U.nr.58/2025

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.58/2025
Shkup, 19.11.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska – Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 1 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 19 nëntor 2025, miratoi


A K T V E N D I M


HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 38 paragrafi 1 në pjesët në vijim: “dënim në para” dhe “kundërvajtje ekonomike” të Ligjit për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm (“Fleta Zyrtare e RSFJ-së”, nr.53/1991 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.15/1995).

Arsyetim


I


Igorço Toçev nga Shkupi, në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, inicioi iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesëve të dispozitës së Ligjit të shënuar në dispozitivin e këtij aktvendimi.
Në iniciativë, citohen neni 38 paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm (“Fleta Zyrtare e RSFJ-së”, nr.53/1991 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.15/1995) dhe theksohet se sipas nenit 34 të Ligjit për Sigurinë e Produkteve Kozmetike (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.55/2007), në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, nuk zbatohen më dispozitat e Ligjit për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm, që kanë të bëjnë me mjetet për ruajtjen e higjienës personale, për kujdesin dhe zbukurimin e fytyrës dhe trupit, si dhe ambalazhin e këtyre mjeteve.
Për më tepër, në iniciativë citohet neni 3 paragrafi 13 dhe neni 22 paragrafi 1 të Ligjit për Kundërvajtje (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.96/2019) dhe theksohet se këto dispozita të Ligjit nënkuptojnë se, për kundërvajtje, kryerësve përgjegjës për kundërvajtje mund t’u shqiptohet, ndër të tjera, edhe gjobë. Sipas parashtruesit, nga tërësia e Ligjit për Kundërvajtje, nuk rezulton se kryerësve përgjegjës për kundërvajtje do t’u shqiptohet dënim në para, por gjobë, e cila është e përcaktuar në nenin 3 paragrafi 13 të këtij Ligji dhe njëherazi, në këtë Ligj nuk parashikohet as instituti: “kundërvajtje ekonomike”. Me Ligjin për Kundërvajtje, sipas parashtruesit, braktiset koncepti i dënimeve me para.
Parashtruesi thekson se në qarkullimin juridik, duhet të ketë dispozita që plotësojnë njëra-tjetrën, në mënyrë që të ketë harmoni ndërmjet tyre, gjë që është në përputhje me sundimin e së drejtës si vlerë themelore e Kushtetutës.
Me këtë iniciativë, kërkohet që Gjykata Kushtetuese të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së pjesëve të kontestuara të nenit 38 paragrafi 1 të Ligjit për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm dhe t’i shfuqizojë ato si në kundërshtim me Kushtetutën.


II


Në seancë, Gjykata konstatoi që sipas nenit 38 paragrafi 1 të Ligjit për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm (“Fleta Zyrtare e RSFJ-së”, nr.53/1991 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.15/1995), do të dënohet me dënimin me para prej 50 deri në 100 paga për kundërvajtje ekonomike një ndërmarrje ose person tjetër juridik që merret me prodhimin, importin apo qarkullimin e ushqimeve ose lëndëve për përdorim të përgjithshëm kur:
1) hedh në qarkullim ushqime ose lëndë për përdorim të përgjithshëm, që janë higjienikisht të parregullta ose nëse prodhon ushqime ose lëndë për përdorim të përgjithshëm nga lëndët e para higjienikisht të parregullta (neni 5);
2) hedh në qarkullim ushqime ose lëndë për përdorim të përgjithshëm, të cilave data e shënuar në deklaratën e tyre ka skaduar ose të cilat nuk kanë deklaratë, apo nëse në deklaratë nuk mund të përcaktohet data e skadimit, po qe se ato hedhen në qarkullim me paketimin origjinal (neni 6, paragrafi 1);
3) importon me qëllim të hedhjes në qarkullim në tregun vendas, ushqime ose lëndë për përdorim të përgjithshëm, të cilat nga pikëpamja e sigurisë shëndetësore, nuk përputhen me kushtet e përcaktuara për ushqimet, përkatësisht lëndët për përdorim të përgjithshëm në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë (neni 8);
4) përdor aditivë dhe përbërës të tjerë në prodhimin ose tregtimin e ushqimeve ose lëndëve për përdorim të përgjithshëm, në kundërshtim me kushtet e përcaktuara (neni 11, neni 13, paragrafi 1 dhe neni 14 paragrafi 1);
5) përdor substanca, përdorimi ose sasia e të cilave nuk lejohet për prodhimin e llojeve të caktuara të lëndëve për përdorim të përgjithshëm (neni 15).


III


Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën në përputhje me nenin 110 alineja 1 të Kushtetutës.
Në përputhje me nenin 38 paragrafi 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e hedh poshtë iniciativën nëse nuk është kompetente të vendosë mbi kërkesën.
Në nenin 34 të Ligjit për Sigurinë e Produkteve Kozmetike (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.55/2007) parashihet që, në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, nuk zbatohen më dispozitat e Ligjit për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm (“Fleta Zyrtare e RSFJ-së”, nr.53/1991 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.15/1995) që kanë të bëjnë me mjetet për ruajtjen e higjienës personale, për kujdesin dhe zbukurimin e fytyrës dhe trupit, si dhe ambalazhin e këtyre mjeteve.
Ligji për Sigurinë e Ushqimit, Produkteve dhe Materialeve që Bien në Kontakt me Ushqimin (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.54/2002 dhe 84/2007), në nenin 62, ndër të tjera, përcakton se në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, nuk zbatohen më dispozitat e Ligjit për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm (“Fleta Zyrtare e RSFJ-së”, nr.53/1991 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.15/1995), që kanë të bëjnë me ushqimet për kafshët, enët, veglat, impiantet dhe pajisjet për prodhimin dhe tregtimin e ushqimeve dhe lëndëve për kafshët që bien në kontakt me ushqimet për kafshët, si dhe ambalazhin e ushqimeve për kafshët, me duhanin, produktet e duhanit dhe aksesorët për tymosje.
Ligji për Kundërvajtje (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.15/1997, nga data 11.04.1997), në nenin 103 përcakton se në ditën e zbatimit të këtij ligji, ndër të tjera, nuk është i vlefshëm më Ligji për Kundërvajtje Ekonomike (“Fleta Zyrtare e RSFJ-së”, nr.4/1977, 10/1986, 74/1987, 57/1989 dhe 3/1990).
Dënimi me para, si sanksion kundërvajtës është zëvendësuar me gjobë në përputhje me Ligjin për Kundërvajtje, të publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë”, nr.62/2006 më datë 27.05.2006, ku në nenin 13 pika 1 rregullohet çështja se si lloje të sanksioneve kundërvajtëse për kryerësit përgjegjës për kundërvajtje të moshës madhore, përveç sanksioneve të tjera, mund t’u shqiptohet edhe gjobë.
Njëkohësisht, në Ligjin aktual për Kundërvajtje (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.96/2019 dhe 253/2023), në përputhje me nenin 22 paragrafi 1 pika 3, si kundërvajtje ndaj kryerësve përgjegjës për kundërvajtje, ndër të tjera, mund t’u shqiptohet gjobë si sanksion kundërvajtës.
Në përputhje me nenin 132 paragrafi 1 të këtij Ligji, ligjet që përcaktojnë sanksione kundërvajtëse duhet të harmonizohen me dispozitat e këtij Ligji, në afat prej gjashtë muajve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Ligji. Sipas paragrafit 2 të këtij neni, ligjet që përcaktojnë sanksione kundërvajtëse do të vazhdojnë të zbatohen deri në harmonizimin e tyre me dispozitat e këtij Ligji, por më së voni gjashtë muaj nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Ligji.


IV


Me këtë iniciativë, kontestohet kushtetutshmëria e pjesëve: “dënim në para” dhe “kundërvajtje ekonomike” të nenit 38 paragrafi 1 të Ligjit për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm, me arsyetimin se nga tërësia e Ligjit për Kundërvajtje, nuk rrjedh se kryerësve përgjegjës për kundërvajtje do t’u shqiptohet dënimi me para, por gjobë, siç është rregulluar në dispozitën ligjore të kontestuar, si dhe në Ligjin për Kundërvajtje, gjithashtu, nuk është parashikuar instituti: “kundërvajtje ekonomike”, i paraparë në dispozitën e kontestuar.
Nga analiza rezulton se, as në të gjitha ligjet e lartpërmendura, e as në Ligjin për Kundërvajtje, si ligj i përgjithshëm, nuk parashikohet shfuqizimi ose ndërprerja e vlefshmërisë së dispozitave ndëshkuese në lidhje me dënimin me para dhe kundërvajtjet ekonomike, të cilat normohen në Ligjin e kontestuar për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm.
Në sistemin juridik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kundërvajtja ekonomike si lloj kundërvajtjeje, ka pushuar së ekzistuari me miratimin e Ligjit për Kundërvajtje (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.62/2006), kur u shfuqizua edhe Ligji për Kundërvajtje Ekonomike, me ç’rast u braktis instituti i “kundërvajtjes ekonomike” si lloj sanksioni i kundërvajtës, ndërsa “dënimi me para” si sanksion kundërvajtës u zëvendësua me “gjobën”, në përputhje me Ligjin për Kundërvajtje, të publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë”, nr.62/2006, më datë 27.05.2006.
Ligji për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm është pjesërisht i vlefshëm, pa datë të publikuar shfuqizimi, por, ndërkohë janë miratuar ligje përkatëse që mbulojnë fushat e kompetencës së tij, siç janë të lartpërmendurat: Ligji për Sigurinë e Produkteve Kozmetike, Ligji për Sigurinë e Ushqimit, Produkteve dhe Materialeve që Bien në Kontakt me Ushqimin (i cili me miratimin e Ligjit për Sigurinë e Ushqimit nuk është i vlefshëm më), ndërsa sa i përket dispozitave ndëshkuese të Ligjit të kontestuar, nuk është kryer asnjë harmonizim me Ligjin për Kundërvajtje.
Duke marrë parasysh faktin se në Ligjin për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm, si pasojë e kohës së miratimit të tij, janë përcaktuar terma të caktuara që ekzistonin në rendin e mëparshëm juridik, Gjykata vlerësoi se ekziston mospërputhje terminologjike e këtij Ligji me Ligjin për Kundërvajtje.
Në fakt, organet janë të detyruara t’i kushtojnë vëmendje kompetencave dhe autorizimeve të tyre dhe të veprojnë në përputhje me ligjet, duke përfshirë ndryshimet dhe plotësimet e tyre, si dhe me të gjitha rregullat e tjera në kompetencë të tyre. Përveç kësaj, megjithëse neni i kontestuar 38 paragrafi 1 i Ligjit për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm, i referohet instituteve “kundërvajtje ekonomike” dhe “dënim në para”, të cilat nuk janë shfuqizuar në mënyrë formale dhe juridike, ato nuk kanë efekt juridik në zbatimin praktik dhe nuk janë në rendin juridik, me ç’rast në rastin konkret, dispozitat e Ligjit për Kundërvajtje zbatohen si lex generalis.
Fakti që parashtruesi i iniciativës thekson mospërputhjen e mundshme të pjesës së kontestuar të dispozitës së Ligjit për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm me Ligjin për Kundërvajtje, faktikisht çon drejt një kërkese për vlerësimin e përputhshmërisë së ndërsjellë të dispozitave të dy ligjeve, megjithatë, sipas nenit 110 paragrafi 1 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ka kompetencë për të vlerësuar përputhshmërinë e ndërsjellë të rregullave të rangut të njëjtë në hierarkinë e rregullave juridike, por kjo gjë është në kompetencë të ligjvënësit.
Ndërkaq, gjatë kryerjes së veprimtarisë normative, ligjvënësi është i detyruar të kujdeset për përputhshmërinë e ndërsjellë të rregullave në mënyrë që të sigurojë një sistem juridik konsistent, në të cilin do të ketë harmoni dhe përputhshmëri të rregullave ndërmjet tyre, si dhe përputhshmëri të tyre me Kushtetutën si akti më i lartë juridik, prandaj Gjykata e konsideron të nevojshme që ligjvënësi ta mënjanojë këtë mospërputhje, duke kryer harmonizimin e ndërsjellë të dispozitave të kontestuara të Ligjit për Rregullshmërinë Shëndetësore të Ushqimeve të Kafshëve dhe të Lëndëve për Përdorim të Përgjithshëm me Ligjin për Kundërvajtje.
Duke qenë se aspekti thelbësor i pretendimeve është përputhshmëria e ndërsjellë e dy ligjeve si rregulla të rangut të njëjtë, për të cilat Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente të vendosë, Gjykata vlerësoi se janë përmbushur kushtet e nenit 38 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese për hedhjen poshtë të iniciativës.


V


Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski