U.nr.6/2025

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.6/2025
Shkup, 19.11.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 19 nëntor 2025, miratoi

A K T V E N D I M

NUK INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 67 paragrafi 4 të Ligjit për Pyjet (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.64/2009, 24/2011, 53/2011, 25/2013, 79/2013, 147/2013, 43/2014, 160/2014, 33/2015, 44/2015, 147/2015, 7/2016 dhe 39/2016, si  dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr. 274/2022, 255/2024 dhe 59/2025).

Arsyetim

I

Vllado Mickovski nga fshati Vraneshticë – Komuna e Kërçovës, parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitës së kontestuar të Ligjit të shënuar në dispozitivin e këtij aktvendimi.

Sipas parashtruesit, dispozita e kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 6 dhe nenin 30 paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe në kundërshtim me nenin 36 paragrafi 1 të Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore.

Në iniciativë theksohet se duke e kushtëzuar bashkëpronarin e pjesës më të madhe të pronësisë, menaxhimi i pronësisë mbi të gjithë sendin, kufizohet nga bashkëpronari pakicë dhe në këtë mënyrë menaxhimi i sendit varet tërësisht prej tij. Dispozita e kontestuar i jep bashkëpronarit pakicë një të drejtë më të madhe mbi sendin, përkatësisht, të ashtuquajturën “të drejtën e vetos”. Në iniciativë, theksohet se, ndryshe nga të drejtat që rrjedhin nga dispozita e kontestuar, me nenin 36 paragrafi 1 të Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore, parashikohet që për t’u ndërmarrë punë lidhur me menaxhimin e rregullt të pronës, kërkohet pëlqimi i bashkëpronarëve, pjesët e të cilëve përfaqësojnë më shumë se gjysmën e vlerës së pronës.

Sipas pretendimeve në iniciativë, në praktikë, bashkëpronarët me pjesëmarrje në pronësi më të madhe se gjysma e saj, vihen në një situatë ku nuk mund të parashtrojnë kërkesë për leje për prerje dhe kështu nuk mund të menaxhojnë pronën e tyre. Nëse dispozita e kontestuar shfuqizohet, atëherë leje prerjeje në një pyll privat do të mund të parashtrojnë bashkëpronarët që kanë më shumë se gjysmën e vlerës së sendit, gjë që do t’u lejojë bashkëpronarëve shumicë të menaxhojnë pronën dhe mos të pësojnë veto nga bashkëpronarët pakicë.

Parashtruesi, potencon se dispozita e kontestuar u jep të drejtë ekskluzive bashkëpronarëve pakicë të pjesëve të vogla, të cilët nuk janë të interesuar të zbatojnë një trashëgimlënie. Ndërkaq, ka pasur edhe raste kur bashkëpronarët e pjesëve të vogla, nuk kanë dëshiruar të parashtrojnë kërkesë për prerjen e drurëve për shkak të vlerës së parëndësishme të pjesës së tyre ose, më shpesh, për shkak të marrëdhënieve të prishura ndërpersonale, ku kanë bllokuar menaxhimin e të gjithë pronës. Në këtë mënyrë, bashkëpronarët e pjesëve më të vogla të pronës janë në një pozicion të privilegjuar, madje, monopolist në raport me bashkëpronarët e tjerë shumicë.

Për shkak të çështjeve të lartpërmendura, parashtruesi kërkon që Gjykata Kushtetuese të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së dispozitës së kontestuar dhe ta shfuqizojë atë.

II

Në seancë, Gjykata konstatoi se neni 67 paragrafi 4 i Ligjit për Pyjet (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr. 64/2009, 24/2011, 53/2011, 25/2013, 79/2013, 147/2013, 43/2014, 160/2014, 33/2015, 44/2015, 147/2015, 7/2016 dhe 39/2016, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.274/2022, 255/2024 dhe 59/2025) përcakton se leja për prerjen e drurëve në një pyll privat në pronësi të më shumë bashkëpronarëve, mund të lëshohet vetëm në bazë të kërkesës së përbashkët nga të gjithë bashkëpronarët. 

III

Në pajtim me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 3, 6 dhe 10 të Kushtetutës, sundimi i së drejtës, mbrojtja ligjore e pronësisë, rregullimi dhe humanizimi i hapësirës, si dhe mbrojtja dhe përmirësimi i mjedisit jetësor dhe natyrës janë vlera themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Me nenin 30 paragrafi 1 të Kushtetutës, garantohet e drejta e pronësisë dhe e drejta e trashëgimisë dhe sipas paragrafit 2 të këtij neni, pronësia krijon të drejta dhe detyrime dhe duhet t’i shërbejë të mirës së individit dhe të komunitetit. Sipas paragrafit 3 të këtij neni, askush nuk mund të privohet ose të kufizohet nga pronësia dhe të drejtat që rrjedhin prej saj, përveç, kur bëhet fjalë për interes publik të përcaktuar me ligj.

Sipas nenit 51 të Kushtetutës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe ligjin. Secili është i detyruar të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Me nenin 56 të Kushtetutës, përcaktohet se të gjitha pasuritë natyrore të Republikës, bota bimore dhe shtazore, pasuritë me përdorim të përgjithshëm, si dhe sendet dhe objektet me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike të përcaktuara me ligj, janë pasuri me interes të përgjithshëm për Republikën dhe gëzojnë mbrojtje të veçantë.

Në nenin 1 paragrafi 1 të Ligjit për Pyjet (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.64/2009, 24/2011, 53/2011, 25/2013, 79/2013, 147/2013, 43/2014, 160/2014, 33/2015, 44/2015, 147/2015, 7/2016 dhe 39/2016, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.274/2022, 255/2024 dhe 59/2025), parashihet se me këtë ligj rregullohen çështjet si planifikimi, menaxhimi, ekonomizimi, kultivimi, mbrojtja dhe përdorimi, ruajtja e pyjeve si burim natyror dhe tokës pyjore, ushtirmi i funksioneve me dobi të përgjithsgme të pyjeve, e drejta dhe detyrimet për përdorimin e pyjeve, financimi, si dhe çështjet e tjera me rëndësi për pyjet dhe tokën pyjore, sipas parimit të pranueshmërisë biologjike, ekonomike, sociale dhe ekologjike. Paragrafi 2 i nenit të njëjtë përcakton se dispozitat e këtij ligji zbatohen për të gjitha pyjet dhe tokat pyjore, pavarësisht nga pronësia dhe destinimi.

Sipas nenit 2 të ligjit të njëjtë, pyjet janë në pronësi shtetërore dhe private, ndërsa me nenin 3 është rregulluar çështja se pyjet si burim natyror janë pasuri me interes të përgjithshëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe gëzojnë mbrojtje të veçantë, si dhe se planifikimi, menaxhimi, ekonomizimi dhe ruajtja e pyjeve dhe tokave pyjore janë veprimtari me interes publik.

Në nenin 4 të të njëjtit ligj, përcaktohen qëllimet e Ligjit: të ruhet përgjithmonë sipërfaqja nën pyje, të rritet vlera e tyre dhe të sigurohet rritje më e madhe sipas kushteve natyrore të vendit të rritjes, si dhe të sigurohet menaxhimi, planifikimi, ekonomizimi i qëndrueshëm i pyjeve dhe ruajtja e pyjeve dhe tokës pyjore në atë mënyrë dhe masë që ruan dhe përmirëson përgjithmonë kapacitetin e tyre prodhues, diversitetin biologjik, aftësinë për ripërtëritje dhe vitalitet, në interes të zhvillimit aktual dhe të ardhshëm të funksioneve ekonomike, ekologjike dhe sociale të pyllit, duke mos e dëmtuar kështu ekosistemin.

Ekonomizimi i pyjeve, në përputhje me nenin 7 të ligjit të njëjtë, paraqet kultivimin, mbrojtjen dhe përdorimin e pyjeve nëpërmjet ripërtëritjes, kujdesit, mbrojtjes, shtimit të pyjeve të reja, përdorimit të pyjeve dhe tokës pyjore, si dhe aktiviteteve të tjera për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e funksioneve të pyjeve.

Bashkëpronësia nënkupton pronësinë e më shumë personave që kanë të drejtë pronësie mbi një send të pandarë, ku pjesa e secilit prej tyre përcaktohet në mënyrë proporcionale me tërësinë (pjesën ideale të bashkëpronësisë), në përputhje me nenin 31 paragrafi 1 të Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.18/2001, 92/2008, 139/2009 dhe 35/2010).

IV

Nga analiza e dispozitave ligjore të mësipërme, padyshim që rrjedh se ligjvënësi ka vendosur një regjim të veçantë ligjor për mbrojtjen, ruajtjen dhe përdorimin e pyjeve si pasuri natyrore dhe si pasuri me interes të përgjithshëm për Republikën. Si të tilla, edhe kur janë në pronësi private, pyjet i nënshtrohen një regjimi të kontrolluar ekonomizimi, me qëllim të mbrojtjes së interesit publik dhe ekuilibrit natyror. Një regjim i tillë, i veçantë ligjor gjen justifikimin e tij edhe në nenin 56 të Kushtetutës, i cili përcakton se të gjitha burimet natyrore të Republikës gëzojnë mbrojtje të veçantë.

Në rastin konkret, shteti mund të vendosë rregulla të veçanta për menaxhimin e përbashkët, veçanërisht kur bëhet fjalë për burime natyrore me vlerë të jashtëzakonshme ekologjike dhe kur interesi publik për mbrojtjen e fondit pyjor përfaqëson një qëllim legjitim, që mund të justifikojë edhe procedura më të rrepta lidhur me përdorimin, si dhe nevojën për menaxhimin e përbashkët për shkak të qëndrueshmërisë së mjedisit jetësor. Mbrojtja e veçantë që e gëzojnë pyjet (pavarësisht nga regjimi i pronësisë), si pasuri natyrore dhe pasuri me interes të përgjithshëm për Republikën, imponon masa të caktuara mbrojtëse me qëllim të parandalimit të përdorimit dhe disponueshmërisë së paligjshme të pyjeve.

Prerja e drurëve në pyje ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ekosistemin, ujërat, erozionin dhe cilësinë e ajrit, prandaj rrjedh se leja e prerjes së drurëve nuk është vetëm një çështje me natyrë ekonomike për bashkëpronarin, por edhe një çështje me interes publik, gjë që justifikon nevojën për pëlqimin e përbashkët të të gjithë bashkëpronarëve. Me dispozitën e kontestuar nuk ndalohet e drejta e prerjes në pyjet private, por përkundrazi e kushtëzon atë me pranimin që bashkëpronarët duhet të parashtrojnë kërkesë të përbashkët. Kërkesa për pëlqim nga të gjithë bashkëpronarët gjatë disponimit të pronës së përbashkët shërben në funksion të mbrojtjes së të drejtës së pronësisë, e jo për ta kufizuar atë. Një kusht i tillë ligjor për një kërkesë të përbashkët nga të gjithë bashkëpronarët nuk e heq të drejtën e pronësisë, por përkundrazi rregullon procedurën e përdorimit të pyllit në funksion të mbrojtjes së fondit pyjor, gjë që është në përputhje me parimin e proporcionalitetit.

Pronësia si një e drejtë e garantuar kushtetuese rregullohet me ligj, veçanërisht kur bëhet fjalë për bashkëpronësinë, përkatësisht për pronën, në të cilën disa persona zotërojnë pjesë ideale.

Kushtetuta nuk garanton të drejtë absolute dhe të pakufizuar pronësie. Pronësia duhet të ushtrohet në përputhje me interesat e përgjithshme, të drejtat e bashkëpronarëve të tjerë dhe kufizimet ligjore. Sipas dispozitës së kontestuar, në një pyll privat që zotërohet në pjesë ideale, asnjë bashkëpronar nuk ka të drejtë të menaxhojë në mënyrë të pavarur një pjesë konkrete. Kjo rrjedh nga natyra e pyllit si burim natyror dhe këtu nuk mund të zbatohet mekanizmi i vendimmarrjes së shumicës. Rregullat për menaxhimin e përbashkët në bashkëpronësi nuk duhet të çojnë në majorizim, përkatësisht në dominimin e shumicës mbi pakicën, veçanërisht në rastet kur bëhet fjalë për përdorimin e burimeve natyrore dhe ku dëmet nga përdorimi mund t’u transferohen në mënyrë disproporcionale bashkëpronarëve pakicë. Prandaj, Gjykata vlerësoi se dispozita e kontestuar ka një funksion mbrojtës, respektivisht parandalon mundësinë që një ose më shumë bashkëpronarë të shfrytëzojnë pyllin pa pëlqimin e të tjerëve, duke mbrojtur kështu interesin e të gjithë bashkëpronarëve dhe në të njëjtën kohë interesin publik për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit jetësor.

Bazuar në analizën e dispozitave të lartpërmendura të Ligjit për Pyjet dhe Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore, Gjykata vlerësoi se me dispozitën e kontestuar mundësohet siguria juridike, mbrojtja e interesave individuale të të gjithë bashkëpronarëve dhe parandalohen veprimet arbitrare dhe të dëmshme nga individët mbi pronën e përbashkët.

Në bazë të lartpërmendurës, Gjykata vlerësoi se dispozita e kontestuar i shërben nevojës për të vendosur një regjim të veçantë juridik për mbrojtjen e pyjeve si burim natyror dhe nuk e kufizon të drejtën e pronës, përkatësisht është në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 6 dhe nenin 30 paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut nga aspekti i pretendimeve në iniciativë.

Lidhur me pretendimet për mospërputhjen e dispozitës së kontestuar me nenin 36 paragrafi 1 të Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore, Gjykata vlerësoi se ato i referohen një kërkese për të cilën, sipas nenit 110 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente të vendosë.

V

Bazuar në sa më sipër, Gjykata me shumicë votash, vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr. Darko Kostadinovski