
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
UZ.nr.25/2025
Shkup, 22.10.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 38 alineja 3 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 22 tetor 2025, miratoi
A K T V E N D I M
HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Rregullores për Mënyrën e Shkatërrimit të Dokumenteve dhe Mënyrën e Shkatërrimit, Fshirjes dhe Pastrimit të Medias në Agjencinë për Mbikëqyrje të Sigurimit me Financim Kapital (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.124/2013).
Arsyetim
I
Igorço Toçev nga Shkupi, parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për të iniciuar procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Rregullores së shënuar në dispozitin e këtij aktvendimi.
Parashtruesi thekson se, Rregullorja e kontestuar është miratuar më 30 gusht të vitit 2013, në bazë të nenit 52 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.7/2005, 103/2008, 124/2010 dhe 135/2011) dhe në lidhje me nenin 10 paragrafi 2 alineja 6 të Rregullores për Masat Teknike dhe Organizative për Sigurimin e Konfidencialitetit dhe Mbrojtjes së Përpunimit të të Dhënave Personale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.38/2009 dhe 158/2010).
Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr. 7/2005, 103/2008, 124/2010, 135/2011, 43/2014, 153/2015, 99/2016 dhe 64/2018) është shfuqizuar me hyrjen në fuqi të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.42/2020), ndërkaq Rregullorja e kontestuar, nuk është harmonizuar brenda 18 muajve nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit në fjalë.
Bazuar në sa më sipër, parashtruesi propozon që Gjykata të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Rregullores së kontestuar, ku në këtë rast do ta shfuqizojë atë, si të kundërshtueshme me Kushtetutën dhe ligjin.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se bazuar në nenin 52 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.7/2005, 103/2008, 124/2010 dhe 135/2011) dhe në lidhje me nenin 10 paragrafi 2 alineja 6 të Rregullores për Masat Teknike dhe Organizative për Sigurimin e Konfidencialitetit dhe Mbrojtjes së Përpunimit të të Dhënave Personale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.38/2009 dhe 158/2010), Këshilli i Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrje të Sigurimit Pensional me Financim Kapital, në mbledhjen e mbajtur më 15.08.2013, miratoi Rregulloren për Mënyrën e Shkatërrimit të Dokumenteve dhe Mënyrën e Shkatërrimit, Fshirjes dhe Pastrimit të Medias në Agjencinë për Mbikëqyrje të Sigurimit me Financim Kapital (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.124/2013).
Me neni 1 të Rregullores, përcaktohet se me Rregulloren në fjalë, rregullohet mënyra e shkatërrimit të dokumenteve që përmbajnë të dhëna personale, si dhe mënyra e shkatërrimit, fshirjes dhe pastrimit të medias në Agjencinë për Mbikëqyrje të Sigurimit Pensional me Financim Kapital.
Në pajtim me nenin 2 të të njëjtës Rregullore, dokumentet që përmbajnë të dhëna personale, pas skadimit të periudhës së caktuar për ruajtjen e tyre shkatërrohen nga një komision i përcaktuar nga kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë. Dokumentet nga paragrafi 1 i këtij neni, shkatërrohen me një pajisje për copëtim (shredder), për të cilin komisioni harton raport.
Sipas nenit 3 të Rregullores, pas transferimit të të dhënave personale nga media ose pas skadimit të periudhës së caktuar për ruajtje, media do të shkatërrohet, fshihet ose pastrohet nga të dhënat personale të regjistruara në të. Shkatërrimi i medias, kryhet përmes ndarjes mekanike të pjesëve përbërëse të saj, në mënyrë që të mos mund të përdoret përsëri. Fshirja ose pastrimi i medias kryhet në atë mënyrë që pamundëson rikuperimin e mëtejshëm të të dhënave personale të regjistruara. Për shkatërrimin, fshirjen dhe pastrimin e medias, komisioni harton një procesverbal, i cili përmban të gjitha të dhënat për identifikimin e plotë të medias, si dhe të dhënat e regjistruara në të.
Në nenin 4 përcaktohet se kjo Rregullore, hyn në fuqi ditën e ardhshme, pas ditës së publikimit të saj në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë”.
Sipas nenit 1 të Rregullores për Mënyrën e Shkatërrimit të Dokumenteve dhe Mënyrën e Shkatërrimit, Fshirjes dhe Pastrimit të Medias në Agjencinë për Mbikëqyrje të Sigurimit me Financim Kapital (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.118/2025, e datës 12.06.2025), me këtë Rregullore, nuk është e vlefshme më Rregullorja për Mënyrën e Shkatërrimit të Dokumenteve dhe Mënyrën e Shkatërrimit, Fshirjes dhe Pastrimit të Medias në Agjencinë për Mbikëqyrje të Sigurimit me Financim Kapital (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.124/2013) dhe Rregullorja për Masat Teknike dhe Organizative për Sigurimin e Konfidencialitetit dhe Mbrojtjes së Përpunimit të të Dhënave Personale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.161/2015 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.128/2019). Me nenin 2 të Rregullores së njëjtë, përcaktohet se kjo Rregullore hyn në fuqi në ditën e publikimit të saj në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
III
Sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
Sipas nenit 110 alineja 2 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos mbi përputhshmërinë e rregullave të tjera dhe marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe ligjet.
Në përputhje me nenin 38 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë iniciativën nëse ka pengesa procedurale për të vendosur mbi iniciativën.
IV
Agjencia për Mbikëqyrje të Sigurimit Pensional me Financim Kapital, në mbledhjen e mbajtur më 29.05.2025, miratoi Rregullore për Ndërprerjen e Vlefshmërisë së Rregullores për Mënyrën e Shkatërrimit të Dokumenteve dhe Mënyrën e Shkatërrimit, Fshirjes dhe Pastrimit të Medias në Agjencinë për Mbikëqyrje të Sigurimit me Financim Kapital (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.118/2025, e datës 12.06.2025).
Sipas nenit 1 të Rregullores, me këtë Rregullore nuk është e vlefshme më Rregullorja për Mënyrën e Shkatërrimit të Dokumenteve dhe Mënyrën e Shkatërrimit, Fshirjes dhe Pastrimit të Medias në Agjencinë për Mbikëqyrje të Sigurimit Pensional me Financim Kapital (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.124/2013) dhe Rregullorja për Masat Teknike dhe Organizative për Sigurimin e Konfidencialitetit dhe Mbrojtjes së Përpunimit të të Dhënave Personale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.161/2015 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.128/2019). Neni 2 i Rregullores së njëjtë, përcakton se kjo Rregullore hyn në fuqi në ditën e publikimit të saj në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Nga gjendja e theksuar faktike, rrjedh se me hyrjen në fuqi të Rregullores së re nuk është e vlefshme më Rregullorja e kontestuar, prandaj, Gjykata ka konstatuar se ajo është jashtë rendit juridik.
Duke marrë parasysh të lartpërmendurën, Gjykata vlerësoi se ekzistojnë pengesa procedurale për vendimmarrje, gjë që përmbush kushtet për hedhjen poshtë të iniciativës në përputhje me nenin 38 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese.
V
Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski