
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.91/2024
Shkup, 09.04.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut në përbërje të dr.Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, Elizabeta Dukovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 09 prill 2025, miratoi
A K T V E N D I M
- NUK INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Transferimin e Nëpunësve Administrativë të Punësuar nëpërmjet Programit K-5 në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.302/2020).
2. Ky aktvendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Arsyetim
I
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit i ka parashtruar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Transferimin e Nëpunësve Administrativë të Punësuar nëpërmjet Programit K-5 në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.302/2020), si në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 1 dhe 3, nenin 9, nenin 32 paragrafët 1 dhe 2, nenin 51 dhe nenin 54 paragrafët 1, 2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në iniciativë si arsye për kontestim potencohet çështja se në Ligjin e kontestuar, punonjësit në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, përmes Programit K-5 për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, kishin statusin e nëpunësve administrativë, status i cili si term përkufizohet në nenin 3 të Ligjit për Nëpunësit Administrativë.
Punonjësit të cilët i përfshinë Ligji i kontestuar ishin të barabartë me nëpunësit e tjerë administrativë të punësuar në sektorin publik dhe nuk ndryshonin prej tyre, përveçse ishin të punësuar sipas Programit K-5 për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive.
Parashtruesi potencon se ligjvënësi nuk i ka parashikuar nëpunësit administrativë të punësuar përmes Programit K-5 për përfaqësim të drejtë dhe adekuat si një kategori e veçantë e nëpunësve administrativë, përkatësisht nuk i ka parashikuar ata si përjashtim nga zbatimi i Ligjit për Nëpunësit Administrativë.
Sipas Ligjit për të Punësuarit në Sektorin Publik, një nga parimet mbi të cilat bazohet ky Ligj është parimi i kushteve të barabarta, qasjes së barabartë ndaj vendit të punës dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Në iniciativë thuhet se me Ligjin për Nëpunësit Administrativë dhe Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik, ligjvënësi e parashikoi parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në sektorin publik, e përcaktoi termin “nëpunës administrativ” dhe parashikoi një kategori nëpunësish administrativë për të cilët lejohet të rregullohen çështje të caktuara të marrëdhënies së punës me një ligj tjetër ose marrëveshje kolektive.
Sipas parashtruesit, punonjësit përmes Programit K-5 për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk përcaktoheshin si një kategori e veçantë e nëpunësve administrativë dhe si të tillë kishin të njëjtat të drejta dhe detyrime si të gjithë nëpunësit e tjerë administrativë. Me miratimin dhe zbatimin Ligjit të kontestuar, sipas parashtruesit, ligjvënësi i vendos këta persona në një pozicion të privilegjuar/të pabarabartë ndaj qytetarëve/nëpunësve të tjerë administrativë, me ç’rast janë shkelur disa dispozita kushtetuese.
Në iniciativë, gjithashtu theksohet se dispozitat e Ligjit të kontestuar, pavarësisht se ishin të natyrës së përkohshme, prapëseprapë janë zbatuar, duke pasur parasysh se një nga pikat në rendin e ditës të mbledhjes së 217-të të Qeverisë të mbajtur më 09.01.2024 ishte Informacioni me Ndryshimet dhe Plotësimet në Planin për Transferimin e Nëpunësve Administrativë të Pasistemuar nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, të punësuar përmes Programit K-5.
Me Ligjin e kontestuar, anashkalohet plani vjetor i punësimit dhe detyrimi për të përgatitur një analizë funksionale para ndryshimit të aktit të sistematizimit. Për parashtruesin është thelbësor fakti që Ligji i kontestuar jo vetëm që derogon drejtpërdrejt Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik, por gjithashtu, vazhdimisht për katër vjet me të është shkelur drejtpërdrejt e drejta kushtetuese, sipas së cilës çdo vend pune është i qasshëm për secilin në kushte të barabarta, është cënuar sundimi i ligjit, janë cënuar liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve të njohura nga e drejta ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë dhe është cenuar barazia e qytetarëve para Kushtetutës dhe ligjeve që duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, si dhe fakti që kufizimi i lirive dhe të drejtave nuk mund të jetë diskriminues mbi bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, besimit, prejardhjes kombëtare ose sociale, pronës ose statusit shoqëror.
Me këtë iniciativë propozohet që Gjykata Kushtetuese të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit të kontestuar dhe ta shfuqizojë atë, ndërsa, deri në miratimin e një vendimi përfundimtar, Gjykata të miratojë aktvendim për ndalimin e zbatimit të akteve ose veprimeve të veçanta, të ndërmarra në bazë të Ligjit të kontestuar.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se Ligji i kontestuar i përmban 10 nene. Me nenin 1 rregullohet procedura për transferimin në punë të nëpunësve administrativë të pasistemuar nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, të punësuar përmes programit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat Programi K-5, në organet e pushtetit shtetëror dhe lokal dhe organet e tjera shtetërore të themeluara në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin dhe në institucionet që kryejnë aktivitete në fushën e arsimit, shkencës, shëndetësisë, kulturës, punës, mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, sportit, si dhe aktivitete të tjera me interes publik të përcaktuara me ligj, dhe të organizuara si agjenci, fonde, institucione publike dhe ndërmarrje publike të themeluara nga Republika e Maqedonisë së Veriut ose nga komunat, nga Qyteti i Shkupit, si dhe nga komunat në Qytetin e Shkupit. Ligji i përfshin punonjësit që kanë krijuar marrëdhënie pune duke përfshirë datën 31 dhjetor 2019.
Me nenin 2 përkufizohet se procedura për transferimin e punonjësve do të zbatohet në përputhje me dispozitat e këtij Ligji dhe dispozitat e ligjeve të tjera që nuk janë në kundërshtim me këtë Ligj, ndërsa me nenin 3 rregullohet mënyra e transferimit të punonjësve të përfshirë në këtë Ligj.
Me nenin 4 rregullohet procedura për transferimin në punë të punonjësve, përkatësisht detyrimet që rrjedhin nga ky Ligj për Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, institucionet në të cilat transferohen këta punonjës, si dhe organet përgjegjëse për buxhetin e institucioneve në të cilat transferohen punonjësit.Me nenin 5 përcaktohet afati brenda të cilit institucionet duhet t’i harmonizojnë aktet e sistematizimit të vendeve të punës. Në nenin 6 thuhet se Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, pas transferimit të punonjësve në punë, do të miratojë një ndryshim në aktin e sistematizimit me qëllim që ta harmonizojë atë me nevojat e Ministrisë. Me nenin 7 parashikohet një gjobë nëse institucioni nuk e ndërmerr përsipër detyrimin e përcaktuar në nenin 5 të Ligjit. Mbikëqyrja mbi zbatimin e këtij Ligji kryhet nga organi administrativ përgjegjës për sigurimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive në organet e administratës shtetërore. Në nenin 9 përcaktohet se me hyrjen në fuqi të këtij Ligji, nuk vlen më neni 42 paragrafi 3 i Ligjit për të Punësuarit në Sektorin Publik, ndërsa me nenin 10 rregullohet hyrja në fuqi e Ligjit, si dhe periudha dhe kushtet për zbatimin e tij.
III
Sipas nenit 8 paragrafi 1 alinetë 1 dhe 3 të Kushtetutës, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit të njohura me të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë dhe sundimi i së drejtës janë vlera themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas nenit 9 të Kushtetutës, barazia e qytetarëve para Kushtetutës dhe ligjeve, të cilat duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, si dhe kufizimi i lirive dhe të drejtave nuk mund të jetë diskriminues në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, fesë, prejardhjes kombëtare ose sociale, pozitës pronësore ose shoqërore.
Neni 32 paragrafët 1 dhe 2 të Kushtetutës, parashikon se secili ka të drejtë për punë, zgjedhje të lirë të punësimit, mbrojtje në punë dhe sigurim material gjatë papunësisë së përkohshme dhe se secili në kushte të barabarta e ka të arritshëm çdo vend pune.
Sipas nenit 51 të Kushtetutës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe me ligjin dhe secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet.
Liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit mund të kufizohen vetëm në rastet e përcaktuara me Kushtetutë, përkatësisht gjatë gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme sipas dispozitave të Kushtetutës, ndërsa ky kufizim nuk mund të jetë diskriminues në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, gjuhës, fesë, prejardhjes kombëtare ose sociale, pozitës pronësore ose shoqërore, në përputhje me nenin 54 alinetë1, 2 dhe 3 të Kushtetutës.
Sipas nenit 110 alineja 1 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën, ndërsa në përputhje me nenin 112 alineja 1, ajo do të shfuqizojë ose anulojë një ligj nëse konstaton se nuk është në përputhje me Kushtetutën.
Me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.96 e datës 17.5.2019), i cili është në fuqi që nga 1 qershori 2019, Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit vazhdon të funksionojë si Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, e cila i ndëmerr punonjësit, pajisjet, dokumentacionin dhe fondet e tjera nga Sekretariati. Programi K-5 i miratuar nga Qeveria është një program për punësimin e pjesëtarëve të bashkësive që nuk janë shumicë.
Ligji i kontestuar për Transferimin e Nëpunësve Administrativë të Punësuar përmes Programit K-5 në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive u miratua në seancën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtur më 16 dhjetor 2020 dhe u publikua në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.302/20 më 18 dhjetor 2020.
Ky Ligj është sistematizuar në 10 nene dhe nga analiza e dispozitave të tij, del se ligjvënësi, në përputhje me nenin 32 të Kushtetutës, me një ligj të veçantë përcakton procedurën për mobilitet përmes transferimit në punë të nëpunësve administrativë të pasistemuar të punësuar përmes programit për përfaqësim adekuat dhe të drejtë; kushtet sipas të cilave punonjësve të Ministrisë së Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive u është dhënë statusi i nëpunësve administrativë; faktin se duhet të transferohen në organet e qeverisjes shtetërore dhe lokale dhe organet e tjera shtetërore të themeluara në përputhje me Kushtetutën, me detyrim ndaj drejtuesve të institucioneve për të filluar një procedurë për harmonizimin e akteve të institucionit me Planin për transferim, duke marrë parasysh se këto janë çështje me interes publik që financohen nga buxheti shtetëror ose komunal.
Ligji i rregullon çështjet që lidhen me punonjësit në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, si dhe procedurën dhe mënyrën e transferimit të punonjësve, detyrimet që rrjedhin nga ky Ligj për Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhëniet ndërmjet Bashkësive, institucionet që i ndërmarrin punonjësit, si dhe organet përgjegjëse për buxhetin e institucioneve në të cilat transferohen punonjësit, harmonizimin e aktit për sistematizimin e Ministrisë së Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive dhe afatin brenda të cilit institucionet janë të detyruara t’i harmonizojnë aktet për sistematizimin e vendeve të punës, mbikëqyrjen mbi zbatimin e këtij Ligji, si dhe gjobën e paraparë nëse institucioni nuk e merr përsipër detyrimin brenda afatit të përcaktuar.
Ligji parashikon mundësinë e transferimit në punë nëpërmjet sistemimit të Ministrisë së Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, për ata punonjës që kanë krijuar një marrëdhënie pune duke përfshirë datën 31 dhjetor 2019, duke e sistemuar kështu punonjësin në një vend pune në të njëjtin nivel, përkatësisht duke e sistemuar atë në një vend pune për të cilin i plotëson kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara në aktin e sistematizimit të vendeve të punës në institucionin në të cilin është sistemuar ose është transferuar në punë, sipas një plani të përgatitur paraprakisht për tranferimin në punë nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive dhe pëlqimit të marrë nga organi përgjegjës për buxhetin e institucionit në të cilin janë transferuar punonjësit.
Në çdo rast, punonjësi mund të dërgohet përherë në një institucion tjetër vetëm në vendin e punës në nivelin e njëjtë, përkatësisht në vendin e punës për të cilin i plotëson kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara në aktin e sistematizimit të institucionit tjetër,dhe për çdo rast, për këtë caktim nevojitet pëlqimi i domosdoshëm i punonjësit, si dhe pëlqimi paraprak nga organi përgjegjës për miratimin e planit vjetor të punësimit të institucionit në lidhje me buxhetin.
Për shkak të nevojës për të sistemuar punonjës në sektorin publik përmes transferimeve të reja, ligjvënësi e ka detyruar Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive të përgatisë dhe t’i propozojë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut një plan për transferimin e punonjësve administrativë të pasistemuar nga Ministria, të punësuar përmes Programit K-5.
Ligji përcakton një detyrim të domosdoshëm për Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive që të përgatisë një plan për transferimin në punë, i cili do të përmbajë të dhëna personale për të gjithë punonjësit që do të transferohen dhe sistemohen, të dhëna për nivelin e vendit aktual të punës, të dhëna për arsimin e përfunduar, si dhe emrin e institucionit në të cilin transferohet punonjësi. Në këtë mënyrë, punonjësit i jepet mundësia që, në vend që t’i ndërpritet marrëdhënia e punës, me pëlqimin e tij dhe të drejtuesit të institucionit tjetër, të transferohet në një institucion tjetër, në vendin e punës në të njëjtin nivel, përkatësisht në vendin e punës për të cilin i plotëson kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara në aktin e sistematizimit të institucionit tjetër. Përveç kësaj, ligjvënësi përcakton se institucionet në të cilat transferohen punonjësit janë të detyruara të fillojnë procedurën për harmonizimin e akteve të sistematizimit të vendeve të punës me planin e transferimit. Punonjësi që nuk e nënshkruan deklaratën e pranimit të aktvendimit për caktim të përhershëm brenda 7 ditëve nga data në të cilën i është dorëzuar aktvendimi, i ndërpritet vendi i punës në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive dhe regjistrohet në listën e transferimit për transferime të mundshme të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Gjykata vlerësoi se mundësia e parashikuar e transferimit të punonjësit me pëlqimin e tij në një institucion tjetër, në rastet kur ka transformime ose ulje të kompetencës së institucionit në të cilin është i punësuar, në një vend pune në të njëjtin nivel, përkatësisht në një vend pune për të cilin i plotëson kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara në aktin e sistematizimit të institucionit tjetër, nuk mund të pranohet si shkelje e të drejtës së zgjedhjes së lirë të punësimit, as si kufizim i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit, siç thuhet në iniciativë.
Përkundrazi, transferimi i cekur është rregulluar si një mundësi për të vazhduar marrëdhënien e punës së punonjësit, në një vend adekuat pune në sektorin publik për të cilin ai i plotëson kushtet e përgjithshme dhe të veçanta. Pëlqimi i punonjësit është kusht për transferimin e punonjësit në një institucion tjetër, gjë që është në përputhje me parimin e zgjedhjes së lirë në punësim, i cili garantohet nga neni 32 i Kushtetutës dhe me konventat ndërkombëtare në fushën e marrëdhënieve të punës dhe që zbatohet jo vetëm gjatë punësimit, përkatësisht krijimit të marrëdhënies së punës, por edhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj dhe gjatë çdo transformim të saj.
Bazuar në të gjitha sa më sipër, Gjykata vlerësoi se nuk mund të ngritet çështja e kushtetutshmërisë së dispozitave të Ligjit të kontestuar për Transferimin e Nëpunësve Administrativë të Punësuar përmes Programit K-5 në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, përkundrazi ato synojnë arritjen e vlerës themelore të rendit kushtetues – përfaqësimin adekuat dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet. Në këtë kuptim, ligjvënësi vendosi të zbatojë parimin e veprimit afirmativ me qëllim arritjen e kësaj vlere themelore, i cili ka qëllimin e vet legjitim – që pjesëtarët e të gjitha bashkësive të përfaqësohen në mënyrë adekuate dhe të drejtë në organet e pushtetit shtetëror, me ç’rast një zgjidhje e tillë është e natyrës së përkohshme dhe zbatohet për nëpunësit administrativë tashmë të punësuar, të cilët transferohen në organe dhe institucione të tjera shtetërore.
Nga analiza e Ligjit të kontestuar, del se ligjvënësi në mënyrë të saktë i ka përcaktuar kompetencat e Ministrisë së Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive dhe organit përgjegjës për buxhetin e institucionit në procedurën e transferimit në punë të një punonjësi në një institucion tjetër, ku në këtë kuptim ka përcaktuar që pëlqimi i tyre paraprak është konfirmim se transferimi në punë i punonjësit është në përputhje me kushtet e përcaktuara me Ligj dhe si i tillë përbën kusht për tranferim të ligjshëm të punonjësit në punë.
Duke marrë parasysh sa më sipër, Gjykata konstatoi se Ligji i kontestuar është në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 1 dhe 3, nenin 9, nenin 32, paragrafët 1 dhe 2, nenin 51 dhe nenin 54, paragrafët 1, 2 dhe 3 të Kushtetutës.
IV
Në bazë të lartpërmendurës, Gjykata, me shumicë votash vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski