Gjykata Kushtetuese po ndërmerr një hap historik drejt hapjes së plotë institucionale, duke e nisur reformën më të madhe të transparencës që nga themelimi i saj.
Duke filluar nga 4 marsi, për herë të parë në histori, opinioni publik do të ketë mundësi t’i ndjekë seancat drejtpërdrejt përmes faqes zyrtare të internetit.
Seanca do të jetë në dispozicion përmes linkut vijues: (https://ustavensud.mk/во-живо).
Me vendosjen e këtij modeli të transparencës, hapet një kapitull i ri në marrëdhënien ndërmjet institucionit dhe qytetarëve.
Çdo qytetar do të jetë në gjendje të ndjekë në kohë reale se si zhvillohen debatet, cilat argumente shqyrtohen dhe për cilat bëhen ballafaqime në procesin e vendimmarrjes, si formulohet mendimi juridik dhe çfarë atmosfere mbizotëron gjatë marrjes së vendime me rëndësi thelbësore për rendin juridik.
Ky vendim përfaqëson kurorëzim të procesit shumëvjeçar të zbatimit gradual të Programit për menaxhimin e komunikimeve, i realizuar përmes disa fazave të zhvillimit:
– Transparenca aktive dhe raportimi i vazhdueshëm ndaj opinionit publik për të gjitha çështjet në çdo fazë të procedurës;
– Prania aktive në rrjetet sociale, me mundësinë për ndërveprim të drejtpërdrejtë me qytetarët;
– Ndjekja e informacioneve në opinionin publik në lidhje me Gjykatën, si dhe reagimi dhe informimi në kohë i qytetarëve për çështjet me interes publik;
– Modernizimi teknik dhe sigurimi i pajisjeve për punë digjitale dhe regjistrime digjitale;
– Ofrimi i mundësisë që qytetarët t’i drejtohen drejtpërdrejt Kryetarit të Gjykatës në mënyrë elektronike përmes faqes së internetit;
– Organizimi i takimeve ndërmjet Kryetarit të Gjykatës dhe qytetarëve çdo të enjte të parë të muajit, duke filluar nga 5 marsi 2026.
Vendimi për vendosjen e transmetimit të drejtpërdrejtë të seancave u mor me shumicë votash nga përbërja aktuale e Gjykatës, e udhëhequr nga imperativi për punë institucionale transparente, të përgjegjshme dhe të hapur.
Pikësynimi i kësaj reforme është përforcimi i besimit të qytetarëve në shtetin e së drejtës, si dhe përafrimi i qytetarëve me kompetencat e Gjykatës, përmes shqyrtimit të drejtpërdrejtë të punës së institucionit më të lartë kushtetues – gjyqësor.
Me këtë risi, Gjykata Kushtetuese jo vetëm që vendos standarde të reja për punën e saj, por edhe pozicionohet si gjykata më transparente dhe një nga institucionet më të hapura në vend, duke synuar gjithmonë edhe inkurajimin e organeve të tjera të pushtetit, të cilat pretendojnë të kenë transparencë dhe llogaridhënie më të madhe.
