
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.191/2024
Shkup, 09.04.2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, Elizabeta Dukovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 9 prill të vitit 2025, miratoi
A K T V E N D I M
NUK INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 9 paragrafi 6 në pjesën „mënyrën“ nga Ligji për Privatizimin e Kapitalit Shtetëror (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 37/90, 26/99, 81/99, 49/2000, 6/2002, 74/2005, 125/2012 dhe 100/2014).
Arsyetim
I
Igorço Toçev nga Shkupi, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut i parashtroi iniciativë, me të cilën e konteston kushtetutshmërinë e nenit 9 paragrafi 6 në pjesën „mënyrën“ nga Ligji për Privatizimin e Kapitalit Shtetëror (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 37/90, 26/99, 81/99, 49/2000, 6/2002, 74/2005, 125/2012 dhe 100/2014).
Parashtruesi në iniciativë thekson se në përputhje me nenin 12 të Ligjit për Privatizimin e Kapitalit Shtetëror (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.37/90, 26/99, 81/99, 49/2000, 6/2002, 74/2005, 125/2012 dhe 100/2014), procedura për shitjen e aksioneve, përkatësisht të pjesëmarrjeve, rregullohet më hollësisht nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë.
Në përputhje me nenin 9 paragrafi 6 të Ligjit të njëjtë, mënyra dhe procedura për shitjen e kapitalit shtetëror në rastet e cekura në paragrafin (5) të këtij Ligji, do të rregullohen më hollësisht me rregullin e përmendur në nenin 12 të këtij Ligji.
Me nenin 2 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Privatizimin e Kapitalit Shtetëror (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.06/2002) është hequr nga qarkullimi juridik mundësia që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut të përcaktojë mënyrën dhe kushtet për shitjen e aksioneve, përkatësisht të pjesëmarrjeve.
Sipas parashtruesit, me pjesën “mënyra e”, pa asnjë bazë në Ligj ofrohet mundësia e përcaktimit, ndër të tjera, e mënyrës së shitjes së kapitalit shtetëror me një akt nënligjor, i cili lejon në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë parametër në Ligj, të përcaktohen “mënyra ose mënyrat” se si do të kryhet shitja e kapitalit shtetëror, gjë që nuk është në përputhje me sundimin e ligjit, të përcaktuar me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës.
Bazuar në sa më sipër, parashtruesi i propozon Gjykatës të fillojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit të kontestuar dhe duke qenë se dispozita prodhon fuqi juridike në qarkullimin juridik dhe mund të shkaktojë pasoja të dëmshme, gjithashtu, propozon që të miratohet aktvendim që do të ndalojë zbatimin e akteve dhe veprimeve të veçanta, të ndërmarra në bazë të nenit të kontestuar.
II
Në seancë, Gjykata konstatoi se në përputhje me nenin 9 paragrafi 6 të Ligjit për Privatizimin e Kapitalit Shtetëror, mënyra dhe procedura për shitjen e kapitalit shtetëror në rastet e cekura në paragrafin (5) të këtij Ligji, do të rregullohen më hollësisht me rregullin e theksuar në nenin 12 të këtij Ligji.
III
Në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sundimi i ligjit është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas nenit 110 alineja 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën.
Në përputhje me nenin 9 paragrafi 5 të Ligjit për Privatizimin e Kapitalit Shtetëror (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.37/90, 26/99, 81/99, 49/2000, 6/2002, 74/2005, 125/2012 dhe 100/2014), shitja e kapitalit shtetëror, e shprehur në aksione dhe pjesëmarrje në ndërmarrjet që kanë selinë e tyre të regjistruar jashtë Republikës së Maqedonisë, përkatësisht, në aksione nëpër bankat dhe institucionet financiare që kanë selinë e tyre të regjistruar jashtë Republikës së Maqedonisë, mund të kryhet sipas procedurave në përputhje me legjislacionin e vendit në të cilin është regjistruar selia e ndërmarrjeve, përkatësisht bankave ose institucioneve financiare. Paragrafi 6 i të njëjtit nen, parashikon që mënyra dhe procedura për shitjen e kapitalit shtetëror në rastet e theksuara në paragrafin (5) të këtij Ligji, do të rregullohen më hollësisht me rregullin e cekur në nenin 12 të këtij Ligji.
Konkretisht, dispozita e nenit 9 paragrafi 6 të Ligjit për Privatizimin e Kapitalit Shtetëror, gjegjësisht, përcakton se, sa i përket rasteve të parashikuara në paragrafin 5 të të njëjtit nen, ato rregullohen me nenin 12 të të njëjtit Ligj, i cili thotë: “Procedura për shitjen e aksioneve, përkatësisht të pjesëmarrjeve, rregullohet më hollësisht nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë”.
Gjatë analizimit të nenit 9 paragrafi 6 të Ligjit në përgjithësi, Gjykata vlerësoi se ai përfaqëson një normë referuese që sqaron se privatizimi i kapitalit shtetëror nëpër ndërmarrje, banka ose institucione financiare që kanë seli të regjistruar jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku shitja mund të kryhet sipas procedurave në përputhje me legjislacionin e vendit në të cilin është regjistruar selia e të tyre, mënyra dhe procedura për shitjen e atij kapitali shtetëror, do të rregullohen më hollësisht me rregullin në nenin 12 të këtij Ligji.
Me nenin 2 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Privatizimin e Kapitalit Shtetëror (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.6/2002) përcaktohet që në nenin 12 fjalët: “Mënyra, kushtet dhe procedura”, zëvendësohen me fjalën “Procedura”, që nënkupton se neni 12 i Ligjit për Privatizimin e Kapitalit Shtetëror thotë se: “procedurën për shitjen e aksioneve, përkatësisht të pjesëmarrjeve, e përcakton Qeveria e Republikës së Maqedonisë në mënyrë më të hollësishme”.
Me nenin 17 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Transformimin e Ndërmarrjeve Publike me Kapital Shoqëror (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.31/2003) përcaktohet se në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, nuk është i vlefshëm më neni 9 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të Ligjit për Privatizimin e Kapitalit Shtetëror (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.37/96, 25/99, 81/99, 49/2000 dhe 6/2002) dhe për këtë arsye, për çështjet që nuk rregullohen me Ligjin për Privatizimin e Kapitalit Shtetëror, zbatohet Ligji për Transformimin e Ndërmarrjeve Publike me Kapital Shoqëror.
Duke i marrë parasysh dispozitat kushtetuese dhe ligjore të shënuara, si dhe duke u nisur nga pretendimet në iniciativë, ne konsiderojmë se për Ligjin për Privatizimin e Kapitalit Shtetëror, nga aspekti i qëllimit për të cilin është miratuar, si dhe lëndës që e rregullon atë në përgjithësi, e veçanërisht në pjesën e rregullimit të kapitalit shtetëror që përfshihet në institucionet publike dhe personat e tjerë juridikë, nuk mund të vihet në dyshim çështja e mospërputhjes së tij me Kushtetutën.
Duke u bazuar në sa më sipër, Gjykata vlerësoi se nuk ka kushte për të miratuar aktvendim për ndalimin e zbatimit të akteve ose veprimeve të veçanta, të miratuara ose të ndërmarra në bazë të Ligjit të kontestuar, të parashikuara në nenin 37 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
IV
Bazuar në sa më sipër, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski