
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
BZSP.nr.11/2025
Shkup, 12.11.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 1 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 12 nëntor 2025, miratoi
A K T V E N D I M
HIDHET POSHTË kërkesa e Aleksandar Ilievskit nga Shkupi, për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit nga neni 110 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, që i referohet mbrojtjes së të drejtës së ankesës.
Arsyetim
I
Aleksandar Ilievski nga Shkupi parashtroi kërkesë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se i është shkelur e drejta e ankesës, respektivisht, mbrojtja ligjore kundër akteve të veçanta në shkallë të parë.
Sipas pretendimeve në kërkesë, parashtruesi parashtroi kundërshtim kundër vendimit të organit të fakultetit, me të cilin i është hequr titulli asistent dhe nuk i është dërguar vendimi, por vetëm është njoftuar më vonë për të. Parashtruesi, thekson se në pajtim me Ligjin për Arsim të Lartë dhe Rregulloret për Përzgjedhjen e Titujve, ka të drejtë të kundërshtojë, por kjo gjë nuk i është mundësuar.
Më tej, në kërkesë thuhet se në përputhje me nenin 177 paragrafi 3 të Ligjit për Arsim të Lartë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.82/2018 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.154/2019, 76/2020, 178/2021, 58/2024 dhe 124/2025), personi që nuk është përzgjedhur për titullin ekzistues, të cilit i ndërpritet marrëdhënia e punës, ka të drejtë për kundërshtim ndaj organit që ka vendosur mbi përzgjedhjen, ku në pajtim me nenin 173 të Ligjit për Arsim të Lartë, në rastin konkret, organi që bën përzgjedhjen është Këshilli Mësimor-Shkencor i fakultetit. Titulli – asistent, respektivisht, personi që merr pjesë në mësimdhënie është një titull që jepet në përputhje me nenin 162 të Ligjit për Arsim të Lartë. Duke penguar shqyrtimin e kundërshtimit të datës 22.05.2025, përveç shkeljes së Amendamentit XXI të Kushtetutës, kryhet edhe vepër penale në përputhje me nenin 153 të Kodit Penal – shkelje e së drejtës për të parashtruar mjet juridik, sepse para marrjes së dokumentit të shkarkimit, parashtruesit, nuk i është dhënë asnjë dokument tjetër mbi rrjedhën e veprimeve.
Bazuar në sa më sipër, Gjykatës Kushtetuese i kërkohet të shfuqizojë aktet e Fakultetit të Mjekësisë dhe të urdhërojë ushtrimin e së drejtës për mbrojtje ligjore, njëherazi, duke marrë parasysh se zbatimi i akteve ose veprimeve të veçanta të kontestuara mund të rezultojë me pasoja të pakthyeshme ose të vështira për t’u mënjanuar, propozon që Gjykata Kushtetuese të miratojë aktvendim për ndërprerjen e zbatimit të Vendimit për ndërprerjen e titullit të asistentit me nr.02-2916/1, të datës 09.05.2025 dhe Aktvendimit për shkarkim me nr.04-352/1, të datës 02.06.2025, deri sa të miratohet një vendimi përfundimtar.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se prof.dr.Svetozar Antoviq, në cilësinë e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup, më 9 maj 2025, miratoi Vendimin nr.02-2916/1 për ndërprerjen e statusit të asistentit dhe marrëdhënies së punës së dr.Aleksandar Ilievskit në vendin e punës asistent në Katedrën e Kirurgjisë, duke përfshirë datën 12 maj 2025, për shkak të skadimit të periudhës për të cilën ai ishte përzgjedhur me titullin asistent.
Më 22 maj 2025, parashtruesi ka parashtruar kundërshtim në Këshillin Mësimor-Shkencor në Fakultetin e Mjekësisë – Shkup, për rishqyrtimin e Vendimit pas raportit të Komisionit Recensues, në të cilin pohon se situata faktike për botimin e punimit në revistën profesionale është përcaktuar gabimisht.
Pas kundërshtimit të parashtruar, dekani i Fakultetit të Mjekësisë më 4 qershor 2025, parashtruesit i ka dërguar Përgjigje ndaj kundërshtimit me nr.02-3171/2.
Më 2 qershor 2025, dekani i Fakultetit të Mjekësisë ka miratuar Vendimin nr.04-3452/1, me të cilin as. dr.Aleksandar Ilievskit me marrëdhënie të dyfishtë pune në vendin e punës asistent në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, me orar pune të shkurtuar në kohëzgjatje prej 5 orësh në javë i ndërpritet marrëdhënia e punës nr.04-2501/6 e datës 31.05.2022 , për shkak të ndërprerjes së arsyeve për të cilat është lidhur ajo, përkatësisht, për shkak të humbjes së titullit asistent dhe mospërmbushjes së kushteve të veçanta të përcaktuara në Ligjin për Arsim të Lartë.
III
Në përputhje me nenin 110 alineja 3 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, mbron liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit që lidhen me lirinë e bindjes, ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes publike të mendimit, bashkimin dhe veprimin politik, si dhe ndalimin e diskriminimit të qytetarëve mbi bazë të gjinisë, racës, përkatësisë fetare, kombëtare, sociale dhe politike.
Sipas nenit 38 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata do ta hedhë poshtë iniciativën nëse nuk është kompetente të vendosë mbi kërkesën.
IV
E drejta e ankimit nuk bën pjesë në korpusin e lirive dhe të drejtave, që në përputhje me nenin 110 alineja 3 të Kushtetutës mbrohen para Gjykatës Kushtetuese. Për shkak të lartpërmendurës, Gjykata vlerësoi se janë përmbushur kushtet e nenit 38 alineja 1 të Aktit të Gjykatës për hedhjen poshtë të kërkesës.
V
Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski