
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.44/2025
Shkup, 26.11.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 26 nëntor 2025, miratoi
A K T V E N D I M
NUK INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 36 paragrafi 1 pika 8 të Ligjit për Kryerjen e Punëve të Kontabilitetit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.173/2022 dhe 47/2025).
Arsyetim
I
Viktor Vasillevski nga Shkupi, parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitës së Ligjit të shënuar në dispozitivin e Aktvendimit.
Në iniciativë, parashtruesi thekson se me shlyerjen e kontabilistit, respektivisht kontabilistit të autorizuar nga Regjistri përkatës, nëse personi fizik e ushtron të drejtën e pensionit, kontabilistit në pension, respektivisht kontabilistit të autorizuar i mohohet e drejta për të kryer punë kontabiliteti në bazë të marrëdhënies së punës (me çka e humb të drejtën për pension) ose për të lidhur kontratë mbi vepër (duke mos humbur kështu të drejtën për pension), sepse kryerja e punëve të kontabilitetit varet drejtpërdrejt nga fakti nëse personi është në Regjistrin e Kontabilistëve, respektivisht në Regjistrin e Kontabilistëve të Autorizuar.
Parashtruesi thekson se në përputhje me nenin 252 të titulluar “Kontrata të veçanta” të Ligjit për Marrëdhënie Pune, punëdhënësi mund të lidhë kontratë me një person të caktuar për kryerjen e një pune që është jashtë veprimtarisë së punëdhënësit dhe që ka si lëndë prodhimin ose riparimin e pavarur të sendeve të caktuara, kryerjen e pavarur të një pune të caktuar fizike apo intelektuale, si dhe këtu, padyshim përfshihet edhe puna e kontabilitetit, respektivisht shërbimi i kontabilitetit. Ai, gjithashtu theksohen se me nenin 619 të Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore, kontratat mbi vepër përcaktohen si kontrata me të cilat, kryerësi i punës (sipërmarrësi, realizuesi i punëve) merr përsipër të kryejë punë të caktuara, siç janë prodhimi ose riparimi i sendeve ose kryerja e ndonjë pune fizike apo intelektuale, etj., ndërsa, porositësi merr përsipër t’i paguajë atij kompensim për këto punë.
Sipas parashtruesit, me zbatimin e nenit të kontestuar të Ligjit, shkelet dhe kufizohet drejtpërdrejt sundimi i së drejtës dhe liria e tregut dhe sipërmarrjes, të përcaktuara në nenin 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 6 të Kushtetutës si vlera themelore të rendit kushtetues. Njëkohësisht, konsideron se zgjidhja ligjore e kontestuar është në kundërshtim me nenin 32 të Kushtetutës, duke pretenduar se ky nen kushtetues garanton të drejtën e punës, e cila nuk mund të kufizohet me shfrytëzimin e pensionit sepse mund të realizohet me kontratë mbi vepër ose me zgjedhjen e shfrytëzuesit të pensionit për të krijuar një marrëdhënie pune dhe për ta ndërprerë shfrytëzimin e pensionit.
Për arsyet e lartpërmendura, me iniciativën propozohet që Gjykata Kushtetuese ta anulojë nenin e kontestuar të Ligjit, si jokushtetues.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se sipas nenit 36 paragrafi 1 pika 8 të Ligjit për Kryerjen e Punëve të Kontabilitetit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.173/2022 dhe 47/2025), kontabilisti respektivisht, kontabilisti i autorizuar shlyhet nga Regjistri përkatës, nëse personi fizik e ushtron të drejtën e pensionit.
III
Sipas nenit 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 7 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sundimi i së drejtës dhe liria e tregut dhe sipërmarrjes janë vlera themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në pajtim me nenin 32 të Kushtetutës, secili ka të drejtë në punë, zgjedhje të lirë të punësimit, mbrojtje gjatë punës dhe sigurim material gjatë kohës së papunësisë së përkohshme. Çdo vend pune është i arritshëm për të gjithë në kushte të barabarta. Secili i punësuar ka të drejtë për përfitim përketës. Secili i punësuar ka të drejtë për pushim të paguar ditor, javor dhe vjetor. Të punësuarit nuk mund të heqin dorë nga këto të drejta. Ushtrimi i të drejtave i të punësuarve dhe pozita e tyre rregullohen me ligj dhe marrëveshje kolektive.
Sipas nenit 51 të Kushtetutës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe ligjin. Secili e ka për detyrë të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.
Me neni 1 të Ligjit për Kryerjen e Punëve të Kontabilitetit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.173/2022 dhe 47/2025) rregullohen kushtet për kryerjen e punëve të kontabilitetit, subjektet që kryejnë punë të kontabilitetit, kushtet për marrjen e statusit të kontabilistit dhe kontabilistit të autorizuar, organizimin dhe funksionimin e Institutit të Kontabilistëve dhe Kontabilistëve të Autorizuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, themelimin dhe kompetencat e Këshillit për Avancimin dhe Mbikëqyrjen e Profesionit të Kontabilitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe çështjet e tjera që lidhen me kryerjen e punëve të kontabilitetit.
Procedura për regjistrimin e kontabilistit, përkatësisht kontabilistit të autorizuar, në Regjistrin e Kontabilistëve, respektivisht në Regjistrin e Kontabilistëve të Autorizuar, rregullohet me nenin 27 të Ligjit.
Sipas nenit 27 paragrafi 1 të Ligjit, personi që zotëron vërtetim për kontabilist, respektivisht, vërtetim për kontabilist të autorizuar, regjistrohet në Regjistrin e Kontabilistëve, përkatësisht në Regjistrin e Kontabilistëve të Autorizuar në bazë të një kërkese të parashtruar personalisht në Institut, në formularin e përcaktuar sipas paragrafit 9 të këtij neni, duke bashkëngjitur dokumentacionin e nevojshëm, të parashikuar në paragrafin 2 të të njëjtit nen të Ligjit.
Neni 31 paragrafi 1 i Ligjit, përcakton se e drejta për të kryer punë të kontabilitetit, si dhe e drejta për të nënshkruar të gjitha dokumentet e raportimit financiar që rrjedhin nga kryerja e punëve të kontabilitetit, fitohet nga kontabilisti dhe/ose kontabilisti i autorizuar, i cili ka vërtetim për kontabilist ose kontabilist të autorizuar, të lëshuar nga Instituti dhe të regjistruar në Regjistrin përkatës, të udhëhequr nga Instituti. Paragrafi 5 i të njëjtit nen, përcakton se për punën e kontabilitetit, obliguesi për udhëheqjen e kontabilitetit mund të punësojë një kryerës së punëve të kontabilitetit ose praktikant kontabiliteti, i cili nuk ka të drejtë të nënshkruajë llogaritë vjetore dhe/ose raportet financiare. Paragrafi 6 i të njëjtit nen, përcakton se për qëllimet e raportimit financiar, obliguesi për udhëheqjen e kontabilitetit mund të punësojë një kontabilist dhe/ose një kontabilist të autorizuar me orar të plotë pune dhe se obliguesit për udhëheqjen e kontabilitetit, të cilët në përputhje me Ligjin për Shoqëritë Tregtare janë persona të ndërlidhur, mund të punësojnë një person të njëjtë me orar të shkurtuar pune. Në pajtim me paragrafin 8 të nenit të lartpërmendur, obliguesi për udhëheqjen e kontabilitetit mundet, me anë të një kontrate për kryerjen e punëve të kontabilitetit, mund të angazhojë tregtar individ – kontabilist, tregtar individ – kontabilist i autorizuar apo një shoqëri për kryerjen e punëve të kontabilitetit që zotëron licencë për punë, të lëshuar nga Instituti. Sipas paragrafit 9 të të njëjtit nen, një tregtar individ – kontabilist mund të lidhë kontratë për kryerjen e punëve të kontabilitetit me një kryerës të pavarur të veprimtarisë, një bashkësi pronarësh të pjesëve të veçanta të një ndërtese, një tregtar individ, një shoqatë, një fondacion dhe një institucion privat. Në pajtim me paragrafin 10 të të njëjtit nen, tregtari individ – kontabilist i autorizuar, mund të lidhë marrëveshje për kryerjen e punëve të kontabilitetit me të gjithë obliguesit për udhëheqjen e kontabilitetit, përveç se me shoqëritë publike tregtare, shoqëritë komandite, shoqëritë aksionare dhe shoqëritë komandite me aksione. Në paragrafin 11 të të njëjtit nen, përcaktohet se shoqëria për kryerjen e punëve të kontabilitetit lidh marrëveshje për kryerjen e punëve të kontabilitetit me të gjithë obliguesit për udhëheqjen e kontabilitetit. Sipas paragrafit 12 të të njëjtit nen, një shoqëri e kontabilitetit duhet të punësojë të paktën një kontabilist të autorizuar.
Dispozitat mbi llojet e regjistrave që mban Instituti i Kontabilistëve dhe Kontabilistëve të Autorizuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe përmbajtja e tyre, rregullohen me nenin 35 të Ligjit.
Në nenin 35 paragrafi 3 të Ligjit, përcaktohen të dhënat që duhet të përmbajë Regjistri i Kontabilistëve dhe Regjistri i Kontabilistëve të Autorizuar, përkatësisht: 1) emri dhe mbiemri dhe numri i regjistrimit të personit; 2) autorizimi sa i përket të drejtës për të nënshkruar llogaritë vjetore dhe/ose raportet financiare; 3) data e regjistrimit në Regjistër; 4) emri, selia e regjistruar dhe të dhënat e kontaktit të personit juridik, ku personi është i punësuar; 5) numri i orëve të realizuara për përsosje të vazhdueshme profesionale, në nivel vjetor dhe gjatë një periudhe trevjeçare dhe 6) masat e shqiptuara disiplinore.
Me nenin 36 paragrafi 1 në pikat nga 1 deri në 8 të Ligjit, parashikohen rastet e shlyerjes së kontabilistit, respektivisht kontabilistit të autorizuar nga Regjistri përkatës.
Sipas nenit 36 të kontestuar, paragrafi 1 pika 8 të Ligjit, kontabilisti respektivisht kontabilisti i autorizuar, shlyhet nga Regjistri përkatës nëse personi fizik ushtron të drejtën e pensionimit.
IV
Nga dispozitat ligjore të cituara më sipër, rrjedh se për qëllimet e raportimit financiar, obliguesit për udhëheqjen e kontabilitetit i jepet e drejta që të kryejë punë kontabiliteti përmes lidhjes së marrëveshjes, t’ia besojë të njëjtën gjë një tregtari individ ose një shoqërie për kryerjen e punëve të kontabilitetit ose të punësojë një kontabilist dhe/ose kontabilist të autorizuar me orar të plotë pune, ndërsa obliguesit për udhëheqjen e kontabilitetit, të cilët në përputhje me Ligjin për Shoqëritë Tregtare, janë persona të ndërlidhur, mund ta punësojnë të njëjtin person me orar shkurtuar të punës. Në të njëjtën kohë, të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella ndërmjet obliguesit për udhëheqjen e kontabilitet dhe tregtarit individ, përkatësisht shoqërisë për kryerjen e punëve të kontabilitetit rregullohen me marrëveshje për kryerjen e punëve të kontabilitetit.
Në rastin konkret, Gjykata konstatoi se neni i kontestuar 36 paragrafi 1 pika 8 të Ligjit, ka të bëjë me një person kontabilist ose kontabilist të autorizuar, i cili ka ushtruar të drejtën e pensionimit, me ç’rast i ka përfunduar marrëdhënia e tij e punës me personin juridik ku ai ishte i punësuar. Sipas nenit të kontestuar të Ligjit, një fakt i tillë rezulton me shlyerjen e kontabilistit, respektivisht kontabilistit të autorizuar nga Regjistri përkatës, në të cilin regjistrohen edhe të dhënat rreth personit juridik ku personi fizik kontabilist ose kontabilist i autorizuar ishte i punësuar.
Parashtruesi konsideron se shlyerja e kontabilistit ose kontabilistit të autorizuar nga Regjistri përkatës është në kundërshtim me sundimin e së drejtës dhe lirinë e tregut dhe sipërmarrjes nga neni 8 paragrafi 1 alinetë 3 dhe 7 të Kushtetutës, të drejtën kushtetuese për të punuar nga neni 32 i Kushtetutës dhe të drejtën ligjore të qytetarëve për të lidhur marrëveshje nga neni 252 i Ligjit për Marrëdhënie Pune dhe neni 619 i Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore.
Parashtruesi e justifikon kundërshtimin e dispozitës ligjore me dispozitat kushtetuese të lartpërmendura, duke pretenduar se personit që është shfrytëzues i pensionit, i mohohet e drejta kushtetuese dhe ligjore për të vazhduar me kryerjen e punës së kontabilitetit përmes krijimit të marrëdhënies së punës ose lidhjes së kontratës së punës, në përputhje me nenin 619 të Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore. Kjo për shkak se angazhimi i tij si kontabilist ose kontabilist i autorizuar varet nga fakti nëse personi është i regjistruar në Regjistrin e Kontabilistëve, përkatësisht në Regjistrin e Kontabilistëve të Autorizuar.
Po ashtu, parashtruesi i referohet nenit 252 të Ligjit për Marrëdhënie Pune, të përfshirë në Kapitullin 23 të këtij Ligji, i cili rregullon punën e fëmijëve nën moshën 15 vjeçare, nxënësve dhe studentëve, gjë që është e paqartë, duke pasur parasysh faktin se neni i kontestuar i Ligjit, flet për shlyerjen e kontabilistit ose kontabilistit të autorizuar në pension nga Regjistri, por edhe faktin se kryerja e punës së kontabilitetit në përputhje me Ligjin për Kryerjen e Punëve të Kontabilitetit është e mundur vetëm pas përfundimit të arsimit të mesëm ose të lartë përkatës.
Sipas Gjykatës, janë të pabaza pretendimet se shlyerja nga Regjistri përkatës i një kontabilisti ose kontabilisti të autorizuar, në rastet kur personi fizik e ushtron të drejtën e pensionimit, nënkupton kufizimin e të drejtës kushtetuese për punë sipas nenit 32 të Kushtetutës. Konkretisht, Ligji për Kryerjen e Punëve të Kontabilitetit rregullon çështjen që një person fiton të drejtën për të kryer punë kontabiliteti duke u regjistruar në Regjistrin përkatës. Ligji parashikon edhe rastet e shlyerjes së një kontabilisti ose kontabilisti të autorizuar nga Regjistri përkatës. Megjithatë, nga Ligji nuk rrjedh ndalimi që një person i shlyer nga Regjistri për shkak të pensionimit të mos mund të riregjistrohet në Regjistrin përkatës. Nëse personi heq dorë nga e drejta e pensionit dhe krijon një marrëdhënie pune, mund të fillojë me procedurën për regjistrim në Regjistër, në përputhje me dispozitat e nenit 27 të Ligjit. Njëherazi, neni i kontestuar i Ligjit nuk e pengon në asnjë mënyrë personin shfrytëzues të pensionit që, në përputhje me nenin 619 të Ligjit për Marrëdhënie Detyrimore, të mund të kryejë punë përmes lidhjes së një kontrate mbi vepër, nëse ai e dëshiron këtë.
Duke marrë parasysh çështjet e përmendura më sipër, Gjykata vlerësoi se neni 36 paragrafi 1 pika 8 të Ligjit për Kryerjen e Punëve të Kontabilitetit, nuk është në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës, të cilave u referohet parashtruesi në iniciativën në fjalë.
V
Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski