UZ.nr.2/2025

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
UZ.nr.2/2025
Shkup, 10.09.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të dr.Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 3 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024) në seancën e mbajtur më 10 shtator 2025, miratoi

A K T V E N D I M

HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Programit për ndryshimin dhe plotësimin e Programit për planifikim urbanistik për vitin 2024, nr.09-6676/9, të datës 26.09.2024 dhe Programit për planifikim urbanistik për vitin 2024, teksti i konsoliduar nr.09-6676/9, të datës 26.09.2024, të miratuara nga Këshilli i Komunës së Karposhit, të publikuara në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”, nr.16/2024.

Arsyetim

I

Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale ka parashtruar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me të cilën e konteston kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e akteve të shënuara në dispozitivin e këtij aktvendimi.

Në iniciativë thuhet se Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, bazuar në nenin 23 paragrafi 1 të Ligjit për Inspektoratin Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, e miratoi Aktvendimin nr.02-199/1 të datës 11.11.2024, me të cilin e ndërpreu zbatimin e Programit të kontestuar dhe më pas e publikoi atë në Fletoren Zyrtare dhe në faqen e internetit të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, në pjesën e Inspektoratit Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale.

Parashtruesi potencon se arsyet për të cilat është ndërprerë zbatimi i aktit që i nënshtrohet vlerësimit të ligjshmërisë janë se Këshilli i Komunës së Karposhit, në seancën e tij të 52-të të mbajtur më 26.09.2024, e miratoi Programin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit për planifikim urbanistik për vitin 2024, nr.09-6676/9, të datës 26.09.2024 dhe Programin për planifikim urbanistik për vitin 2024, teksti i konsoliduar nr.09-6676/9, të datës 26.09.2024, megjithatë, Programi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit për planifikimi urbanistik për vitin 2024, u miratua pas miratimit të Aktvendimit për ndërprerjen e Programit për planifikim urbanistik për vitin 2024, nr.11-28/1 të datës 03.01.2024.

Kjo do të thotë që Programi i kontestuar paraqet ndryshimin e Programit në fjalë, zbatimi i të cilit është ndërprerë, prandaj nuk mund të prodhojë më efekt juridik dhe si i tillë nuk mund të mbetet në qarkullimin juridik.

Bazuar në sa më sipër, parashtruesi propozon që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut të iniciojë procedurë për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të kontestuara.

II

Në seancë, Gjykata konstatoi se bazuar në nenin 22 paragrafi 1 pika 1, nenin 36 paragrafi 1 pika 1 dhe nenin 62 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë“, numër 5/2002 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, numër 84/2020 dhe 202/2024), nenin 40 të Ligjit për Planifikim Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, numër 32/2020, 111/2023, 171/2024, 224/2024, 40/2025, 101/2025 dhe 127/2025), si dhe Aktvendimin për ndërprerjen e publikimit të Programit për planifikim urbanistik për vitin 2024, nr.11-28/1 të datës 03.01.2024 (“Fletorja Zyrtare e Komunës së Karposhit”, nr.01/24), Këshilli i Komunës së Karposhit, në seancën e pesëdhjetë e dytë të mbajtur më 26 shtator 2024, e miratoi Programin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit për planifikim urbanistik për vitin 2024 dhe tekstin e konsoliduar të Programit për planifikim urbanistik për vitin 2024, nr.09-6676/9, të publikuara në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”, numër 16/2024.

III

Sipas nenit 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës, sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas nenit 110 alineja 2 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e rregullave të tjera dhe marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe me ligjet.

Sipas nenit 38 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë iniciativën nëse ka pengesa të tjera procedurale për të vendosur mbi iniciativën.

Siç theksohet në iniciativë, kontestohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e Programit për ndryshimin dhe plotësimin e Programit për planifikim urbanistik për vitin 2024 dhe Programit për planifikim urbanistik për vitin 2024, teksti i konsoliduar, nr.09-6676/9, të datës 26.09.2024, të miratuara nga Këshilli i Komunës së Karposhit, të publikuara në “Fletoren Zyrtare të Komunës së Karposhit”, numër 16/24.

Në përputhje me nenin 40 paragrafi 1 të Ligjit për Planifikim Urbanistik, për përgatitjen e planeve urbanistike të shënuara në nenin 10 paragrafi 1 pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij Ligji, komunat, komunat në Qytetin e Shkupit dhe Qyteti i Shkupit, janë të detyruara të miratojnë program vjetor më së voni deri më 31 dhjetor të vitit aktual për vitin pasardhës.

Në rastin konkret, Programi për planifikim urbanistik për vitin 2024 ishte i vlefshëm deri më 01.01.2025 dhe si rrjedhojë, me këtë gjendje faktike, ai nuk i nënshtrohet më vlerësimit kushtetues-gjyqësor.

Në fakt, Programi u miratua pas afatit të përcaktuar ligjor për miratim dhe para se të mund të zbatohej, ai u ndërpre nga Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale.

Duke u nisur nga fakti se Programi i kontestuar është i natyrës së përkohshme dhe me përfundimin e vitit kalendarik, ai nuk prodhon më efekt juridik dhe nuk është më në rendin juridik, Gjykata vlerësoi se janë përmbushur kushtet e nenit 38 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për ta hedhur poshtë iniciativën, për shkak të ekzistencës së pengesave procedurale për vendimmarrje.

IV

Bazuar në sa më sipër, Gjykata, vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski