Konferencë për shtyp e Kryetarit Kostadinovski dhe gjykatësit Kadriu pas përfundimit të seancës së 5-të

Pas Seancës së 5-të të Gjykatës Kushtetuese, Kryetari dr. Darko Kostadinovski dhe gjykatësi prof. dr. Osman Kadriu mbajtën konferencë për shtyp lidhur me lëndët me interes të madh publik, përkatësisht, për lëndët: U.nr.65/2025, U.nr.88/2025, 95/2025, U.nr.111/2025 dhe 151/2025.

Gjykata nuk inicio procedurë për vlerësimin e neneve 1 dhe 3 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, në tërësi dhe në veçanti për nenin 1 në pjesën: “në nenin 37 paragrafi 1 pas fjalës “kryen” shtohen fjalët: për shfrytëzuesit e pensionit të cilëve u paguhet pensioni në Republikën e Maqedonisë së Veriut,” dhe nenin 3 në pjesën: “në nenin 18 në paragrafin 3 pas fjalëve “28 shkurt 2025” shtohen fjalët: “dhe të cilat paguhen në Republikën e Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr.75/2025)”.


Parashtruesit e iniciativave ishin: Igorço Toçev, Ljubomir Sandevski, Temellko Risteski, Kire Batev.


Kryetarit Kostadinovski deklaroi se:


“Shumica e gjykatësve konstatuan se pensionistët që marrin pensionin në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ata që marrin pensionin jashtë vendit janë në të njëjtën gjendje juridike dhe kjo është e vërtetë, por ata nuk janë në të njëjtën gjendje faktike. Gjykata Kushtetuese ka ndërtuar një praktikë të gjerë gjyqësore lidhur me shkeljen e parimit të barazisë, përkatësisht të nenit 9. Që të shkelet ky nen, nevojitet që të gjitha subjektet të jenë në të njëjtën gjendje juridike dhe faktike, dhe nëse disa prej tyre trajtohen ndryshe, atëherë kemi shkelje. Megjithatë, në këtë rast, nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë. Gjendja e tyre juridike është identike, por situata faktike nuk është. Argumenti i dytë është se kjo masë është absolutisht një masë sociale dhe ka një natyrë dhe qëllim të tillë. Shtrohet pyetja, cili është qëllimi legjitim i kësaj mase? Ai është i njëjti me atë të rritjes lineare të pensioneve, përkatësisht zbutja e pasojave të rritjes së shpenzimeve dhe inflacionit. Unë kam shprehur mendimin e veçuar lidhur me rritjen lineare dhe ai është se bëhet fjalë për një masë sociale dhe zgjerim të kësaj mase. Pas skadimit të afatit të kushteve të përcaktuara me këtë masë, të cilat i ka përcaktuar Ligjvënësi, rikthehet në fuqi harmonizimi ligjor i pensioneve dhe në këtë drejtim, të drejtat e fituara do të jenë të vlefshme edhe për ata që nuk jetojnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përkatësisht, kjo është një masë sociale, një zgjerim që bëhet me qëllim për t’u ballafaquar me një gjendje specifike gjatë një periudhe të caktuar kohore.


Gjykatësi prof. dr. Osman Kadriu, u përcaktua si gjykatës raportues në këtë lëndë dhe deklaroi se ka propozuar që të iniciohet procedurë për dispozitat e kontestuara, por nuk e ka marrë shumicën e votave nga gjykatësit:


“Si ekip profesional edhe unë si gjykatës raportues, morëm qëndrimin se një vendim i tillë është diskriminues dhe Ligjvënësi diskriminon qytetarët e tij me këtë ligj, pavarësisht nëse pensionistët jetojnë në vendin tonë apo jashtë vendit, ata duhet të ushtrojnë të drejtën për pension, duke përfshirë të gjitha rritjet. Sa i përket dispozitave që problematizohen, ne mbajtëm qëndrimin se u mohohet padrejtësisht e drejta juridike për rritjen e pensioneve dhe për të gjitha harmonizimet që kryhen nga organet tona. Atyre, pensionistëve që jetojnë jashtë vendit tonë u shkaktohet dëm dhe për këto arsye mbajtëm qëndrimin se janë plotësuar kushtet për të iniciuar procedurë, por nuk kishim mbështetjen e shumicës, ndërsa ju e dini që vendimi i Gjykatës është vetëm ai që mbështetet dhe votohet nga shumica”, deklaroi gjykatësi Kadriu.


Lidhur me lëndët U.nr.162/2023 dhe U.nr.163/2023:


Gjykata Kushtetuese, sot vlerësoi nëse Ligjvënësi është harmonizuar plotësisht me udhëzimet dhe qëndrimet tona në Aktvendimin me të cilin e iniciuam procedurën. Shumica e gjykatësve arritën në përfundimin se për sa i përket kushtetutshmërisë formale, po, është harmonizuar, Ligji tani është miratuar në mënyrën që duhej të ishte miratuar, që do të thotë jo me procedurë të shkurtuar, jo me flamur të rremë evropian, por është miratuar siç e prisnim për shkak të rëndësisë së temës. Për sa i përket kushtetutshmërisë materiale, e shqyrtuam zgjidhjen e re, disa nga gjykatësit mendojnë se është larg ideales, por disa besojnë se është shumë më e mirë se zgjidhja ligjore paraprake. Një nga argumentet e mia kryesore është se: deri në vitin 2023, kishim nenin 353 paragrafi 5, ku rregulloheshin këto keqpërdorime të mjeteve publike gjatë prokurimit publik dhe dëmtimi i Buxhetit. Kishim një rregull juridik dhe Gjykata Kushtetuese nuk konstatoi jokushtetutshmëri, megjithëse kishim dilema. Me ndryshimet e vitit 2023, hyri në fuqi një regjim i ri ligjor, të cilin unë dhe shumica e karakterizuam si gjënë më katastrofike që mund të ndodhte në rendin tonë juridik. Kemi dëgjuar shumë kritika se Gjykata Kushtetuese ishte e ngadaltë, se i duhej shumë kohë për ta zgjidhur çështjen, por thamë se edhe nëse ai Ligj do të kishte qenë në fuqi vetëm për 1 orë, ai do të prodhonte pasoja. Ne miratuam vendim, nuk e shfuqizuam që të mos krijonim vakum juridik, i dhamë afat Kuvendit dhe ai miratoi një zgjidhje të re. Sot, arritëm në përfundimin se ajo nuk është ideale, se mund të ketë dobësi në të, por pse nuk iniciuam procedurë? Sepse nëse iniciojmë procedurë, nuk duam që përsëri të krijojmë vakum juridik në mënyrë që të mos ketë boshllëk ligjor dhe të mos mundet të sanksionohen aktet nga të cilat vuan shteti, siç është keqpërdorimi i mjeteve publike. Ne do të duhej të gjenim ndonjë zgjidhje kreative, nëse do ta linim përsëri afat. Shfuqizimi do të nënkuptonte boshllëk ligjor dhe do të duhej të prisnim për një zgjidhje të re ligjore. Është paralajmëruar miratimi i Kodit të ri Penal. Nuk e di zgjidhjen, por një thelbi i qëndrimit tim dhe shumicës së gjykatësve ishte: a është normale që në një vend të ketë 4 regjime ligjore brenda tre viteve për një temë kaq të rëndësishme? Imagjinoni se çfarë pasojash pushteti legjislativ i shkakton pushtetit gjyqësor dhe pastaj ia drejton gishtin pushtetit gjyqësor, për shkak të besimit të ulët në të. Për këto arsye, vendosëm ta ndalojmë procedurën, duke qenë pjesërisht të kënaqur me harmonizimin me vendimin tonë, jo plotësisht, por për hir të sigurisë juridike, për shkak të parashikueshmërisë juridike, vendosëm ta ndërpresim procedurën.


Gjykatësi Osman Kadriu, në lidhje me lëndën e Kodit Penal, shtoi:


Unë e kam shprehur mendim të veçuar dhe kam votuar kundër. Në arsyetim u theksua qartë se vendimin ynë për inicimin e procedurës bazohej në dy lloje shkeljesh: shkelje formale-kushtetuese edhe shkelje materiale-kushtetuese. Ligjvënësi veproi në përputhje me aspektin formal të vendimit tonë dhe respektoi të gjitha fazat gjatë miratimit të ndryshimeve. Megjithatë, ajo që mbetet problematike është pjesa materiale, Kuvendi nuk ka vepruar plotësisht në përputhje me dispozitat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në një rast të tillë, kur është i detyruar të veprojë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, atëherë nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të iniciojmë procedurë edhe për këto zgjidhje ligjore. Kisha rezervat e mia dhe ende i kam. Bëhet fjalë për “kodin famëkeq” për shtetin tonë. Me këtë Kod, u bë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj sistemit juridik dhe rendit juridik të vendit. Ende i vuajmë dëmet dhe pyetja është a do të jemi në gjendje t’i shmangim plotësisht ato dëme në të ardhmen. Nëse shteti, thënë figurativisht, mund të japë amnisti, ai nuk mund të amnistojë veten nga dëmet që u janë shkaktuar qytetarëve! Ligjvënësi e plotësoi anën formale, përkatësisht procedurën, por nuk veproi sipas përcaktimeve të vendimit tonë dhe nuk korrigjoi ato 4 dispozita në të cilat ne u përqendruam dhe atëherë iniciuam procedurë. Për shkak të pasojave që ka ky Ligj dhe për shkak se ai nuk ofron një mënyrë adekuate për shmangien e tyre, unë kisha rezervat e mia dhe nuk e mbështeta ndërprerjen e procedurës.