
Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.139/2023
Shkup, 30.10.2024
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Кryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Jadranka Daboviq-Anastasovska, Elizabeta Dukovska, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 73 alineja 1 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 30 tetor 2024, miratoi
A K T V E N D I M
NUK INICIOHET procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 1 dhe nenit 2 paragrafi 1 për fjalët: “si dhe për ndërtimin e ndërtesave me interes strategjik” nga Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Shpronësim (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.111/2023).
Arsyetim
I
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut – Shkup, i përfaqësuar nga Urania Pirovska, në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut parashtroi iniciativë për fillimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 1 dhe nenit 2 paragrafi 1 për fjalët: “si dhe për ndërtimin e ndërtesave me interes strategjik” nga Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Shpronësim (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.111/2023).
Sipas parashtruesit, dispozitat e kontestuara janë jokushtetuese, pasi çojnë në humbjen e garancive që çdo pronar duhet t’i ketë gjatë shpronësimit, të cilat i siguron Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut – Protokolli 1. Njëherazi, ulet niveli i garancisë se janë siguruar mjetet për kompensimin e shpronësimit, duke e kufizuar kështu të drejtën e pronësisë, e cila është e garantuar me Kushtetutë dhe standardet ndërkombëtare.
Parashtruesi konsideron se Ligji për Shpronësim është Ligji i vetëm përmes të cilit mund të merret apo kufizohet e drejta e pronësisë në një procedurë të përcaktuar në mënyrë të saktë dhe vetëm për shkak të ekzistimit të interesit publik. Procedura zbatohet duke ofruar një garanci se qytetari, si person fizik ose juridik dhe si bartës i të drejtës së pronësisë do të marrë kompensim përkatës, ekskluzivisht në emër të interesit publik. Sipas parashtruesit, procedura zbatohet sipas rregullave të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative si lex generalis, ku qëllimi i zbatimit të të dyja ligjeve është që organi që do të vendosë mbi shpronësimin, duhet të ketë dëshmi të mjaftueshme për ta konstatuar ekzistencën e interesit publik sipas neneve 6 dhe 7 të Ligjit për Shpronësim, si dhe për të siguruar një kompensim përkatës. Ndryshimi në fjalë, parashikon rregulla të reja për shpronësim nën nocionin e përgjithshëm “me interes strategjik”, të cilat dalin jashtë përkufizimit të “interesit publik”, të parashikuar në Ligjin për Shpronësim.
Në vazhdim të iniciativës, sipas parashtruesit, inkorporimi i rregullave të reja për shpronësim nën nocionin e përgjithshëm “të ndërtimit me interes strategjik”, të cilat dalin jashtë përkufizimit të “interesit publik”, të përcaktuar në Ligjin për Shpronësim është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa njëkohësisht parashikon edhe kufizimin dhe marrjen e pronësisë në kundërshtim me kushtet e parashikuara në Kushtetutë, të cilat duhet të plotësohen në mënyrë kumulative.
Me plotësimin e nenit 26 me paragrafin e ri 2, parashihet një përjashtim në pikën 6 të nenit të njëjtë, në rastet kur kryhet shpronësimi për ndërtimin e ndërtesave me interes strategjik, të cilat realizohen si projekte investimi strategjike ose projekte me rëndësi nacionale strategjike. Në fakt, garancitë e deritanishme, përkatësisht, garancitë bankare nga ndërmarrjet publike, shoqëritë tregtare dhe institucionet e tjera të themeluara nga shteti, nuk janë të parapara, ndërsa me këtë ulet standardi i sigurisë së garancisë bankare të detyrueshme të deritanishme, ku personi që udhëheq institucionin i clili nuk është shfrytëzues buxhetor, vetëm jep njoftim se janë planifikuar mjetet në buxhet. Sipas parashtruesit, një dispozitë e tillë ligjore nuk siguron trajtim të barabartë të qytetarëve, pasi nën të njëjtat rrethana një qytetar do të ketë dyfish garanci dhe do të mund të fitojë kompensimin për pronën e shpronësuar sipas nenit 26 paragrafi 1 pika 6 të Ligjit për Shpronësim, ndërsa qytetarët e tjerë do të duhet të kënaqen me njoftimin e njëanshëm sipas nenit 26 paragrafi 2 të Ligjit të njëjtë, i cili nuk garanton realizimin faktik të pagesës së kompensimit.
Sipas parashtruesit, dorëzimi i posedimit të pronës përpara se aktvendimi për shpronësim të bëhet i plotfuqishëm, deri më tani ishte paraparë vetëm në rastet e urgjencës për kryerjen e punëve që janë të numëruara në mënyrë taksative në nenet 6 dhe 7 të Ligjit për Shpronësim, të cilat përcaktonin edhe kornizën e interesit publik, si dhe në rastet kur ekzistonte kërcënim për dëme të konsiderueshme materiale, si dhe rrezik për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin jetësor. Ndërtimi i ndërtesave me interes strategjik nuk përbën vetëvetiu një bazë për shpronësim, ndërsa rregullat që parashiheshin në zgjidhjen ligjore të kontestuar, në fakt, përbëjnë përjashtime nga rregullat tashmë të vendosura, të cilat janë mbështetur në urgjencën e interesit publik.
