
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.253/2024
Shkup, 09.04.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, Elizabeta Dukovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 1 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 9 prill 2025, miratoi
A K T V E N D I M
HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 72 paragrafi 1 në pjesën: “vetëm gjykatësi, përkatësisht kryetari i gjykatës për të cilin është iniciuar procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë” të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, numër 102/2019).
Arsyetim
I
Aleksandra Ilieva-Millçova, avokate nga Shkupi, i parashtroi Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 72 paragrafi 1 në pjesën: “vetëm gjykatësi, përkatësisht kryetari i gjykatës për të cilin është iniciuar procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë” të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, numër 102/2019).
Sipas parashtruesit, dispozita e kontestuar është në kundërshtim me mbrojtjen gjyqësore të garantuar kundër organeve administrative sipas nenit 50 paragrafi 2 të Kushtetutës së Maqedonisë.
Konkretisht, parashtruesi konsideron se në përputhje me dispozitën e nenit të kontestuar, ankimimi në Gjykatën Supreme të Maqedonisë së Veriut kundër aktit të Këshillit Gjyqësor, lejohet vetëm për njërën palë të kërkesës, gjë që krijon hapësirë për diskriminim gjatë zbatimit të Ligjit ndaj parashtruesit.
Sipas parashtruesit, me të drejtën e ankimimit në Gjykatën Supreme të Maqedonisë së Veriut, sigurohet mbrojtje gjyqësore kundër vendimit të Këshillit Gjyqësor si organ i gjyqësorit, vetëm për njërën palë, pa shpjegime shtesë se pse kjo nuk i lejohet edhe parashtruesit.
Në iniciativë thuhet se procedura për përcaktimin e përgjegjësisë, si procedurë e parashikuar në Ligj, është një procedurë në të cilën përcaktohet nëse ekziston bazë për zhvillimin e procedurës, prandaj, është thelbësore që kjo procedurë të mos kalojë në një procedurë të njëanshme në të cilën përjashtohet parashtruesi, gjë që krijon hapësirë për diskriminim gjatë përdorimit të mjeteve juridike, të cilat duhet të jenë në dispozicion të barabartë për të gjitha palët pjesëmarrëse në procedurë.
Në përputhje me nenin 2 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor, Këshilli Gjyqësor themelohet si një organ gjyqësor autonom dhe i pavarur. Këshilli e siguron dhe garanton autonominë dhe pavarësinë e gjyqësorit, duke i ushtruar funksionet e tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
Parashtruesi i iniciativës sqaron se i njëjti ligj, e rregullon procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë së një gjykatësi ose kryetari të gjykatës dhe përcaktimin lidhur me kryerjen joprofesionale dhe neglizhente të funksionit të gjykatësit. Për të vënë në zbatim parimin e autonomisë dhe pavarësisë së Këshillit Gjyqësor, është e nevojshme të sigurohet qasja për të dyja palët gjatë përdorimit të mjeteve juridike. Përkundrazi, procedura kalon në një procedurë formale ndërmjet organit shtetëror dhe nëpunësit të lartë gjyqësor.
Për shkak të kësaj që u tha më sipër, parashtruesi vlerëson se duke e analizuar Kushtetutën, veçanërisht nenin 15 dhe nenin 50 paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dispozitën e kontestuar në pjesën e kontestuar, arrin në përfundimin se mjeti juridik dhe mbrojtja gjyqësore lejohet vetëm për njërën palë, me ç’rast pjesëmarrja e parashtruesit është një formalitet (“pro-formë”) dhe jothelbësore, prandaj është parashtruar kjo iniciativë. Në kushtet kur është parashikuar një procedurë ligjore për përcaktimin e përgjegjësisë, ajo duhet të jetë plotësisht e disponueshme dhe jo të kalojë në një procedurë paushalle, për këto arsye propozon që të shfuqizohet pjesa e kontestuar e dispozitës nga Ligji për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
II
Në seancë, Gjykata vendosi që sipas nenit 72 paragrafi 1 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor, të drejtën për të parashtruar ankesë në Këshillin për Vendimmarrje mbi Ankesën në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut kundër Vendimit të Këshillit, e ka vetëm gjykatësi, përkatësisht kryetari i gjykatës për të cilin është iniciuar procedura për përcaktimin e përgjegjësisë, në afat prej tetë ditësh nga data e pranimit të vendimit.
III
Gjykata Kushtetuese, në përputhje me nenin 110 alineja 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.
Sipas nenit 38 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë iniciativën nëse nuk është kompetente të vendosë mbi kërkesën.
Me Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.102/2019) rregullohet procedura për përzgjedhjen e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, mënyrën e ushtrimit të funksioneve të tij, përzgjedhjen, pushimin dhe shkarkimin nga puna të gjykatësit dhe gjykatësit porotë, procedura për përcaktimin e përgjegjësisë së gjykatësit ose kryetarit të gjykatës, përcaktimin e kryerjes joprofesionale dhe neglizhente të funksionit të gjykatësit, monitorimin dhe vlerësimin e punës së gjykatësve, mënyrën e punës dhe vendimmarrjes, si dhe çështje të tjera që lidhen me punën e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përputhje me nenin 2 paragrafi 1 të Ligjit është organ autonom dhe i pavarur i gjyqësorit. Ndërsa me paragrafin 2 të të njëjtit nen, përcaktohet se Këshilli siguron dhe garanton autonominë dhe pavarësinë e gjyqësorit, duke i ushtruar funksionet e tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
Në përputhje me nenin 72 paragrafi 1 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, vetëm gjykatësi, përkatësisht kryetari i gjykatës për të cilin është iniciuar procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë, ka të drejtë të parashtrojë ankesë në Këshillin për Vendimmarrje mbi Ankesën në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut kundër Vendimit të Këshillit, në afat prej tetë ditësh nga dita e pranimit të vendimit.
Bazuar në analizën e dispozitave kushtetuese dhe ligjore, Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut është një organ gjyqësor autonom dhe i pavarur, i cili siguron dhe garanton autonominë dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Kushtetuta ka përcaktuar se cili është pozicioni i Këshillit Gjyqësor dhe për këtë arsye atij i është besuar autoriteti për të vendosur për shkarkimin e gjykatësit ose kryetarit të gjykatës. Këshilli Gjyqësor vendos vetëm për shkarkimin e gjykatësit ose kryetarit të gjykatës, ndërsa në përputhje me këto dispozita, kompetenca e Këshillit të Ankesave është ta shqyrtojë ligjshmërinë e procedurës së zhvilluar para Këshillit Gjyqësor.
Si arsye për jokushtetutshmërinë e kësaj dispozite të Ligjit, në iniciativë theksohet rregullimi i pamjaftueshëm i dispozitës ligjore të kontestuar, duke treguar se si ligjvënësi duhet ta rregullojë siç duhet dispozitën ligjore që kontestohet me këtë iniciativë, përkatësisht se duhet t’i garantojë mjetin juridik dhe mbrojtjen gjyqësore jo vetëm gjykatësit, përkatësisht kryetarit të gjykatës për të cilin është iniciuar procedura për përcaktimin e përgjegjësisë, por edhe organit shtetëror, respektivisht anëtarit të këshillit gjyqësor, i cili e ka iniciuar procedurën për përcaktimin e kryerjes joprofesionale dhe të pakujdesshme të funksionit të gjykatësit.
Sipas dispozitave kushtetuese të lartpërmendura, dispozita e kontestuar e Ligjit, si dhe fakti që iniciativa nuk e kundërshton nenin 72 paragrafi 1 të Ligjit, për shkak të përmbajtjes së tij, por e kundërshton atë për shkak të përmbajtjes që nuk ekziston, për të cilën Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente, në rastin konkret, bëhet fjalë për kërkimin e vlerësimit të kushtetutshmërisë së çështjeve që nuk përmbahen në dispozitën e kontestuar. Vlerësimi i çështjeve që nuk përmbahen në dispozitë, përkatësisht vlerësimi nëse dispozita duhet të përmbajë diçka që, sipas parashtruesit, duhet ta përmbajë, është jashtë kompetencave të Gjykatës.
Sipas Gjykatës, këto arsye për të kundërshtuar një dispozitë të një ligji si të kundërshtueshme me Kushtetutën, nuk janë bazë për të filluar mekanizmin kushtetues për vlerësimin e përputhshmërisë së një dispozite të një ligji me dispozitat e Kushtetutës, për shkak se Gjykata Kushtetuese vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën dhe jo për mënyrën se si një normë e caktuar ligjore mund të zbatohet nga subjektet kompetente në situata konkrete juridike.
Duke pasur parasysh sa më sipër, rrjedh se Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente për të vepruar mbi iniciativën, prandaj Gjykata vlerësoi se parakushtet ligjore për ta hedhur poshtë iniciativën janë përmbushur në përputhje me nenin 38 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese.
IV
Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski