Për shkak pyetjeve të parashtruara nga disa media në lidhje me deklaratën e dhënë nga ish-Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, Gjykata Kushtetuese sqaron:
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, të transmetuar më 13 mars 2026, ish-Presidenti, Stevo Pendarovski ka dhënë informacion të pasaktë në lidhje me një çështje që është në shqyrtim para Gjykatës Kushtetuese.
Konkretisht, u theksua se “dikush, gjoja një qytetar i zakonshëm, i panjohur për opinionin publik, ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, me të cilën kontestohet Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, përkatësisht se ai nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe kërkon anulimin e atij Ligji. Pra, meqenëse jetojmë në një vend të vogël, të gjithë besojnë se pas atij qytetarit të zakonshëm, qëndron ndonjë parti politike. Tani papritmas, pas disa vitesh zbatimi të atij Ligji, dikush thotë se duhet ta rishqyrtojmë atë Ligj, të konsultohemi me Gjykatën Kushtetuese” dhe se “Gjykata Kushtetuese tashmë ka caktuar shqyrtimin e kësaj çështjeje në muajt në vijim dhe mund të paraqitet një problem i madh nëse Gjykata e anulon atë Ligj”.
Gjykata Kushtetuese thekson se deklaratat e tilla nuk janë të sakta dhe se nuk korrespondojnë me gjendjen faktike. Konkretisht, nuk bëhet fjalë për një “parashtrues të panjohur për opinionin publik”, por për 13 iniciativa të parashtruara nga 45 parashtrues, duke përfshirë parti politike, profesorë, avokatë, shoqata dhe qytetarë. Gjykata, këtë informacion e publikuar në disa raste viteve të fundit, në kuadër të përpjekjeve për transparencë. Mund ta lexoni edhe në linkun e mëposhtëm: https://ustavensud.mk/archives/31152
Gjykata gjithashtu thekson se, duke pasur parasysh ndërgjegjësimin e opinionit publik për këtë rast dhe nivelin e lartë të interesit publik, është veçanërisht e rëndësishme që figurat publike ose personat që kanë ushtruar funksione të larta shtetërore dhe që mund të kontribuojnë në krijimin e perceptimit publik, të përmbahen nga dhënia e informacioneve të pasakta ose të paverifikuara, pavarësisht nëse janë të destinuara për opinionin publik vendas apo për atë ndërkombëtar.
Për më tepër, paragjykimi i vendimit të Gjykatës, si dhe prononcimi i supozimeve në lidhje me pasojat e mundshme të vendimmarrjes, është një qasje e papërshtatshme që mund të ndikojë jo vetëm në reputacionin e Gjykatës, por edhe në perceptimin për rendin juridik dhe integritetin institucional të shtetit.
Gjykata Kushtetuese njofton publikun se për lëndën konkrete nuk është miratuar vendim dhe se Gjykata për këtë lëndë, si dhe për të gjitha lëndët e tjera, do të veprojë në përputhje me Kushtetutën, bazuar në të gjitha faktet, argumentet dhe normat juridike relevante.