Parashtruesi konsideron se nocioni “ndërtesat me interes strategjik” është i paqartë, ndërsa mungesa e një kornize ligjore që do ta rregullonte shpalljen e projekteve të caktuara me rëndësi nacionale ose strategjike, rezulton me pasiguri ligjore. Ndërtesat me interes strategjik, vetvetiu, nuk mund të përbëjnë bazë për kufizimin e të drejtës së qytetarëve për të kërkuar mbrojtje gjyqësore për shtyrjen e shpronësimit ose për marrjen e posedimit të pronës, si një nga kompetencat që dalin nga e drejta e pronësisë, me ç’rast kjo përbën shkelje të së drejtës kushtetuese të garantuar të qytetarit për mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tij.
Sipas parashtruesit, me dispozitat e kontestuara shkelet neni 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe 6, neni 9 paragrafi 2, neni 30 paragrafi 3, neni 50 paragrafi 1 dhe 2 dhe neni 51 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe shkelet neni 1 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – Protokolli 1. Për këto arsye, parashtruesi kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të iniciojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të kontestuara dhe t’i anulojë apo t’i shfuqizojë ato.
II
Gjatë seancës, Gjykata konstatoi se me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Shpronësim (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.111/2023) në Ligjin për Shpronësim (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.95/2012, 131/2012, 24/2013, 27/2014, 104/2015, 192/2015, 23/2016 dhe 178/2016, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.122/2021), në nenin 26 paragrafi 1 pika 1 pas fjalës “kalim”, pika në fund të fjalisë zëvendësohet me presje dhe shtohen fjalët: “ose projekt urbanistik për ndërtimin e ndërtesave me interes strategjik”.
Pas paragrafit 1 shtohet paragrafi i ri 2:
“2 Në përjashtim të paragrafit 1 pika 6 të këtij neni, për ndërtimin e ndërtesave me interes strategjik, të cilat realizohen si projekte investimi strategjike ose projekte me rëndësi nacionale strategjike të përcaktuara me ligj, ndërmarrjet publike, shoqëritë tregtare dhe institucionet e tjera të themeluara nga shteti, së bashku me propozimin për shpronësim dorëzojnë edhe dëshmi për sigurimin e mjeteve për kompensimin e pronës së shpronësuar (njoftimin për mjetet e planifikuara në buxhet nga personi që udhëheq me institucionin e themeluar nga shteti)”.
Neni 2
Në nenin 33 paragrafi 2, pika në fund të fjalisë fshihet dhe shtohen fjalët: “si dhe për ndërtimin e ndërtesave me interes strategjik” .
III
Sipas nenit 8 paragrafit 1 alineja 3 dhe 6 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sundimi i së drejtës është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në nenin 9 paragrafi 2 të Kushtetutës është përcaktuar se qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve.
Me nenin 30 të Kushtetutës, garantohet e drejta e pronësisë dhe e drejta e trashëgimisë. Pronësia krijon të drejta dhe obligime dhe duhet të shërbejë për të mirën e individit dhe të bashkësisë. Askujt nuk mund t’i merret ose t’i kufizohet pronësia dhe të drejtat të cilat rrjedhin prej saj, përveçse kur kemi të bëjmë me interesin publik të përcaktuar me ligj. Në rast të shpronësimit të pronës ose në rast të kufizimit të pronësisë, garantohet kompensim i drejtë, i cili nuk mund të jetë më i ulët se vlera e tregut.
Në nenin 50 paragrafi 1 të Kushtetutës është përcaktuar se çdo qytetar mund të thirret në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të përcaktuara me Kushtetutë, para gjykatave dhe para Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut në procedurë të mbështetur mbi parimet e prioritetit dhe urgjencës. Me paragrafin 2 të nenit të njëjtë garantohet mbrojtja gjyqësore e ligjshmërisë së akteve të veçanta të administratës shtetërore dhe të institucioneve të tjera që ushtrojnë autorizime publike.
Sipas nenit 51 të Kushtetutës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ligjet duhet të jenë medoemos në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të gjitha rregullat e tjera me Kushtetutën dhe ligjin. Secili e ka për detyrë ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën, në përputhje me nenin 110 alineja 1 të Kushtetutës.
Në nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kushtuar mbrojtjes së pronës është rregulluar çështja se: “Çdo person fizik ose juridik ka të drejtë të gëzojë pronën e tij në mënyrë paqësore. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveç në rastet e interesit publik dhe sipas kushteve të parashikuara me ligj dhe parimeve të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Sipas paragrafit 2 të dispozitës së njëjtë, dispozitat paraprake nuk ndërhyjnë në të drejtën e shteteve të miratojnë ligje që i konsiderojnë të domosdoshme për rregullimin e çështjes së përdorimit të pronës në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për shkak të sigurimit të pagesave të tatimeve, kontributeve të tjera dhe gjobave në para”.
Duke shqyrtuar këtë iniciativë nga këndvështrimi i pretendimeve për shkelje të Kushtetutës lidhur me dispozitat e kontestuara të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Shpronësim, Gjykata konstatoi se:
Neni 1 i Ligjit për Shpronësim (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 95/2012, 131/2012, 24/2013, 27/2014, 104/2015, 192/2015, 23/2016 dhe 178/2016, si dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, numër 122/2021, 11120/23 dhe 208/2024) rregullon marrjen dhe kufizimin e së drejtës së pronësisë dhe të të drejtave të pronës mbi patundshmëritë për shkak të realizimit të interesit publik të përcaktuar me ligj, për ndërtimin e objekteve dhe kryerjen e punëve të tjera me interes publik. Gjithashtu, rregullon mënyrën e përcaktimit të interesit publik, përkatësisht procedurën e shpronësimit dhe procedurën për përcaktimin e kompensimit sipas vlerës së tregut.
Me shpronësimin, e drejta e pronësisë e personave fizikë dhe juridikë (pronësi private) ndërpritet me ligj dhe kjo bëhet për shkak të realizimit të interesit publik, ku në këtë rast të drejtën e pronësisë e fiton shteti (pronësi shtetërore).
Sipas nenit 2 paragrafi 1 të Ligjit, pas së drejtës së fituar të pronësisë mbi patundshmërinë e shpronësuar në favor të shtetit ose të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe të Qytetit të Shkupit, për shkak të interesit publik, kjo patundshmëri mund të jepet me koncesion, me qira afatgjate ose për përdorim, në përputhje me Ligjin. Paragrafi 2 i nenit të njëjtë parasheh se interesi publik nga paragrafi 1 i këtij neni, përcaktohet me këtë Ligj ose me ndonjë ligj tjetër.
Ligji parashikon domosdoshmërinë e përcaktimit të ekzistencës së interesit publik dhe në të janë numëruar në mënyrë taksative objektet dhe punët për të cilat përcaktohet ekzistenca e interesit publik. Arsyeja që imponon nevojën për të hyrë në sferën private përmes shpronësimit, është me qëllim të realizimit të interesit publik.
Interesi publik është përcaktuar në nenin 4 të Ligjit, sipas të cilit interesi publik është rregullimi, shfrytëzimi racional dhe humanizimi i hapësirës, mbrojtja dhe përmirësimi i mjedisit jetësor dhe i natyrës, përmes ndërtimit të objekteve dhe kryerjes së punëve me rëndësi për Republikën dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale, të parashikuara në aktet për planifikimin e hapësirës.
Planifikimi urbanistik i hapësirës kryhet në përputhje me Ligjin për Planifikim Urbanistik (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.32/2020, 111/2023 dhe 73/2024), me të cilin rregullohen kushtet dhe mënyra e sistemit të planifikimit hapësinor dhe urbanistik, llojet dhe përmbajtja e planeve, përpilimi dhe procedura për miratimin e planeve, zbatimi i planeve dhe çështjet e tjera.
Përpilimi, miratimi dhe zbatimi i planit hapësinor të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i planeve urbanistike në këtë Ligj, përcaktohen si punë me interes publik dhe si ndërtime me interes strategjik.
Sipas nenit 2 paragrafi 1 pika 7-a të Ligjit për Planifikim Urbanistik, “ndërtimet me interes strategjik janë rrugët shtetërore, linjat hekurudhore, gazsjellësit kryesorë, si dhe ndërtimet e tjera me interes publik që realizohen si projekte investimi strategjike ose si projekte me rëndësi nacionale strategjike të përcaktuara me ligj”.
Ndërtimi, kërkesat themelore për ndërtim, dokumentacioni projektues i nevojshëm për marrjen e lejes së ndërtimit, të drejtat dhe detyrimet e pjesëmarrësve në ndërtim, mënyra e përdorimit dhe mirëmbajtjes së ndërtimit, si dhe çështjet e tjera me rëndësi për ndërtimin rregullohen me Ligjin për Ndërtim (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.130/2009, 124/2010, 18/2011, 36/2011, 49/2011, 54/2011, 13/2012, 144/2012, 25/2013, 79/2013, 137/2013, 27/2014, 28/2014, 42/2014, 115/2014, 149/2014, 187/2014, 44/2015, 129/2015, 217/2015, 226/2015, 30/2016, 31/2016, 39/2016, 71/2016, 103/2016, 132/2016, 35/2018, 64/2018, 168/2018 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.244/2019, 18/2020, 279/2020, 96/2021, 227/2022, 111/2023,115/2023).
Sipas nenit 2 paragrafi 1 pika 16-a të Ligjit për Ndërtim “ndërtimet me interes strategjik janë rrugët shtetërore, linjat hekurudhore, gazsjellësit kryesorë, si dhe ndërtimet e tjera me interes publik që realizohen si projekte investimi strategjike ose si projekte me rëndësi nacionale strategjike të përcaktuara me Ligj”, ku ndërtimi i tyre si ndërtime me interes publik duhet të parashihet me ndonjë projekt urbanistik për ndërtime me interes strategjik, i miratuar sipas Ligjit për Planifikim Urbanistik, i cili miratohet ose jo nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në varësi të të dhënave të siguruara. Krahas rrugëve shtetërore, hekurudhave dhe gazsjellësve kryesorë, që një ndërtim me interes publik të trajtohet si ndërtim me interes strategjik, duhet të plotësohen tri kushte kumulative, të cilat janë: 1) miratimi i ligjit të veçantë për caktimin e ndërtimit me interes publik si projekt strategjik, 2) përpilimi i projektit urbanistik për ndërtim me interes strategjik dhe 3) marrja e miratimit nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas nenit 30 paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kushtetuta lejon që interesi publik për shpronësim të përcaktohet me ndonjë ligj tjetër, përkatësisht me ligjin tjetër duhet të përcaktohet në mënyrë të qartë dhe saktë ky interes publik.
Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut i ka dhënë legjivënësit të drejtën për vlerësim të pavarur të ekzistencës së interesit publik.
Asyeja dhe nevoja për shpronësim, përkatësisht marrja ose kufizimi i së drejtës së pronësisë bëhet për shkak të ekzistencës së interesit publik, i cili përcaktohet me Ligjin për Shpronësim apo interesit publik të parashikuar në ndonjë ligj tjetër, i cili më pas zbatohet me qëllim të realizimit të interesit publik.
Arsyet për miratimin e Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Shpronësim janë për shkak të harmonizimit të Ligjit për Shpronësim me Ligjin për Përcaktimin e Interesit Publik dhe Nominimin e Partnerit Strategjik për Zbatimin e Projektit për Ndërtimin e Korridorit Infrastrukturor 8 (Aksi: Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe Projektit për Autostradën Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë) dhe Korridorit 10d (Aksi i Autostradës Prilep-Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.163/2021 dhe 111/2023), me çka mundësohet zbatimi më efikas i Ligjit për Shpronësim për ndërtimet që janë me interes strategjik për shtetin.
Qëllimi legjitim i ligjvënësit përfaqëson respektimin dhe mbrojtjen e vlerave që afirmon Kushtetuta. Sipas nenit 56 paragrafi 1 të Kushtetutës, pasuritë në kuptimin e përgjithshëm, siç pa dyshim janë edhe rrugët shtetërore, linjat hekurudhore, gazsjellësit kryesorë, si dhe ndërtimet e tjera me interes publik që realizohen si projekte investimi strategjike ose si projekte me rëndësi nacionale, të përcaktuara me ligj, përfaqësojnë të mira me interes të përgjithshëm për Republikën dhe gëzojnë mbrojtje të veçantë. Sipas nenit 57 të Kushtetutës, Republika e nxit përparimin ekonomik dhe kujdeset për zhvillimin më të balancuar hapësinor dhe rajonal, si dhe për zhvillimin më të shpejtë të rajoneve ekonomikisht jo mjaft të zhvilluara.
Këto vlera kushtetuese janë të lidhura në mënyrë të pandashme dhe janë të kushtëzuara në mënyrë të ndërsjellë, duke krijuar kështu një korpus të drejtash ekonomike që rrjedhin nga Kushtetuta.
Arsyetimi shoqëror dhe interesat strategjike rrjedhin nga gjendja reale në Republikë në lidhje me infrastrukturën rrugore, sigurinë në rrugë, lidhjen rajonale, zhvillimin rajonal, lidhjen rajonale me korridoret panevropiane dhe implikimet, përkatësisht pasojat e kësaj gjendjeje në realitetin ekonomik të shtetit.
Sa i përket pretendimeve të iniciuesit të iniciativës se inkorporimi i rregullave të reja për shpronësim në kuptimin e përgjithshëm të ndërtimit me interes strategjik, të cilat tejkalojnë përkufizimin e interesit publik, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut me Aktvendimin U.nr.140/2023, të datës 20.12.2023, ka konstatuar se legjivënësi ka autorizime dhe kompetenca kushtetuese për ta përcaktuar interesin publik, përkatësisht interesin strategjik lidhur me ndërtimet.
Nga analiza e bërë në rastin konkret rezulton se me ndërhyrjet në nenin 26 paragrafi 1 pika 1 dhe nenin 33 paragrafi 2 të Ligjit për Shpronësim, gjatë përcaktimit të interesit publik për ndërtimin e ndërtimeve me interes strategjik ose projekteve urbanistike për ndërtime me interes strategjik, legjivënësi ka marrë parasysh dispozitat e Ligjit për Planifikim Urbanistik dhe Ligjit për Ndërtim, me të cilat këto lloje të ndërtimeve përcaktohen si ndërtime me rëndësi strategjike për Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke u përcaktuar kështu edhe ekzistenca e interesit publik. Si rrjedhojë, plotësimet e dispozitave të kontestuara të Ligjit për Shpronësim nënkuptojnë harmonizimin e këtij Ligji me dy ligjet e lartpërmendura, prandaj nuk mund të lindë pyetja për mosharmonizimin e tyre me Kushtetutën.
Në këtë drejtim bëhet ndryshimi dhe plotësimi i nenit 26 të Ligjit për Shpronësim, konkretisht, në përjashtim të projekteve urbanistike për ndërtimet me interes strategjik, të cilat realizohen si projekte investimi strategjike ose si projekte me rëndësi nacionale strategjike të përcaktuara me ligj, ndërmarrjet publike, shoqëritë tregtare dhe institucionet e tjera të themeluara nga shteti, së bashku me propozimin për shpronësim, dorëzojnë edhe dëshminë për sigurimin e mjeteve për kompensimin e patundshmërisë së shpronësuar (njoftimin për mjetet e planifikuara në buxhet nga personi që udhëheq institucionin e themeluar nga shteti).
Konkretisht, kur bëhet fjalë për projekte urbanistike për ndërtime me interes strategjik, të cilat realizohen si projekte investimi strategjike ose si projekte me rëndësi nacionale strategjike të përcaktuara me ligj, burimet financiare për zbatimin e projektit, qoftë së bashku ose veçmas, sigurohen nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi bëhet fjalë për projekte me rëndësi nacionale strategjike të përcaktuara me ligj.
Pretendimet se dispozita e tillë nuk siguron trajtim të barabartë për qytetarët nën të njëjtat rrethana, përkatësisht se një qytetar do të ketë dyfish garanci dhe mund të marrë kompensimin për pronën e shpronësuar sipas nenit 26 paragrafi 1 pika 6, ndërsa tjetri duhet të kënaqet me një njoftim sipas nenit 26 paragrafi 2, ndërkohë që nuk e garanton realizimin faktik të pagesës së kompensimit në procedurat e shpronësimit për ndërtime me interes strategjik, sipas Gjykatës janë të pabaza. Përkatësisht neni 9 i Kushtetutës nuk mund të shkelet kur dispozitat e kontestuara ligjore rregullojnë të drejtat dhe detyrimet në mënyrë të ndryshme për subjekte të ndryshme, për shkak se parimi i barazisë vlen vetëm për ato subjekte të së drejtës që ndodhen në pozitë të barabartë juridike dhe në kushte të njëjta.
Në rastin konkret, bëhet fjalë për një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm për shpronësim, i cili zbatohet kur bëhet fjalë për ndërtime me interes strategjik, të cilat përcaktohen me ligje të veçanta për çdo rast të veçantë, dhe në këtë rast në zgjidhjen ligjore bëhet përjashtimi, përkatësisht vendoset një regjim i ri juridik sipas të cilit sigurohet trajtim i barabartë i qytetarëve brenda këtij rregulli.
Parimi i barazisë nënkupton trajtim të barabartë të qytetarëve që ndodhen në të njëjtën gjendje faktike dhe juridike brenda kornizës së regjimit juridik të përcaktuar me ligj. Shkelja e parimit të barazisë mund të ndodhë (siç është shembulli i përjashtimit nga rregulli i përgjithshëm për shpronësim që zbatohet kur bëhet fjalë për ndërtimet me interes strategjik) nëse subjektet juridike trajtohen ndryshe brenda të njëjtit regjim juridik. Nga e lartpërmendura rrjedh se, Kushtetuta u garanton të gjithë qytetarëve barazi para Kushtetutës dhe ligjeve, prandaj çështja e cekur më lartë nuk përbën shkelje të parimit të barazisë.
Sipas pretendimeve në iniciativë, dorëzimi i posedimit të pronës para se të bëhet i plotfuqishëm aktvendimi për shpronësim, deri më tani ishte i justifikuar dhe i parashikuar vetëm në rast urgjence për kryerjen e punëve që janë të numëruara në mënyrë taksative në nenet 6 dhe 7 të Ligjit për Shpronësim dhe të cilat e përcaktojnë kornizën e interesit publik, si dhe në rastet kur ekziston mundësia për dëme të konsiderueshme materiale dhe ka rreziqe për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin jetësor. Mbrojtjën gjyqësore që pronari e kishte dhe që mund ta kërkonte, bëhet e panevojshme kur humbja e posedimit të pronës pa ndonjë arsye reale dhe të justifikuar tashmë i privon atij kompetencën për ta mbajtur, përdorur dhe për të përfituar nga të mirat e patundshmërisë derisa aktvendimi për shpronësim të bëhet i plotfuqishëm. Kjo situatë nënkupton shkelje të të drejtës kushtetuese të qytetarit për mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tij, ndërsa garancitë për të marrë kompensim janë ulur në mënyrë të ndjeshme dhe janë shndërruar në një formalitet të thjeshtë, vetëm në formën e njoftimit. Sipas Gjykatës, pretendimet e paraqitura në këtë mënyrë janë të pabaza, për këto arsye:
Sipas nenit 7 të Ligjit për Pronësi dhe të Drejtat e Tjera Sendore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.18/2001, 92/2008, 139/2009 dhe 35/2010), fitimi, mbrojtja dhe heqja e të drejtës së pronësisë dhe të drejtave të tjera sendore rregullohen me ligj. Ligji në këtë nen ka vendosur parimin me të cilin fitimi, mbrojtja dhe heqja e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të tjera sendore rregullohen me ligj, gjë që në rastin konkret janë rregulluar me Ligjin për Shpronësim.
Ligji për Shpronësim parasheh shpronësimin e plotë dhe të pjesshëm (nenet 9 dhe 10) si dhe kufizime të tjera të së drejtës së pronësisë.
Me shpronësimin e plotë, për realizimin e interesit publik me rëndësi për Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga personat fizikë dhe juridikë dhe nga njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe Qyteti i Shkupit, merret e drejta e pronësisë dhe lind e drejta e pronësisë në emër të Republikës.
Sa i përket mundësisë për marrëveshje për barazim, mbrojtja gjyqësore e pronës dhe përcaktimi i kompensimit të drejtë janë rregulluar në mënyrë përkatëse me Ligjin për Shpronësim.
Në këtë drejtim, sipas nenit 32 paragrafi 1 të Ligjit, kundër aktvendimit për shpronësim mund të parashtrohet padi në Gjykatën Administrative në afat prej 15 ditëve nga dita e dorëzimit të aktvendimit.
Sipas nenit 33 paragrafi 1 të Ligjit, propozuesi i shpronësimit fiton posedimin e pronës së shpronësuar brenda 8 ditëve nga data e arritjes së marrëveshjes së barazisë (marrëveshja ka fuqi ekzekutive sipas nenit 30 të këtij Ligji), përveç nëse propozuesi i shpronësimit dhe pronari i pronës shpronësuar dakordohen ndryshe, përkatësisht pasi të bëhet aktvendimi i plotfuqishëm sipas nenit 31 të këtij Ligji.
Para miratimit të ndryshimit të kontestuar të Ligjit, në nenin 33 paragrafi 2 të Ligjit parashihej se, si përjashtim nga paragrafi 1 i këtij neni, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të propozimit të justifikuar nga parashtruesi i shpronësimit, mund të vendosë që patundshmëria mund t’i dorëzohet në posedim parashtruesit të shpronësimit përpara se aktvendimi për shpronësim të bëhet i plotfuqishëm, ndërsa pasi të bëhet aktvendimi për shpronësim ekzekutiv, mund t’i dorëzohet nëse ajo vlerëson se është e domosdoshme për shkak të urgjencës për ndërtimin e objekteve ose kryerjen e punëve të parashikuara në nenet 6 dhe 7 të këtij Ligji, apo për shkak të shmangies së dëmeve të konsiderueshme materiale dhe rrezikut për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin jetësor. Ligjvënësi e ka plotësuar këtë dispozitë me formulimin: “si dhe për ndërtimin e objekteve me interes strategjik”.
Nga ana e iniciuesve të iniciativës, kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 2 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Shpronësim, nuk është për të gjithë nenin 33 të Ligjit, por vetëm për pjesën e plotësimeve megjithatë, sipas Gjykatës, ai duhet të analizohet në tërësi.
Duke u nisur nga çështjet e lartpërmendura, ndërsa me qëllim të marrjes së një përgjigjeje për pyetjen nëse dispozita e kontestuar shkel dispozitat e cituara të Kushtetutës, nevojitet të bëhet një analizë dhe një korrelacion me dispozitat e tjera të Ligjit, në drejtim të sqarimit të bazës për të cilën ligjvënësi ka kryer plotësimet në dispozitën e kontestuar.
Gjykata kishte parasysh Aktvendimin U.nr.181/2012, nga data 13 mars 2013, me të cilin Gjykata Kushtetuese kishte shqyrtuar nenin 33 të Ligjit për Shpronësim në aspekt të përjashtimit të paraparë (për rastet e urgjencës për shkak të shmangies së dëmit të konsiderueshëm material ose rrezikut për shëndetin dhe mjedisin jetësor), në bazë të një vendimi paraprak të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, në rastet kur është zhvilluar procedurë administrative dhe ku është miratuar aktvendimi ekzekutiv, me të cilin lejohet hyrja në posedim të pronës së shpronësuar.
Sipas arsyetimit në Aktvendimin U.nr.181/2012, nga data 13 mars 2013, paragrafi 1 i nenit 33 të Ligjit parashikon se propozuesi i shpronësimit fiton posedimin e pronës së shpronësuar brenda 8 ditëve nga dita e arritjes së marrëveshjes së barazimit (marrëveshjes sipas nenit 30 të këtij Ligji), nëse propozuesi i shpronësimit dhe pronari i pronës së shronësuar nuk dakordohen ndryshe, përkatësisht pasi të bëhet aktvendimi i plotfuqishëm sipas nenit 31 të këtij Ligji.
Gjyqi ka analizuar edhe nenin 30 paragrafi 1 të Ligjit, ku parashihet se seanca mund të përfundojë me një marrëveshje për kompensim (barazim), ndërsa në paragrafin 2 të nenit të njëjtë parashihet se me marrëveshjen nga paragrafi 1 përcaktohet lloji i kompensimit (pagesa në para ose dhënia e një prone tjetër përkatëse), vlera e këtij kompensimi, nëse ajo është përcaktuar të jetë në para dhe afati brenda të cilit duhet të paguhet. Sipas paragrafit 3 të nenit 30 të Ligjit, marrëveshja shënohet në procesverbal, i cili përmban të gjitha të dhënat e domosdoshme për përmbushjen e detyrimeve të propozuesit të shpronësimit dhe të pronarit të patundshmërisë ose bartësit të të drejtave të tjera pronësore, ndërsa sipas paragrafit 4 të nenit të njëjtë, marrëveshja konsiderohet e lidhur kur të dyja palët e nënshkruajnë procesverbalin. Në paragrafin 5 të nenit 30 të Ligjit është rregulluar se marrëveshja është baza për regjistrimin e së drejtës së pronësisë në favor të propozuesit të shpronësimit. Sipas paragrafit 6 të nenit të njëjtë, marrëveshja nga paragrafi 4 ka fuqinë e një dokumenti ekzekutiv, ndërkaq me lidhjen e kësaj marrëveshjeje konsiderohet se procedura e shpronësimit dhe procedura për përcaktimin e kompensimit kanë përfunduar me fuqi të plotë ligjore.
Ndërkaq, Gjykata ka konstatuar se në Ligjin për Shpronësim, në dispozitat e nenit 30 dhe 47, parashihet se propozuesi i shpronësimit dhe pronari i patundshmërisë mund të arrijnë një marrëveshje para dhe pasi aktvendimi i shpronësimit të bëhet i plotfuqishëm, ndërsa nëse nuk arrijnë një marrëveshje para organit të shpronësimit, gjykata kompetente vendos lidhur me kompensimin.
Gjykata, gjithashtu ka pasur parasysh se në nenin 31 paragrafi 1 të Ligjit të njëjtë parashihet se, nëse nuk arrihet marrëveshja nga neni 30 i këtij Ligji, organi për shpronësim, në varësi të fakteve të konstatuara gjatë procedurës, do të miratojë aktvendim për shpronësim, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni të Ligjit, aktvendimi me të cilin miratohet propozimi për shpronësim përmban të dhëna për: propozusin e shpronësimit, patundshmërinë që do të shpronësohet, duke përfshirë të dhënat nga Kadastra e patundshmërive, pronarin e patundshmërive (emri personal ose emërtimi, vendbanimi, vendqëndrimi, përkatësisht selia), bartësit e të drejtave të tjera mbi patundshmërinë (emri personal ose emërtimi, vendbanimi, vendqëndrimi, përkatësisht selia) dhe ndërtimin e objektit ose kryerjen e punëve për të cilat propozohet shpronësimi.
Neni 30 paragrafi 4 i Kushtetutës parashikon se në rast të shpronësimit të pronës ose në rast të kufizimit të pronësisë, garantohet kompensim i drejtë, i cili nuk mund të jetë më i ulët se vlera e tregut.
Nga analiza e përmbajtjes së nenit të kontestuar 33 të Ligjit, Gjykata konstatoi se vetëm kur ka përjashtime (raste urgjente për shkak të shmangies së dëmit të konsiderueshëm material ose rrezikut për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin jetësor) dhe në bazë të një vendimi paraprak të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe në rastet kur është zhvilluar procedurë administrative ku është miratuar aktvendim ekzekutiv, mund të lejohet hyrja në posedim të pronës së shpronësuar.
Nga arsyetimi i aktvendimit, për Gjykatën me rëndësi thelbësore ishte detyrimi i propozuesit të shpronësimit ta arsyetojë dhe dëshmojë nevojën për urgjencë për hyrjen në posedim të patundshmërisë, përpara se aktvendimi të jetë i plotfuqishëm. Ndër të tjera, ishte i kontestuar edhe paragrafi 3 i nenit 33 të Ligjit, i cili njëkohësisht parashikon mbrojtjen e së drejtës së pronësisë mbi patundshmërinë, në atë mënyrë që parasheh kompensimin e dëmit të shkaktuar nga hyrja në posedim të patundshmërisë, i cili përfshin edhe vlerën e patundshmërisë, në rast se ajo nuk mund t’i kthehet pronarit në gjendjen e saj fillestare, përkatësisht në gjendjen në të cilën ishte para se t’i dorëzohej në posedim propozuesit të shpronësimit. Gjykata ka konstatuar se me dispozitën ligjore të kontestuar të nenit 33 paragrafi 3 të Ligjit për Shpronësim nuk cenohet e drejta e pronësisë, e cila është e garantuar me Kushtetutë, sepse me këtë dispozitë parashikohet mbrojtja e pronësisë mbi patundshmërisë, në atë mënyrë që ligjvënësi siguron kompensimin e dëmit të shkaktuar nga hyrja në posedim të patundshmërisë.
Për shkak të çështjeve të lartpëmendura dhe duke marrë parasysh analizën e kryer dhe praktikën e paraqitur kushtetuese-gjyqësore, rezulton se Gjykata tashmë është deklaruar lidhur me pretendimet në iniciativë që kanë të bëjnë me dorëzimin e posedimit të pronës përpara plotfuqishmërisë së aktvendimit për shpronësim, të cilat deri më tani, me të drejtë ishin të parashikuara vetëm në rast të urgjencës për kryerjen e punëve që janë të numëruara në mënyrë taksative në nenet 6 dhe 7 të Ligjit për Shpronësim. Pjesa e plotësimit të kontestuar të nenit 33 paragrafi 2 të Ligjit për Shpronësim: “si dhe për ndërtimin e objekteve me interes strategjik”, deri më tani nuk i është nënshtruar vlerësimit para Gjykatës Kushtetuese dhe sipas Gjykatës është e pabazë.
Kjo për arsye se në pjesën përkatëse të nenit është konstatuar ekzistenca e interesit publik, përkatësisht me Ligj përcaktohet interesi publik për ndërtimin e objekteve për nevojat si të shërbimeve publike shtetërore, ashtu edhe të atyre komunale, në fushat e përcaktuara, gjë që është në përputhje me normat kushtetuese. Konkretisht, ndërprerja e së drejtës së pronësisë (si pasojë e procesit të shpronësimit) rregullohet vetëm me ligj dhe vetëm për qëllime të realizimit të interesit publik, i cili në Ligjin për Shpronësim dhe në Kushtetutë është përcaktuar dhe përkufizuar në mënyrë të qartë.
Në drejtim të çështjeve të cekura më sipër është edhe neni 2 i Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Shpronësim, me të cilin bëhet edhe ndryshimi i nenit 33 paragrafi 5, ndërsa njëherazi edhe plotësohet me 5 paragrafë të rinj, me të cilët lehtësohet dhe përshpejtohet procesi i shpronësimit për qëllimet e ndërtimit të objekteve të përcaktuara në nenet 6 dhe 7 të këtij Ligji, si dhe për ndërtimin e objekteve me interes strategjik. Me këto plotësime, në rastet kur pronari banon apo ushtron veprimtari në patundshmërinë që është objekt shpronësimi, si dhe në rastin e ndërtimeve pa leje që janë objekt shpronësimi, i mundësohet pronarit të patundshmërisë, nëse e kërkon këtë, t’i sigurohet strehim i përkohshëm ose kompensim për qira në vlerën që arrihet në treg për atë lloj të patundshmërisë, në përputhje me Ligjin për Vlerësim, me qëllim të efikasitetit më të madh gjatë realizimit të projekteve me interes strategjik.
Gjykata konstatoi se dispozitat e kontestuara janë në përputhje me nenin 30 të Kushtetutës, ndaj të cilit në mënyrë të veçantë kontestohet kushtetutshmëria e tij. Kjo për arsye se, në përputhje me këtë nen të Kushtetutës, Kuvendi është i autorizuar që me ligj ta përcaktojë interesin publik, ndërsa dispozitat e kontestuara paraqesin operacionalizim të nenit 30 paragrafi 3 të Kushtetutës.
IV
Në bazë të lartpërmendurës, Gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.
KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr.Darko Kostadinovski