U.nr.104/2022

Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Maqedonisë së Veriut
U.nr.104/2022
Shkup, 21.01.2026

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të Kryetarit të Gjykatës, dr.Darko Kostadinovski dhe gjykatësve Naser Ajdari, mr.Tatjana Vasiq-Bozaxhieva, dr.Osman Kadriu, Dobrilla Kacarska, dr.Ana Pavllovska-Daneva dhe mr.Fatmir Skender, në bazë të nenit 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nenit 38 alineja 3 dhe nenit 73 alineja 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.115/2024), në seancën e mbajtur më 21 janar 2026, miratoi

A K T V E N D I M

HIDHET POSHTË iniciativa për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit 1 të Aneksit për ndryshimin e Marrëveshjes kolektive për veprimtarinë shëndetësore të Republikës së Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.32/2019) dhe nenit 4 të Aneksit për ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes kolektive për veprimtarinë shëndetësore të Republikës së Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.32/2020).

Arsyetim

I

Ajrulla Mustafa, Naser Muaremi dhe të tjerë, parashtruan iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së dispozitave të akteve të shënuara në dispozitivin e këtij aktvendimi.

Sipas pretendimeve, me dispozitat e kontestuara drejtorët organizativë vendosen në një pozitë të pabarabartë në krahasim me drejtorët mjekësorë. Përkatësisht, parashikohen më pak të drejta për drejtorët organizativë, në lidhje me vlerën e koeficientit bazë për përcaktimin e pagës së tyre, megjithëse Ligji për Mbrojtje Shëndetësore nuk bën dallim në detyrimet dhe përgjegjësitë e këtyre dy kategorive.

Pretendimet i referohen nevojës për vlerësim të barabartë sa i përket pagës bazë për punën e kryer nga organi drejtues në institucionet shëndetësore publike të përcaktuara në nenet 104 dhe 105 të Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore.

Me iniciativën kërkohet përcaktim i koeficientit të vetëm të ndërlikueshmërisë, përkatësisht një vlerësim i vetëm në pjesën e pagës bazë për punonjësit, si dhe bëhet një retrospektivë e ndryshimeve dhe plotësimeve të Marrëveshjes kolektive për veprimtarinë shëndetësore, e cila është lidhur në vitin 2006. Siç mund të shihet nga përmbajtja e nenit 1 të Aneksit të Marrëveshjes kolektive për veprimtarinë shëndetësore, me të cilin ndryshohet neni 73-a i Marrëveshjes kolektive, drejtorët organizativë vendosen në një pozitë të pabarabartë me drejtorët mjekësorë për sa i përket pagës. Kjo pabarazi u inkorporua me ndryshimet e kryera në Marrëveshjen kolektive në vitin 2019 dhe u thellua me ndryshimet e fundit në Marrëveshjen kolektive për veprimtari shëndetësore nga viti 2020. Përkatësisht, kjo mënyrë e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Sindikatës krijon pabarazi ndërmjet drejtorëve organizativë dhe atyre mjekësorë, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore.

Më tej, në iniciativë citohen nenet 104 dhe 105 të Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore dhe theksohet se në këtë Ligj ekziston një ndarje e kompetencave ekskluzive sipas llojit të arsimit të drejtorëve të organit drejtues, me përgjegjësi të barabartë në aspektin e penalitetit kontraktual dhe të drejtave dhe detyrimeve që dalin nga kontrata e menaxhimit. Konkretisht, në nenin 105 paragrafi 8 të Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore numërohen në mënyrë taksative kompetencat dhe përgjegjësitë e përbashkëta për organin drejtues.

Në iniciativë nuk janë theksuar dispozitat e Kushtetutës që janë në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Marrëveshjes kolektive. Bazuar në sa më sipër, propozuesit propozojnë që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara.

II

Në seancë, Gjykata konstatoi se neni 1 i Aneksit për ndryshimin e Marrëveshjes kolektive për veprimtarinë shëndetësore të Republikës së Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.32/2019) ka përmbajtjen në vijim:

Neni 1

Në Marrëveshjen kolektive për veprimtarinë shëndetësore të Republikës së Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr. 60/06, 156/07, 17/09, 88/09, 60/10, 33/11, 5/13, 172/14, 118/15 3/16 75/16 80/18 dhe 31/19), neni 73-a ndryshon si vijon:

“Neni 73-a

Pagat e drejtorëve dhe drejtorëve mjekësorë në institucionet shëndetësore publike përcaktohen në një koeficient total, si më poshtë:

– ambulanca shëndetësore, poliklinika dhe shtëpi të shëndetit me deri në 150 punonjës (drejtorë, punonjës shëndetësorë pa specializim) – 5.553;

– ambulanca shëndetësore, poliklinika dhe shtëpi të shëndetit me deri në 150 punonjës (drejtorë, punonjës shëndetësorë me specializim) – 5.818;

– shtëpi të shëndetit me mbi 150 punonjës dhe qendra të shëndetit publik (drejtorë, punonjës shëndetësorë pa specializim) – 6.007;

– shtëpi të shëndetit me mbi 150 punonjës dhe qendra të shëndetit publik (drejtorë, punonjës shëndetësorë me specializim) 6.293

– Instituti i Shëndetit Publik, qendra, spitale të përgjithshme, spitale speciale, ente dhe institute (drejtorë, punonjës shëndetësorë pa specializim dhe bashkëpunëtorë shëndetësorë) – 6.412;

– Instituti i Shëndetit Publik, qendra, spitale të përgjithshme, spitale speciale, ente dhe institute (drejtorë, punonjës shëndetësorë me specializim) – 6.718;

– spitale klinike, klinika dhe klinika universitare
(drejtorë, punonjës shëndetësorë pa specializim) – 6.698;

– spitale klinike, klinika dhe klinika universitare
(drejtorë, punonjës shëndetësorë me specializim) – 7.017;

– qendra klinike universitare, instituti universitar
(drejtorë, punonjës shëndetësorë pa specializim) – 7.001;

– qendra klinike universitare, instituti universitar
(drejtorë, punonjës shëndetësorë me specializim) 7.335;

Drejtorëve organizativë në institucionet shëndetësore publike u përcaktohet pagë me një koeficient total:

– shtëpi shëndetësore me mbi 1.000 të punësuar – 5.721;

– institute – 6.107;

– spitale klinike, institute universitare dhe klinika universitare – 6.379;

– qendra klinike universitare – 6.668;

Drejtorët, drejtorët mjekësorë dhe drejtorët organizativë kanë të drejtë për shtesë në pagën bazë për stazh (vjetërsi në punë) prej 0.5%, ndërsa maksimum deri në 20%”.

Gjykata në seancë po ashtu konstatoi se neni 4 i Aneksit për ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes kolektive për veprimtarinë shëndetësore të Republikës së Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.32/2020) ka përmbajtjen në vijim:

Neni 4

Në nenin 73-a, paragrafi 1 ndryshon si vijon:

“Koeficientet e pagave do të përcaktohen për drejtorët dhe drejtorët mjekësorë në institucionet shëndetësore publike duke filluar nga pagesa e pagës për muajin shkurt 2020, edhe atë:

– ambulanca shëndetësore, poliklinika dhe shtëpi të shëndetit me deri në 150 punonjës (drejtorë, punonjës shëndetësorë pa specializim) – 6.386;

– ambulanca shëndetësore, poliklinika dhe shtëpi të shëndetit me deri në 150 punonjës (drejtorë, punonjës shëndetësorë me specializim) – 6.691;

– shtëpi të shëndetit me mbi 150 punonjës dhe qendra të shëndetit publik
(drejtorë, punonjës shëndetësorë pa specializim) – 6.908;

– shtëpi të shëndetit me mbi 150 punonjës dhe qendra të shëndetit publik
(drejtorë, punonjës shëndetësorë me specializim) – 7.237;

– Instituti i Shëndetit Publik, qendra, spitale të përgjithshme, spitale speciale,
ente dhe institute (drejtorë, punonjës shëndetësorë pa specializim
dhe bashkëpunëtorë shëndetësorë) – 7.374;

– Instituti i Shëndetit Publik, qendra, spitale të përgjithshme, spitale speciale,
ente dhe institute (drejtorë, punonjës shëndetësorë me specializim) – 7.726;

– spitale klinike, klinika dhe klinika universitare
(drejtorë, punonjës shëndetësorë pa specializim) – 7.703;

– spitale klinike, klinika dhe klinika universitare
(drejtorë, punonjës shëndetësorë me specializim) – 8.070;

– qendra klinike universitare, institutet universitare
(drejtorë, punonjës shëndetësorë pa specializim) – 8.051;

– qendra klinike universitare, institute universitare
(drejtorë, punonjës shëndetësorë me specializim) – 8.435;

Gjykata në seancë gjithashtu konstatoi se neni 3 i Aneksit për ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes kolektive për veprimtarinë shëndetësore të Republikës së Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.87/2025) në nenin 73-a të Marrëveshjes kolektive për veprimtarinë shëndetësore të Republikës së Maqedonisë ndryshohen koeficientet totale për llogaritjen e pagave të drejtorëve në institucionet shëndetësore publike dhe fshihen fjalët: “drejtorë mjekësorë dhe drejtorë organizativë”.

III

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos për përputhshmërinë e rregullave të tjera dhe marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe me ligjet në përputhje me nenin 110 paragrafi 2 të Kushtetutës.

Sipas nenit 38 paragrafi 3 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjykata do ta hedhë poshtë iniciativën nëse ka pengesa të tjera procedurale për të vendosur mbi iniciativën.

Në Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore, i cili ishte në fuqi në kohën e parashtrimit të iniciativës (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr.43/2012, 145/2012, 10/2013, 38/2013, 65/2013, 87/2013, 164/2013, 39/2014, 43/2014, 101/2014, 132/2014, 188/2014, 10/2015, 61/2015, 154/2015, 192/2015, 17/2016, 37/2016, 93/2017, 20/2019, 101/2019, 153/2019, 180/2019, 275/2019, 76/2020, 77/2021, 122/2021, 178/2021 dhe 150/2019) në nenin 104 përcaktohet se drejtori është organi drejtues i institucionit shëndetësor publik dhe në të përcaktohen edhe kushtet për emërim, si dhe kompetencat e tij.

Në nenin 105 të Ligjit përfshihen dispozita që lidhen me detyrën e drejtorit që ushtrohet nga dy persona, kushtet për emërim dhe kompetencat që ata kanë. Sipas paragrafit 1 të këtij neni, si përjashtim nga neni 104 i këtij Ligji, në një institucion shëndetësor publik: në një qendër shëndetësore me mbi 1,000 punonjës, një qendër klinike universitare, një klinikë universitare, një spital klinik, një institut universitar dhe një institut, emërohen dy drejtorë, përkatësisht një drejtor organizativ dhe një drejtor mjekësor, të cilët janë përgjegjës për funksionimin e institucionit publik të mbrojtjes shëndetësore dhe për detyrimet e ndërmarra në qarkullimin juridik, në përputhje me kompetencat e përcaktuara nga ky ose ndonjë ligj tjetër, aktet nënligjore dhe kontrata e menaxhimit. Drejtori mjekësor dhe ai organizativ janë bashkërisht kompetentë dhe përgjegjës për gjithçka që nuk është në kompetencën ekskluzive të drejtorit mjekësor ose atij organizativ, sipas paragrafit 7 të këtij neni.

Pas parashtrimit të iniciativës, Kuvendi miratoi Ligjin për Ndryshimin e Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.170/2024), i cili hyri në fuqi më 15 gusht 2024, në ditën e publikimit të tij, siç rregullohet me nenin 21 të këtij Ligji. Në përputhje me nenin 7 të këtij Ligji, fshihet titulli i nenit 105 dhe neni 105.

Sipas përmbajtjes së neneve 1 dhe 2 të këtij Ligji, në dispozitat e Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore, të cilat përmbajnë fjalët: “drejtor mjekësor”, zëvendësohen me fjalën: “drejtor”.

IV

Sipas pretendimeve në iniciativë, dispozitat e kontestuara i vendosin drejtorët organizativë në një pozitë të pabarabartë krahasuar me drejtorët mjekësorë gjatë përcaktimit të pagës bazë, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore, i cili në nenet 104 dhe 105 përcakton se drejtorët organizativë dhe ata mjekësorë së bashku përbëjnë organin drejtues dhe kanë të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të barabarta.

Gjatë formulimit të mendimit juridik, Gjykata mori parasysh faktin se ndërkohë janë miratuar ndryshime në Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore, në mënyrë të tillë që me ndryshimet e fundit në këtë Ligj, të cilat kanë hyrë në fuqi më 15.08.2024, funksionet e drejtorëve mjekësorë dhe organizativë janë shfuqizuar. Sipas këtyre ndryshimeve, në institucionet shëndetësore publike emërohet një drejtor i vetëm, i cili merr përsipër të gjitha kompetencat dhe përgjegjësitë që më parë ishin të ndara ndërmjet drejtorëve mjekësorë dhe atyre organizativë.

Në procedurën për iniciativën e parashtruar për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së dispozitave të kontestuara, Gjykata vlerësoi se për shkak të harmonizimit me ndryshimet ligjore të Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore, janë bërë ndryshime në përmbajtjen e dispozitave të kontestuara, të cilat dalin nga neni 3 i Aneksit për ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes kolektive për veprimtarinë shëndetësore të Republikës së Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.87/2025) me të cilin, në nenin 73-a të Marrëveshjes kolektive për veprimtarinë shëndetësore të Republikës së Maqedonisë, ndryshohen koeficientet e totale për llogaritjen e pagës së drejtorëve në institucionet shëndetësore publike dhe fshihen fjalët: “drejtorë mjekësorë dhe drejtorë organizativë”.

Duke marrë parasysh gjendjen faktike të paraqitur, Gjykata konstatoi se është ndryshuar përmbajtja e dispozitave që janë lëndë e kontestimit, prandaj ekzistojnë pengesa procedurale për të vendosur mbi iniciativën sipas nenit 38 alineja 3 të Aktit të Gjykatës.

V

Bazuar në sa më sipër, Gjykata, vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi.

KRYETAR
i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
dr. Darko Kostadinovski