U.nr.198/2024

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.198/2024
Shkup, 30.04.2025

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të dr.Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, Elizabeta Dukovska, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 72 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 30 prill 2025, miratoi

V E N D I M

SHFUQIZOHET Vendimi për dhënien e lejes për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fsh. Kondovë, Shkup (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.71/2024), i miratuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 26 mars 2024.

Ky vendim do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Arsyetim

I

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sa i përket iniciativës së parashtruar nga Sllavko Nikollov nga Probishtipi, me Aktvendimin U.nr.198/2024 të datës 26 shkurt 2025, inicioi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit të shënuar në pikën 1 të dispozitivit të këtij vendimi, sepse çështja e ngritur e përputhshmërisë së tij me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ligjin për Arsimin e Mesëm dhe Ligjin për Pozitën Juridike të Kishës, Bashkësisë Fetare dhe Grupit Religjioz, është e bazueshme.

II

Gjykata në seancë konstatoi se Vendimi i kontestuar për dhënien e miratimit për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fsh.Kondovë, Shkup është miratuar në bazë të nenit 12 të Ligjit për Arsimin e Mesëm (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.44/95, 24/96, 34/96, 35/97, 82/99, 29/02, 40/03, 42/03, 67/04, 55/05, 113/05, 35/06, 30/07, 49/07, 81/08, 92/08, 33/10, 116/10, 156/10, 18/11, 51/11, 6/12, 100/12, 24/13, 41/14, 116/14, 135/14, 10/15, 98/15, 145/15, 30/16, 127/16, 67/17, 64/18 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.229/20), nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e mbajtur më 26 mars 2024.

Sipas nenit 1 të Vendimit, me të jepet miratimi për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fsh.Kondovë, Shkup.

Në pajtim me nenin 2 të Vendimit, miratimi nga neni 1 i këtij Vendimi jepet në bazë të kërkesës së themeluesit, Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në rr.“Çairska”, nr.52 në Shkup, me NVT 4075010100032.

Në nenin 3 të Vendimit përcaktohet se në Shkollën e Mesme Private nga neni 1 i këtij Vendimi, do të organizohet dhe realizohet mësim për arsimin e mesëm të gjimnazit të fushës shoqërore-humanistike, kombinimi A dhe kombinimi B, fusha e mësimit të gjuhëve dhe artit, kombinimi A dhe kombinimi B, fusha e arsimit matematiko-natyror, kombinimi A dhe kombinimi B, në përputhje me plan-programet dhe programet e miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në pajtim me Ligjin për Arsimin e Mesëm.

Sipas nenit 4 të Vendimit, kuadri i nevojshëm mësimor i cili do të zhvillojë mësim në Shkollën e Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fsh.Kondovë, Shkup është në përputhje me Normativin për kuadrin arsimor dhe kuadrin tjetër në arsimin e mesëm. Mësimi do të zhvillohet nga 75 mësimdhënës në vitin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt.

Neni 5 përcakton se hapësira dhe pajisjet e nevojshme për funksionimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fsh.Kondovë, Shkup janë në përputhje me normat për veprimtarinë e arsimit të mesëm.

Sipas nenit 6 të Vendimit, Shkolla e Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fsh.Kondovë, Shkup, do të funksionojë në: objektin në fsh.Kondovë, Shkup, me sipërfaqe prej 4.084 m2; objektin në rr.“Probishtipska” p.n. në Tetovë, me sipërfaqe të përgjithshme prej 853 m2; objektin në rr.“18 Nëntori” p.n. në Gostivar, me sipërfaqe të përgjithshme prej 758 m2, në objektin në rr.“Strasho Pinxhur” nr.13 në Shtip, me sipërfaqe të përgjithshme prej 507 m2.

Neni 7 i Vendimit përcakton se numri i nxënësve që do të regjistrohen në vitin e parë të arsimit në vitin shkollor 2024/2025 do të jetë 144 nxënës në 6 paralele, ndërsa për vitet shkollore në vijim për numrin e nxënësve dhe paraleleve do të vendos themeluesi.

Sipas nenit 8 mësimi në Shkollën e Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fsh.Kondovë, Shkup, do të zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj dhe në gjuhën turke dhe alfabetin e saj.

Sipas nenit 9 të Vendimit, programi për veprimtarinë edukative-arsimore për arsimin e mesëm të Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fsh.Kondovë, Shkup, është në përputhje me programin e arsimit të mesëm të gjimnazit të fushës shoqërore-humanistike, kombinimi A dhe kombinimi B, fusha e mësimit të gjuhëve dhe artit, kombinimi A dhe kombinimi B, fusha e arsimit matematiko-natyror, kombinimi A dhe kombinimi B, i cili zbatohet në shkollat e mesme publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në nenin 10 të Vendimit përcaktohet se Shkolla e Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fsh.Kondovë, Shkup do të fillojë me punë më 1 shtator 2024, pas marrjes së Aktvendimit për verifikim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Në nenin 11 të Vendimit përcaktohet se mjetet e nevojshme për funksionimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fsh.Kondovë, Shkup, sigurohen nga themeluesi.

Në pajtim me nenin 12 të Vendimit, ky Vendim hyn në fuqi ditën e publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Vendimi është regjistruar me nr.41-3741/2 të datës 26 mars 2024 dhe është nënshkruar nga mr.Talat Xhaferi, si kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

III

Dispozita kushtetuese

Në pajtim me nenin 8 paragrafi 1 alinetë 1 dhe 3 të Kushtetutës, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit të njohura me të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë dhe sundimi i së drejtës janë vlera themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Barazia e qytetarëve garantohet me nenin 9 të Kushtetutës, i cili përcakton se qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të barabartë në liritë dhe të drejtat pavarsisht nga gjinia, raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja kombëtare dhe shoqërore, bindja politike dhe fetare, pozita pronësore dhe statusi shoqëror. Qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve.

Me nenin 16 paragrafi 1 të Kushtetutës garantohet liria e bindjes, ndërsa me nenin 19 paragrafët 1 dhe 2 të Kushtetutës garantohet liria e besimit fetar dhe garantohet shprehja e lirë dhe publike e fesë, individualisht ose në bashkësi me të tjerët.

Me Amendamentin VII pika 1 me të cilin është zëvendësuar paragrafi 3 i nenit 19 të Kushtetutës përcaktohet se Kisha Ortodokse Maqedonase, si dhe Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni, Kisha Katolike, Kisha Evangjeliste-Metodiste, Bashkësia Hebraike dhe bashkësitë e tjera fetare dhe grupet religjioze, janë të ndara nga shteti dhe janë të barabarta para ligjit.

Me pikën 2 të këtij amendamenti është zëvendësuar paragrafi 4 i nenit 19 të Kushtetutës dhe përcakton se Kisha Ortodokse Maqedonase, si dhe Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni, Kisha Katolike, Kisha Evangjeliste-Metodiste, Bashkësia Hebraike dhe bashkësitë e tjera fetare dhe grupet religjioze, janë të lira në themelimin e shkollave fetare dhe enteve bamirëse dhe sociale me procedurë të parashikuar me ligj.

Sipas nenit 44, secili ka të drejtë në arsimim. Arsimi është i arritshëm për të gjithë në kushte të barabarta.

Në nenin 45 është përcaktuar se qytetarët kanë të drejtë, në kushtet e përcaktuara me ligj, të themelojnë institucione private të arsimit në të gjitha shkallët e arsimit, përveçse në arsimin fillor.

Sipas nenit 51 të Kushtetutës, në Republikën e Maqedonisë ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe ligjin. Secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Sipas nenit 110 alineja 2 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e rregullave të tjera dhe marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe me ligjet.

Dispozita ligjore relevante

Ligji për Arsimin e Mesëm

Ligji për Arsimin e Mesëm (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.44/1995, 24/1996, 34/1996, 35/1997, 82/1999, 29/2002, 40/2003, 42/2003, 67/2004, 55/2005, 113/2005, 35/2006, 30/2007, 49/2007, 81/2008, 92/2008, 33/2010, 116/2010, 156/2010, 18/2011, 42/2011, 51/2011, 6/2012, 100/2012, 24/2013, 41/2014, 116/2014, 135/2014, 10/2015, 98/2015, 145/2015, 30/2016, 127/2016, 67/2017, 64/2018 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.229/2020), e rregullon organizimin, funksionimin dhe drejtimin e arsimit të mesëm, si pjesë e sistemit të edukimit dhe arsimimit.

Sipas nenit 2 të Ligjit për Arsimin e Mesëm, në arsimin e mesëm zbatohen planet dhe programet për gjimnaz dhe arsim profesional. Arsimi i mesëm ofrohet në shkollat e mesme që janë të organizuara si shkolla të mesme publike (shkollë e mesme komunale, gjegjësisht shkollë e mesme e Qytetit të Shkupit dhe shkollë e mesme shtetërore) dhe shkolla të mesme private. Shkollat e mesme shtetërore themelohen vetëm për zbatimin e planeve dhe programeve për arsimin e mesëm për kategori të caktuara nxënësish për të cilët shteti ka interes të veçantë. Veprimtaria e zhvilluar në shkollën e mesme është me interes publik dhe kryhet si shërbim publik. Shkolla e mesme ka status të personit juridik dhe është e regjistruar në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Neni 3 paragrafi 3 i Ligjit nuk lejon diskriminim në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes kombëtare dhe shoqërore, bindjeve politike dhe fetare, pozitës pronësore dhe shoqërore.

Sipas nenit 7 të Ligjit, në shkollën e mesme ndalohet çdo organizim dhe veprimtari politike dhe fetare. Mësimi fetar nuk lejohet në shkollën e mesme. Ndalohet ekspozimi i simboleve partiake dhe fetare në shkollat e mesme.

Subjektet që mund të themelojnë shkollë të mesme janë të përcaktuara në nenin 10 të Ligjit, sipas të cilit një shkollë të mesme komunale mund ta themelojë komuna. Vendimin për themelimin e shkollës së mesme komunale e merr këshilli i komunës pas marrjes së mendimit paraprak nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë (në tekstin e mëtejmë: Qeveria). Shkollë të mesme në Qytetin e Shkupit mund të themelojë Këshilli i Qytetit të Shkupit. Vendimin për themelimin e shkollës së mesme në Qytetin e Shkupit e miraton Këshilli i Qytetit të Shkupit me propozim të këshillit të komunës, ndërsa paraprakisht merret mendim nga Qeveria. Shkollë të mesme shtetërore themelon Qeveria. Shkolla e mesme private mund të themelohet nga personi juridik dhe fizik vendas dhe i huaj në bazë të miratimit, në pajtim me këtë Ligj.

Kushtet që duhet të plotësohen për themelimin e shkollës së mesme janë të përcaktuara në nenin 11, sipas të cilit shkolla e mesme mund të themelohet nëse:
– ka nevojë komuna, Qyteti i Shkupit ose shteti për një lloj të caktuar të kuadrit,
– janë miratuar plane mësimore dhe programe për punë edukative-arsimore,
– janë siguruar ambiente dhe pajisje adekuate për ofrimin e arsimit të mesëm,
– me plan financiar sigurohet një nivel i qëndrueshëm financimi për të paktën një gjeneratë nxënësish në shkollë,
– është siguruar numri i nevojshëm i personave që i plotësojnë kushtet e përcaktuara për mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesionalë në arsimin e mesëm, të cilët kanë deklaruar se do të paraqiten në shpalljen publike dhe se do të krijojnë marrëdhënie pune, nëse përzgjidhen në shpalljen publike, dhe
– janë plotësuar kushtet e tjera të përcaktuara me normat dhe standardet për themelimin e shkollës së mesme për ofrimin e arsimit të mesëm.

Kushtet e paragrafit 1, alinetë 2, 3, 4, 5 dhe 6 të këtij neni zbatohen edhe për themelimin e shkollës së mesme private.

Normativat dhe standardet e përmendura në pikën 1 alineja 6 të këtij neni për themelimin e shkollës së mesme, miratohen nga ministri përgjegjës për kryerjen e veprimtarive në fushën e arsimit (në tekstin e mëtejmë: ministri), me propozimin e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit.

Procedura për themelimin e shkollës së mesme private parashikohet me Ligj, i cili në nenin 12 parashikon se vendimin për dhënien e lejes për themelimin e shkollës së mesme private e miraton Qeveria sipas mendimit paraprak të Ministrisë, Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe Qendrës për Arsim dhe Trajnim Profesional, nëse janë plotësuar kushtet e përcaktuara në nenin 11 paragrafi 1 alinetë 2, 3, 4, 5 dhe 6 si dhe kushtet e përcaktuara në nenin 11-a të këtij Ligji.

Sipas nenit 13 të Ligjit, me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për dhënien e lejes për themelimin e shkollës së mesme private, përcaktohet:
– fusha edukative-arsimore, gjegjësisht lloji i arsimit të mesëm për të cilin është themeluar shkolla private;
–kuadri i nevojshëm mësimor, pajisjet, hapësira sipas standardeve dhe normativave pedagogjike;
– numri i nxënësve;
– gjuha në të cilën do të zhvillohet mësimi;
– programi për veprimtari edukative-arsimore dhe
– fillimi me punë i shkollës private.

Në nenin 13-a të Ligjit parashikohet që pas marrjes së Vendimit për dhënien e miratimit për themelimin e shkollës së mesme private, themeluesi miraton aktin themelues, sipas propozimit të aktit themelues nga neni 11-b i këtij Ligji, i cili i është bashkangjitur kërkesës për miratim lidhur me themelimin e shkollës së mesme private.

Sipas nenit 14, miratimi mund të ndryshohet ose zgjerohet në rast se themeluesi kërkon ndryshim të llojit të arsimit të mesëm ose zgjerim të programit arsimor.

Sipas nenit 15, Qeveria e Republikës së Maqedonisë mund ta revokojë miratimin me propozim të Ministrisë nëse:
– themeluesi themelon një shkollë private në kundërshtim me aktin e miratimit të nenit 13 dhe
– konstatohet se shkolla private nuk i plotëson më kërkesat e nenit 11 pika 1 alinetë 2, 3, 4, 5 dhe 6 të këtij Ligji ose nuk i zbaton dispozitat e këtij Ligji dhe aktet nënligjore që rrjedhin prej tij.
Miratimi mund të ndërpritet edhe me kërkesë të themeluesit.

Në nenin 19 parashihet që shkolla e mesme mund të fillojë të funksionojë pasi Ministria të miratojë Aktvendim për verifikimin e shkollës së mesme. Ministria në afat prej 30 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës për verifikim të shkollës së mesme, miraton aktvendim me të cilin vendos për kërkesën për verifikimin e shkollës së mesme (në tekstin e mëtejmë: Aktvendimi për verifikim).

Sipas nenit 19-a, pas marrjes së Aktvendimit për verifikim, shkollat e mesme regjistrohen në Regjistrin Qendror të Shkollave të Mesme, që mbahet nga Ministria në përputhje me Ligjin për Procedurë të Përgjithshme Administrative.

Ligji për Pozitën Juridike të Kishës,
Bashkësisë Fetare dhe Grupit Religjioz

Ligji për Pozitën Juridike të Kishës, Bashkësisë Fetare dhe Grupit Religjioz (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.113/2007), rregullon themelimin dhe statusin juridik të kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz, rregullimin e shërbesave fetare, lutjeve dhe ceremonisë fetare, mësimin fetar dhe veprimtaritë edukative, të ardhurat e kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz, si dhe çështje të tjera fetare. Sipas paragrafit 2 të këtij neni, kisha, bashkësia fetare dhe grupi religjioz janë të ndarë nga shteti dhe janë të barabartë para Ligjit.

Sipas nenit 3 të Ligjit, e drejta e lirisë së besimit, mendimit dhe ndërgjegjes përfshin lirinë për të manifestuar fenë ose besimin, të cilën e ka çdo person, i vetëm ose në bashkësi me të tjerët, publikisht ose privatisht.

Me nenin 4 të Ligjit ndalohet diskriminimi fetar.

Autonomia e bashkësive fetare garantohet me nenin 5 të Ligjit, sipas të cilit kisha, bashkësia fetare dhe grupi religjioz kanë të drejtë lirisht të organizohen përbrenda lidhur me organet e tyre të administrimit, hierarkinë dhe kompetencën, si dhe të përcaktojnë persona që do t’i përfaqësojnë dhe prezantojnë dhe do të miratojnë akte në këtë drejtim.

Veprimtaritë arsimore të bashkësive fetare i nënshtrohen rregullimit në një kapitulli të veçantë V të Ligjit të titulluar “Mësimi fetar dhe veprimtaritë arsimore”. Në këtë kapitull, në nenin 21 parashihet se kisha, bashkësia fetare dhe grupi religjioz mund të kryejnë mësime fetare. Mësimi fetar zhvillohet në hapësira ku kryhen ceremonitë fetare dhe mënyrat e tjera të shprehjes publike të besimit, si dhe në hapësira dhe vende të tjera publike dhe private, me kusht që kjo të mos e cenojë rendin dhe qetësinë publike.

E drejta për themelimin e shkollave fetare rregullohet me nenin 22 të Ligjit, sipas të cilit kisha, bashkësia fetare dhe grupi religjioz kanë të drejtë të themelojnë institucione arsimore fetare të të gjitha shkallëve të arsimit, përveç arsimit fillor, për shkollimin e klerikëve dhe nëpunësve fetarë, si dhe konvikte studentore për strehimin e personave që studiojnë në ato institucione. Sipas paragrafit 2, institucionet arsimore fetare janë të barabarta me institucionet e tjera arsimore dhe nxënësit dhe studentët e tyre kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime.

Në nenin 23 të Ligjit parashihet se kisha, bashkësia fetare dhe grupi religjioz janë të detyruar që njoftimin për themelimin e institucionit arsimor fetar, me aktin për qëllimet dhe organizimin e brendshëm të shkollës dhe programin mësimor, në përputhje me dispozitat e këtij Ligji, t’ia dërgojnë organit përgjegjës për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare, të paktën 90 ditë para ditës së caktuar për fillimin e funksionimit të tij. Organi përgjegjës për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare është i detyruar t’i paraqesë mendimin e tij kishës, bashkësisë fetare ose grupit religjioz, brenda 60 ditëve nga dita e paraqitjes së njoftimit.

Sipas nenit 24 të Ligjit, planet dhe programet mësimore në institucionet arsimore fetare nuk duhet të jenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Organi i administratës shtetërore përgjegjës për arsimin mund të kryej mbikëqyrje në planet dhe programet mësimore të institucioneve arsimore fetare në kuptimin e paragrafit 1 të këtij neni.

Administrimi i shkollave fetare rregullohet me nenin 26 të Ligjit, sipas të cilit kisha, bashkësia fetare dhe grupi religjiozi drejtojnë në mënyrë të pavarur institucionet arsimore fetare dhe institucionet e tjera arsimore, si dhe konviktet e studentëve që mund t’i themelojnë në përputhje me këtë ose ndonjë ligj tjetër. Personi përgjegjës në institucionin arsimor fetar, institucionin arsimor, konviktin e studentëve ose konviktin e nxënësve është i detyruar t’ia ofrojë në dispozicion organit të administratës shtetërore përgjegjës për çështjet e arsimit, të dhënat e nevojshme për zbatimin e mbikëqyrjes së punës së tyre dhe të mënjanojë çdo mangësi të mundshme brenda një afati të caktuar nga ky organ.

Ligji për Qeverinë

Në nenin 35 të Ligjit për Qeverinë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.59/2000; 26/2001; 12/2003; 55/2005; 37/2006; 115/2007; 19/2008; 82/2008; 10/2010; 51/2011; 15/2013; 27/2014; 139/2014; 196/2015; 142/2016; 140/2018 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.98/2019) parashihet se për zbatimin e ligjeve, Qeveria do të miratojë dekrete me fuqi ligjore, rregullore, vendime, udhëzime, programe, aktvendime dhe konkluzione.

Sipas nenit 36 paragrafi 3 të Ligjit, Qeveria me vendim vendos për çështje dhe masa të caktuara për zbatimin e ligjeve; krijon shërbime profesionale dhe shërbime të tjera për nevojat e saj dhe shërbime të përbashkëta për nevojat e Qeverisë dhe ministrive dhe organeve të tjera të administratës shtetërore.

Qëndrime të Gjykatës

Gjatë vlerësimit të kompetencës së Gjykatës Kushtetuese për aktin e kontestuar, pyetja e parë në analizë ishte natyra juridike e aktit të kontestuar, faktikisht u shtrua pyetja nëse akti i kontestuar përbën një rregull që i nënshtrohet vlerësimit kushtetues-gjyqësor.

Në përgjigjen e kësaj pyetjeje, Gjykata thekson se nga aspekti formal, titulli i aktit kontestues është “Vendim”, i cili është term i përgjithshëm apo gjenerik që përfshin akte konkrete dhe të përgjithshme të Qeverisë dhe organeve të administratës shtetërore. Po ashtu, akti i kontestuar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut qëndron si “Vendimi për dhënien e miratimit”, i cili nga aspekti i pastër formal mund të interpretohet si akt i veçantë ose individual që organi publik e lëshon me kërkesë të palës duke zbatuar kështu rregullat e procedurës administrative. Mirëpo, ky qëndrim nuk gjen mbështetje as në analizën e së drejtës pozitive në shtet, e as në teorinë juridike që merret me studimin e konceptit të aktit të caktuar administrativ dhe punës administrative si lëndë e procedurës administrative dhe kontrollit administrativo-gjyqësor. Ky qëndrim mbështetet në faktin se Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative i vitit 2015, në nenin 4 paragrafi 1 alineja 5, e përcakton saktësisht aktin administrativ si “akt të veçantë të një organi publik, i cili është miratuar në bazë të një ligji që vendos për të drejtat, detyrimet dhe interesat ligjore të palëve”. Aktet administrative mund të emërtohen me titujt në vijim: aktvendim, vendim, urdhër, licencë, leje, ndalim, miratim apo të tjera. Përkatësisht, që një akt i emërtuar si “vendim” të trajtohet si një akt administrativ i miratuar në procedurë administrative, për nga përmbajtja e tij duhet të jetë akt i veçantë, që nënkupton që duhet të krijojë të drejta dhe detyrime për një subjekt konkret juridik (person fizik apo juridik). Me fjalë të tjera, efekti juridik i aktit në fjalë duhet të jetë inter partes, përkatësisht të krijojë pasoja juridike vetëm për palën ndaj së cilës organi publik e ka lëshuar aktin e veçantë. Vetëm në një rast të tillë, në përputhje me Ligjin për Kontestet Administrative të vitit 2019, do të mund të bëhet kontrolli gjyqësor mbi ligjshmërinë e një akti të tillë dhe vetëm nëse pala e pakënaqur me ligjshmërinë formale ose materiale vendos të iniciojë një kontest administrativ përmes ngritjes së padisë.

Prandaj, Gjykata vlerëson se Vendimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me miratimin për themelimin e shkollës së mesme private, i cili kontestohet me iniciativën e parashtruar në Gjykatën Kushtetuese, bazuar në përkufizimin e aktit administrativ të përcaktuar me Ligjin për Procedurë të Përgjithshme Administrative, pavarësisht emërtimit të tij, nuk mund të konsiderohet si akt i veçantë juridik. Dispozitat e këtij Vendimi në asnjë mënyrë nuk kanë vetëm efekt inter partes, gjegjësisht efekt juridik vetëm ndërmjet palëve (Qeverisë dhe Bashkësisë Fetare Islame), por përkundrazi, pasojat juridike që dalin nga Vendimi kanë efekt juridik të përgjithshëm, sepse shkaktojnë pasoja juridike për një numër të pacaktuar qytetarësh – për nxënësit ekzistues dhe të ardhshëm, prindërit e tyre si përfaqësues ligjorë, kuadrin mësimor ekzistues dhe të ardhshëm, kuadrin administrativ etj. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për një akt (rregull), dispozitat e të cilit kanë veprim juridik erga omnes.

Mendimi teorik i së drejtës administrative përcakton disa tipare që përbëjnë thelbin e një akti administrativ, ku i pari prej tyre është konkretësia. Lidhur me këtë tipar themelor të aktit administrativ, me teorinë administrative-juridike konstatohet se: “konkretësia nënkupton që akti i referohet një situate konkrete juridike, e cila nuk është e përhershme dhe e përsëritshme, por e njëhershme dhe e papërsëritshme”. Është i pakontestueshëm fakti se çdo vendim për lëshimin e një miratimi për themelimin e një institucioni privat ose publik nuk krijon një situatë konkrete juridike, por një situatë juridike të përgjithshme dhe sigurisht nuk përbën një gjendje të njëhershme dhe të papërsëritshme, por një gjendje të përhershme dhe të përsëritur që përfshin ofrimin e shërbimeve publike për një numër të pacaktuar palësh dhe për një periudhë kohore të pakufizuar.

Prandaj, Gjykata konstatoi se vendimi i kontestuar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për nga përmbajtja ka cilësinë e rregullit dhe i nënshtrohet kontrollit kushtetues-gjyqësor të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së tij.

Nga aspekti i përmbajtjes së vendimit të kontestuar, pretendimet e parashtruesit të iniciativës janë të qëndrueshme, si në këndvështrim të mospajtueshmërisë së tij me Amendamentin VII të Kushtetutës, ashtu edhe në pikëpamje të joligjshmërisë së tij, përkatësisht në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Mesëm dhe Ligjin për Pozitën Juridike të Kishës, Bashkësisë Fetare dhe Grupit Religjioz.

Në fakt, nga dispozitat kushtetuese të lartpërmendura rezulton se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet demokratik që mbështetet në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit pa asnjë diskriminim, përfshirë edhe në bazë të bindjeve të tyre fetare (fenë). Liria e bindjes fetare garantohet me Kushtetutë, e cila përcakton se çdokush mund të shprehë lirshëm dhe publikisht, individualisht ose në bashkësi me të tjerët, fenë e tij. Ndërkaq, Republika e Maqedonisë së Veriut si një bashkësi multinacionale, multikonfesionale është e ndërtuar mbi parimin e ndarjes së fesë nga shteti, i cili buron nga Amendamenti VII i Kushtetutës, sipas të cilit Kisha Ortodokse Maqedonase, si dhe Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni, Kisha Katolike, Kisha Evangjeliste-Metodiste, Bashkësia Hebraike dhe bashkësitë e tjera fetare dhe grupet religjioze, janë të ndara nga shteti dhe janë të barabarta para ligjit. Autonomia e bashkësive fetare në aspektin e arsimit fetar gjithashtu është e garantuar me Kushtetutë, sipas të cilës bashkësitë fetare dhe grupet religjioze janë të lira të themelojnë shkolla fetare dhe institucione shoqërore e bamirëse në përputhje me procedurën e përcaktuar me ligj.

Parimi i ndarjes së bashkësive fetare nga shteti sipas Amendamentit VII të Kushtetutës, nënkupton që shteti duhet të jetë neutral në marrëdhëniet me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze, pasi ky është një nga kushtet thelbësore për garantimin e lirisë së besimit fetar. Sipas këtij parimi, shteti nuk guxon të ndërhyjë në çështjet e fesë, përkatësisht në çështjet e bashkësive fetare dhe grupeve religjioze, nuk guxon të nxisë përcaktimin për një fe të caktuar apo për fenë në përgjithësi, as të pengojë shprehjen e fesë. Shteti duhet të respektojë edhe autonominë e shpallur me Kushtetutë për aktivitetet arsimore të bashkësive fetare në mënyrë që t’ua lërë bashkësive fetare themelimin dhe organizimin e shkollave fetare dhe të mos ndërhyjë në përzgjedhjen dhe zbatimin e programeve dhe përmbajtjes së arsimit fetar.

Ndarja e proklamuar me Kushtetutë e shtetit nga bashkësitë fetare në sferën e arsimit është operacionalizuar në ligjet përkatëse në sferën e arsimit dhe Ligjin për Pozitën Juridike të Kishës, Bashkësisë Fetare dhe Grupit Religjioz. Pikërisht për këto arsye, neni 7 i Ligjit për Arsimin e Mesëm ndalon çdo organizim dhe veprimtari politike dhe fetare në shkolla, ndalon shfaqjen e simboleve fetare dhe nuk lejon organizimin e arsimit fetar. Arsimi fetar ofrohet kryesisht dhe vetëm në shkollat fetare të themeluara nga bashkësitë fetare, prandaj themelimi i shkollave fetare rregullohet me ligjin që rregullon statusin dhe pozitën e kishës, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze, e jo me ligje nga fusha e arsimit. Rrjedhimisht, Ligji për Arsimin e Mesëm ka të bëjë dhe zbatohet për shkollat e mesme, private apo publike, në të cilat ofrohet edukim qytetar, sipas plan-programeve të arsimit të gjimnazit dhe atij profesional, të miratuara nga organi shtetëror – Ministria e Arsimit, dhe jo për shkollat në të cilat ofrohet arsim fetar dhe të cilat janë të themeluara nga bashkësitë fetare.

Nisur nga sa më sipër, Gjykata i vlerësoi si të bazuara pretendimet në iniciativë se Qeveria me miratimin e vendimit të kontestuar ka shkelur dispozitën kushtetuese për ndarjen e shtetit nga çështjet fetare. Kjo është bërë në atë mënyrë që me vendimin e kontestuar, Qeveria i ka dhënë pëlqimin një bashkësie fetare – Bashkësisë Fetare Islame – për themelimin e shkollës së mesme, ndonëse sipas Amendamentit VII të Kushtetutës, bashkësitë fetare mund të themelojnë vetëm shkolla fetare në të cilat zhvillohet mësimi fetar, përkatësisht predikohet dhe studiohet një religjion i caktuar. Një shkollë e tillë për mësimin e fesë islam tashmë ekziston, ajo është Shkolla e Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” në fshatin Kondovë, e cila përfaqëson një institucion edukativ-arsimor të Bashkësisë Fetare Islame, e cila është themeluese e saj dhe kujdeset për realizimin e procesit edukativ-arsimor dhe për planet dhe programet e mësimit fetar.

Nga e gjithë kjo rezulton se sistemet e arsimit fetar dhe arsimit laik, përkatësisht atij qytetar janë të ndara qartë, në përputhje me parimin kushtetues të lartpërmendur. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut u garanton lirinë bashkësive fetare në realizimin e veprimtarive edukative-arsimore, që praktikisht do të thotë se sistemi i arsimit fetar të organizuar nga bashkësitë fetare si themeluese të shkollave fetare dhe që është në interes të ruajtjes dhe zhvillimit të vetëdijes fetare të pjesëtarëve të feve të caktuara është krejtësisht i ndarë nga sistemi i arsimit laik, përkatësisht edukimit qytetar si një veprimtari me interesi publik, në të cilin nuk promovohet asnjë fe në veçanti, kështu që përpjekjet për përzierjen e tyre paraqet shkelje të parimit kushtetues për ndarjen e shtetit nga feja, të përcaktuar në Amendamentin VII të Kushtetutës, si dhe të karakterit laik të shoqërisë në shtetin tonë.

IV

Në bazë të sa më sipër, Gjykata, me shumicë votash vendosi si në dispozitivin e këtij vendimi.

V

Ky vendim ka efekt juridik nga dita e publikimit të tij në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut“.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski