me iniciativën.

V

Në bazë të lartpërmendurës, Gjykata me shumicë votash, vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr. Darko Kostadinovski